Shqipëria mikpret për herë të parë Konferencën Ndërkombëtare të Kartës Rinore Evropiane

Shqipëria mirëpriti për herë të parë Konferencën Ndërkombëtare të Kartës Rinore Evropiane, një ngjarje që mblodhi në Tiranë institucione, organizata dhe partnerë nga e gjithë Evropa për të diskutuar mbi fuqizimin e të rinjve, mobilitetin, edukimin dhe mundësitë që krijohen përmes Kartës Rinore Evropiane.

Konferenca mblodhi mbi 100 pjesëmarrës nga më shumë se 30 vende evropiane, duke e kthyer kryeqytetin në një platformë dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash mbi politikat rinore dhe mundësitë që ofron Evropa për brezat e rinj.

Në aktivitet mori pjesë Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili vlerësoi organizimin e konferencës në Shqipëri si një tregues të rolit në rritje që vendi po luan në nismat evropiane të dedikuara për të rinjtë dhe si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit me rrjetet rinore evropiane.

Në fjalën e tij gjatë konferencës, ministri theksoi rëndësinë e investimit te të rinjtë dhe krijimit të më shumë mundësive për pjesëmarrjen e tyre në jetën publike, arsimore, kulturore dhe profesionale. Ai u ndal gjithashtu te roli i të rinjve në përballimin e sfidave të së ardhmes, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të hapësirave që u mundësojnë atyre të kontribuojnë në jetën publike dhe proceset vendimmarrëse. Në këtë kuadër, Karta Rinore Evropiane u vlerësua si një instrument që zgjeron aksesin e të rinjve në shërbime, aktivitete dhe përvoja që kontribuojnë në zhvillimin e tyre personal dhe profesional.

Ministri Gonxhja shtoi se Shqipëria po afirmohet gjithnjë e më shumë si një destinacion për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, duke krijuar hapësira për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash mes pjesëmarrësve nga vende të ndryshme, si edhe duke promovuar vlerat e mikpritjes dhe kulturës shqiptare.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi rolin e Kartës Rinore Evropiane në promovimin e mobilitetit, përfshirjes sociale, qytetarisë aktive dhe shkëmbimit ndërkulturor, duke krijuar mundësi për të rinjtë që të ndërtojnë lidhje përtej kufijve dhe të përfitojnë nga hapësira evropiane. Konferenca u vlerësua si një hap i rëndësishëm për afrimin e të rinjve me mundësitë evropiane dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në mbështetje të zhvillimit të tyre.