Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Shkurt 2025 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Shkurt 2025

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Shkurt 2025:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË FSHATIN SHEQ MARINAS, NJËSIA ADMINISTRATIVE TOPOJË, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “PROSOL”, SH.P.K
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në fshatin Sheq Marinas, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “PROSOL”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: shoqëria “PROSOL”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M23406203G;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 21MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në fshatin Sheq Marinas, njësia administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “PROSOL”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht, çdo tre muaj, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5 (pesë) % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “PROSOL”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “PROSOL”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
     V E N D I M
    PËR
PËRCAKTIMIN E FORMATIT TË RAPORTIMIT, AFATEVE DHE KOHËS SË PARAQITJES SË RAPORTEVE NGA SUBJEKTET E PËRFSHIRA NË TRANSFERIMET NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE TË KONTROLLUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 37, pika 2,  dhe 38, pika 2, të ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
 V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Ky vendim miraton formatet e raportimit, përcakton afatet dhe kohën e paraqitjes së raporteve para dhe pas transferimit të mallrave nga të gjitha subjektet, të cilat kanë si objekt të veprimtarisë së tyre transferimet ndërkombëtare të mallrave/teknologjive, të cilat janë objekt i ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, i ndryshuar.
Neni 2
Raportimi para kryerjes së transferimit
Subjektet e përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara, në një afat kohor deri 24 (njëzet e katër) orë përpara kryerjes së transferimit për çdo parti malli, të aplikojnë nëpërmjet portalit “e-Albania” për njoftimin përpara kryerjes së transferimit, sipas formatit të raportimit në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 3
Raportimi pas kryerjes së transferimit
1. Subjektet e përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara, në një afat kohor prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga data e kryerjes së transferimit për çdo parti malli, të dërgojnë në Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), nëpërmjet portalit “e-Albania”, kopje të dokumentacionit të mëposhtëm:
a) Licencë eksporti/importi, të lëshuar nga vendet e huaja;
b) Dokument transporti ndërkombëtar (CMR, AWB);
c) Deklaratë doganore;
ç)  Faturën e mallit.
2. Pas kryerjes së transferimit ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara në një afat kohor prej 30 (tridhjetë) ditësh, subjektet e përfshira në këto transferime duhet të paraqesin në AKSHE, nëpërmjet portalit “e-Albania”,:
a) për licencat e eksportit DVC, certifikatën e mbërritjes së mallit në destinacion;
b) për licencat e importit, deklaratën e mbërritjes së mallit në destinacion.
3. Subjektet e përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara, të cilat janë pajisur me licencë importi/eksporti, çdo 6 (gjashtë) muaj të vlefshmërisë së licencës së importit/eksportit, të aplikojnë nëpërmjet portalit “e-Albania” për dërgimin e raportit lidhur me situatën e transferimeve të mallrave të përcaktuara në këto dokumente, sipas formatit të raportimit në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 4
Dispozita të fundit dhe kalimtare
1. Kërkesat, procedurat administrative dhe formatet e raportimit që preken nga ky vendim do të vijojnë të kryhen sipas mënyrës ekzistuese deri në momentin që përfundojnë zhvillimet teknike për pritjen e aplikimeve në sistemin e përmirësuar të menaxhimit të informacionit për AKSHE-në.
2. Formatet e aplikimit, të përcaktuara në nenin 2 dhe në pikën 3, të nenit 3 të këtij vendimi, në momentin që përfundojnë zhvillimet teknike për pritjen e aplikimeve në sistemin e përmirësuar të menaxhimit të informacionit për AKSHE-në, do të integrohen dhe do të plotësohen nga subjektet në portalin   “e-Albania”.
3. Ngarkohet Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË VENDIMIT TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE “PËR DISIPLINAT QË VENDOSIN  NJË SISTEM TË PËRGJITHSHËM PËR NJOHJEN E KUALIFIKIMEVE PROFESIONALE” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të vendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për disiplinat që vendosin një sistem të përgjithshëm për njohjen e kualifikimeve profesionale”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRBËRJEN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT DHE DETYRAT E KOMITETIT PËR TË DHËNAT STATISTIKORE NË TURIZËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 11/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komiteti për të Dhënat Statistikore në Turizëm, këtu e në vijim “Komiteti”, është organi koordinues pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, i cili mundëson bashkëpunimin ndërinstitucional për koordinimin dhe integrimin efektiv të të dhënave statistikore, të lidhura me turizmin në nivel qendror dhe vendor.
2. Komiteti kryesohet nga ministri përgjegjës për turizmin dhe ka në përbërje përfaqësues në nivel të lartë drejtues nga institucionet e mëposhtme:
a) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit;
b)  Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
c)  Ministria e Brendshme;
ç)  Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
d)  Banka e Shqipërisë;
dh)  Instituti i Statistikave;
e)  Bashkitë Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan;
ë)  Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit;
f)  Agjencia Kombëtare e Turizmit;
g) Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore;
gj)  Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit;
h)  Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
3. Në varësi të çështjeve dhe kur e çmon të nevojshme, Komiteti fton të marrin pjesë në mbledhjet e tij përfaqësues edhe nga njësitë e tjera të vetëqeverisjes vendore, përveç sa janë përmendur në shkronjën “ë”, të pikës 2, të këtij vendimi, si dhe grupet e interesit në fushën e turizmit.
4. Komiteti mblidhet si rregull të paktën 2 (dy) herë në vit. Mbledhja thirret nga kryetari kryesisht ose me kërkesë të një prej anëtarëve.
5. Kryetari, në rastet urgjente apo kur e vlerëson të nevojshme, thërret mbledhjen e Komitetit. Në këtë rast, rendi i ditës i propozuar dhe materialet për diskutim u vihen në dispozicion anëtarëve në fillim të mbledhjes.
6. Njoftimi për mbledhjen e Komitetit dhe çështjet për diskutim, pjesë e rendit të ditës, së bashku me dokumentacionin shoqërues i përcillen çdo anëtari në rrugë elektronike nga sekretariati teknik, të paktën 7 (shtatë) ditë përpara datës së mbledhjes. Njoftimi përfshin informacionin për vendin, datën dhe kohën e mbajtjes së mbledhjes.
7. Mbledhjet drejtohen nga kryetari dhe në rast se ai mungon apo është në pamundësi për të ushtruar funksionin e tij, mbledhja e thirrur drejtohet nga përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për turizmin.
8. Konkluzionet për çështjet e diskutuara sipas rendit të ditës pasqyrohen në procesverbalin e mbledhjes përkatëse të Komitetit, të mbajtur nga sekretariati teknik.
9.  Komiteti kryen këto detyra:
a) Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse, pjesë e komitetit, të cilat merren me procesin e mbledhjes dhe të përpunimit të të dhënave në fushën e turizmit në Republikën e Shqipërisë;
b) Bashkëpunon me INSTAT-in dhe Bankën e Shqipërisë për prodhimin dhe përmirësimin e statistikave të turizmit, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, duke respektuar parimin e pavarësisë profesionale;
c) Koordinon punën me institucionet përgjegjëse për përcaktimin e standardeve funksionale dhe operacionale të të dhënave të  databazës së të dhënave shtetërore, të ngritura sipas parashikimit të nenit 66, të  ligjit nr.93/2015, i ndryshuar, si dhe për harmonizimin e karakteristikave teknike të Sistemit të Informacionit të Turizmit, në të cilin integrohen të dhënat e Regjistrit Qendror të Turizmit dhe të Sistemit të të Dhënave të Turizmit;
ç) Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për të siguruar krijimin, zhvillimin dhe mbikëqyrjen teknike të Sistemit të Informacionit të Turizmit;
d) Bashkërendon procesin për monitorimin e zbatimit dhe të zhvillimit të mëtejshëm të sistemit të të dhënave në turizëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare;
dh) Bashkëpunon me INSTAT-in në drejtim të zhvillimit të llogarive satelitore të turizmit, në përputhje me programin e statistikave zyrtare dhe planin vjetor në zbatim të tij;
e)   Bashkëpunon me INSTAT-in për zbatimin e vrojtimeve mbi temën e turizmit, në përputhje me programin e statistikave zyrtare dhe planin vjetor në zbatim të tij;
ë)  Bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë në funksion të mbledhjes së të dhënave  nga vrojtimet dhe përpunimin e të dhënave që kanë  të bëjnë me sigurimin  e të dhënave statistikore që lidhen me turizmin;
f)   Bashkëpunon me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në funksion të zbatimit të vrojtimeve që kanë të bëjnë me institucionet përgjegjëse për kulturën;
g) Bashkëpunon me Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në funksion të formalizimit fiskal të subjekteve në sektorin e turizmit, duke verifikuar dhe harmonizuar të dhënat statistikore me ato fiskale;
gj) Bashkëpunon me Ministrinë e Brendshme, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në funksion të mbledhjes së të dhënave statistikore sa më të plota dhe cilësore nga të gjitha pikat kufitare;
h) Bashkëpunon me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në funksion të mbledhjes së të dhënave statistikore nga aktiviteti i subjekteve përkatëse në funksion të zhvillimit të turizmit rural dhe agroturizmit;
i) Bashkëpunon me të gjitha institucionet publike, ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe bashkitë, si dhe entitetet pritëse, bizneset dhe shoqatat e sektorit të turizmit, për të siguruar cilësinë e nevojshme për mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e të dhënave statistikore në turizëm;
j) Përcakton tipologjinë, formatin dhe periodicitetin e raporteve të bazuara në të dhënat statistikore në turizëm.
10. Veprimtaria e Komitetit mbështetet nga sekretariati teknik, rolin e të cilit e luan struktura përgjegjëse për statistikat në ministrinë përgjegjëse për turizmin dhe ka këto detyra:
a) Administron të gjitha kërkesat drejtuar Komitetit;
b) Njofton anëtarët për mbledhjet e Komitetit dhe vendos në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm;
c) Mban procesverbalet e çdo mbledhjeje të Komitetit.
11.   Ngarkohen institucionet e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, që, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të caktojnë përfaqësuesit e tyre si anëtar të Komitetit.
12.   Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Komiteti për të Dhënat Statistikore në Turizëm për zbatimin e këtij vendimi.
       Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
 PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “FOCOPS”, NË DETIN MESDHE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dërgimin në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, pjesë e operacionit “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe, të 1 (një) anijeje të klasit “Iliria”, e kompletuar me efektivë, të përbërë nga 21 (njëzet e një) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
2. Misioni i anijes është kryerja e detyrave të patrullimit, zbulimit detar, dhënies së ndihmës, njohjes së situatës detare, identifikimit, verifikimit, ndalimit të objekteve detare, në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, Standing NATO Maritime Group-2 (SNMG2), në detet Adriatik dhe Jon (Deti Mesdhe), në kuadër të operacionit të NATOS-s, “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe.
3. Komandimi operacional i anijes gjatë periudhës së angazhimit në mision kryhet nga komandanti i grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2. Për çdo rast, anija ruan varësinë në nivelin kombëtar, duke raportuar në mënyrë periodike për mbarëvajtjen e misionit.
4. Kohëzgjatja në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, pjesë e operacionit “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe, është deri më 31.12.2028. Qëndrimi në këtë operacion është deri në 21 (njëzet e një) ditë në vit, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes në këtë operacion.
5. Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës dhe anijen në këtë operacion, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) ushqimin;
ç)  sigurimin e anijes;
d) siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
dh)  mbështetjen shëndetësore;
e) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
ë)  karburant, lubrifikante;
f) transportin e personelit për në zonën e operacionit;
g) aktivitete social – kulturore në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së operacionit;
gj) transportimin e individëve të shkëputura nga operacioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
h) taksa portuale, shërbime portuale dhe të kalimit nëpër ngushtica;
i)   riparimin e nivelit të dytë të anijes pas kthimit nga operacioni;
j)   çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
6. Transporti i personelit të anijes që merr pjesë në këtë operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur të operacionit për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga pala shqiptare, përveç rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe, ku pala tjetër merr përsipër këto shpenzime.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I SEGMENTIT RRUGOR “SHËN GJERGJI”- “NAUN KAÇAKU” (ISH-URA ME SHKALLË-STACIONI I PATOSIT), FIER”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i segmentit rrugor “Shën Gjergj”-“Naun Kaçaku” (Ish-ura me shkallë-Stacioni i Patosit), Fier”, Bashkia Fier.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të  plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 13 684 429 (trembëdhjetë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e njëzet e nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 13 684 429 (trembëdhjetë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e njëzet e nëntë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Fier.
8. Bashkia Fier kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Fier.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të  këtij  vendimi, nis procedurat për  hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron  aktin  e  kalimit  të  pronësisë  në  favor  të Bashkisë Fier  për  pasuritë  e  shpronësuara,  sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Fier, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M 
PËR 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.31, DATË 17.1.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “REHABILITIMI I LUMIT GJANICË, FIER””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.31, datë 17.1.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, vlera “… 402 655 835 (katërqind e dy milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekë …” zëvendësohet me “… 406 393 235 (katërqind e gjashtë milionë e treqind e nëntëdhjetë e tre mijë e dyqind e tridhjetë e pesë) lekë …”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “truall” dhe “objekt”, prej 406 393 235 (katërqind e gjashtë milionë e treqind e nëntëdhjetë e tre mijë e dyqind e tridhjetë e pesë) lekësh, përballohet:
a)  vlera prej 402 655 835 (katërqind e dy  milionë  e  gjashtëqind  e  pesëdhjetë  e  pesë  mijë  e  tetëqind  e  tridhjetë  e  pesë)  lekësh, nga  llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë;
b) vlera prej 3 737 400 (tre milionë e shtatëqind e tridhjetë e shtatë mijë e katërqind) lekësh, nga buxheti i Bashkisë Fier.”.
2. Tabelës bashkëlidhur vendimit në fuqi i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Bashkisë Fier.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
                 MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE PRIORITARE 2026 – 2028
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 5, të vendimit nr.887, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Dokumentit të Politikave Prioritare 2026 – 2028, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, si dhe të gjitha institucionet e tjera të administratës shtetërore, që janë pjesë e procesit të buxhetimit, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Blerina Abrazhda emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Madrid, Spanjë, Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027