Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Administratës Publike dhe Antikorrupsionit në bashkëpunim me Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), organizuan konferencën ndërkombëtare “Forcimi i Llogaridhënies: Fuqizimi i përpjekjeve kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”.
Konferenca u mbajt përgjatë datave 4-5 Mars 2024, dhe bëri bashkë në Tiranë, Ministrat e Drejtësisë së Ballkanit Perëndimor dhe Kroacisë, prokurorë, organizata ndërkombëtare, drejtues të agjencive antikorrupsion në rajon, shoqërinë civile dhe përfaqësues të mediave, me qëllimin e përbashkët forcimi i bashkëpunimit për të luftuar korrupsionin, rritjen e standardeve të integritetit, si kushte për mirëqeverisjen dhe avancimin e proceseve integruese të rajonit.
Mbi 50 zyrtarë të lartë pjesëmarrës të ndarë në 8 panele të ndryshme sollën modelet, eksperiencën dhe sfidat e hasura në luftën kundër korrupsionit.
Konferenca u përshëndet edhe nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të luftuar korrupsionin, si dhe nxiti të gjitha shtetet pjesëmarrëse që të punojnë për një agjendë të përbashkët rajonale në sfidën e përbashkët kundër korrupsionit. “Kjo konferencë bëri bashkë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër korrupsionit. Është një sfidë që kërkon përkushtimin e të gjithë rajonit dhe është pikënisje për të pasur edhe një agjendë të përbashkët rajonale kundër korrupsionit”, u shpreh Manja.