Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Mars 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Mars 2024

 

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Ana Kapaj emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NGARKIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI AUTORITET KONTRAKTOR PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT “KOLEGJI I EVROPËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për realizimin e projektit “Kolegji i Evropës” dhe autoritet kontraktor për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për hartimin e zbatimin e projektit, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre e të projektit.

2. Në funksion të realizimit të projektit sipas pikës 1, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në përputhje me kërkesat e Kolegjit të Evropës, dhe parashikimet e marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, harton programin e zhvillimit dhe ndjek detyrën e projektimit për realizimin e projektit “Kolegji i Evropës”, duke pasur parasysh parashikimet e vendimit nr.641, datë 29.7.2020, të Këshillit të Ministrive, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit publik për projektet “Ndërtim i kampusit të ri të Universitetit të Tiranës”, “Ndërtim i godinave të Universitetit të Arteve të Tiranës” dhe “Ndërtim i Korpusit të Policisë së Shtetit, Policisë Shkencore dhe Akademisë së Sigurisë””.

3. Projekti zhvillohet në pasurinë (truall) me nr.5/637, të ndodhur në qytetin e Tiranës, zona kadastrale nr.8160, nr.faqe 48, nr.vol. 50, të vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, sipas vendimit nr.16, datë 31.1.2024, të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, “Për dhënien e pëlqimit në parim për zhvillimin e projektit “Kolegji i Evropës”, si pjesë integrale e masterplanit të zhvillimit të zonës në pasurinë 5/637, të ndodhur në qytetin e Tiranës, zona kadastrale 8160, nr. faqe 48, nr. vol. 50, në pronësi të Bashkisë së Tiranës”, duke pasur parasysh procedurat e zhvilluara në kuadër të vendimit nr.641, datë 29.7.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit publik për projektet “Ndërtim i kampusit të ri të Universitetit të Tiranës”, “Ndërtim i godinave të Universitetit të Arteve të Tiranës” dhe “Ndërtim i korpusit të Policisë së Shtetit, Policisë Shkencore dhe Akademisë së Sigurisë””.

4. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Bashkia Tiranë lidhin marrëveshje bashkëpunimi, në funksion të zhvillimit të projektit, sipas pikës 1 të këtij vendimi dhe parashikimeve të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës.

5. Fondi Shqiptar i Zhvillimit i paraqet Ministrisë së Financave kërkesën për të hartuar e për të ndërmarrë nismën për alokimin e fondeve të nevojshme për zbatimin e projektit prej tij. Fondi për realizimin e projektit “Kolegji i Evropës” parashikohet në programin “Programe zhvillimi” të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE PROCEDURAVE PËR DHËNIEN E MIRATIMIT PËR NDËRTIMIN DHE PËRDORIMIN E TUBACIONEVE E TË INFRASTRUKTURËS SË SISTEMEVE TË GAZIT NATYROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 11, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtyre rregullave është të përcaktojnë procedurat dhe kriteret për aplikimin, vlerësimin dhe dhënien e një miratimi për ndërtimin e përdorimin e tubacioneve dhe të infrastrukturës përkatëse për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, të instalimeve të gazit natyror të lëngëzuar (GNL-së), të depozitave nëntokësore të gazit natyror, si dhe të linjave direkte.

Neni 2
Përkufizimet

Të gjithë termat e përcaktuar në nenin 3, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa termat në vijim do të kenë këto kuptime:

1. “Autorizim i përkohshëm”, miratimi i ndërmjetëm, i dhënë nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet për vazhdimin e procedurave për marrjen e një miratimi për ndërtimin e përdorimin e tubacioneve dhe të infrastrukturës përkatëse për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, të instalimeve të gazit natyror të lëngëzuar (GNL-së), të depozitave nëntokësore të gazit natyror, si dhe të linjave direkte.

2. “Subjekt”, një shoqëri aksionare, e krijuar sipas legjislacionit shqiptar ose një zyrë përfaqësie e një shoqërie të huaj aksionare, e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, apo një bashkim shoqërish që aplikon për një miratim, në përputhje me dispozitat e këtij vendimi.

3. “Bashkim shoqërish”, bashkimi i përkohshëm i dy ose më shumë shoqërive, që paraqesin një kërkesë të përbashkët për marrjen e një miratimi, sipas dispozitave të këtij vendimi.

4. “Miratim”, vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave, sipas procedurave të këtij vendimi për ndërtimin e tubacioneve dhe të infrastrukturës përkatëse për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, të instalimeve të gazit natyror të lëngëzuar (GNL-së), të depozitave nëntokësore të gazit natyror, si dhe të linjave direkte, i cili bëhet efektiv me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave.

5. “Kontratë”, marrëveshja që lidhet ndërmjet ministrit përgjegjës për energjinë ose i autorizuari prej tij dhe subjektit që ka aplikuar për një miratim, sipas këtij vendimi, për ndërtimin dhe përdorimin e tubacioneve e të infrastrukturës përkatëse për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, të instalimeve të gazit natyror të lëngëzuar (GNL-së), të depozitave nëntokësore të gazit natyror, si dhe të linjave direkte, e cila miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe i bashkëlidhet miratimit.

6. “Subjekt shtetëror”, çdo shoqëri aksionare që aplikon për një leje, në përputhje me dispozitat e kreut IV, të këtij vendimi, e cila është krijuar sipas legjislacionit shqiptar, e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, aksionet e së cilës zotërohen plotësisht nga shteti.

Neni 3
Miratimi i veçantë për subjektet e interesuara

Subjektet e interesuara për ndërtimin dhe përdorimin e tubacioneve e të infrastrukturës përkatëse për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, të instalimeve të gazit natyror të lëngëzuar (GNL-së), të depozitave nëntokësore të gazit natyror, si dhe të linjave direkte, që në vazhdim do të quhen infrastruktura e sistemit të gazit, pajisen me miratim të veçantë, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në këtë vendim.

KREU II
RREGULLAT PËR KUSHTET E DHËNIES SË MIRATIMIT

Neni 4
Rregullat për subjektet

1. Çdo subjekt i themeluar në formën e shoqërisë aksionare, si dhe çdo bashkim i shoqërive, që zhvillon veprimtari tregtare sipas legjislacionit shqiptar, mund të aplikojë për marrjen e një miratimi për ndërtimin e përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit, në përputhje me rregullat që përcaktohen në këtë vendim, si dhe duke respektuar edhe kriteret e mosdiskriminimit, të trajtimit të barabartë e të transparencës.

2. Çdo subjekt i huaj, që kërkon të paraqesë kërkesën për marrjen e një miratimi, sipas këtyre rregullave, duhet të krijojë në Shqipëri një filial, në formën e shoqërisë aksionare ose bashkimi të shoqërive, sipas dispozitave të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, dhe kërkesave të legjislacionit tatimor shqiptar.

Neni 5
Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese

1. Kërkesa për pajisjen me miratim për ndërtimin dhe përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit paraqitet në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet, e shoqëruar me dokumentet dhe të dhënat e mëposhtme:

a) Dokumentin për regjistrimin e subjektit juridik si shoqëri aksionare, të lëshuar nga organi ose institucioni shtetëror, i ngarkuar me ligj;
b) Adresën e shoqërisë;
c) Dokumentin për numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS);
ç) Emrin e administratorit të shoqërisë;
d) Vërtetime për shlyerjen e taksave për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe që shoqëria nuk është në proces falimentimi;
dh) Vërtetime që shoqëria nuk është dënuar ndonjëherë për shkelje të bëra gjatë veprimtarisë së saj, lëshuar nga organet përkatëse të shteteve, ku ajo ka ushtruar veprimtarinë;
e) Pasqyrat financiare të audituara të 3 (tre) vjetëve të fundit të veprimtarisë ose kur shoqëria ka më pak se 3 (tre) vjet që është krijuar për periudhën e ekzistencës së shoqërisë, si dhe çdo dokumentacion tjetër financiar që provon aftësitë financiare për të realizuar projektin e propozuar. Në rastin kur subjekti kërkues ka më pak se 3 (tre) vjet që është krijuar, aksionarët ose partnerët e një subjekti të tillë, që zotërojnë 5% ose më shumë të kapitalit të vet të këtij subjekti, do të paraqesin pasqyra financiare të audituara për secilin prej 3 (tre) vjetëve të fundit, përpara paraqitjes së kërkesës;
ë) Një përmbledhje me treguesit kryesorë teknikë, teknologjikë dhe financiarë të projektit të propozuar për ndërtimin dhe përdorimin e infrastrukturës përkatëse për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, të instalimeve të gazit natyror të lëngëzuar (GNL-së), të depozitave nëntokësore të gazit natyror, si dhe të linjave direkte, si dhe të instalimeve të tjera, në funksion të këtyre objekteve;
f) Skemidenë, genplanin dhe dokumentet e pronësisë mbi tokën për statusin aktual të pasurisë, të lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, apo çdo dokument tjetër që vërteton formën e përdorimit të kësaj prone (pronësi, qira etj), shoqëruar me aktin përkatës të pronësisë, në rastin kur objekti kërkohet të ndërtohet në zona të miratuara, sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave, si dhe në zona të tjera, të përcaktuara sipas studimeve të miratuara me vendime të organeve ose të institucioneve respektive. Në këtë rast, do të ndiqen procedurat e mëposhtme:

i. Kur infrastruktura përkatëse e sistemeve të gazit do të ndërtohet në territore në brendësi të vendit (tokë dhe det), nevojiten skemidetë dhe genplani i sipërfaqes, ku parashikohet të ndërtohet objekti, së bashku me përditësimet paraprake teknike dhe administrative;
ii. Kur infrastruktura përkatëse e sistemeve të gazit është pjesë e tubacioneve që kalojnë tranzit në territorin e Republikës së Shqipërisë (në më shumë se dy vende në tokë dhe det), nevojiten skemideja dhe genplani i sipërfaqes, ku parashikohet të ndërtohet objekti, të shoqëruara me një skemë tërësore të të gjithë shtrirjes së objektit në vendet e tjera të rajonit, së bashku me përditësimet paraprake teknike dhe administrative, sipas situatës në terren për territorin shqiptar. Pjesë e dokumentacionit të jetë edhe praktika procedurale, që disponon subjekti për marrëveshjen ose miratimin në parim të projektit me vendet e tjera, në territoret e të cilave parashikohet të kalojnë tubacionet e infrastruktura përkatëse për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, si dhe linjat direkte.

g) Raport i vëzhgimit arkeologjik, i hartuar nga një subjekt me licencën përkatëse në arkeologji, për zonën e propozuar të zhvillimit;
gj) Dokumentacionin që vërteton përvojën e subjektit, të filialit ose të kontraktorit të tij, në fushën e ndërtimit ose të përdorimit të infrastrukturës përkatëse të sistemeve të gazit. Nëse subjekti kërkues synon të përdorë në operimet e tij të përditshme një shoqëri menaxhimi, ai duhet të njoftojë për këtë synim ministrinë përgjegjëse për energjinë dhe të garantojë performancën e kësaj shoqërie;
h) Dokumente ose marrëveshje me institucionet bankare, që vërtetojnë kredibilitetin financiar për mundësinë e ndërtimit të infrastrukturës së sistemeve të gazit, referuar objektit që paraqitet në projektide.

2. Kërkesa për një miratim, sipas këtyre rregullave, mund të bëhet edhe nga më shumë se një subjekt, në formën e një bashkimi shoqërish. Në rast se një aplikim është paraqitur nga një bashkim shoqërish, anëtarët e këtij bashkimi caktojnë një partner udhëheqës, i autorizuar nëpërmjet një prokure të nënshkruar nga të gjithë anëtarët e bashkimit për të vepruar në emër të tyre për qëllimin e aplikimit. Dokumentet dhe informacioni i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, duhet të paraqiten për të gjithë anëtarët e bashkimit të shoqërisë. Ministria përgjegjëse për hidrokarburet kërkon në këtë rast dokumentacionin e nevojshëm juridik, ku përcaktohet përgjegjësia solidare e bashkimit të përkohshëm të shoqërive për realizimin e projektit, në formën e një deklarate ose të një marrëveshjeje të përbashkët të shoqërive. Në rastin kur një kërkesë për miratim e bërë nga një bashkim shoqërish miratohet sipas dispozitave të këtyre rregullave, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit, shoqëritë anëtare të këtij bashkimi krijojnë një shoqëri aksionare, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi, me përqindjet përkatëse të aksioneve.

3. Çdo kërkesë e shoqëruar me dokumentacionin përkatës do të paraqitet në gjuhën shqipe në dy kopje: një origjinale ose fotokopje e noterizuar dhe një fotokopje tjetër e të gjithë dokumentacionit të përcaktuar në këto rregulla. Vërtetimet dhe deklaratat nga organet përkatëse, të parashikuara në këto rregulla, duhet të jenë lëshuar jo më parë se 3 (tre) muaj nga çasti i paraqitjes së aplikimit.

4. Kërkesa për dhënien e miratimit, e cila nuk ka bashkëlidhur dokumentacionin e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, nuk është objekt i shqyrtimit nga komisioni i vlerësimit të kërkesave.

KREU III
RREGULLAT PËR PROCEDURËN E DHËNIES SË MIRATIMIT

Neni 6
Komisioni ad hoc

1. Për vlerësimin e kërkesave dhe të dokumentacionit shoqërues, të paraqitura nga subjektet e interesuara për t’u pajisur me miratim për ndërtimin e përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit pranë ministrisë përgjegjëse për energjinë, krijohet një komision vlerësimi ad hoc, me këtë përbërje:
a) Ministria përgjegjëse për energjinë 3 anëtarë;
b) Ministria përgjegjëse për zhvillimin e territorit 1 anëtar;
c) Ministria përgjegjëse për financat 1 anëtar;
ç) Ministria përgjegjëse për turizmin dhe mjedisin 2 anëtarë;
d) Ministria përgjegjëse për kulturën 1 anëtar;
dh) Ministria përgjegjëse për ekonominë 1 anëtar.

2. Anëtarët e komisionit caktohen nga ministrat përkatës. Kryetar i komisionit është një nga anëtarët e ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe caktohet nga ministri përgjegjës për energjinë.

Neni 7
Funksionimi i komisionit dhe procedura për dhënien e miratimit

1. Mënyra e funksionimit të komisionit të vlerësimit të kërkesave përcaktohet me një urdhër të ministrit përgjegjës për energjinë, i cili duhet të dalë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2. Ministria përgjegjëse për energjinë, në procesin e vlerësimit të një kërkese, mund të kërkojë ekspertizë dhe konsulencë nga ekspertë/institucione vendase ose të huaja.

3. Komisioni i vlerësimit të kërkesave mblidhet brenda një periudhe kohore 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune nga data e paraqitjes së kërkesës dhe bën vlerësimin e saj, duke bërë verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga subjekti kërkues, si më poshtë vijon:

a) Kur pas verifikimit, rezulton se dokumentacioni i paraqitur nga aplikuesi është i rregullt, komisioni pranon kërkesën dhe brenda 30 (tridhjetë) ditëve bën vlerësimin e saj, duke i paraqitur ministrit përgjegjës për energjinë praktikën me dokumentacionin përkatës për dhënien subjektit aplikues të “autorizimit të përkohshëm” për vazhdimin e procedurave për plotësimin e dokumentacionit teknik dhe ekonomik për projektin në zonën dhe sipërfaqen e kërkuar, si dhe për realizimin e praktikave përkatëse, deri në marrjen e miratimit. Autorizimi i përkohshëm jepet me afat të përcaktuar dhe titullari i tij duhet të paraqesë kërkesën, sipas dispozitave të këtij vendimi, për pajisjen me miratimin përfundimtar, përpara përfundimit të afatit të autorizimit të përkohshëm;
b) Kur pas verifikimit rezulton se dokumentacioni i paraqitur nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 5, të këtij vendimi, komisioni refuzon kërkesën, informon ministrin përgjegjës për energjinë dhe brenda 10 (dhjetë) ditëve ia kthen subjektit kërkues dokumentacionin përkatës, së bashku me një shkresë, ku argumentohet vendimi i marrë. Subjekti ka të drejtën e riaplikimit;
c) Kur subjekti kërkues nuk është dakord me vendimin e komisionit, ai ka të drejtën e ankimimit brenda 1 (një) muaji nga data e marrjes së vendimit pranë ministrit përgjegjës për energjinë. Shqyrtimi i ankimit dhe vendimi për të jepen brenda 10 (dhjetë) ditëve dhe ky vendim është përfundimtar;
ç) Në rast se gjatë shqyrtimit të një kërkese për një projekt të infrastrukturës së sitemit të gazit, sipas dispozitave të këtyre rregullave, një subjekt tjetër paraqet një kërkesë, e cila i referohet po atij projekti ose një projekti që esencialisht ka të njëjtat parametra hapësinorë, teknikë dhe të njëjtët tregues ekonomikë me projektin në shqyrtim, kërkesa e dytë nuk merret në shqyrtim nga ministria përgjegjëse për energjinë, nëse nuk është marrë një vendim përfundimtar për pranimin ose jo të kërkesës së parë. Ministria njofton subjektin e dytë kërkues për vendimin brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tij.

4. Në autorizimin e përkohshëm, të dhënë sipas shkronjës “a”, të pikës 3, të këtij neni, duhet të përcaktohen:

a) emri i shoqërisë që paraqet kërkesën, numri unik i identifikimit të subjektit (NUIS);
b) e drejta për të investuar për përgatitjen e dokumentacionit të plotë në zonën përkatëse, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për marrjen e miratimit nga Këshilli i Ministrave;
c) dokumentacioni i nevojshëm që duhet të përgatisë/plotësojë subjekti deri në paraqitjen e tij në ministrinë përgjegjëse për energjinë, për procedim të mëtejshëm për marrjen e miratimit;
ç) afati kohor i vlefshmërisë së autorizimit të përkohshëm, brenda të cilit duhet të përfundojë përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen e miratimit, afat i cili në çdo rast nuk mund të jetë më shumë se 2 (dy) vjet.

5. Subjekti i pajisur me autorizimin e përkohshëm duhet të paraqesë në ministrinë përgjegjëse për energjinë, brenda afatit të përcaktuar në atë autorizim, dokumentacionin e plotë për marrjen e miratimit, i cili duhet të përmbajë:

a) studimin urbanistik për ndërtimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit;
b) skemën kryesore me treguesit teknikë dhe ekonomikë të projektit, të miratuar nga institucionet e linjës dhe ekspertë të fushës, vendas apo të huaj, si dhe planbiznesin e përgatitur nga subjekti;
c) dokumentacionin juridik dhe teknik, që vërteton arritjen e ndonjë marrëveshjeje, në parim ose përfundimtare, për projektin që subjekti mund të ketë lidhur me autoritetet përgjegjëse të vendeve të tjera, në territoret e të cilave parashikohet të kalojë tubacioni për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, si dhe linja direkte, për rastin kur këto objekte janë pjesë e tubacioneve që kalojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë (në më shumë se dy vende në tokë dhe në det), si dhe një skemë tërësore e objektit të ri për të gjithë shtrirjen e tij në vendet e tjera të rajonit, ku parashikohet të ndërtohet objekti;
ç) dokumentin që vërteton të drejtën e pronësisë dhe formën e përdorimit të sipërfaqes së tokës ku do të ndërtohet objekti, për një periudhë të barabartë me afatin e miratimit;
d) lejen mjedisore përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të dhënë nga ministria përgjegjëse për mjedisin;
dh) miratimin për zhvillimet transformuese në territor (rrugë, autostrada, aeroporte, porte, vepra industriale, qendra të reja banimi, vepra të tjera, si edhe për çdo transformim të territorit, duke përfshirë projektet minerare, në pronësi shtetërore ose private), në përputhje me legjislacionin për trashëgiminë kulturore;
e) dokumentacionin bankar që vërteton aftësinë financiare të shoqërisë për të përballuar ndërtimin e tubacionit ose të infrastrukturës së gazit;
ë) opinionin e ERE-s, në rast se nga subjekti është kërkuar ose do të kërkohet të merret një licencë dhe/ose miratimi për përjashtimin nga aksesi i palës së tretë për infrastrukturën e sistemeve të gazit, që kërkohet të ndërtohet dhe të përdoret prej tij, sipas dispozitave të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar. Opinioni i ERE-s nuk është i nevojshëm në rastin e ndërtimit të një linje direkte;
f) dokumentacionin dhe praktikat procedurale, që disponon subjekti për marrëveshjet, që ai ka arritur me organet e pushtetit vendor, lidhur me projektin, në rast se në projektin për tubacionet e infrastrukturës përkatëse përfshihet edhe shpërndarja e gazit natyror në territorin që është në juridiksionin e këtyre organeve të pushtetit vendor.

6. Komisioni i vlerësimit, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 5, të këtij neni, shqyrton dokumentacionin dhe i propozon ministrit përgjegjës për energjinë miratimin ose jo të vazhdimit të procedurave për dhënien e miratimit për ndërtimin e përdorimin e objektit konkret të infrastrukturës së sistemeve të gazit.

7. Në rast se komisioni i vlerësimit i propozon ministrit të miratojë vazhdimin e procedurave për dhënien e miratimit dhe ky i fundit shprehet dakord, ministri urdhëron negociimin për lidhjen e kontratës me subjektin që do të marrë të drejtën për ndërtimin e përdorimin e objektit të infrastrukturës së sistemit të gazit. Komisioni i vlerësimit negocion termat dhe kushtet e kontratës me subjektin që do të marrë miratimin. Negociimet e kontratës për dhënien e miratimit duhet të përfundojnë brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga data e paraqitjes së dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 5, të këtij neni.

8. Kontrata, e cila nënshkruhet nga ministri përgjegjës për energjinë, së bashku me të gjitha dokumentet e përgatitura, sipas këtij vendimi, dhe me një kopje të autorizimit të përkohshëm, në përputhje me praktikat dhe procedurat ligjore në fuqi, paraqiten në Këshillin e Ministrave për miratimin e lejes, e cila bashkëlidhur ka si pjesë të saj edhe kontratën.

9. Në kontratën e negociuar, sipas pikës 7, të këtij neni, duhet të përcaktohen:

a) palët dhe adresat përkatëse të tyre, përfshirë dhe përfaqësuesin e organit shtetëror, që ndjek dhe monitoron ndërtimin e përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit;
b) vendndodhja ose zona e shtrirjes së objektit të infrastrukturës së sistemeve të gazit, përfshirë edhe përcaktimin e kufijve e të sektorëve të veçantë të tij;
c) periudha e vlefshmërisë së miratimit, që është 30 (tridhjetë) vjet nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshilli të Ministrave, si dhe e drejta për rinovimin e këtij miratimi nëpërmjet paraqitjes së kërkesës nga subjekti, jo më vonë se 3 (tre) vjet nga përfundimi i afatit të miratimit;
ç) afati i paraqitjes së dokumentacionit për marrjen e miratimit të ndërtimit, afati i përfundimit të ndërtimit të objektit të infrastrukturës së sistemeve të gazit, si dhe i fillimit të vënies në përdorim;
d) e drejta e shoqërisë së pajisur me miratim për të kërkuar shtyrjen e afatit të përfundimit të ndërtimit ose të vënies në përdorim të objektit të infrastrukturës së sistemeve të gazit, për shkak të një force madhore;
dh) detyrimi i shoqërisë për marrjen e miratimeve dhe të licencave përkatëse nga ERE në zbatim të dispozitave të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, si dhe e drejta e organeve dhe institucioneve shtetërore, të ngarkuara me ligj, për kontrollin e zbatimit të projektit me cilësinë dhe në afatin e përcaktuar në projekt;
e) lloji i produkteve që do të transportohen në objektin e infrastrukturës së sistemeve të gazit;
ë) lloji i të dhënave dhe afatet, brenda të cilave subjekti duhet t’i dërgojë ato në ministrinë përgjegjëse për energjinë;
f) të dhënat dhe informacioni për dokumentacionin e praktikat procedurale, që disponon subjekti për marrëveshjen, lidhur me projektin ose për miratimin e tij në parim nga vendet e tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi në këto vende, në rast se ka parashikim që tubacionet dhe infrastruktura përkatëse për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror ose për lidhjen e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, si dhe linjat direkte të kalojnë në territoret e këtyre vendeve;
g) sanksionet ndaj subjektit deri në përfundimin e njëanshëm të kontratës, në rast të mosfillimit në kohë të punimeve, të ndërprerjes, të heqjes dorë apo të paaftësisë për të realizuar/përfunduar investimin për objektin (projektin), për të cilat më parë ka qenë përcaktuar një periudhë kohore për ndreqjen ose korrigjimin e shkeljeve të vërejtura apo kur nga kontrollet e ushtruara nga organet dhe institucionet shtetërore, të ngarkuara me ligj, janë vërejtur shkelje ose mosrespektim të kërkesave në zbatimin e parametrave teknikë, në afatin e realizimit të projektit dhe të normave mjedisore apo të detyrimeve të tjera ligjore në fuqi gjatë periudhës së përdorimit të objektit, për të cilat më parë ka qenë përcaktuar një periudhë për ndreqjen ose korrigjimin e shkeljeve;
gj) kalimi i të drejtave dhe/ose i detyrimeve të kontratës dhe ndryshimi i aksionarëve të shoqërisë;
h) detyrimi i subjektit për respektimin e legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë, si dhe të marrëveshjeve, të konventave apo të traktateve ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria është palë;
i) mënyra dhe forma se si do të bëhet transferimi i pronësisë mbi infrastrukturën e gazit nga subjekti te shteti, në rast se miratimi i dhënë nuk kërkohet të ripërtërihet nga ana e subjektit ose nuk ripërtërihet nga ana e Këshillit të Ministrave, sipas dispozitave të këtij vendimi, si dhe në rast të prishjes së njëanshme të kontratës;
j) garancia financiare dhe garancia e performancës nga shoqëria mëmë, që sigurojnë aftësinë e subjektit për të përmbushur detyrimet e tij, të përcaktuara në miratimin e dhënë dhe mbështetjen menaxheriale, operacionale dhe financiare të pronarëve të subjektit;
k) detyrimi për lidhjen e siguracionit me shoqëritë e sigurimit, që mbulon përgjegjësinë për dëmet që mund të shkaktojë ndaj jetës dhe shëndetit të personave ose për humbjet a dëmtimet e pasurisë, të shkaktuara nga ose si rezultat i veprimtarive të subjektit, sipas miratimit të kërkuar. Një politikë e tillë siguracioni do të mbetet e vlefshme për të gjithë periudhën e miratimit të kërkuar.

10. Në kontratë, përveç elementeve të përcaktuara në pikën 9, të këtij neni, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, mund të përfshihen edhe përcaktime të tjera ose detyrime të ndërsjella, për të cilat palët bien dakord.

11. Kontrata hartohet në 3 (tri) kopje, nga të cilat 1 (një) kopje i dorëzohet zyrtarisht subjektit, të cilit i jepet miratimi, dhe 2 (dy) kopje i dërgohen ministrisë përgjegjëse për energjinë.

12. Në rast mosmiratimi nga Këshilli i Ministrave të miratimit, kontrata e negociuar, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 7, të këtij neni, konsiderohet e pavlefshme dhe kërkesa për miratim konsiderohet e refuzuar.

Neni 8
Dhënia e miratimit

1. Miratimi bëhet efektiv me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave.

2. Dhënia e miratimit për ndërtimin dhe përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit bëhet kundrejt një pagese prej:

a) 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për projektet, vlera totale e investimit të të cilave arrin deri në 100 000 000 (njëqind milionë) lekë;
b) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për projektet, vlera totale e investimit të të cilave është nga 100 000 000 (njëqind milionë) deri në 300 000 000 (treqind milionë) lekë;
c) 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh, për projektet, vlera totale e investimit të të cilave është mbi 300 000 000 (treqind milionë) lekë.

3. Pagesat e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, bëhen nga subjekti mbajtës i miratimit, për llogari të buxhetit të shtetit.

4. Subjekti i pajisur me miratimin për ndërtimin dhe përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit kryen edhe të gjitha pagesat e tjera të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për marrjen e miratimeve dhe të autorizimeve të nevojshme për fillimin e ushtrimin e veprimtarisë.

Neni 9
Përgjegjësia e institucioneve përgjegjëse

Ministrat, që drejtojnë ministritë e përcaktuara në nenin 6, të këtij vendimi, do të jenë përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, që do të ndjekin dhe do të monitorojnë realizimin e kontratës së miratimit të dhënë për ndërtimin e përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit, sipas përmbajtjes së miratuar me vendimin përkatës nga Këshilli i Ministrave. Monitorimi administrativ dhe tekniko-financiar i realizimit të kërkesave të kontratës së miratimit do të bëhet nga një grup teknik, i përbërë nga përfaqësues të ministrive, të përcaktuara në nenin 6, të këtij vendimi, dhe i miratuar nga ministrat përkatës.

Neni 10
Veprime të tjera të subjekteve

1. Kryerja e pagesave për ndërtimin dhe përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit, shlyerja e detyrimeve të tjera kontraktore, si dhe çdo detyrim doganor dhe fiskal për këto veprimtari bëhen nëpërmjet dokumentacionit bankar.

2. Veprimtaria e subjekteve, të pajisura me miratimin për ndërtimin dhe përdorimin e infrastrukturës së sistemeve të gazit monitorohet nga strukturat e ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe nga institucione e struktura të tjera shtetërore, të ngarkuara me ligj.

Neni 11
Rinovimi i miratimit

Çdo rinovim i miratimit, e kërkuar nga subjekti mbajtës, sipas shkronjës “c”, të pikës 9, të nenit 7, e shoqëruar me kontratën përkatëse, miratohet nga Këshilli i Ministrave, vetëm nëse opinioni i ERE-s, sipas shkronjës “ë”, të pikës 5, të nenit 7, është pozitiv dhe nëse subjekti mbajtës i kësaj ka përmbushur të gjitha detyrimet e përcaktuara në kontratë dhe/ose detyrimet e tjera ligjore gjatë gjithë periudhës së miratimit.

KREU IV
RREGULLAT PËR PROCEDURËN E DHËNIES SË LEJES PËR SUBJEKTET SHTETËRORE

Neni 12
Dhënia e lejes për subjektet shtërore

1. Procedura e dhënies së lejes për subjektet shtetërore është sipas këtij kreu.

2. Aplikimi për leje bëhet nga subjekti shtetëror në ministrinë përgjegjëse për energjinë, vetëm pasi të jetë realizuar në respektim të parashikimeve të ligjit për prokurimin publik përgatitja e projektit përfundimtar të ndërtimit.

3. Aplikimi për leje nga subjekti shtetëror shoqërohet nga projekti përfundimtar dhe informacioni i detajuar për projektin.

4. Ministria propozon në Këshillin e Ministrave miratimin për ndërtimin e tubacionit dhe infrastrukturës së gazit natyror nga subjekti shtetëror, në përputhje me pikën 1, të nenit 11, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.

5. Çdo aplikim për leje, sipas këtij neni, duhet të shoqërohet me lejen mjedisore përkatëse të dhënë nga ministria përgjegjëse për mjedisin, sipas legjislacionit në fuqi.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 13
Shfuqizime

Vendimi nr.713, datë 25.8.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për kushtet e procedurat për dhënien e lejeve për ndërtimin dhe përdorimin e tubacioneve e të infrastrukturës së sistemeve të gazit natyror”, shfuqizohet.

Neni 14
Institucionet që ngarkohen për zbatimin e vendimit

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Neni 15
Hyrja në fuqi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KRITERET DHE PROCEDURAT PËR HAPJEN, MBYLLJEN DHE RIORGANIZIMIN E INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT SPECIAL NË QENDRA BURIMORE, SI DHE PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 64/1, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për hapjen, mbylljen e qendrave burimore, si dhe riorganizimin e institucioneve të arsimit special në qendra burimore.

2. Përcaktimin e mënyrës së organizimit dhe të funksionimit të Qendrës Burimore.

3. Qendra Burimore është institucion arsimor publik, në varësi të ministrisë përgjegjëse për arsimin.

4. Qendra Burimore ofron arsim special në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe, sipas specifikës, edhe arsim special parashkollor.
5. Qendra Burimore ofron arsim special parauniversitar për nxënësit me aftësi të kufizuar dëgjimi, me aftësi të kufizuar shikimi dhe ato me aftësi të kufizuar të rëndë, që kërkojnë një mbështetje në qendra të specializuara për t’i përfshirë në sistemin arsimor të zakonshëm.

6. Qendra Burimore ofron shërbime të veçanta mbështetëse dhe rehabilituese për nxënësit me aftësi të kufizuar që mësojnë në shkolla të zakonshme, si dhe trajnime për punonjësit arsimorë që punojnë me këta nxënës.

7. Hapja e një qendre burimore është procesi i ngritjes dhe i funksionimit për herë të parë të saj.

8. Riorganizimi i një institucioni të arsimit special në qendër burimore është procesi i zgjerimit dhe i shtrirjes së aktivitetit të tij përtej arsimit special, duke ofruar shërbime mbështetëse dhe rehabilituese të specializuara për nxënësit me aftësi të kufizuar edhe në shkolla të zakonshme, si dhe trajnime për punonjësit arsimorë.

9. Hapja dhe mbyllja e qendrave burimore, si dhe riorganizimi i institucioneve të arsimit special në qendra burimore bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.

II. KRITERET PËR HAPJEN DHE MBYLLJEN E QENDRAVE BURIMORE DHE RIORGANIZIMIN E INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT SPECIAL NË QENDRA BURIMORE

1. Hapja e Qendrës Burimore për nxënësit me aftësi të kufizuar bëhet kur përmbushen këto kritere:

a) Ndërtesa dhe mjediset e saj plotësojnë kushtet infrastrukturore, sipas akteve nënligjore në fuqi, që përcaktojnë standardet e projektimit të shkollave dhe rregullat për shfrytëzimin e hapësirave nga persona me aftësi të kufizuar.

i. Siguron mjedise që plotësojnë kushtet për të ofruar arsim special dhe përshtatje të arsyeshme për nxënësit me diagnoza të veçanta dhe ata me aftësi të kufizuar të rëndë;
ii. Siguron mjedise për mbështetjen e nxënësve me aftësi të kufizuar që mësojnë në shkolla të zakonshme;
iii. Siguron mjedise rekreative për socializimin, motivimin, mbështetjen dhe zhvillimin e prirjeve të veçanta të nxënësve me aftësi të kufizuar.

b) Drejtuesit, stafi mësimor i specializuar dhe stafi mbështetës plotësojnë kriteret profesionale përkatëse.

2. Institucioni i arsimit special riorganizohet në qendër burimore, kur plotëson këto kritere:

a) Ndërtesa dhe mjediset e saj plotësojnë kushtet infrastrukturore, sipas akteve nënligjore për standardet e projektimit të shkollave dhe rregullat për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar, për të siguruar arsim special, përshtatje të arsyeshme, sipas nevojës, dhe shërbime të specializuara për nxënësit me aftësi të kufizuar;
b) Siguron për një periudhë kohore, jo më pak se 5 (pesë) vjet shkollorë arsim special dhe shërbime të specializuara arsimore për një grupim të veçantë të nxënësve me aftësi të kufizuar, nxënës që nuk dëgjojnë, nxënës që nuk shikojnë, nxënës me aftësi të kufizuar të rëndë e diagnoza të shumëfishta;
c) Drejtuesit, stafi mësimor, stafi i specializuar dhe stafi mbështetës plotësojnë kriteret profesionale përkatëse.

4. Mbyllja e Qendrës Burimore bëhet në rastet, si më poshtë vijon:

a) Nuk përmbushet më, të paktën njëri prej kritereve të hapjes;
b) Frekuentimi i institucionit dhe shërbimet mbështetëse e rehabilituese për nxënësit me aftësi të kufizuar në arsimin e zakonshëm janë në rënie për të paktën 3 (tre) vjet radhazi dhe vlerësohet joeficiente mbajtja e tyre.

III. PROCEDURAT PËR HAPJEN DHE MBYLLJEN E QENDRAVE BURIMORE DHE RIORGANIZIMIN E INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT SPECIAL NË QENDRA BURIMORE

A. Hapja e qendrave burimore

1. Propozimi për hapjen e qendrave burimore mund të merret nga:

a) njësia përkatëse e vetëqeverisjes vendore (në vijim NJVV);
b) Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (në vijim AKAP), sipas nevojave dhe kërkesave të institucioneve të saj të varësisë.

2. Kur nisma për hapjen e qendrës burimore merret nga NJVV-ja, ku do të hapet qendra burimore, NJVV-ja pas sigurimit të infrastrukturës së nevojshme për ngritjen apo funksionimin e qendrës burimore dhe vlerësimit të nevojës në territorin e saj për këto shërbime, i paraqet kërkesën me shkrim Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar.

3. AKAP-ja, pasi verifikon dokumentacionin shoqërues për përmbushjen e kritereve të përcaktuara, përcjell për miratim në ministrinë përgjegjëse për arsimin propozimin për hapje të Qendrës Burimore.

4. Në rastet kur propozimi për hapje bëhet nga AKAP-ja, kjo e fundit, pasi vlerëson nevojat, kapacitetet dhe plotësimin e kritereve të përcaktuara për hapjen e qendrës burimore aplikon sipas afateve në ministrinë përgjegjëse për arsimin me dokumentacionin përkatës, sipas këtij vendimi, pasi ka marrë më parë miratimin e NJVV-së përkatëse për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme.

5. Propozimi për hapjen e një qendre burimore paraqitet jo më vonë se:

a) 3 (tre) muaj para fillimit të vitit shkollor, kur institucioni hapet në një godinë ekzistuese;
b) 1 (një) vit kalendarik para fillimit të vitit shkollor, kur nevojitet godinë e re.

B. Riorganizimi i qendrave burimore

1. Propozimi për riorganizimin e një institucioni publik të arsimit special në qendër burimore merret nga vetë institucioni dhe ndjek këto procedura:

a) Drejtuesi i institucionit të arsimit special, që është nën juridiksionin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, nëpërmjet AKAP-së paraqet në ministrinë përgjegjëse për arsimin propozimin për riorganizimin e institucionit në qendër burimore;
b) Kërkesa me shkrim paraqitet jo më vonë se 3 (tre) muaj para fillimit të vitit shkollor.

2. Propozimi për riorganizimin e institucionit të arsimit special në qendër burimore shoqërohet me këto dokumente:

a) Argumentimin e domosdoshmërisë së riorganizimit të institucionit të arsimit special në qendër burimore;
b) Planin strategjik 3-vjeçar të zhvillimit të Qendrës Burimore, ku përfshihen standardizimi i shërbimeve arsimore, rehabilituese dhe integruese, plani i zhvillimit të kapaciteteve të stafit mësimor dhe personelit të specializuar dhe ndihmës dhe plani i aktiviteteve arsimore, mbështetëse, trajtuese dhe integruese të qendrës dhe bashkëpunimi me strukturat vendore dhe ato të specializuara arsimore;
c) Miratimin e NJVV-së për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme për riorganizimin e institucionit të arsimit special në qendër burimore;
ç) Të dhëna për përmbushjen e kritereve të parashikuara në kreun II, të këtij vendimi.

C. Mbyllja e qendrave burimore

1. Propozimi për mbylljen e një qendre burimore paraqitet jo më vonë se 3 (tre) muaj para fillimit të vitit shkollor.

2. Nisma për mbylljen e Qendrës Burimore mund të merret nga:

a) NJVV-ja;
b) AKAP-ja, bazuar në vlerësimin e bërë nga strukturat në varësi të saj.

3. Propozimi për mbylljen e Qendrës Burimore shoqërohet me këto dokumente:

a) Argumentimin e mosplotësimit më të kushteve të hapjes, qëllimit dhe funksionimit të Qendrës Burimore;
b) Planin e transferimit të nxënësve të institucionit që do të mbyllet në një qendër burimore tjetër apo drejt institucioneve të arsimit parauniversitar, të mbështetur nga mësues ndihmës;
c) Përcaktimin e administrimit të inventarit të orendive, mjeteve mësimore etj të Qendrës Burimore.

4. Ministri përgjegjës për arsimin vendos për hapjen dhe mbylljen e Qendrës Burimore, si dhe riorganizimin e një institucioni të arsimit special në qendër burimore, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga marrja e kërkesës me shkrim apo propozimit nga strukturat përgjegjëse.

IV. MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE E FUNKSIONIMIT TË QENDRAVE BURIMORE

1. Qendra Burimore organizohet me disa ose të gjitha njësitë, si më poshtë vijon:

a) Shkollë speciale për nxënës me aftësi të kufizuar;
b) Departamenti i identifikimit dhe vlerësimit të nevojave arsimore të nxënësve me aftësi të kufizuar;
c) Departamenti i përgatitjes së mjeteve didaktike, kurrikulës së përshtatur dhe zhvillimit profesional e trajnimeve të mësuesve;
ç) Departamenti i shërbimeve mbështetëse dhe rehabilituese;
d) Departamenti i edukimit dhe mbështetjes në distancë të nxënësve me aftësi të kufizuar;
dh) Departamenti i kërkimit dhe i zhvillimit;
e) Departamenti i përshtatjes së arsyeshme.

2. Qendra Burimore kryen funksionet, si më poshtë vijon:

a) Ofron arsim special, në përputhje me planin mësimor të miratuar nga ana e strukturave përgjegjëse, si dhe kur vlerësohet edhe përshtatje e arsyeshme për nevoja të veçanta të nxënësve me aftësi të kufizuar, sipas kategorive të përcaktuara në këtë vendim;
b) Identifikon dhe vlerëson nevojat arsimore të fëmijëve me aftësi të kufizuar të moshës shkollore për zonën që mbulon, duke synuar gjithëpërfshirjen e tyre në arsim;
c) Siguron ekspertizën e nevojshme për komisionet multidisiplinare të institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar për të përcaktuar formën e përshtatshme të arsimimit të nxënësve me aftësi të kufizuar dhe procedurat që duhet të ndjekin;
ç) Siguron mbështetje të specializuar për komisionet shkollore për hartimin dhe zbatimin e planeve edukative individuale për nxënësit me aftësi të kufizuar në arsimin e zakonshëm;
d) Ofron programe përgatitore për t’u përshtatur lehtësisht me institucionin arsimor për nxënës me aftësi të kufizuar që do të fillojnë arsimin;
dh) Mbështet arsimimin e vazhduar të nxënësve me aftësi të kufizuar në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, duke hartuar dhe shpërndarë materiale ndihmëse mësimore dhe didaktike për nxënësit me aftësi të kufizuar, si dhe për mësuesit që punojnë me këta nxënës në shkolla të zakonshme;
e) Siguron, pas orarit mësimor, shërbime të specializuara arsimore plotësuese për nxënës me aftësi të kufizuar, që ndjekin shkollat speciale dhe ato të zakonshme për kategoritë e përcaktuara në këtë vendim;
ë) Siguron mbështetjen, këshillimin dhe shkëmbimin e përvojave të mësuesve e të mësuesve ndihmës, që punojnë me nxënës me aftësi të kufizuar në shkolla të zakonshme dhe bashkëpunon për trajnimin e vazhduar dhe zhvillimin profesional të tyre;
f) Shërben si qendër kërkimore për zhvillimin e teknologjive inovative për të mësuarit e vazhduar, digjital dhe në distancë të nxënësve me aftësi të kufizuar;
g) Siguron këshillim dhe mbështetje për aftësimin dhe zhvillimin e kompetencave për jetesë të pavarur të nxënësve me aftësi të kufizuar dhe integrimin e tyre në jetën sociale;
gj) Siguron informim, këshillim dhe mbështetje për prindërit e nxënësve me aftësi të kufizuar për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave specifike të tyre në familje e komunitet;
h) Siguron, në partneritet me shoqërinë civile, informimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar për të qenë pjesë e procesit të hartimit të politikave dhe të vendimmarrjes në mbështetje të tyre;
i) Ndjek dhe dokumenton ecurinë e arsimimit dhe të aftësimit për jetesë të pavarur të nxënësve me aftësi të kufizuar, që ndjekin shkollat e zakonshme.

3. AKAP-ja, nëpërmjet institucioneve të saj të varësisë, realizon këto detyra:

a) Miraton rregulloren tip të organizimit dhe të funksionimit të Qendrës Burimore dhe përshkrimet e punës, bazuar në strukturën e miratuar;
b) Bashkëpunon me institucionin përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar dhe Qendrën Burimore për hartimin, përditësimin dhe ndjekjen e procedurave të miratimit të kurrikulës shkollore të përshtatur për programin mësimor të ofruar në qendër, sipas specifikave dhe ciklit arsimor;
c) Koordinon bashkëpunimin mes Qendrës Burimore dhe shkollave të zakonshme për shërbimet arsimore, shërbimet mbështetëse dhe integruese për nxënësit me aftësi të kufizuar;
ç) Koordinon veprimtaritë e Qendrës Burimore me institucionet e arsimit parauniversitar lidhur me shkëmbimin e përvojave, këshillimin dhe trajnimin e mësuesve dhe mësuesve ndihmës, që punojnë në shkollat e zakonshme;
d) Koordinon veprimtaritë informuese dhe ndërgjegjësuese të Qendrës Burimore për gjithëpërfshirjen në arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuar;
dh) Monitoron dhe dokumenton aktivitetin e Qendrës Burimore në mbështetje të nxënësve me aftësi të kufizuar dhe të mësuesve në arsimin e zakonshëm;
ë) Bashkëpunon me Qendrën Burimore për standardet e ofrimit të shërbimit nëpërmjet rekrutimit të stafit.

4. Financimi dhe administrimi i veprimtarisë së qendrave burimore realizohet, si më poshtë vijon:

a) Me fonde publike nga buxheti i shtetit të ardhura të njësive të vetëqeverisjes vendore, dhurime e sponsorizime, të ardhura të përftuara nga vetë institucionet arsimore, si dhe të ardhura të tjera të ligjshme;
b) Me financim nga buxheti i shtetit të planifikuar me formulën “Për nxënës”, sipas treguesve të veçantë të niveleve arsimore dhe aktiviteteve që do të sigurojë institucioni;
c) Ministria përgjegjëse për arsimin dhe ministria përgjegjëse për financat miratojnë hapjen dhe mbylljen e llogarisë buxhetore apo llogarive në bankat e nivelit të dytë të qendrave burimore, të cilat mbajnë llogari buxhetore në degën e thesarit të institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar apo llogari në bankat e nivelit të dytë për të ardhurat e krijuara nga vetë ato;
ç) Rregullat e administrimit financiar për llogaritë buxhetore apo llogaritë në bankat e nivelit të dytë përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe të ministrit përgjegjës për financat.

5. Struktura konkrete e organizimit të Qendrës Burimore përcaktohet në aktin përkatës për hapjen/riorganizimin e saj.

6. Për nevoja të qendrës për ofrimin e shërbimeve rehabilituese dhe integruese, ajo kontrakton me kohë të pjesshme specialistë të fushës përkatëse, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e funksionimit të saj.

V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Institucionet publike aktuale të arsimit special, të cilat plotësojnë kriteret sipas këtij vendimi, aplikojnë për t’u riorganizuar si qendër burimore për nxënësit me aftësi të kufizuar, duke ndjekur procedurat për riorganizim, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet rajonale përgjegjëse për arsimin parauniversitar, institucionet vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet publike të arsimit special për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË FIERIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Rajmonda Balilaj, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË VLORËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Flamur Mamaj, prefekt i Qarkut të Vlorës, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Vangjel Tavo emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.125/2013, “PËR KONCESIONET DHE PARTNERITETIN PUBLIK PRIVAT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa ndryshime në ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.332, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I AKSIT RRUGOR THUMANË-VORË-KASHAR””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.332, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë, objekt shpronësimi, me një vlerë të përgjithshme prej 1 341 870 037.48 (një miliard e treqind e dyzet e një milionë e tetëqind e shtatëdhjetë mijë e tridhjetë e shtatë pikë dyzet e tetë) lekësh.”.

b) Në pikën 4, vlera “420 537 115.55 (katërqind e njëzet milionë e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e pesë) lekë” zëvendësohet me vlerën “1 341 870 037.48 (një miliard e treqind e dyzet e një milionë e tetëqind e shtatëdhjetë mijë e tridhjetë e shtatë pikë dyzet e tetë) lekë”.

2. Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria “G2 Infra”, sh.p.k., Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Krujë, Kamzë-Vorë, Tirana Rurale 2, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË POSAÇME DHE PROCEDURAVE PËR DHËNIEN E STATUSIT “SHKOLLË ME STATUS TË VEÇANTË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e kritereve të posaçme dhe procedurave për përfitimin e statusit “Shkollë me status të veçantë”, për institucionin arsimor parauniversitar publik (IAPP) i arsimit të orientuar me drejtim artistik apo sportiv.

2. IAPP-ja e arsimit të orientuar me drejtim artistik fiton statusin “Shkollë me status të veçantë” kur ka një kapacitet për jo më pak se 100 (njëqind) nxënës dhe garanton mjediset për zhvillimin e kurrikulës artistike dhe të përgjithshme me parametrat e mëposhtëm, sipas tipologjive të shkollës, si më poshtë vijon:

a) Disponon infrastrukturën e përshtatshme, sipas kuadrit ligjor në fuqi;
b) Disponon personel mësimdhënës të arsimit të orientuar, në përputhshmëri me kurrikulën e veçantë artistike;
c) Shkolla dhe nxënësit janë vlerësuar me çmime në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare;
ç) Institucioni të jetë vlerësuar “Shumë mirë” në vlerësimin e fundit nga strukturat përkatëse për inspektimin dhe vlerësimin e cilësisë;
d) Klasat dhe laboratorët të jenë në funksion të mësimdhënies, sipas kurrikulës së miratuar;
dh) Disponon jo më pak 2 (dy) salla baleti me standarde bashkëkohore;
e) Disponon sallë testimi për kanto/muzikë/instrumente, galeri arti dhe gipsotekë, atelie, sipas specifikave të shkollës, sallë koncertesh;
ë) Disponon bibliotekë me tituj librash, sipas specifikave të shkollës;
f) Disponon personel të kualifikuar, të licencuar dhe të trajnuar për mësimdhënie në profilet artistike të shkollës;
g) Disponon muzeun e shkollës, si dhe fonotekë të pasur të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare dhe botërore për teatrin dhe kinematografinë.

3. IAPP-ja e arsimit të orientuar me drejtim sportiv fiton statusin “Shkollë me status të veçantë” kur ka një kapacitet për jo më pak se 100 (njëqind) nxënës dhe garanton mjediset për zhvillimin e kurrikulës sportive dhe të përgjithshme me parametrat e mëposhtëm, sipas tipologjive të shkollës, si më poshtë vijon:

a) Disponon infrastrukturën e përshtatshme, sipas kuadrit ligjor në fuqi;
b) Disponon personel mësimdhënës të arsimit të orientuar, në përputhshmëri me kurrikulën e veçantë sportive;
c) Shkolla dhe nxënësit janë vlerësuar me çmime në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare;
ç) Institucioni të jetë vlerësuar “Shumë mirë” në vlerësimin e fundit nga strukturat përkatëse për inspektimin dhe vlerësimin e cilësisë;
d) Klasat dhe laboratorët të jenë në funksion të mësimdhënies, sipas kurrikulës së miratuar;
dh) Disponon jo më pak se 1 (një) terren sportiv të mbuluar dhe 1 (një) terren të hapur, që mbulon disiplinat kryesore sportive;
e) Disponon jo më pak se 1 (një) palestër me standarde bashkëkohore për stërvitje për shkollat sportive, të mirëpajisur me mjete sportive;
ë) Disponon stafe të certifikuara dhe të licencuara si trajnerë nga federatat shqiptare sportive, sipas disiplinave të shkollës sportive;
f) Disponon bibliotekë me tituj librash, sipas specifikave të shkollës;
g) Disponon muzeun e shkollës, si dhe fonotekë të pasur të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare dhe ndërkombëtare në sport;
gj) Bazuar në kurrikulën sportive, siguron realizimin e 3 (tri) aktiviteteve sportive në shkallë kombëtare ose ndërkombëtare, në 3 (tre) vjetët e fundit.

4. Për fitimin e statusit “Shkollë me status të veçantë” zbatohet procedura, si më poshtë vijon:

a) IAPP-ja bën kërkesë me shkrim për fitimin e statusit “Shkollë me status të veçantë” pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin;
b) Ministria përgjegjëse për arsimin, nëpërmjet institucionit përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor në arsimin parauniversitar, verifikon plotësimin e kritereve, të përcaktuara në këtë vendim;
c) Ky institucion, pas verifikimit, jo më vonë se 3 (tre) muaj para fillimit të vitit shkollor, përcjell në ministrinë përgjegjëse për arsimin propozimin, raportin e vlerësimit për dhënien e statusit “Shkollë me status të veçantë”, shoqëruar me dokumentacionin përkatës, bazuar në përmbushjen e kritereve, të përcaktuara në këtë vendim;
ç) Ministri përgjegjës për arsimin miraton ose refuzon dhënien e statusit “Shkollë me status të veçantë” për IAPP-të.

5. IAPP-ja me status të veçantë humbet statusin e dhënë nga ministri përgjegjës për arsimin, nëse për 3 (tre) vjet radhazi nuk garanton përmbushjen e kritereve për dhënien e statusit të veçantë, të përcaktuara në këtë vendim. Procedura e heqjes së statusit të veçantë është e njëjtë me atë të përcaktuar në shkronjat “b”, e vijuese, të pikës 4, të këtij vendimi.

6. Struktura organizative, rregullorja e funksionimit të “Shkollës me status të veçantë” miratohet nga ministri përgjegjës për arsimin, me propozim nga institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor në arsimin parauniversitar.

7. Për lëndët e kulturës artistike/sportive IAPP-ja mund të kontraktojë me kohë të pjesshme specialistë/personalitete të fushës/disiplinave, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e funksionimit të shkollave me status të veçantë.

8. Kurrikula mësimore e “Shkollës me status të veçantë” dhe standardet profesionale të personelit, sipas profileve, hartohen nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe miratohen nga ministria përgjegjëse për arsimin.

9. Financimi i veprimtarisë së IAPP-ve, që fitojnë statusin “Shkollë me status të veçantë” realizohet me fonde publike, me burim financimi nga buxheti i shtetit, të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore, dhurimet e sponsorizimet, të ardhurat e përftuara nga vetë IAPP-ja, si dhe të ardhura të tjera të ligjshme.

10. Financimi i veçantë nga buxheti i shtetit planifikohet me formulën “Për nxënës”, sipas treguesve të veçantë të niveleve arsimore dhe kushteve që do të sigurojnë IAPP-të “Shkollë me status të veçantë”.

11. Ministria përgjegjëse për financat dhe ministria përgjegjëse për arsimin miratojnë hapjen dhe mbylljen e llogarive buxhetore në degën vendore të thesarit apo llogari në bankat e nivelit të dytë, ku ka vendndodhjen institucioni arsimor publik me status të veçantë për të ardhurat e krijuara nga vetë institucioni. Rregullat e administrimit financiar për llogaritë buxhetore apo llogaritë në bankat e nivelit të dytë përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe të ministrit përgjegjës për financat.

12. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, mbulohen nga buxheti i miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin.

13. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor në arsimin parauniversitar, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore arsimore parauniversitare dhe institucionet arsimore parauniversitare publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË MBROJTJES SOCIALE 2024 – 2030 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT NË ZBATIM TË SAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024 – 2030 dhe të planit të veprimit në zbatim të saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, inspektorati përgjegjës për shërbimet shoqërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Previous Ura e re e Kukësit, vepër transformuese që bashkon brigjet e Drinit, në Rrugën e Kombit