Shqipëria kremton Ditën e Europës dhe riafirmon rrugën e saj të pakthyeshme drejt Bashkimit Europian

Në Ditën e Europës, simbol i paqes, bashkëpunimit dhe unitetit mes kombeve europiane, Shqipëria riafirmon përkatësinë dhe aspiratën e saj të palëkundur europiane.

Në një kohë sfidash për vetë kontinentin, 9 Maji vjen si një kujtesë e fuqishme për vlerat mbi të cilat është ndërtuar Europa e bashkuar dhe për rrugën pa kthim që Shqipëria ka zgjedhur drejt Bashkimit Europian.

Në këtë kuadër, Kryeministri Rama mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, nën logon “Open Space”, në kuadër të Javës së Europës, ku përcolli mesazhin se integrimi europian i Shqipërisë mbetet një mision kombëtar i pandryshueshëm dhe një proces i pakthyeshëm, i ndërtuar mbi reformat, sundimin e ligjit dhe partneritetin strategjik me Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij, Kryeministri vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në negociatat për anëtarësim dhe theksoi se besimi në ecurinë e këtij procesi lidhet drejtpërdrejt me bashkëpunimin e ngushtë me institucionet europiane.

Në këtë kuadër, Kryeministri vuri në dukje se reforma në drejtësi dhe angazhimi për forcimin e sundimit të ligjit janë dëshmi konkrete të vullnetit të palëkundur të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

Duke u ndalur në faktin se Shqipëria do të mikpresë vitin e ardhshëm Kongresin Botëror të Ligjit, Kryeministri e cilësoi këtë si një vlerësim ndërkombëtar për përparimin e vendit në forcimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës.

Në përgjigje të interesimit të mediave të pranishme në event, mbi procesin e negociatave me Bashkimin Europian, Kryeministri theksoi se Shqipëria po ndjek një kalendar ambicioz të dakordësuar me Komisionin Europian për mbylljen e negociatave dhe se rruga drejt anëtarësimit kërkon përpjekje të përditshme, reforma të vazhdueshme dhe zbatim konkret të standardeve europiane në çdo sektor.

Kryeministri Rama ritheksoi se Shqipëria ndodhet në fazën përfundimtare të një rrugëtimi historik drejt ankorimit të plotë në familjen europiane, duke nënvizuar se integrimi në Bashkimin Europian është garancia më e fortë për demokracinë, lirinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.