Tiranë, 2 shtator 2025 – Për herë të parë, Shqipëria ka marrë drejtimin e Komitetit Monitorues të programit Interreg Europe, një nga mekanizmat më të rëndësishëm të Bashkimit Europian për bashkëpunimin ndërrajonal. Ky është një hap historik për vendin, i cili, si vend kandidat për anëtarësim në BE, bëhet i pari që merr këtë rol vetëm dy vite pas përfshirjes në program.
Që prej 1 korrikut 2025, kryesimi i Komitetit mbahet nga Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC), ndërsa mandati do të zgjasë deri në dhjetor 2025. Në këtë periudhë, Shqipëria do të organizojë takime kyçe, përfshirë mbledhjen e ardhshme të Komitetit në Tiranë, në dhjetor, ku do të mblidhen përfaqësues nga 36 vende, si dhe një takim parapërgatitor online në tetor, i cili do të shërbejë për nisjen e diskutimeve mbi programimin e periudhës 2028–2034.
Shqipëria ka rritur ndjeshëm rolin e saj brenda Interreg Europe, duke u bërë pjesë e mbi 30 organizatave vendore dhe 34 partneriteteve projektesh që fokusohen në tranzicionin e gjelbër, ekonominë blu, menaxhimin e qëndrueshëm të ujit, turizmin kulturor dhe inovacionin territorial. Projekte të rëndësishme si WATERADAPT, COAST CRAFT dhe NATUREFIN po ndihmojnë bashkitë shqiptare dhe institucionet kërkimore në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave bregdetare.
Ngjarja e nivelit të lartë që do të mbahet në dhjetor në Tiranë pritet të theksojë progresin e bërë dhe të vendosë hapat e ardhshëm të programit, duke ofruar gjithashtu një platformë për rritjen e vizibilitetit të partneriteteve shqiptare dhe për shkëmbimin e praktikave më të mira ndërmjet rajoneve evropiane.
“Kryesimi i Interreg Europe është një tregues i rolit në rritje të Shqipërisë në vendimmarrjen evropiane dhe një mundësi për të nxjerrë në pah kontributin tonë në projekte konkrete me ndikim rajonal. Ne jemi të përkushtuar ta shfrytëzojmë këtë mandat jo vetëm për të avancuar rrugën tonë drejt BE-së, por edhe për të sjellë rezultate të prekshme për qytetarët, bashkitë dhe komunitetet lokale,” – u shpreh Eridana Cano, Drejtoreshë e Përgjithshme e SASPAC.