65 mijë fermerë përfituan mbështetje të drejtëpërdrejtë nga Skema Kombëtare e vitit 2023. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, informoi se “falë aktit normativ me 1.8 miliardë lekë, u mundësua mbështetje e plotë për 65 000 fermerë aplikantë përfitues në shkallë vendi”.
Denaj bëri të ditur se, ndërkohë ka përfunduar sot shpërndarja e mbi 20 600 kartave të cilat mundësojnë disbursimin e 4.5 milionë litra naftë për të gjithë aplikuesit në skemën direkte të mbështetjes në të gjithē Shqipërinë.
Denaj tha se, “Skema Kombëtare, për masën naftë pa taksa për bujqësinë, ka mbështetur një numrin rekord prej 53.169 fermerësh në shkallë vendi, kundrejt 34 mijë përfituesve në vitin 2022”, teksa theksoi se, falë mbështetjes së qeverisë, fondi shtesë prej 1.8 miliardë lekësh është vënë në dispozicion të fermerëve përfitues që plotësojnë kushtet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi.
“Për skemën e naftës falas, strukturat tona të AZHBR në bashkëpunim me AREB kanë filluar shpërndarjen e 20.645 kartave shtesë të naftës tek fermerët përfitues”, tha ministrja Denaj.
Sipas MBZHR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare ka qenë gjithnjë e në rritje dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre.
MBZHR është e angazhuar për të çuar përpara mbështetjen për rritjen e prodhimin bujqësor vendas dhe njerëzit e punës. Skema e naftës falas është një nga masat më të mirëpritura për fermerët, pasi u jep atyre mundësi të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga rritja e çmimeve të mallrave të importuara.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, është në vitin e tretë të zbatimit të skemës mbështetëse naftë pa taksa për bujqësinë, duke i ardhur në ndihmë fermerëve për uljen e kostove të prodhimit.