Në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, simbolit botëror të paqes dhe humanizmit, hapi dyert e sherbimit për banorët e Laçit spitali i ri bashkiak, vepër e Programit të Rindërtimit, i cili plotëson më së miri nevojat për shërbimet shëndetësore bazë, të ofruara përmes një infrastrukture model me standarde e kushte optimale.
Spitali i ri nga ku do të marrin kujdesin e nevojshëm 46 mijë qytetarë të Kurbinit është ringritur nga themelet, duke zëvendësuar ngrehinën 50 vjeçare që doli tërësisht jashtë funksionit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ai përfaqëson gjithashtu një prej projekteve model ku do të bazohet në të ardhmen ndërtimi i spitaleve bashkiake.
Mjediset e spitalit të ri, i vizitoi sot Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, të shoqëruar nga stafi i mjekëve dhe infermierëve.
Spitali do të ketë 40 shtretër dhe ndërkohë do të ketë modelin e një spitali 24 orësh. Do të ofrojë shërbimet e emergjencës, shërbimet patologji, shërbimet pediatri, dhe shërbime të maternitetit. Ndërkohë që do të ketë edhe poliklinikën, d.m.th, konsultat brenda një godine. “Urgjenca është një ndër sherbimet esenciale të spitalit sidomos modeli i spitaleve bashkiake ku kombinohen, jo vetëm organizimi nepermjet triazhit, por gjithashtu dhe nëpermjet dhomave të observimit. Këtu praktikisht janë përdorur standardet me të mira europiane. Kemi nje strukturë e cila do të përdoret për mikrokirurgjinë apo ndonjë kirurgji urgjence që mund të ndodhë në situata emergjente të spitalit duke e kombinuar gjithashtu edhe me zonën e reanimacionit. Kemi një hyrje të dedikuar te spitalit për familjarët, me recepsion të dedikuar në mënyrë që të mos ketë problematika dhe ato rastet qe vijnë nga urgjencat mund të presin në mënyrë që të mos ketë flukse që demtojnë ecurinë e punës.” – shpjegoi Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë hyrjes në ndërtesën e re dhe takimit me mjekët e pranishëm, mes tyre edhe shumë mjekë të rinj specializantë të cilët po marrin eksperiencë dhe po ofrojnë kontributin e tyre në këtë spital.
Më pas, ne mjediset e jashtme të spitalit vijoi ceremonia e rastit, gjatë të cilës, Kryeministri Edi Rama iu drejtua të pranishmëve me një fjalë.
* * *
Përshëndetje të gjithëve, me shumë respekt dhe me kënaqësinë e veçantë të përkimit të hapjes së dyerve të spitalit në këtë ditë të shënuar, e cila natyrshëm përjetohet në mënyrë të posaçme këtë në këtë zonë, ku është edhe prania e gjithhershme e Shën Ndoit edhe ku janë të panumërt shqiptarët që vijnë për pelegrinazh, jo vetëm nga territori i Shqipërisë, por edhe nga territore të tjera ku ata banojnë.
Më vjen shumë mirë që në radhë të parë në këtë ditë të sotme përgjatë hedhjes së një vështrimi në mjediset e reja të spitalit pashë disa mjeke të reja, të cilat i janë atashuar spitalit të Kurbinit për të dhënë kontributin e tyre pasi kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera në shkollë.
Dua ta theksoj këtë sepse shpeshherë herë e dëgjojmë të përsëritet që “s’kemi mjek, s’kemi infermierë, kanë ikur të gjithë”. Në fakt për hir të së vërtetës më vjen shumë mirë ta nënvizoj, ne nuk e kemi një boshllëk të tillë pavarësisht të pamohueshmes që ka mjekë dhe ka infermierë të rinj që largohen, është e drejta e tyre që të provojnë veten dhe të kërkojnë një eksperiencë gjetkë. Ne kemi një sistem sot që na mundëson që përmes shpërndarjes të forcave të reja që dalin nga specializimet të mos kemi boshllëqe, dhe jo vetëm të mos kemi boshllëqe, por ne sot në sistemin tonë spitalor kemi një shpërndarje dhe një prani shumë më të plotë dhe shumë më të racionalizuar seç kishim disa vite më parë kur trashëguam një gropë të madhe të pashpjegueshme, në fakt, të mungesës së specialistëve për shkak të mbylljes absurde të specializimeve për vite e vite të tëra. Një vendim i marrë nga qeveritë e mëparshme, të cilës asnjëherë nuk ua kemi gjetur dot shpjegimin.
Sot, ne jemi në kushtet kur mund të harmonizojmë eksperiencën e mjekeve me përvojë, e atyre që e kanë mbajtur mbi shpatullat e tyre të gjithë sistemin e shërbimit shëndetësor edhe në kushtet më dramatike, siç janë disa prej mjekëve që pata nderin të takoj sot, dhe atyre më të rinjve që vijnë me pasionin për të shërbyer dhe të cilëve duke iu ofruar kushtet të tilla si kushtet e këtij spitali, duke iu vënë në dispozicion mjete dhe aparatura si mjetet dhe aparaturat e këtij spitali iu rrisim motivimin dhe patjetër iu ushqejmë dëshirën që të vazhdojnë të punojnë në Shqipëri, të vazhdojnë të punojnë në shërbim të njerëzve këtu, njerëzve tanë në nevojë për kujdes shëndetësor. Prandaj, dua ta nis duke ju uruar mjekeve më me përvojë që këto vite te mbetura të shërbimit të tyre t’i kalojnë sa më mirë dhe mjekeve të rinj që viteve të shumta të shërbimit që kanë përpara t’i kalojnë sa më mirë dhe së bashku t’ia dalin që t’i ofrojnë të gjithë këtij komuniteti ashtu si komunitete e tjera në këto infrastruktura të reja që ne po ndërtojmë një shërbim cilësor për të bërë atë që tha ministrja pak më parë duke cituar një poete të famshme që për t’i bërë njerëzit të ndihen mirë, të ndihen mirë nga mënyra sesi priten, nga mënyra sesi trajtohet dhe nga mënyra sesi ndihen kur dalin nga dyert e spitalit.
Së dyti, më vjen shumë mirë që ne vazhdojmë të japim një provë të rëndësishme besoj unë, për çdo qeveri, për çdo trup e cila është aty si rezultat i zgjedhjes së bërë nga njerëzit, provën se ne e themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi pavarësisht se jo gjithmonë arrijmë që gjerat ti bëjmë në kohën e duhur; pavarësisht se nganjëherë nuk arrijmë t’i bëjmë ashtu siç duhet, jo sepse nuk duam, por sepse sa më shumë gjëra të përpiqesh të bësh, aq më shumë je i ekspozuar karshi gabimeve apo boshllëqeve të mundshme, dhe prova që ne po i japim këtij komunitet është në fakt edhe një provë e rëndësishme e natyrës së bindjeve e të qasjes sonë e cila nuk varet fare se nga sesa shume na voton apo s’na voton një komunitet, unë shpresoj që të na votojnë më shumë këtu në Laç, patjetër, por pak rëndësi ka ky fakt përballe nevojës së njerëzve për tu shërbyer; pavarësisht se për kë votojnë dhe detyrimit tonë që t’ju garantojmë shërbim pavarësisht se sa na votojnë. Dhe për të qëndruar këtu dëshiroj të kujtoj se ky ishte një qytet realisht i lënë pas dore rendshëm për shumë e shumë vite, nga ata që këtu e kanë marrë votën rendshëm për shumë e shumë vite. Dhe ne më pas nuk është se bëmë ndonjë gjë shumë të madhe, por sigurisht besoj se bëmë diçka më shumë deri kur tërmeti dhe gjithë ajo tragjedi që goditi këtu më shumë sesa në çdo vend tjetër, flas për Laçin dhe flas për gjithë zonën, Kurbinin përshirë dhe patjetër Fushë Krujën, Krujën dhe përreth na vuri përpara detyrimit për të nxjerrë nga ajo krizë e rënde të gjithë atë që të ofron një mundësi e madhe, mundësia për ta rilindur gjithë këtë zonë dhe për ta bërë ashtu sikundër askush as nuk ka pasur kurajën ta imagjinojë, duke pasur parasysh se sa shumë vite kishin kaluar edhe sesa pak kishte ndodhur këtu. Dhe unë jam realisht shumë i lumtur kur vij këtu sepse jo vetëm shoh ato që janë bërë por e di shumë mirë që do vazhdojnë të bëhen dhe po vazhdojnë të bëhen dhe gjëra të tjera që në fund fare do ti japin gjithë kësaj zone jo vetëm një pamje tjetër, jo vetëm mundësinë që mijëra familje të jetojnë krejt ndryshe nga çfarë jetonin, jo vetëm mundësinë që mijëra e mijëra fëmijë të shkojnë në shkolla që janë komplet ndryshe nga shkollat që ishin, jo vetëm që cilido qoftë që ka nevojë për shërbim mjekësor të vijë në spital që s’ka lidhje fare me atë që ishte, por edhe një mundësi tjetër akoma më afatgjate mendoj unë dhe më të rëndësishme për ta parë perspektivën e të jetuarit në këtë vend si një perspektivë të qëndrueshme që është mundësia që do të krijohet në këtë zonë për tu kthyer në një zonë e cila gjithë atë fluksin e vetvetishëm të turizmit fetar që e ka në fakt ngarkesë për hir të së vërtetës sepse në pamundësi për të ofruar shërbime, në pamundësi për të ofruar asgjë tjetër përveçse rrugës së kalimit, atëherë e gjitha kjo bëhet një ngarkese e madhe me makina, me njerëz të cilët shkojnë në atë destinacionin aty dhe besoj që pak nga pak do iu krijohet mundësia që të vinë dhe të qëndrojnë më gjatë, të rrinë një ditë më shumë, të rrinë dy ditë më shumë. Do krijohet mundësia që këtu të ketë shërbime hotelerie, do krijohet mundësia qës këtu të ketë shërbime agroturizmi . Të gjitha këto që mund të duken si të çuditshme sot, do të jenë realitet dhe do të jenë realitet dhe jo mbas 10 apo 100 vjetësh, po vit mbas viti. Ne po punojmë bashkë me kryetaren e bashkisë për të ndryshuar gjithë infrastrukturën që lidh qytetin me zonën lart edhe për të parë sesi mund ta nxisim infrastrukturën e turizmit fetar. Vendet që kanë fatin, kanë bekimin ta kenë turizmin fetar janë vende, qytete, qyteza, zona të cilat nxjerrin edhe përfitime ekonomike të jashtëzakonshme dhe ne duhet dhe do të ecim në këtë drejtim. Këtë për t’i dhënë njerzve një perspektivë në sensin që nuk mbaron këtu. Nuk mbaron kjo punë thjesht me rindërtimin e shkollave, të kopshteve, të spitalit, të apartamenteve të tjera që do të ndërtohen në bllokun e dytë pas ndërtimit të bllokut të parë apo të bashkisë të re që kur e shoh sa herë vij këtu, duket gjithnjë e më shumë sikur është një godinë ku duhet të ishte Kryeministria, jo Majlinda, po kështu e sjell tërmeti ndonjëherë edhe ndodh, por përtej shakasë, realisht është një nga godinat më të bukura publike që janë në Shqipëri.
Unë Majlindës i them si po shkojnë ndërtimet e FMN-së sepse realisht është si me qenë një institucion ndërkombëtar në mes të Laçit. Por ky qytet, kjo zonë dhe këta njerëz i meritojnë të gjitha siç i meritojnë të gjithë njerëzit në të gjitha zonat e Shqipërisë për hir të së vërtetës dhe duke e mbyllur unë thjeshtë dëshiroj të falenderoj edhe miqtë e kishës, të cilët ishin sot të pranishëm dhe të cilët patën mirësinë që t’i bëjnë edhe një bekim spitalit, duke qenë se është edhe dita e Nënë Terezës, me atë rast mora dhe unë ca pika uji që shpresoj të më sjellin mbarësi për ta kthyer në mirësi për të tjerët në radhë të parë dhe me sigurinë që pasi u rritën rrogat edhe një herë apo jo për ju, do vazhdojmë t’i rrisim përsëri përtej vështirësive që kemi sepse është shumë e rëndësishme që në këtë fazë kritike ku ka kaq shumë vështirësi ku janë ndërthurur dhe inflacioni dhe kriza energjitike e kështu me radhë të vazhdojmë të mbështesim.
Kështu që, rrogat do vazhdojnë të rriten për mjekët, për infermierët, për të gjithë ata që punojnë në sistemin shëndetësor, për mësueset, për mësuesit dhe shpresoj që së shpejti do të kemi një lajm të mirë edhe për pensionistët të cilëve do t’u jemi gjithë jetën borxh, pavarësisht se ëfarë ne mund të bëjmë sepse asnjëherë s’do të arrijmë dot të bëjmë asgjë që e shlyen borxhin që kemi ndaj tyre.
Shumë faleminderit të gjithëve!