Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Mars 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Mars 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Mars 2023:

 

V E N D I M
PËR

KALIMIN TE BASHKIA DURRËS TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21,të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër iInfrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin te Bashkia Durrës të10 (dhjetë) njësive individuale të banimit, sipas listëssë inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. NgarkohenFondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Durrëspër zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË TRAGJAS, NJËSIA ADMINISTRATIVE ORIKUM, QARKU VLORË, NGA SHOQËRIA “SUNPRO”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, nga shoqëria “SUNPRO”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: shoqëria “SUNPRO”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: L81906033I;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për marrjen e lejes së ndërtimit, ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ose Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqërisë “SUNPRO”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik;
gj) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 3 MW, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10% e kuotave të shoqërisë për qëllime të veçanta mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
h) Shoqëria “SUNPRO”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “SUNPRO”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “SUNPRO”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPALLJEN E EKOSISTEMIT NATYROR TË LUMIT VJOSA “PARK KOMBËTAR”, KATEGORIA II

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 2,e 10, të ligjit 81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrittë Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Shpalljen e ekosistemit natyror të lumit Vjosa “Park Kombëtar”, (Kategoria II e zonave të mbrojtura), sipas hartës në shtojcën 1, kufiri i zonës së mbrojtur, dhe tabelës së koordinatave në shtojcën 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Zona e mbrojtur përfshin sipërfaqe ujore, sipërfaqe bregore, sipërfaqe me bimësi pyjore, kullotë, sipas tabelës nr.1 të aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Parku Kombëtar i lumit Vjosa ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 12727 (dymbëdhjetëmijë e shtatëqind e njëzet e shtatë) ha, nga të cilat: 6030 (gjashtëmijë e tridhjetë) ha ose 47.3% janë sipërfaqe ujore; 4593 (katërmijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre) ha ose 36.1% janë sipërfaqe bregore, fusha e ulët e përmbytjeve aktive, 1199 (njëmijë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë) ha ose 9.5% janë sipërfaqe tokësore (breza lumore, shpatet e kanioneve dhe rrëpirat e gërryeshme) dhe 905 (nëntëqind e pesë) ha ose 7.1% janë breza lumorë të prirur për t’u gërryer, sipas përcaktimeve në tabelën nr.2 tëaneksi 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Parku Kombëtar i lumit Vjosa ndahet në dy nënzona, sipërfaqet e të cilave jepen në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ato janë, si më poshtë vijon:
a) Nënzonaqendrore, me sipërfaqe 11 822 (njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e njëzet e dy) ha ose 92.9% (të sipërfaqes së përgjithshme), e shënuar në hartë me ZQ 6 030 (gjashtë mijë e tridhjetë) ha është kanali aktiv; 4 593 (katër mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre) ha fusha e ulët e përmbytjeve aktive dhe habitate bregore dhe 1 199 (një mijë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë) ha breza lumorë, shpatet e kanioneve dhe rrëpirat e gërryeshme

Në këtë nënzonë zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes (strikte), pasi performanca natyrore e saj është tepër e lartë, më pak ose aspak e shqetësuar nga veprimtaritë njerëzore. Ka përparësi ruajtjen tërësore të natyrës, të biodiversitetit, të llojeve të rrezikuara, monumentet e natyrës, të pejzazhit unik tokësor, veçoritë natyrore të jashtëzakonshme gjeomorfologjike dhe historike pa qenë nevoja e ndërhyrjeve përmirësuese të përhershme, të cilat menaxhohen në atë mënyrë që të ruajnë gjendjen natyrore, të mbështesin lehtësimin e kërkimit shkencor dhe monitorimin mjedisor. Kjo nënzonë gëzon karakterin e mbrojtjes strikte dhe detajohet sipas përcaktimeve të bëra në planin e menaxhimit. Në këtë nënzonë lejohen kërkimi shkencor, zhvillimi i veprimtarive ekoturistike të lira në natyrë.

b) Nënzona e përdorimit tradicional dhe zhvillimit të qëndrueshëm me sipërfaqe 905 (nëntëqind e pesë) ha ose 7.1%, e shënuar në hartë me ZPTQ.

Kjo nënzonë përfshin tokat pyjore, bujqësore e kullotat dhe territore ujore, ku mundësohet vazhdimi i veprimtarive tradicionale si, punime për shëndetësimin e pyjeve, aktivitete bujqësore, kullotja, grumbullimi dhe kultivimi i bimëve mjekësore e aromatike, me përdorim të balancuar të tyre dhe nuk lejohen ndërtimet e veprimtaritë ekonomike, që shkaktojnë ndryshimin e gjendjes natyrore të ekosistemit natyror.
Në nënzonën e përdorimit tradicional dhe zhvillimit të qëndrueshëm, zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, që siguron një territor me ndikim të ulët dhe kontroll të veprimtarive ekonomike, sociale, agrobiznesit, argëtuese, sportive e ekoturistike, ndërtimi i infrastrukturës, sipas planeve të zhvillimit urban e turistik, të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), të cilat nuk cenojnë integritetin ekologjik të ekosistemit natyror dhe respektojnë funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat ekologjike dhe ato të peizazhit natyror e kulturor.

5. Për veprimtaritë që zhvillohen brenda territorit të Parkut Kombëtar të lumit të Vjosës, që janë pajisur me leje mjedisore dhe vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit,si dhe janë lidhur kontratat për zhvillimin e këtyre veprimtarive, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zbatohen parashikimet e ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”.
6. Veprimtaritë për të cilat nuk është lidhur kontrata përkatëse me autoritetin kontraktues, pavarësisht, zhvillimit të procedurave apo kontratat që në ditën e hyrjes në fuqi të vendimit nuk kanë plotësuar kushtet përkatëse të kontratës nuk lejohen të zhvillohen brenda territorit të Parkut Kombëtar të lumit të Vjosës, në rast se vijnë haptazi në kundërshtim me kërkesat e nenit 16, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”.

7. Plani i menaxhimit të Parkut Kombëtar dhe objektivat e ruajtjes së zonës hartohen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura,brenda dy vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe miratohen nga ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura, në bashkëpunim me ministritë e linjës, me bashkitë, me publikun e interesuar, shoqërinë civile dhe me pronarët privatë, pronat e të cilëve shtrihen brenda territorit të zonës së mbrojtur.

8. Forma e administrimit të Parkut Kombëtar të lumit Vjosa është shtetërore dhe administrimi kryhet nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), nëpërmjet përfshirjes së administratave rajonale të zonave të mbrojtura (AdZM), në territorin e të cilave shtrihet Parku. Mënyra e administrimit përcaktohet në përputhje me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi.

9. Pika 21, e vendimit nr.60, datë 26.1.2022,të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen e ekosistemeve natyrore rezervat natyror i menaxhuar/park natyror (Kategoria IV), si dhe miratimin e ndryshimit të statusit të sipërfaqeve ekzistuese të zonave të mbrojtura mjedisore, që i përkasin kësaj kategorie”, shfuqizohet.

10. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore në territorin e të cilave shtrihet Parku për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPALLJEN E HABITATIT TË TULIPANIT SHQIPTAR“MONUMENT NATYROR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10,të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljene habitatit të tulipanit shqiptar(Tulipaalbanica)“Monument natyror”,kategoria III e zonave të mbrojtura, sipas hartës në shtojcën 1, dhe kufirit të paraqitursipas tabelës së koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhen këtij vendimidhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Monumenti i natyrës ka një sipërfaqe 35.5 ha dhe zonë buferike 200 m rreth kufirit të zonës të mbrojtur, në të cilin zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes e njëjtë me rezervën strikte.

3. Zona e mbrojtur përfshin habitatin enjë lloji të rrallë e të kërcënuar me rëndësi e vlerë të veçantë shkencore dhe estetike, sipas aneksit nr.1, i cili përmban skedën e monumentit të natyrës.

4. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe organet përkatëse të vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

VENDIM
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE,PËR PËRJASHTIMIN E NDËRSJELLË TË VIZËS HYRËSE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, TË SHËRBIMIT/SPECIALE, NËNSHKRUAR MË 13 PRILL 2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”,me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes me shkëmbim notash për ndryshimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe,për përjashtimin e ndërsjellë të vizës hyrëse për mbajtësit e pasaportave diplomatike, të shërbimit/speciale, nënshkruar më 13 prill 2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVETË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I LINJËS 110KV UNAZA E TIRANËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme,pronë private, që prekennga projekti “Ndërtimi i linjës 110 kV Unaza e Tiranës”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit,sh.a., (OST).

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme,pronë private, që shpronësohen,kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”,“ullishte” dhe “pemëtore”,me një vlerë të përgjithshme prej1 378 770.21 (një milion e treqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë pikë njëzet e një)lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej1 378 770.21 (një milion e treqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë pikë njëzet e një)lekësh, përballohet ngaOperatori i Sistemit të Transmetimit,sh.a.,(OST).

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë,përballohetnga Operatori i Sistemit të Transmetimit,sh.a., (OST).

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në“Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit ështëbrenda 3 (tre) muajvenga datae hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët epasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohenpër efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranëOperatorit të Sistemit të Transmetimit,sh.a.,(OST).

8. Operatori i Sistemit të Transmetimit,sh.a.,(OST) kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit,sh.a.,(OST).

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrëspezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë, në favor të shtetit dhe në përgjegjësi administrimi tëOperatorit të Sistemit të Transmetimit,sh.a., (OST) për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës,Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit dhe në përgjegjësi administrimi tëOperatorit të Sistemit të Transmetimit,sh.a., (OST) për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. NgarkohenOperatori i Sistemit të Transmetimit,sh.a., (OST),Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1,Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.276, DATË 16.5.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MËNYRËS SË ORGANIZIMIT, TË STRUKTURËS, ORGANIKËS DHE STATUTIT TË AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 3, të ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.276, datë 16.5.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në kreun IV, “Struktura dhe organika”, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

a) Në pikat 2 dhe 6, emërtimi “Drejtorisë së Rajonit Qendror (Tiranë)” zëvendësohet me “Drejtorisë së Rajonit Qendër Perëndim (Tiranë)”.

b) Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:

“4/1. Struktura e Drejtorisë së Rajonit Qendër Lindje (Korçë) është sipas skemës 1/4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

c) Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:

“8/1. Organika e Drejtorisë së Rajonit Qendër Lindje (Korçë) është sipas skemës 2/4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

ç) Në pikën 9, togfjalëshi “… 166 veta” zëvendësohet me togfjalëshin “… 286 punonjës”.

2. Skemat 1, 1/1, 1/2, 1/3, 2, 2/1, 2/2 dhe 2/3, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me skemat përkatëse me të njëjtin numër, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

3. Pas skemës 1/3, bashkëlidhur vendimit, shtohet skema 1/4, bashkëlidhur këtij vendimi.

4. Pas skemës 2/3, bashkëlidhur vendimit, shtohet skema 2/4, bashkëlidhur këtij vendimi.

II. Ngarkohet Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

VENDIM
PËR

DISASHTESA DHE NDRYSHIME NËVENDIMIN NR.45, DATË 29.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,“PËR KALIMIN NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE TË FONDIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE DHE ISH-INSTITUCIONEVE KËRKIMORE-SHKENCORE TË KËSAJ MINISTRIE, AKTUALISHT NË DISPOZICION TË AGJENCISË SË KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Nëvendimin nr.45, datë 29.1.2014, tëKëshillittëMinistrave, bëhenkëtoshtesadhendryshime:

a) Në të gjithë përmbajtjen e vendimit,emërtesa “Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave” zëvendësohet me “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”.

b) Pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:

“1.1.Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Ruraltë tokës bujqësore në pronësi të shtetit, me sipërfaqe 637068.3(gjashtëqind e tridhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e tetë pikë tre) m2, të përbërë nga pasuritë me nr.291, nr.292, nr.293/1, nr.294/1, zonakadastrale2281, me vendndodhje nëFermë-Cërrik, Bashkia Cërrik, Qarku Elbasan, dhe pasuritë me nr.3/7, nr.3/9, nr.4/1, nr.4/2, nr.5/2, zonakadastrale2264, me vendndodhje nëKrane,Bashkia Finiq, Qarku Vlorë, të përcaktuara në shtojcën 2 dhe në planet e rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.”.

2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

VENDIM
PËR

MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË NORMAVE TË TRAJTIMIT MEUNIFORMË TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhetë pikës 3, të nenit 27, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”,të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kritereve dhetë normave të trajtimit me uniformë për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe studentët ushtarakë, brenda dhe jashtë vendit, sipas shtojcave 1-11, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Ushtarakët e Forcave të Armatosura, të cilët dërgohen në misione ushtarake jashtë vendit, trajtohen me uniformë stërvitjeje shtesë për çdo mision, në bazë të natyrës dhe kushteve specifike të misionit, sipas shtojcës 12, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Uniforma, gradat, shenjat dhe simbolet që mbahen në uniformë, jepen falas për ushtarakët e përmendur në pikat 1 dhe 2,të këtij vendimi.

4. Ushtarakët aktivë, në momentin e daljes në rezervë apo lirim, për arsye shëndetësore, për shkak ristrukturimi apo për shkak të shkurtimeve në numrin e përgjithshëm të personelit të Forcave të Armatosura, përfitojnë falas një uniformë ceremoniale, të shoqëruar me shenjat dhe simbolet përkatëse.

5. Kur ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura apo ushtaraku në rezervë i thirrur në shërbim aktiv humbet jetën në krye të detyrës, familjes së tij i jepet falas për ceremoninë e varrimit një uniformë ceremoniale(xhaketë, pantallona,kapele,këmishë me mëngë të gjata, kollare dhe këpucë gjysmëceremoniale).

6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.

7. Vendimi nr.614, datë 7.9.2011,i Këshillit të Ministrave,“Për miratimin e kritereve dhe të normave të trajtimit me uniformë të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.

8. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Manastirliu nga Qendra Shëndetësore Suk-Roskovec: Fishat e diabetit falas për të moshuarit mbi 65 vjeç