Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Korrik 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Korrik 2022

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Korrik 2022:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E DHËNIES SË GRANTEVE PËR STARTUP-ET DHE LEHTËSUESIT E STARTUP-EVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 14, pika 7, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dhënies së granteve për startup-et dhe lehtësuesit e startup-eve, të përzgjedhur nga Komisioni i Vlerësimit, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KALIMIT TË PASURIVE NR.68/121/1, NR.68/137/2 DHE NR.5212/7/1, ME SIPËRFAQE, PËRKATËSISHT, 5532 M2, 2649 M2 DHE 593 M2, TË NDODHURA NË ZONËN KADASTRALE 1739, NGA PRONË SHTETËRORE, NË PRONË PRIVATE, PËR SHOQËRINË “GREEN COAST”, SH.P.K., DHE MIRATIMIN E PROJEKTKONTRATËS QË DO TË LIDHET PËR KËTË QËLLIM, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE SHOQËRISË “GREEN COAST”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim, të pikës 7, të vendimit nr.807, datë 11.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të kushteve për kalimin e pronës shtetërore në pronë private, në funksion të planeve të përgjithshme vendore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kalimit të pasurive nr.68/121/1, nr.68/137/2 dhe nr.5212/7/1, me sipërfaqe, përkatësisht, 5532 m2, 2649 m2 dhe 593 m2, të ndodhura në Palasë, Himarë, zona kadastrale 1739, nga pronë shtetërore, në pronë private, për shoqërinë “Green Coast”, sh.p.k., në funksion të planit të përgjithshëm vendor, sipas planrilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi, me kushtin e realizimit të projektit si dhe të marrëveshjes Franchise, të lidhur midis palëve “Green Coast”, sh.p.k., dhe “ACCOR SERVICES POLAND SP ZOO”.

2. Miratimin e projektkontratës, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si shitës, dhe shoqërisë “Green Coast”, sh.p.k., si blerës, për pasuritë shtetërore nr.68/121/1 me sipërfaqe 5532 m2, nr.68/137/2 me sipërfaqe 2649 m2, dhe nr.5212/7/1, me sipërfaqe 593 m2, të cilat ndodhen në Palasë, Himarë, zona kadastrale 1739, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TЁ MARRЁVESHJES SË FINANCIMIT, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE ARTIGIANCASSA S.P.A, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT TË NDIHMËS SË INTEGRUAR PËR ZHVILLIMIN E NDËRMARRJEVE TË VOGLA DHE TË MESME SHQIPTARE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.147/2013

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash, tё marrёveshjes së financimit, ndёrmjet Këshillit të Ministrave të Republikёs sё Shqipёrisё, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Artigiancassa S.P.A, për financimin e programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare, ratifikuar me ligjin nr.147/2013, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.501, DATË 29.8.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR EKSPERTËT E OBJEKTEVE TË PRONËSISË INDUSTRIALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 198/b, 198/c, 198/ç dhe 202, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kudo në tekstin e rregullores “Për ekspertët e objekteve të pronësisë industriale”, miratuar me vendimin nr.501, datë 29.8.2018, të Këshillit Ministrave, fjalët “të licencohet”, “licencim”, “t’u licencuar”, “licencimit”, “licencën”, “licencë”, “licenca”, “licencës” zëvendësohen, përkatësisht, me fjalët “të certifikohet”, “certifikim”, “t’u certifikuar”, “certifikimit”, “certifikatën”, “certifikatë”, “certifikata”, “certifikatës””.

2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.906, DATË 18.11.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, TË PRONËS SHTETËRORE, ME NUMRA PASURIE 46, 47, 48, 49, 50, 63, 64, 65, 66, PJESË E ZONËS KADASTRALE NR.8517, BASHKIA DURRËS, NJËSIA ADMINISTRATIVE DURRËS, NË ZONËN E ISH-KËNETËS, SPITALLË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Në vendimin nr.906, datë 18.11.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Titulli ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të pronës shtetërore, me numër pasurie 46, 47, 48, 49, 50, 63, 64, 65, 66, 63/2, 64/2, 65/2, 66/2, pjesë e zonës kadastrale 8517, Bashkia Durrës, Njësia Administrative Durrës, në zonën e ish-Kënetës, Spitallë.”;

b) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të pronës shtetërore, me numër pasurie 46, 47, 48, 49, 50, 63, 64, 65, 66, 63/2, 64/2, 65/2, 66/2, pjesë e zonës kadastrale 8517, Bashkia Durrës, Njësia Administrative Durrës, në zonën e ish-Kënetës, Spitallë, me vendndodhje dhe sipërfaqe, sipas aneksit I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.

c) Aneksi I, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me aneksin I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË PUBLICITETIT TË PAJISJEVE MJEKËSORE QË TREGTOHEN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 23/2, të ligjit nr.89/2014, “Për pajisjet mjekësore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Vendimi ka për qëllim përcaktimin e rregullave të publicitetit të pajisjeve mjekësore që tregtohen në Republikën e Shqipërisë.

2. Publiciteti i pajisjeve mjekësore, sipas këtij vendimi, nënkupton çdo aktivitet që promovon shitjen ose përdorimin e një pajisjeje mjekësore nga subjektet e përcaktuara në pikën 7, në çdo formë të shkruar ose verbalisht, duke përdorur foto dhe zë, në formë elektronike, digjitale ose të tjera.

3. Ndalohet publiciteti i çdo pajisjeje mjekësore, që nuk plotëson kushtet e përcaktuara, sipas legjislacionit në fuqi për pajisjet mjekësore dhe në këtë vendim, me përjashtim të pajisjeve mjekësore të destinuara për t’u përdorur në ekspozita, demonstrime, panaire ose në aktivitete të tjera të kësaj natyre. Pajisje të tilla duhet të sigurohen me një pamje të dukshme, të qartë, duke treguar se ato nuk mund të tregtohen ose të vihen në përdorim.

4. Publiciteti evidenton plotësimin e kritereve të pajisjes mjekësore për markimin CE ose certifikimin FDA.

5. Pajisjet mjekësore, të cilat janë të destinuara për përdorim nga profesionistët shëndetësorë, reklamohen ekskluzivisht vetëm nga këta të fundit. Në kuptim të këtij vendimi, profesionistët shëndetësorë janë mjekët, dentistët, veterinerët, farmacistët, dietologët klinicistë, teknikët e shkencave mjekësore, asistentë të kujdesit social dhe shëndetësor, profesionistët në fusha mjekësore të ngjashme ose studentët që ndjekin studimet në këto fusha.

6. Pajisjet mjekësore mund të promovohen vetëm në lidhje me qëllimin e tyre të synuar, të deklaruar nga prodhuesi.

7. Publiciteti bëhet vetëm nga prodhuesit e pajisjeve mjekësore, përfaqësuesit e prodhuesve të huaj, që kanë të regjistruar aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, tregtuesit me shumicë të pajisjeve mjekësore.

8. Publiciteti i pajisjeve mjekësore nuk duhet të bëhet në mënyrë inkurajuese për konsum, si mallrat e përgjithshme të konsumit, por duhet të bazohet në informacione profesionale.

9. Publiciteti i pajisjeve mjekësore duhet të sigurojë informacion të mjaftueshëm, duke përfshirë të gjitha elementet e nevojshme si përfitimet, rreziqet e trajtimit, çmimet, rimbursimi.

10. Nëse publiciteti përfshin një krahasim të pajisjeve mjekësore, duhet të jetë e qartë se cilat pajisje mjekësore po krahasohen. Krahasimet duhet të bëhen vetëm për pajisjet që mbulojnë produktet me të njëjtin qëllim përdorimi dhe kur krahasohen një ose më shumë karakteristika të rëndësishme, të verifikueshme dhe përfaqësuese të pajisjeve mjekësore, në të cilat mund të përfshihet çmimi.

11. Pajisjet mjekësore me porosi, të destinuara ekskluzivisht për t’u përdorur nga profesionistët e shëndetit në lidhje me trajtimin e pacientëve të ndryshëm, nuk mund të reklamohen.

12. Pajisjet mjekësore nuk duhet të tregojnë ndonjë shenjë që mund të jetë keqinformuese/mashtruese, referuar qëllimit të synuar të përdorimit të pajisjes dhe as të jenë në ndonjë mënyrë, në konflikt me markimin CE ose certifikimin FDA ose të zvogëlojnë dukjen dhe lexueshmërinë e tyre.

13. Në publicitetin e pajisjeve mjekësore ndalohet çdo informacion që:

a) përshkruan funksione dhe veçanti, të cilat pajisja realisht nuk i ka;
b) krijon një përshtypje false lidhur me trajtimin, diagnozën, funksionet ose veçoritë, të cilat pajisja nuk i ka;
c) dështon në informimin e përdoruesit ose të pacientit për një rrezik të mundshëm, që lidhet me përdorimin e pajisjes, sipas indikacionit që pajisja ka;
ç) sugjeron përdorime të pajisjes, të ndryshme nga ato që ajo ka, për të cilat është marrë vlerësimi i konformitetit dhe që i shërbejnë qëllimit të pajisjes;
d) ofron dhurata apo konkurse ose çmime që lidhen me promovimin e pajisjeve mjekësore drejtuar pacientëve dhe përdoruesve;
dh) krijon përshtypjen se është i panevojshëm konsultimi me profesionistë shëndetësorë, nëse trajtimi ose diagnoza nga një person i tillë është i nevojshëm;
e) krijon përshtypjen se përdorimi i pajisjes mjekësore është pa rrezik;
ë) u drejtohet ekskluzivisht ose kryesisht fëmijëve;
f) është i tillë që mund të çojë në vetëdiagnozë të gabuar ose përdorim në terma të ekzagjeruar, alarmues ose mashtrues, imazhe, ilustrime etj. të ndryshimeve në trupin e njeriut;
g) krijon përshtypjen se një pajisje mjekësore mund të garantojë rimëkëmbjen nga sëmundja dhe se shëndeti i subjektit mund të përmirësohet vetëm duke përdorur pajisjen mjekësore të reklamuar, ndërkohë gjykimi objektiv duhet të jepet me dëshmi;
gj) sugjeron se shëndeti i subjektit mund të ndikohet nga mospërdorimi i pajisjes mjekësore që është reklamuar;
h) inkurajon pacientët të heqin dorë nga procedurat e trajtimit të pranuara përgjithësisht;
i) krijon konfuzion nga përdorimi i termave shkencorë të panjohur për publikun e gjerë për kushtet e zakonshme shëndetësore;
j) i referohet një rekomandimi nga shkencëtarë, profesionistët e shëndetësisë ose personat, të cilët nuk janë të lartpërmendur, por që, për shkak të statusit të tyre si personalitete të njohura, mund të inkurajojnë përdorimin e pajisjes mjekësore;
k) cenon ose abuzon me dinjitetin njerëzor.

14. Monitorimi për ruajtjen e vërtetësisë dhe sigurisë së publicitetit të pajisjes mjekësore kryhet nga struktura përgjegjëse për pajisjet mjekësore pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

15. Shkelja e rregullave të publicitetit, të përcaktuara në këtë vendim, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet nga inspektorët e pajisjeve mjekësore, sipas legjislacionit në fuqi.

16. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe subjektet që tregtojnë pajisje mjekësore në Republikën e Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, zëvendësministrit dhe nëpunësve të kabineteve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 1/3 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:

i. Në shkronjën “a” shtohet emërtesa “Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor”;
ii. Në shkronjën “b”, emërtesa “Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor” shfuqizohet.

b) Pika 10/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“10/1. Nivelet e pagave të punonjësve të trupës artistike në Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Teatrin Kombëtar të Komedisë dhe Cirkun Kombëtar janë sipas lidhjes nr.7/1 (pjesët I, II, III dhe IV), që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Vjetërsia në punë për punonjësit, që paguhen sipas lidhjes nr.7/1, jepet në masën 2% pas çdo viti pune deri në 25 vjet dhe llogaritet mbi vlerën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë.”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2022, përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, për politikat e reja të pagave.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2022.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Bruksel, Kryeministri Edi Rama në konferencë të përbashkët për shtyp, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg

Leave Your Comment