Tryeza e dytë e prezantimit teknik të Kodit të ri Penal, Manja: Shqipëria do të ketë një Kod Penal të dakordësuar me Brukselin - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Tryeza e dytë e prezantimit teknik të Kodit të ri Penal, Manja: Shqipëria do të ketë një Kod Penal të dakordësuar me Brukselin

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me grupin e punës për hartimin e Kodit të ri Penal zhvilloi sot tryezën e dytë të prezantimit teknik të draftit të Kodit të ri Penal, një hap i rëndësishëm përpara fillimit të konsultimeve të gjera publike që pritet të shoqërojnë këtë proces madhor ligjor. Drafti i ri synon të zëvendësojë Kodin aktual, i cili është miratuar në vitin 1995 dhe ka pësuar deri më tani 32 ndërhyrje, përfshirë 23 ndryshime ligjore dhe 9 vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, theksoi se ky draft është hartuar në kuadër të përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe se miratimi i tij përfundimtar do të bëhet vetëm pas dakordësimit me institucionet e BE-së. “Shqipëria do të ketë një Kod të ri Penal vetëm pas një procesi të gjerë konsultimesh publike dhe pasi të marrë ‘vulën’ në Bruksel. Ky kod do të jetë plotësisht ekuivalent me kodet penale moderne të vendeve të Bashkimit Evropian,” deklaroi Manja.

Sipas tij, drafti i ri është rezultat i një pune shumëvjeçare të një grupi ekspertësh të kryesuar nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, prof. Arben Rakipi, dhe është rishikuar me pjesëmarrjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, si dhe ekspertëve të huaj. Ky proces ka përfshirë edhe mendime të ekspertëve italianë, ndërsa gjatë periudhës së fundit janë zhvilluar rreth 40 takime teknike për të diskutuar nen për nen të gjithë tekstin e draftit.

Manja bëri të ditur se për këtë fazë janë planifikuar rreth 25 tryeza konsultimi me aktorët e interesuar, përfshirë organizata të shoqërisë civile, institucionet e drejtësisë dhe grupet e profesionistëve. “Roli i Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces është ai i porositësit të draftit, në emër të qeverisë shqiptare. Ne do të vijojmë ta përmbushim këtë rol deri ditën që drafti i Kodit të ri Penal do të hyjë në procedurë parlamentare,” u shpreh ministri.

Në vijim, Manja kujtoi se pas reformës në drejtësi të vitit 2017, strategjitë ndërsektoriale të drejtësisë 2017-2020, 2021-2025 dhe 2024-2030 përcaktuan qartë nevojën e harmonizimit të legjislacionit penal shqiptar me direktivat e BE-së. Për këtë arsye, u konkludua se një kod i ri i plotë ishte më i përshtatshëm sesa ndryshimet e vazhdueshme të kodit ekzistues.

Në fund, ministri theksoi se procesi është i lidhur ngushtë me axhendën e integrimit evropian të Shqipërisë: “Në kuadër të negociatave me BE-në, vendi ynë duhet të ketë një Kod të ri Penal deri në fund të vitit 2026. Konsultimet e gjera publike do të sigurojnë që ky dokument të reflektojë jo vetëm standardet evropiane, por edhe nevojat dhe realitetet e shoqërisë shqiptare.”

Previous Anketa e posaçme e Eurobarometrit 2025 konfirmon mbështetjen e fortë publike për zgjedhjen evropiane të Shqipërisë si rruga e vetme për të ardhmen e vendit. Qytetarët e BE mbështesin zgjerimin e Bashkimit Evropian