Situata në vend datë 21 janar 2023, ora 12:30
I gjithë territori i vendit vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu si dhe reshje bore në relievet malore mbi 600 metër, por nga të gjitha raportime në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile nuk paraqiten problematika të theksuara.
Priten reshje mesatare intensive në nivel lokal në qarqet: Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen edhe me shtrëngata në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër.
Niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.
Hidrovoret janë në gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje.
Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme është 12 mm, prurjet janë 1400 m3/s. Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës Koman – Vau i Dejës është 15 mm, prurjet janë në Koman 650 m3/s dhe Vau i Dejës 200 m3/s. Në kaskatën e Drinit vijojnë shkarkimet me 300 m3/s. Ditën e sotme si pasojë e uljes së sasisë së reshjeve në qarkun Lezhë, kemi shkarkime në Digën Ura e Fanit, me 80 m3/s.
Përsa i përket furnizimit me energji, ka problematika vetëm në disa zona rurale të qarqeve Tiranë, Elbasan, Kukës dhe Shkodër. Nga forcat e OSHEE vijon puna pa ndërprerje për të rikthyer normalitetin.
Në qarkun e Shkodrës nuk ka zgjerim të hartës së sipërfaqes së raportuar të përmbytur një ditë më parë. Kalohet me mjete të larta vetëm rruga e Obotit, ku ka prani uji.
Më qarkun e Lezhës total ka rreth 770 ha tokë bujqësore të përmbytur, në ish – kënetën e Torovicës, njësia administrative Balldren, në ish – kënetën Spiten -Tresh, bashkia Lezhë, në njësinë administrative Zejmen, në ish – kënetën Gjonëm, bashkia Kurbin.
Në Malësinë e Madhe po punohet për zhbllokimin e aksit Bogë – Theth, të bllokuar për shkak të rënies së ortekëve në vendin e quajtur “Tunelet Panoramike”.
Në të gjitha akse rrugore që kanë problematika në rrëshqitjen e dherave rënien e gurëve apo dëmtimet e trupit të rrugës , nga forcat e ARRSH dhe të bashkive po punojnë për pastrimin dhe riparimin e tyre.
Pa probleme të theksuara paraqitet situata në qarkun e Kukësit, ku gjatë ditës së djeshme kemi pasur reshje bore me trashësi 10 – 15 cm, rrugët nacionale janë të hapura dhe qarkullohet normalisht. Punonjësit e emergjencave dhe firmat kontraktore janë në terren dhe në gatishmëri.
Në qarkun e Gjirokastrës, në bashkinë Këlcyrë, në lagjen Kalemaj, fshati Katundisht, njësia administrative Deshnicë, ka rrëshqitje dhe fundosje të tokës nga baza rreth 1 m, në një sipërfaqe rreth 2 ha. Brenda kësaj sipërfaqe përfshihen 4 banesa dhe 4 stalla bagëtish. Në vendngjarje ka shkuar një grup pune për konstatimin e dëmeve. Banorët janë evakuuar nga banesat dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre.
Në qarkun Korçës ka pasur reshje bore trashësia e se cilës është 10 – 25 cm. Të gjitha akset rrugore janë te hapura.
Në bashkinë Shkodër në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit operuan 4 trupa me 1 mjet të kalueshmërisë së lartë.
Situata e emergjencës në të gjithë territorin e RSH është nën kontroll, bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithë institucioneve dhe strukturave të Sistemit të Mbrojtjes Civile është i lartë.
Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit do të vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo kërkesë nga pushteti vendor.
Gjithashtu përsërisim thirrjen që qytetarët në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore në çdo rast nevoje.