Siguria kibernetike, firmoset Memorandumi i Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Siguria kibernetike, firmoset Memorandumi i Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara

Fjala e Ministres Balluku gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara:

I nderuar kryeministër,

I nderuar ministër Sheikh Abdullah,

Të nderuar kolegë,

Ambasadorë,

Sot është një ditë e rëndësishme, e cila padyshim do të shënohet në librin e marrëdhënieve të shkëlqyera që vendi ynë ka me Emiratet e Bashkuara, marrëdhënie të ngritura mbi besimin, marrëdhënie të cilat janë gjithmonë e më të forta vitet e fundit, tashmë që edhe në bazë të marrëveshjeve që janë nënshkruar për bashkëpunimin ekonomik kemi arritur që të kemi projekte konkrete, projekte të cilat sot kanë nisur realizimin e tyre dhe që do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen ekonomike të vendit tonë.

Megjithatë një vend i zhvilluar, i cili ka synim të dixhitalizojë të gjitha proceset e tij, padyshim është edhe i ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike, diçka të cilën ne e ndeshëm në korrikun e vitit të shkuar dhe pavarësisht se u përballë në mënyrën më të mirë dhe më profesionale nga të gjithë ekspertët tanë, padyshim sulmi ishte një sulm jo amator, një sulm ekspertësh, një sulm për të cilin ishin shpenzuar shumë para nga një vend agresiv ndaj Shqipërisë.

E gjithë kjo situatë na solli që të kërkonim mbështetjen e partnerëve tanë. Kjo situatë na bëri që të ngrinim mburojat tona ashtu si ne mundeshim, me eksperiencën që kishim dhe me instrumentet që kishim. Por, mbi të gjitha të kërkonim edhe ekspertizën, edhe mbështetjen financiare, apo edhe një lloj marrëdhënie afatgjatë me partnerët të cilët janë të përgatitur në fushën e cyber security.

Kështu që padyshim të parët që na u gjetën pranë ishin edhe Emiratet e Bashkuara, së bashku me shumë e shumë partnerë të tjerë, ku dua të veçoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e menjëhershme që na dha në momentet e para. Por, ndërkohë marrëdhënia jonë me Emiratet e Bashkuara përsa i përket cyber security tani ka kaluar në një nivel tjetër.

Nuk flitet më vetëm për përgjigjen emergjente të momenteve të para, por flitet për një bashkëpunim afatgjatë të vendosur mbi kolona strategjike, të cilat do të benifikojnë, do të ndihmojnë sektorin e cyber security në Shqipëri që të ngrihet në një nivel ekspertize për të përballuar  çdo lloj sulmi në të ardhmen.

Kemi muaj që bashkëpunojmë. Kemi muaj që ndajmë informacion me njëri tjetrin, pasi siç thonë dhe ekspertët cyber një nga elementët më të rëndësishëm për mbrojtjen është ndarja e informacionit mes shteteve bashkëpunuese. Ne ndajmë informacion ditor me Emiratet e Bashkuara për të gjitha sulmet që na ndodhin gjatë ditës dhe ata bëjnë të njëjtën gjë me ne duke arritur kështu që të ngremë mbrojtjet momentale dhe duke arritur kështu që të kemi një eksperiencë përsa i përket sulmeve të reja dhe të avancuara që ndodhin çdo ditë.

Por çfarë është e rëndësishme? Sot midis dy palëve do të nënshkruhet një marrëveshje, një memorandum bashkëpunimi për të vazhduar më tej për gjithë kontributin që Emiratet e Bashkuara do ti japin ACESK, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike për të ngritur të gjitha mbrojtjet për sektorët kritik, për të ngritur një armatë të re burimesh njerëzore, e cila do ët shërbej edhe në të ardhmen për të zhvilluar këtë fushë kaq të rëndësishme. Kështu që sot duhet të themi që fillojmë një kapitull të ri bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara dhe kapitujt e mëparshëm të bashkëpunimit ekonomik, të shkëlqyer do të thoja unë, do ti shtohet edhe ky bashkëpunim i ri në cyber security.

Siç ju thashë shkëmbimi i informacionit, shkëmbimi i njohurive, kapaciteti njerëzor, që është një nga asetet më të rëndësishme për sektorin e cyber security, si dhe padyshim ngritja e sistemeve, të cilat ne tashmë kemi bërë analizën, kemi bërë të gjithë strategjinë se çfarë do na duhet për të ardhmen dhe duke qenë të qartë për kërkesat tona, të gjitha këto kërkesa i kemi parashtruar tek partnerët tanë, tek miqtë tanë, tek specialistët e agjencisë së cyber security të Emirateve të Bashkuara.

Për të përmbyllur dua edhe një herë të falënderoj partnerët tanë dhe ti siguroj ata se Shqipëria është e vendosur në konsolidimin e mëtejshëm të hapësirës kibernetike në luftën e përbashkët për të mbrojtur vendet tona, soveranitetin e tyre, padyshim zhvillimin ekonomik dhe gjithçka tjetër është e rëndësishme për njerëzit e vendeve tona siç është zhvillimi politik dhe ai shoqëror.

Do të ftoja ambasadorin e Emirateve të Bashkuara dhe zotin Igli Tafa, drejtor të Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike që të vazhdonin me firmosjen e memorandumit të mirëkuptimit.

Previous Ministrja Xhaçka pret homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan