Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin Ministreve të Jashtme të organizuar nga Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly, mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Republikën Islamike të Iranit.
Ministrja Xhaçka vlerësoi homologen kanadeze për iniciativën e ndërmarrë, ndërsa theksoi se Shqipëria qëndron përkrah popullit iranian, i cili po lufton për të ruajtur të drejtat e tij më elementare njerëzore.
“Si grua, ndihem krenare kur shoh se forca shtytëse e këtyre protestave janë gratë dhe vajzat iraniane. Ne mbështesim plotësisht luftën e grave të Iranit për respekt, drejtësi dhe barazi dhe Shqipëria ka dënuar me zë të lartë në të gjitha forumet ndërkombëtare përdorimin e dhunës fizike ndaj grave dhe mohimin e të drejtave dhe dinjitetit të njeriut”, tha ajo.
Kryediplomatja shqiptare deklaroi se mbështetja e Shqipërisë për gratë e Iranit nuk buron nga sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë, por se vendi ynë beson fuqimisht në të drejtën e qytetarëve për liri.
“Kjo është arsyeja pse Shqipëria do të mbështesë çdo nismë që synon t’i japë fund shkeljeve të tilla kriminale të të drejtave të grave dhe të gjithë qytetarëve dhe do të punojë ngushtë me të gjithë partnerët tanë në këtë drejtim”, nënvizoi ministrja Xhaçka.
Në takimin e organizuar nga Ministrja e Jashtme kanadeze, Melanie Joly, ku merrnin pjesë Ministret e Jashtme gra, u diskutuan mënyrat për të adresuar shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut, përfshirë shkeljet e rënda të të drejtave të grave, në Republikën Islamike të Iranit.