Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Tetor 2026
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË BURGJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 26, të ligjit nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Adriatik Kupi, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Sadleva Bodo emërohet drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1 TË MARRËVESHJES SË HUAS, DATË 10 SHKURT 2020, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E “KONEKTIVITETIT TË RRUGËVE RAJONALE DHE LOKALE NË SHQIPËRI”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.44/2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.1 të marrëveshjes së huas, datë 10 shkurt 2020, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e “Konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri”, ratifikuar me ligjin nr.44/2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS (DATË 30 QERSHOR 2008, MARRËVESHJE HUAJE NR.ABA-P3), NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (TË ZËVENDËSUAR NGA AGJENCIA JAPONEZE E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, NË TETOR 2008), PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE PËR TIRANËN E MADHE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9964, DATË 24.7.2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas (datë 30 qershor 2008, marrëveshje huaje nr.ABA-P3), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (të zëvendësuar nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në tetor 2008), për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, ratifikuar me ligjin nr.9964, datë 24.7.2008, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË MOLDAVISË, PËR MBROJTJEN SHOQËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Moldavisë, për mbrojtjen shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.489, DATË 29.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË SUBSTANCAVE ME RREZIKSHMËRI SHUMË TË LARTË (SVHC) E TË KRITEREVE PËR PËRFSHIRJEN E SUBSTANCAVE NË LISTËN SVHC DHE LËSHIMIN E NJË AUTORIZIMI TË KUSHTËZUAR ME QËLLIM VAZHDIMIN E PËRDORIMIT TË SVHC-VE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 20, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.489, datë 29.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së substancave me rrezikshmëri shumë të lartë (SVHC) e të kritereve për përfshirjen e substancave në listën SVHC dhe lëshimin e një autorizimi të kushtëzuar me qëllim vazhdimin e përdorimit të SVHC-ve”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për miratimin e kritereve për përfshirjen e substancave në listën SVHC dhe lëshimin e një autorizimi të kushtëzuar me qëllim vazhdimin e përdorimit të SVHC-së”.
2. Shkronja “a”, e pikës 3, të kreut I, shfuqizohet.
3. Në kreun II bëhen këto ndryshime:
a) Titulli ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kriteret për përfshirjen e substancave me rrezikshmëri shumë të lartë në listën SVHC”;
b) Në pikën 1, fjalët “… tani e tutje lista SVHC …” dhe “… e listuara në shtojcën 1 të këtij vendimi …” hiqen.
4. Në kreun III bëhen këto ndryshime:
a) Fjalia e parë, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Ndalohet vazhdimi i vendosjes në treg me qëllim përdorimin e mëtejshëm i substancave me rrezikshmëri shumë të lartë (SVHC), të përfshira në listën e SVHC-ve, nga prodhuesi, importuesi ose përdoruesi profesional, pas përfundimit të afatit përkatës të përcaktuar për secilën substancë në këtë listë.”;
b) Në shkronjën “b”, të pikës 1, fjalët “… shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi …” zëvendësohen me “… listën e SVHC-ve …”;
c) Në shkronjën “c”, të pikës 1, fjalët “… (1 tetor 2019) e përcaktuar në shtojcën 1, të këtij vendimi …” hiqen;
ç) Në shkronjën “ç”, të pikës 1, togfjalëshi “… 12 muaj …” zëvendësohet me “… 18 muaj …” dhe fjalët “… shtojcën 1 të këtij vendimi …” zëvendësohen me “… listën e SVHC-ve …”;
d) Në shkronjën “a”, të pikës 3, togfjalëshi “… shtojcën I …” zëvendësohet me fjalët “… listën e SVHC-ve …”.
5. Në kreun IV bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 2, fjalët “… shtojcën 1, të këtij vendimi …” zëvendësohen me “… listën e SVHC-ve …”;
b) Në pikën 8, fjalët “… përpara datës 1 tetor 2018 …” zëvendësohen me “… të paktën 12 muaj përpara afatit të përcaktuar në listën e SVHC-ve …”.
6. Shtojca I, “Lista e substancave që i nënshtrohet autorizimit (lista e SVHC-ve)”, shfuqizohet.
7. Në pikën 2, të kreut IX, pas emërtesës “… Ministria e Mjedisit …” shtohet “… , Agjencia Kombëtare e Mjedisit …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.737, DATË 5.11.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE PUBLIKE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PARËSOR NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.737, datë 5.11.2014, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore publike të kujdesit shëndetësor parësor nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me qendrën shëndetësore për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore të ofruara prej tyre. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratë me shoqërinë aksionare shtetërore “Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore”, sh.a. (OSHISH, sh.a.), për financimin e shërbimeve të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë për grup-moshat mbi 35 (tridhjetë e pesë) vjeç.”.
2. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Mënyrat e pagesës së paketave të shërbimeve shëndetësore, që ofrohen nga qendrat shëndetësore, miratohen me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit.”.
3. Pas pikës 14 shtohen pikat 14/1 e 14/2, me këtë përmbajtje:
“14/1. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon shërbimet e Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, të ofruar nga OSHISH, sh.a., në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet Fondit dhe kësaj shoqërie. Financimi kryhet për rastet e realizuara dhe të verifikuara, sipas tarifës për rast të miratuar nga këshilli mbikëqyrës i shoqërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe brenda fondeve të miratuara për këtë shërbim.
14/2. Mënyra e pagesës së shërbimeve të parashikuara në pikën 14/1, të këtij vendimi, forma e kontratës dhe kriteret për lidhjen e saj miratohen me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit. Mënyra e pagesës përcakton kushtet, dokumentacionin dhe afatet për verifikimin e shlyerjen e shërbimeve të realizuara, duke zbatuar tarifën për rast të parashikuar në pikën 14/1, të këtij vendimi.”.
4. Pika 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“23. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe shoqëria “Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore”, sh.a. (OSHISH, sh.a.), për zbatimin e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT TË PASURISË ME NR.2/260, NË ZONËN KADASTRALE 2297, ME VENDNDODHJE NË KSAMIL, SARANDË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi te Fondi Shqiptar i Zhvillimit të pasurisë me nr.2/260, në zonën kadastrale 2297, me vendndodhje në Ksamil, Sarandë, sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për t’u përdorur për realizimin e projektit “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3&4”, “Sistemimi urban për krijimin e parkimeve të hapura publike në Ksamil, Bashkia Sarandë”.
2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet ndryshimi i destinacionit të përdorimit të pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, si dhe tjetërsimi i pronës apo dhënia e saj në përdorim te të tretët që nuk janë struktura apo subjekte në varësi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
3. Ngarkohen Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REFERIMIT DHE MENAXHIMIT TË RASTEVE TË FËMIJËVE NË NEVOJË PËR KUJDES ALTERNATIV NË FAMILJE DHE MIRATIMIN E KRITEREVE, PROCEDURAVE DHE INSTRUMENTEVE PËR VLERËSIMIN PERIODIK TË SITUATËS SË FËMIJËS SË VENDOSUR NË KUJDES ALTERNATIV NË FAMILJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14, pika 3, e 22, pika 5, të ligjit nr.92/2025, “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij vendimi është të garantojë një proces referimi dhe menaxhimi të rasteve të fëmijëve në nevojë për kujdes alternativ në familje të koordinuar, të standardizuar e të bazuar në interesin më të lartë të fëmijës, kur fëmija është në nevojë për mbrojtje dhe/ose i propozohet apo vendoset në kujdes alternativ në familje, si dhe të rregullojë kriteret e procedurat për vlerësimin periodik të situatës së fëmijës së vendosur në kujdes alternativ në familje.
Neni 2
Objekti
Ky vendim rregullon procedurat, që lidhen me referimin, menaxhimin e rasteve dhe vlerësimin periodik të fëmijëve, për të cilët është konstatuar ose propozohet nevoja për kujdes alternativ në familje, në përputhje me autorizimin ligjor përkatës.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Ky vendim zbatohet për të gjitha rastet kur fëmija rekomandohet në nevojë për mbrojtje dhe nga vlerësimi rezulton nevoja për masë mbrojtjeje, që përfshin kujdes alternativ në familje, si dhe për të gjitha rastet kur fëmija është vendosur në kujdes alternativ në familje (vullnetar ose profesional) dhe i nënshtrohet vlerësimit periodik.
KREU II
ORGANIZIMI DHE PËRGJEGJËSITË INSTITUCIONALE
Neni 4
Autoritetet përgjegjëse dhe rolet
1. Autoritetet dhe strukturat përgjegjëse, që, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, kontribuojnë në vlerësimin, vendosjen, menaxhimin, monitorimin e mbështetjen e fëmijës dhe të familjes gjatë periudhës së kujdesit alternativ në familje, janë:
a) njësia/punonjësi i mbrojtjes së fëmijës në bashki (NJMF/PMF);
b) njësia e vlerësimit të nevojave dhe referimit në nivel vendor (NJVNR);
c) struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki;
ç) grupi teknik ndërsektorial (GTN);
d) komisioni shumëdisiplinar për kujdesin alternativ në familje;
dh) Shërbimi Social Shtetëror dhe strukturat e tij rajonale;
e) institucionet e tjera publike e jopublike, ofruesit e shërbimeve dhe organizatat kontribuuese, sipas kompetencave përkatëse.
2. Njësia/punonjësi i mbrojtjes së fëmijës (NJMF/PMF), në cilësinë e menaxherit të rastit, është përgjegjës/e për koordinimin e procesit të menaxhimit të rastit gjatë gjithë periudhës së mbrojtjes e të kujdesit alternativ në familje dhe, në veçanti, për:
a) marrjen në shqyrtim të rasteve të identifikuara, të referuara ose të raportuara për situata rreziku, neglizhimi, abuzimi, mungesë të kujdesit prindëror ose rrethana të tjera që kërkojnë vlerësim për masa mbrojtjeje dhe/ose vendosje në kujdes alternativ në familje;
b) kryerjen e vlerësimit fillestar dhe të plotë të situatës së fëmijës, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) hapjen, administrimin dhe përditësimin e dosjes së rastit;
ç) hartimin, koordinimin e zbatimit dhe rishikimin e planit individual të mbrojtjes (PIM), në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) thirrjen dhe koordinimin e punës së grupit teknik ndërsektorial e të aktorëve të tjerë, të përfshirë në menaxhimin e rastit;
dh) hartimin, koordinimin e zbatimit dhe rishikimin e planit individual të kujdesit (PIK), në bashkëpunim me strukturat dhe profesionistët përkatës;
e) monitorimin e situatës së fëmijës në familjen kujdestare nëpërmjet vizitave, takimeve, intervistave dhe mënyrave të tjera të përshtatshme të vlerësimit;
ë) dokumentimin e ecurisë së fëmijës, marrëdhënies dhe lidhjes emocionale me familjen kujdestare e familjen biologjike/aktuale, si dhe të kontakteve e të ndërveprimeve ndërmjet tyre;
f) koordinimin dhe ndjekjen e procesit të riintegrimit të fëmijës në familjen biologjike/aktuale, kur ky proces vlerësohet i sigurt dhe në interesin më të lartë të fëmijës;
g) referimin pranë strukturave dhe autoriteteve kompetente të rasteve, kur vlerësohet nevoja për birësim ose për një formë tjetër të qëndrueshme kujdesi, si dhe ndjekjen e ecurisë së rastit, sipas kompetencave të tij;
gj) përgatitjen dhe paraqitjen e propozimeve për ndryshimin, transferimin ose mbylljen e rastit, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim dhe në legjislacionin në fuqi;
h) dokumentimin dhe raportimin e rasteve të moszbatimit të PIM-it/PIK-ut, të mosbashkëpunimit institucional ose të rrethanave që cenojnë sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e fëmijës pranë strukturës përgjegjëse dhe autoritetit kompetent, sipas natyrës së çështjes.
3. NJVNR-ja, në nivel vendor:
a) bashkëpunon me menaxherin e rastit për vlerësimin e nevojave të fëmijës e të familjes, identifikimin e aksesimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror dhe referimin pranë ofruesve të shërbimeve;
b) kontribuon në hartimin, zbatimin dhe rishikimin e PIM-it dhe PIK-ut, sipas përgjegjësive të përcaktuara në këto plane;
c) kontribuon në vlerësimin periodik të situatës së fëmijës së vendosur në kujdes alternativ në familje;
ç) ndjek realizimin e shërbimeve të përcaktuara në PIM dhe PIK dhe i përcjell menaxherit të rastit informacionin dhe dokumentacionin përkatës;
d) kontribuon në mbledhjen dhe dokumentimin e të dhënave të nevojshme për monitorimin dhe planifikimin e shërbimeve.
4. Struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki, nëpërmjet drejtuesit përkatës:
a) siguron funksionimin e mekanizmave vendorë të mbrojtjes së fëmijës e të shërbimeve mbështetëse për fëmijën dhe familjen;
b) siguron mbështetjen administrative dhe institucionale për zbatimin e PIM-it e të PIK-ut dhe, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, miraton këto plane;
c) garanton koordinimin ndërsektorial në territor dhe marrjen e masave administrative për sigurimin e shërbimeve e të burimeve të nevojshme;
ç) siguron që vendimmarrjet dhe masat e përcaktuara nga autoritetet kompetente të reflektohen në PIM dhe PIK;
d) mbikëqyr zbatimin e këtij vendimi nga strukturat vartëse;
dh) miraton mbylljen e rastit, sipas propozimit të njësisë/punonjësit të mbrojtjes së fëmijës dhe në përputhje me vendimmarrjet e mekanizmave kompetentë;
e) siguron mbështetjen administrative dhe institucionale për ndjekjen e procedurës së paraqitjes së kërkesës në gjykatë nga njësia/punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, kur kjo kërkohet nga legjislacioni në fuqi;
ë) bashkëpunon me GTN-në, komisionin shumëdisiplinar dhe me aktorët e tjerë për sigurimin e shërbimeve dhe zbatimin e masave të përcaktuara për fëmijën e familjen.
5. Grupi teknik ndërsektorial (GTN) është mekanizmi ndërinstitucional për vlerësimin shumëdisiplinar të situatës së fëmijës, koordinimin e ndërhyrjeve dhe ndjekjen e detyrimeve institucionale, të përcaktuara në PIM dhe PIK. GTN-ja organizohet e funksionon sipas legjislacionit dhe akteve nënligjore në fuqi për funksionimin e grupeve teknike ndërsektoriale për mbrojtjen e fëmijëve.
6. Grupi teknik ndërsektorial thirret nga punonjësi për mbrojtjen e fëmijës dhe, sipas rastit, mblidhet në mënyrë të jashtëzakonshme kur niveli i rrezikut ose rrethanat e rastit e kërkojnë. Institucionet pjesëmarrëse janë të detyruara të kontribuojnë me informacionin, ekspertizën dhe veprimet që u kërkohen, në përputhje me kompetencat e tyre.
7. Grupi teknik ndërsektorial:
a) shqyrton vlerësimet e rastit dhe nevojat e fëmijës;
b) jep rekomandime për masat e mbrojtjes, përgatitjen e fëmijës dhe ndërhyrjet e nevojshme për vendosjen në kujdes alternativ në familje;
c) përcakton, sipas kompetencave të institucioneve pjesëmarrëse, detyrat, afatet dhe përgjegjësitë për realizimin e ndërhyrjeve;
ç) shqyrton progresin e zbatimit të PIM-it e të PIK-ut dhe rekomandon ndryshimet e nevojshme;
d) raporton te menaxheri i rastit dhe strukturat përgjegjëse për çështjet që kërkojnë ndërhyrje ose vendimmarrje të mëtejshme.
8. Komisioni shumëdisiplinar për kujdesin alternativ në familje është organi kolegjial përgjegjës për shqyrtimin e vendimmarrjen, sipas legjislacionit dhe akteve nënligjore në fuqi për kujdesin alternativ në familje.
9. Shërbimi Social Shtetëror dhe strukturat e tij rajonale ushtrojnë, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, rol mbështetës, metodologjik, monitorues dhe koordinues, në zbatimin e këtij vendimi, duke përfshirë:
a) mbledhjen, konsolidimin dhe analizën e të dhënave;
b) ofrimin e orientimit metodologjik për strukturat përgjegjëse;
c) mbështetjen për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale;
ç) monitorimin e zbatimit të standardeve dhe procedurave të shërbimit të kujdesit alternativ në familje;
d) bashkëpunimin me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe strukturat qendrore për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve e të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve.
10. Institucionet e tjera publike dhe jopublike, përfshirë institucionet arsimore, shëndetësore, Policinë e Shtetit, ofruesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror e organizatat kontribuese, bashkëpunojnë sipas kompetencave të tyre dhe:
a) referojnë rastet e fëmijëve në nevojë për mbrojtje pranë strukturave përgjegjëse;
b) marrin pjesë në proceset e vlerësimit dhe planifikimit, kur thirren nga menaxheri i rastit;
c) ofrojnë shërbimet që bien në fushën e kompetencës së tyre dhe që janë përcaktuar në PIM dhe/ose në PIK;
ç) raportojnë te menaxheri i rastit për realizimin e shërbimeve dhe ndërhyrjeve të përcaktuara;
d) respektojnë konfidencialitetin dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
11. Ofruesit e licencuar të shërbimeve shoqërore, në kuadër të PIM-it dhe PIK-ut, ofrojnë shërbime mbështetëse për fëmijën, familjen kujdestare e, kur është e përshtatshme, familjen biologjike/aktuale, në përputhje me nevojat e identifikuara dhe kapacitetet e shërbimit. Këto shërbime mund të përfshijnë këshillimin, mbështetjen psikosociale, ndjekjen e rregullt, mbështetjen për përfshirjen arsimore e sociale, ndërhyrjet në komunitet dhe koordinimin me shërbimet shëndetësore e arsimore.
12. Kur kërkohet nga nevojat e rastit e kur parashikohet nga kapacitetet dhe standardet e shërbimit, ofruesit mund të organizojnë shërbime lëvizëse ose ekipe të dedikuara për mbështetjen e fëmijës dhe të familjes kujdestare.
Ofruesit dokumentojnë ndërhyrjet e rezultatet e tyre dhe i raportojnë ato periodikisht te menaxheri i rastit.
13. Ofruesit e shërbimeve mbështesin procesin e riintegrimit të fëmijës në familjen biologjike/aktuale, kur ky proces vlerësohet i sigurt dhe në interesin më të lartë të fëmijës, duke ofruar, sipas nevojave të rastit, ndërhyrje për forcimin e kapaciteteve prindërore, përgatitjen e fëmijës e të familjes për tranzicionin dhe mbështetjen pas riintegrimit. Ndërhyrjet e rezultatet e tyre dokumentohen dhe përdoren në procesin e rishikimit të PIM-it e PIK-ut.
14. Në ushtrimin e funksioneve të tyre, të gjitha strukturat dhe institucionet e përfshira në menaxhimin e rastit bashkëpunojnë me menaxherin e rastit dhe shkëmbejnë informacionin e nevojshëm për mbrojtjen e fëmijës, duke respektuar parimin e interesit më të lartë të fëmijës, konfidencialitetin e legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
15. Grupi teknik ndërsektorial, komisioni shumëdisiplinar, strukturat përgjegjëse për shërbimet shoqërore, NJVNR-ja dhe ofruesit e shërbimeve nuk zëvendësojnë përgjegjësinë e njësisë/punonjësit të mbrojtjes së fëmijës si menaxher i rastit. Secili prej tyre ushtron funksionet e veta, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe në këtë vendim.
KREU III
PROCEDURA E REFERIMIT DHE E MENAXHIMIT TË RASTIT
Neni 5
Procedura e referimit dhe e menaxhimit të rastit
1. Procedurat e identifikimit, raportimit, referimit, vlerësimit fillestar, vlerësimit të plotë të rastit dhe hartimit të planit individual të mbrojtjes për fëmijët në nevojë për kujdes alternativ në familje kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, lidhur me procedurat e referimit e të menaxhimit të rastit. Dispozitat e këtij vendimi zbatohen vetëm për aspektet specifike të menaxhimit të rastit, që lidhen me kujdesin alternativ në familje.
Referimi për aspektet specifike të menaxhimit të rastit, që lidhen me kujdesin alternativ kryhet në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë nen dhe në nenet në vijim të këtij vendimi.
2. Kur gjatë identifikimit, raportimit ose vlerësimit të situatës së fëmijës, vërehen rrethana që tregojnë se fëmija është në rrezik të humbasë kujdesin prindëror, e ka humbur atë ose mund të ketë nevojë për vendosje në kujdes alternativ në familje, rasti referohet menjëherë pranë njësisë/punonjësit për mbrojtjen e fëmijës në territorin ku ndodhet fëmija, e cila/i cili merr përsipër menaxhimin e rastit, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në nenin 4, të këtij vendimi, dhe legjislacionin në fuqi.
3. Referimi mund të kryhet nga çdo person fizik ose juridik, institucion publik ose jopublik, strukturë arsimore, shëndetësore, e Policisë së Shtetit, ofrues i shërbimeve të kujdesit shoqëror, organizatë ose profesionist, që, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, merr dijeni për një fëmijë në rrethanat e parashikuara në pikën 2, të këtij neni.
4. Njësia/punonjësi për mbrojtjen e fëmijës, në cilësinë e menaxherit të rastit, me marrjen e referimit, regjistron rastin dhe ndërmerr veprimet për vlerësimin e situatës së fëmijës, në përputhje me procedurat e afatet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.
5. Kur, bazuar në vlerësimin e plotë të situatës së fëmijës dhe shqyrtimin e rastit nga GTN-ja, vlerësohet se fëmija ka nevojë për kujdes alternativ në familje, kjo nevojë dhe ndërhyrjet përkatëse pasqyrohen në planin individual të mbrojtjes. Punonjësi për mbrojtjen e fëmijës, në cilësinë e menaxherit të rastit, paraqet rastin, së bashku me vlerësimin dhe dokumentacionin përkatës, për shqyrtim, pranë komisionit shumëdisiplinar për kujdesin alternativ në familje, i cili vijon me procedurat për vlerësimin dhe vendimmarrjen përkatëse, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
6. Në rastet kur fëmija ndodhet në një situatë rreziku të menjëhershëm, referimi dhe ndërhyrja kryhen menjëherë, duke marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijës.
7. Referimi shoqërohet me informacionin dhe dokumentacionin e disponueshëm për fëmijën, përfshirë të dhënat mbi situatën e tij, faktorët e rrezikut, nevojat e identifikuara, ndërhyrjet e kryera dhe, kur është hartuar, planin individual të mbrojtjes. Shkëmbimi i informacionit kryhet vetëm në masën e nevojshme për mbrojtjen dhe menaxhimin e rastit, duke respektuar konfidencialitetin dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
8. Referimi dhe veprimet e ndërmarra në vijim të tij dokumentohen në dosjen e rastit dhe, sipas rastit, në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
Neni 6
Të drejtat dhe interesi më i lartë i fëmijës
1. Në të gjitha procedurat e parashikuara në këtë vendim, që lidhen me identifikimin, vlerësimin, planifikimin, vendosjen, monitorimin, rishikimin, transferimin, riintegrimin ose çdo vendimmarrje tjetër, që prek drejtpërdrejt interesin më të lartë të fëmijës, garantohet e drejta e fëmijës për t’u informuar, për t’u dëgjuar dhe për t’iu marrë mendimi në konsideratë, në përputhje me moshën, nivelin e pjekurisë dhe kapacitetin zhvillimor të tij, sipas ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës në fuqi e të akteve nënligjore në zbatim të tij.
2. Në çdo procedurë dhe vendimmarrje të parashikuar në këtë vendim, që lidhet me vendosjen, ndryshimin, monitorimin, rishikimin, transferimin, riintegrimin ose përfundimin e kujdesit alternativ në familje, interesi më i lartë i fëmijës përbën konsideratën parësore.
3. Vlerësimi i interesit më të lartë të fëmijës kryhet në përputhje me kriteret dhe elementet e përcaktuara në ligjin për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës e në aktet nënligjore, në zbatim të tij, në fuqi, dhe përbën bazën për hartimin, zbatimin dhe rishikimin e planit individual të mbrojtjes dhe planit individual të kujdesit.
Neni 7
Hartimi dhe rishikimi i planit individual të kujdesit (PIK)
1. Pas vendimit të gjykatës për konfirmimin e vlefshmërisë së masës së mbrojtjes për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje dhe përpara realizimit të vendosjes fizike të fëmijës, PMF-ja, në cilësinë e menaxherit të rastit, përditëson PIM-in dhe harton PIK-un, sipas formularit standard që i bashkëlidhet këtij vendimi, shtojca nr.1.
2. PIK-u është dokumenti bazë i menaxhimit të rastit në kujdesin alternativ në familje dhe përcakton në mënyrë të detajuar:
a) objektivat për mirëqenien, zhvillimin dhe stabilitetin e fëmijës;
b) shërbimet e ndërhyrjet për fëmijën dhe familjen kujdestare;
c) masat për ruajtjen dhe, kur është e mundur, forcimin e lidhjeve me familjen biologjike;
ç) afatet, përgjegjësit dhe treguesit e realizimit.
3. Planet individuale të kujdesit hartohen, zbatohen, monitorohen dhe rishikohen nën koordinimin e punonjësit të mbrojtjes së fëmijës, në cilësinë e menaxherit të rastit, në bashkëpunim me NJVNR-në dhe/ose ofruesit e shërbimeve komunitare/shërbimeve mbështetëse për fëmijën e familjen, familjen kujdestare dhe aktorët e tjerë të përfshirë, sipas përgjegjësive të përcaktuara në PIK.
4. Plani individual i kujdesit përcakton në mënyrë të detajuar objektivat, masat dhe shërbimet, që lidhen me vendosjen e qëndrimin e fëmijës në kujdes alternativ në familje dhe nuk zëvendëson planin individual të mbrojtjes.
5. Plani individual i kujdesit monitorohet e rishqyrtohet periodikisht sipas të njëjtave afate dhe procedura si PIM-i, në përputhje me standardet e shërbimit të kujdesit alternativ në familje.
6. Monitorimi i planit individual të kujdesit realizohet edhe nëpërmjet:
a) vizitave në familjen kujdestare;
b) intervistave me fëmijën dhe familjen kujdestare;
c) konsultimeve me institucionet dhe shërbimet përkatëse.
7. Çdo rishqyrtim i planit individual të kujdesit dokumentohet dhe pasqyrohet në planin e përditësuar, duke garantuar vijimësinë dhe cilësinë e kujdesit, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës.
8. Plani i rishikuar i paraqitet drejtorit të strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki dhe miratohet brenda 2 (dy) ditëve punë nga data e paraqitjes.
9. Plani i rishikuar i paraqitet strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki për marrjen e masave administrative dhe institucionale, të nevojshme për zbatimin e tij, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Neni 8
Vlerësimi periodik i situatës së fëmijës së vendosur në kujdes alternativ në familje
1. Fëmija i vendosur në kujdes alternativ në familje i nënshtrohet vlerësimit periodik të detyrueshëm, i cili synon të verifikojë në mënyrë të vazhdueshme nëse masa e kujdesit alternativ mbetet në interesin më të lartë të fëmijës, nëse kushtet e ofrimit të kujdesit janë të përshtatshme dhe nëse PIK-u po zbatohet në mënyrë efektive.
2. Vlerësimi periodik është pjesë e procesit të menaxhimit të rastit dhe realizohet gjatë gjithë periudhës së vendosjes së fëmijës në kujdes alternativ në familje, deri në përfundimin e masës, riintegrimin, ribashkimin, birësimin ose kalimin në një formë tjetër të kujdesit alternativ.
3. Vlerësimi periodik kryhet nga njësia/punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, në cilësinë e menaxherit të rastit, në bashkëpunim me NJVNR-në dhe, sipas nevojave të rastit, strukturat arsimore, shëndetësore, shërbimet psikosociale dhe ofrues të tjerë të shërbimeve, të parashikuara në planin individual të mbrojtjes dhe/ose kujdesit. Në vlerësim përfshihen, sipas rastit, profesionistët dhe institucionet, që kanë rol në zbatimin e PIM-it dhe/ose PIK-ut.
4. Monitorimi i zbatimit të PIK-ut realizohet çdo 2 (dy) javë gjatë 3 (tre) muajve të parë, pas vendosjes së fëmijës në familjen kujdestare dhe, më pas, të paktën 1 (një) herë në muaj. Në çdo rast, kur evidentohen rrethana, që mund të cenojnë sigurinë, zhvillimin ose mirëqenien e fëmijës, kryhet vlerësim i jashtëzakonshëm, pa pritur afatin e radhës. Rezultatet e çdo monitorimi e vlerësimi dokumentohen dhe përfshihen në dosjen e rastit.
5. Vlerësimi periodik përfshin analizën e plotë të situatës së fëmijës, lidhur me:
a) gjendjen fizike dhe shëndetësore, përfshirë aksesin në shërbimet mjekësore;
b) gjendjen psikologjike, emocionale dhe sjellore;
c) zhvillimin arsimor, frekuentimin e rregullt të shkollës dhe përfshirjen në aktivitete sociale;
ç) cilësinë e marrëdhënies dhe lidhjes emocionale me familjen kujdestare;
d) marrëdhëniet me familjen biologjike/aktuale dhe realizimin e kontakteve;
dh) respektimin e të drejtave të fëmijës, përfshirë të drejtën për pjesëmarrje dhe informim;
e) nivelin e përmbushjes së objektivave të PIK-ut;
ë) faktorët e rrezikut dhe faktorët mbrojtës, që ndikojnë në situatën e fëmijës;
f) vazhdimësinë e përshtatshmërisë së masës së kujdesit alternativ dhe nevojën për ndryshimin e saj.
6. Vlerësimi periodik realizohet në përputhje me formatet e përcaktuara në shtojcën nr.2, formulari për vlerësimin periodik në familjen kujdestare, shtojcën nr.3, formulari i intervistës me fëmijën e vendosur në kujdes alternativ në familje, shtojcën nr.4, formulari i intervistës me familjen kujdestare/biologjike, shtojcën nr.5, matrica e analizës së riskut (me familjen kujdestare/biologjike), bashkëlidhur këtij vendimi.
7. Gjatë procesit të vlerësimit periodik:
a) sigurohet dëgjimi i fëmijës në mënyrë individuale, në mjedis të përshtatshëm, të sigurt dhe konfidencial, pa praninë e familjes kujdestare, duke përdorur metoda të komunikimit të përshtatura, sipas moshës, nivelit të zhvillimit dhe, në rastin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, sipas nevojave të tyre specifike;
b) kryhet vizitë në familjen kujdestare;
c) zhvillohen takime me familjen kujdestare dhe me familjen biologjike/aktuale;
ç) mblidhen informacione nga institucionet dhe shërbimet e përfshira në planin individual;
d) vlerësohen marrëdhëniet dhe lidhja emocionale e fëmijës me prindërit biologjikë dhe/ose personat e tjerë të rëndësishëm për të;
dh) vlerësohen faktorët e rrezikut dhe faktorët mbrojtës, që ndikojnë në sigurinë, mirëqenien e zhvillimin e fëmijës.
8. Rezultatet e vlerësimit formalizohen në një raport të arsyetuar me shkrim, i cili përmban analizën e situatës aktuale, konstatimet mbi zbatimin e planit individual të kujdesit dhe rekomandimet për vijimësinë e masës. Raporti mund të rekomandojë:
a) vazhdimin e kujdesit alternativ në familje;
b) rishikimin ose përditësimin e planit individual të kujdesit;
c) ndryshimin e familjes kujdestare;
ç) përgatitjen për riintegrim në familjen biologjike/aktuale;
d) referimin ose rireferimin për birësim apo për një zgjidhje tjetër të qëndrueshme;
dh) marrjen e masave të menjëhershme të mbrojtjes, kur konstatohet rrezik serioz për fëmijën.
9. Raporti i vlerësimit periodik, i hartuar sipas shtojcës nr.6, struktura e raportit të vlerësimit periodik, bashkëlidhur këtij vendimi, i paraqitet komisionit shumëdisiplinar dhe strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki, kur rekomandohet ndryshimi i familjes kujdestare, ndryshimi i formës së kujdesit alternativ, riintegrimi, një zgjidhje tjetër e qëndrueshme ose çdo masë tjetër që, sipas legjislacionit në fuqi, kërkon shqyrtim ose vendimmarrje nga autoriteti kompetent.
10. Në rast se nga vlerësimi periodik rezulton se masa e kujdesit alternativ nuk është më në interesin më të lartë të fëmijës, njësia/punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, në cilësinë e menaxherit të rastit, ndërmerr menjëherë procedurat përkatëse administrative dhe, kur kërkohet nga legjislacioni në fuqi, paraqet kërkesën në gjykatë për rishqyrtim të masës së mbrojtjes, përfshirë zëvendësimin e familjes kujdestare ose ndryshimin e formës së kujdesit alternativ.
11. Të gjitha raportet dhe dokumentacioni i vlerësimit periodik regjistrohen në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje dhe ruhen në dosjen e menaxhimit të rastit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
12. Shërbimi Social Shtetëror dhe strukturat e tij rajonale monitorojnë zbatimin e detyrimit për vlerësim periodik, në kuadër të funksionit të tyre mbikëqyrës dhe metodologjik.
Neni 9
Riintegrimi i fëmijës në familjen biologjike/aktuale
1. Kur nga vlerësimi periodik i situatës së fëmijës dhe raporti i vlerësimit, rezulton se familja biologjike/aktuale ka rikthyer kapacitetet e nevojshme për përkujdesje dhe se riintegrimi është në interesin më të lartë të fëmijës, njësia/punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, në cilësinë e menaxherit të rastit, përgatit propozimin për riintegrim dhe ia paraqet komisionit shumëdisiplinar për shqyrtim, sipas kompetencave të tij. Në këto raste, njësia/punonjësi për mbrojtjen e fëmijës ndjek procedurat për paraqitjen në gjykatë të kërkesës për rishikimin ose heqjen e masës së mbrojtjes dhe përfundimin e kujdestarisë familjare, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Procesi i riintegrimit realizohet në mënyrë të planifikuar, të monitoruar e të mbështetur dhe pasqyrohet në PIK-un e rishikuar, nëpërmjet:
a) përgatitjes psikosociale të fëmijës dhe familjes biologjike/aktuale;
b) kontakteve e takimeve graduale ndërmjet fëmijës dhe familjes biologjike/aktuale;
c) ofrimit të shërbimeve mbështetëse për familjen biologjike/aktuale;
ç) përgatitjes për tranzicionin dhe kthimin e fëmijës në familje;
d) monitorimit të vazhdueshëm pas kthimit të fëmijës në familje.
3. Në rast se gjatë procesit të riintegrimit konstatohet se kthimi i fëmijës cenon sigurinë, mirëqenien ose interesin më të lartë të tij/saj, strukturat përgjegjëse ndërmarrin menjëherë masa për rishikimin e situatës dhe vijimësinë e mbrojtjes së fëmijës.
Neni 10
Dokumentimi dhe dosja e rastit
1. Dokumentimi i rastit kryhet nga punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, në cilësinë e menaxherit të rastit, i cili, kur nga vlerësimi rezulton se fëmija është në nevojë për mbrojtje dhe/ose i propozohet apo vendoset në kujdes alternativ në familje, hap dhe administron dosjen individuale të fëmijës, duke i caktuar një numër identifikues, që përdoret gjatë gjithë procesit të menaxhimit të rastit dhe në komunikimet përkatëse. Dosja mbahet në format letre dhe elektronik dhe përmban formularët standardë të këtij vendimi, raportimet, vlerësimet, planin individual PIM/PIK dhe rishikimet e tij, procesverbalet dhe dokumentacionin e mbledhjeve të GTN-së e të komisionit shumëdisiplinar, korrespondencën zyrtare, si dhe çdo dokument tjetër të nevojshëm për ndjekjen e rastit. Në rast se pas vlerësimit fillestar rezulton se fëmija nuk është në nevojë për mbrojtje, nuk hapet dosje individuale, por veprimet e kryera evidentohen në regjistrin përkatës.
2. Dosja në letër (hard copy) përmban dokumentacionin origjinal dhe ruhet në kushte sigurie, ndërsa dosja elektronike përditësohet në mënyrë të rregullt me të dhënat dhe dokumentet përkatëse.
3. Përpunimi, ruajtja e shkëmbimi i të dhënave personale kryhen vetëm nga personat e autorizuar dhe vetëm për qëllime të ligjshme, duke garantuar konfidencialitetin dhe aksesin e kufizuar. Dosja arkivohet sipas rregullave në fuqi dhe, në rast transferimi të rastit, përcillet dokumentacioni i nevojshëm pranë strukturës pritëse, duke garantuar vijimësinë e menaxhimit të rastit dhe përditësimin e regjistrave.
4. Dosja përmban dokumentacionin e mëposhtëm, sipas formularëve që i bashkëlidhen këtij vendimi, i cili mund të pasurohet me informacion shtesë, në varësi të trajtimit dhe ndjekjes së rastit:
a) Shtojca nr.1 – Formulari i planit individual të kujdesit;
b) Shtojca nr.2 – Formulari për vlerësimin periodik në familjen kujdestare;
c) Shtojca nr.3 – Formulari i intervistës me fëmijën e vendosur në kujdes alternativ në familje;
ç) Shtojca nr.4 – Formulari i intervistës me familjen kujdestare/biologjike;
d) Shtojca nr.5 – Matrica e analizës së riskut (me familjen kujdestare/biologjike);
dh) Shtojca nr.6 – Struktura e raportit të vlerësimit periodik.
5. Rastet dhe dokumentacioni për çdo fëmijë të ndjekur deri në vendimin përfundimtar dhe zgjidhjen e alternativës për vendosje në familje kujdestare regjistrohen në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
Neni 11
Transferimi dhe mbyllja e rastit
1. Transferimi i rastit kryhet kur:
a) gjatë zbatimit të masës së mbrojtjes dhe/ose kujdesit alternativ në familje, ndryshon vendbanimi ose vendqëndrimi i fëmijës dhe përgjegjësia për menaxhimin e rastit kalon në një njësi tjetër vendore. Në këto raste, transferimi realizohet nëpërmjet referimit administrativ ndërmjet strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës dhe shërbimet shoqërore;
b) ndryshimi i familjes kujdestare ose i formës së kujdesit alternativ realizohet vetëm pas vlerësimit të situatës së fëmijës, shqyrtimit nga komisioni shumëdisiplinar dhe vendimmarrjes së gjykatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi; si dhe
c) në çdo rast tjetër kur, për arsye të garantimit të vazhdimësisë së mbrojtjes, kërkohet ndryshimi i strukturës përgjegjëse për ndjekjen e rastit.
2. Transferimi i rastit shoqërohet me përcjelljen e dosjes së plotë dhe dokumentacionit shoqërues, përfshirë planin individual të kujdesit dhe rishikimet e tij, raportet e vlerësimit/monitorimit dhe çdo vendimmarrje të ndërmarrë, duke garantuar që struktura pritëse të marrë në përgjegjësi rastin pa ndërprerje të shërbimeve dhe të vijojë zbatimin e planit individual të kujdesit ose ta rishikojë atë sipas nevojës.
3. Struktura referuese dokumenton aktin e transferimit dhe përditëson regjistrat përkatës, ndërsa struktura pritëse konfirmon marrjen e dosjes dhe cakton menaxherin e rastit, duke siguruar kontaktin e parë me fëmijën dhe familjen kujdestare.
4. Rasti mbyllet kur, pas rishqyrtimit të PIM-it/PIK-ut dhe vlerësimit të situatës, konstatohet se:
a) përfundon masa e mbrojtjes dhe/ose përfundon afati i vendosjes së fëmijës në kujdes alternativ në familje, sipas vendimit përkatës;
b) fëmija rikthehet në familjen biologjike/aktuale dhe vlerësohet se rikthimi është i sigurt e i qëndrueshëm, ose kur vendoset një zgjidhje tjetër e qëndrueshme, e përshtatshme për interesin më të lartë të fëmijës;
c) fëmija mbush moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, kur ka nevoja të mëtejshme për mbështetje, kryhet referimi pranë shërbimeve përkatëse për të rritur, me qëllim vijimësinë e mbështetjes;
ç) fëmija birësohet nga familja kujdestare ose familje tjetër birësuese;
d) fëmija humb jetën;
dh) në rast transferimi, pas konfirmimit të marrjes së dosjes dhe kalimit të përgjegjësisë për menaxhimin e rastit te struktura pritëse.
5. Mbyllja e rastit propozohet nga punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, dokumentohet në formularin përkatës, pasqyrohet në dosjen e fëmijës dhe miratohet nga drejtuesi i strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki, komisioni shumëdisiplinar për kujdesin alternativ dhe gjykata.
6. Vendimi/dokumentacioni i mbylljes së rastit hidhet në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
KREU IV
BASHKËPUNIMI DHE SHKËMBIMI I INFORMACIONIT
Neni 12
Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit
1. Bashkëpunimi ndërinstitucional për fëmijët e vendosur në kujdes alternativ në familje realizohet në mënyrë të detyrueshme, të koordinuar dhe të vazhdueshme, ndërmjet strukturave përgjegjëse në nivel vendor e qendror, institucioneve publike e private, si dhe ofruesve të shërbimeve, me qëllim garantimin e sigurisë, mirëqenies dhe mbrojtjes së vazhdueshme të fëmijës e të stabilitetit të vendosjes në familjen kujdestare.
2. Institucionet e përfshira bashkërendojnë veprimet e tyre gjatë gjithë periudhës së kujdesit alternativ, përfshirë fazën e përgatitjes së fëmijës për vendosje, përshtatjen në familjen kujdestare, monitorimin e situatës dhe zbatimin e planit individual, si dhe planifikimin e zgjidhjes së qëndrueshme për fëmijën.
3. Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, në cilësinë e menaxherit të rastit, bashkërendon ndërveprimin ndërinstitucional dhe siguron funksionimin e ekipit shumëdisiplinar/GTN për shqyrtimin e vlerësimeve, ndarjen e detyrave, përcaktimin e afateve dhe rishikimin e planit individual.
4. Çdo institucion, autoritet ose ofrues shërbimi, i përfshirë në planin individual, është i detyruar të zbatojë detyrimet që i ngarkohen, të raportojë për realizimin e tyre dhe të ofrojë mbështetjen e nevojshme për fëmijën, familjen kujdestare dhe, sipas rastit, familjen biologjike/aktuale, duke respektuar konfidencialitetin e legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
5. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet institucioneve kryhet vetëm për qëllime të mbrojtjes së fëmijës dhe zbatimit të planit individual, në masën e nevojshme dhe nga personat e autorizuar, duke u dokumentuar në dosjen e rastit. Institucionet e përfshira sigurojnë përgjigje dhe veprim brenda afateve të përcaktuara në planin individual dhe marrin pjesë në mbledhjet e thirrura nga menaxheri i rastit.
6. Në rastet kur menaxhimi i rastit kërkon veprim në më shumë se një njësi vendore, bashkitë bashkëpunojnë për vijimin e shërbimeve, transferimin e dokumentacionit dhe monitorimin e situatës, duke garantuar që fëmija të mos mbetet pa mbështetje gjatë lëvizjes ose ndryshimit të vendbanimit.
7. Në rastet kur një fëmijë me vendbanim në një bashki vendoset në kujdes alternativ në familje kujdestare, që i përket listës së një bashkie tjetër:
a) bashkia ku ka vendbanimin fëmija mban përgjegjësinë për menaxhimin e rastit, hartimin dhe rishikimin e planit individual të kujdesit, si dhe për ndjekjen e procedurave ligjore;
b) struktura përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës në bashkinë ku ndodhet familja kujdestare është përgjegjëse për mbështetjen, monitorimin e ndjekjen e situatës së fëmijës dhe familjes kujdestare;
c) vendimmarrja për vendosjen në kujdes alternativ realizohet nga strukturat përgjegjëse të bashkisë së origjinës së fëmijës, në bashkëpunim me bashkinë pritëse.
8. Komisioni shumëdisiplinar i bashkisë, ku ka vendbanimin fëmija, shqyrton rastin dhe vendos për përshtatshmërinë e vendosjes së fëmijës në familjen kujdestare, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të bashkisë pritëse.
9. Bashkia, ku ka vendbanimin fëmija:
a) mban përgjegjësinë për menaxhimin e rastit, hartimin dhe rishikimin e PIM-it/PIK-ut;
b) ndjek procedurat për paraqitjen e kërkesave në gjykatë;
c) koordinon procesin e monitorimit dhe vlerësimit periodik të rastit.
10. Bashkia, ku ndodhet familja kujdestare:
a) mbështet monitorimin e përditshëm të vendosjes;
b) kryen vizita e ndjek situatën e fëmijës dhe familjes kujdestare;
c) i përcjell periodikisht informacion e raportime menaxherit të rastit dhe bashkisë së origjinës së fëmijës.
11. Bashkëpunimi ndërmjet bashkive realizohet nëpërmjet shkëmbimit periodik të informacionit, raportimeve të dokumentuara, mbledhjeve koordinuese dhe komunikimit ndërinstitucional ndërmjet strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës dhe kujdesin alternativ.
12. Shërbimi Social Shtetëror dhe strukturat e tij rajonale mbështesin dhe koordinojnë bashkëpunimin ndërmjet bashkive, në rastet e vendosjeve ndërvendore.
13. Në raste të veçanta, kur vlerësohet se qëndrimi i fëmijës në të njëjtën zonë gjeografike përbën rrezik për sigurinë e tij/saj, përfshirë rastet e abuzimit të rëndë ose rrezikshmërisë nga familja biologjike, mund të vendoset zhvendosja e fëmijës në një bashki tjetër, duke garantuar konfidencialitetin e vendndodhjes së tij/saj.
14. Të gjitha informacionet dhe të dhënat personale, që lidhen me fëmijën, familjen biologjike/aktuale dhe familjen kujdestare trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe me parimin e konfidencialitetit.
15. Akses në të dhënat dhe dokumentacionin e rastit kanë vetëm personat e autorizuar, që janë të përfshirë në procesin e menaxhimit të rastit, sipas kompetencave të tyre institucionale.
16. Përpunimi i të dhënave personale bëhet vetëm për qëllime të mbrojtjes së fëmijës, menaxhimit të rastit dhe zbatimit të planit individual.
17. Informacioni për fëmijën nuk publikohet dhe nuk shpërndahet për qëllime të tjera, përveç rasteve kur:
a) kërkohet nga organet e drejtësisë;
b) kërkohet nga autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës;
c) është e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe interesit më të lartë të fëmijës.
18. Institucionet përgjegjëse marrin masa teknike dhe organizative për ruajtjen e sigurt të dokumentacionit e të të dhënave elektronike.
19. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet institucioneve, të përfshira në menaxhimin e rastit, kryhet vetëm në masën e nevojshme për realizimin e detyrave të tyre.
20. Shkëmbimi i të dhënave kryhet:
a) në formë shkresore;
b) nëpërmjet sistemeve elektronike të autorizuara;
c) nëpërmjet Regjistrit Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
21. Çdo shkëmbim informacioni dokumentohet në dosjen e rastit dhe duhet të përmbajë:
a) institucionin që kërkon informacionin;
b) qëllimin e përdorimit;
c) datën dhe mënyrën e transmetimit.
22. Institucionet e përfshira duhet të sigurojnë gjurmueshmërinë e përdorimit të të dhënave dhe përgjegjësinë për çdo përdorim të paautorizuar.
23. Autoritetet përgjegjëse, sipas nevojës, udhëzojnë strukturat e brendshme të tyre për mënyrën e administrimit dhe shkëmbimit të të dhënave.
KREU V
MONITORIMI DHE RAPORTIMI
Neni 13
Monitorimi dhe raportimi
1. Monitorimi i zbatimit të këtij vendimi kryhet në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi dhe të akteve nënligjore përkatëse.
2. Bashkitë raportojnë për zbatimin e këtij vendimi, sipas shtojcës nr.7, “Formati standard i raportimit statistikor për kujdesin alternativ në familje”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shërbimi Social Shtetëror, në nivel qendror e rajonal, siguron mbledhjen, përpunimin, analizimin dhe raportimin e të dhënave të dërguara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe publikimin periodik të të dhënave të agreguara për qëllime transparence, monitorimi dhe politikëbërjeje.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 14
Institucionet zbatuese
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Shërbimi Social Shtetëror dhe strukturat në varësi të tij, si dhe strukturat e vetëqeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të nenit 4, të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR ORGANIZIMIN DHE ZHVILLIMIN E CEREMONISË SË DEKORIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 36, të ligjit nr.93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Ky vendim ka si objekt miratimin e rregullave të hollësishme, që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e ceremonisë së dekorimeve me urdhrat e medaljet e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij vendimi është sigurimi i standardizimit dhe solemnitetit të ceremonisë së dekorimeve, në respekt të parimeve të dinjitetit dhe të prestigjit të dekoratave, si dhe garantimi i trajtimit të denjë të subjekteve përfituese gjatë ceremonisë së dekorimit.
Neni 3
Parime të përgjithshme të ceremonialit
1. Organizimi dhe zhvillimi i ceremonisë së dekorimit udhëhiqet nga përcaktimet e ligjit nr.93/2022, nga rregullat e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, si dhe nga praktikat e mira ndërkombëtare e protokollare.
2. Ceremonia e dekorimit zhvillohet në mënyrë që të garantojë dinjitetin, solemnitetin dhe prestigjin, që lidhen me natyrën e urdhrave dhe të medaljeve, si shenja të vlerësimit më të lartë, që jepen në emër të Republikës së Shqipërisë.
3. Ceremoniali i urdhrave kombëtarë bazohet në parimin se çdo urdhër përbëhet nga të gjithë të dekoruarit në një nga shkallët e tij dhe përfaqëson një komunitet merite, në të cilin subjekti përfitues anëtarësohet përmes aktit të dekorimit, nën autoritetin e Kryetarit të Urdhrave.
4. Ceremoniali i urdhrave dhe medaljeve udhëhiqet nga parimi i dallimit të të dekoruarve ndërmjet personave fizikë, shtetas shqiptarë ose të huaj, dhe personave juridikë. Bëjnë përjashtim ceremonitë e dekorimit të forcave, të njësive ushtarake, si dhe të shërbimeve ose njësive përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, gjatë të cilave mund të dekorohet personeli përkatës.
5. Ceremonia e dekorimit udhëhiqet nga parimi i respektimit të rendit të përparësisë së urdhrave dhe medaljeve.
Neni 4
Organizimi dhe përgatitja e ceremonisë së dekorimit
1. Ceremonia e dhënies së dekoratave organizohet nga autoriteti përgjegjës për dhënien në bashkëpunim me Kancelarinë dhe autoritetin propozues.
2. Autoriteti përgjegjës për dhënien e dekoratës përcakton modalitetet e zhvillimit të ceremonisë, pasi miraton këto elemente:
a) Datën dhe vendin e zhvillimit të ceremonisë;
b) Listën e të ftuarve dhe ftesat për pjesëmarrje;
c) Delegimin e kryesimit të ceremonisë te një përfaqësues, kur vlerësohet e nevojshme.
3. Autoriteti përgjegjës koordinon me Kancelarinë për zhvillimin e ceremonisë dhe zbatimin e procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
4. Ftesat dërgohen nga autoriteti përgjegjës për dhënien e dekoratës, në përputhje me listën e miratuar. Kancelaria informon subjektin përfitues për detajet e ceremonisë.
5. Në rastet e dekorimit të personelit ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe të personelit të shërbimeve ose njësive përgjegjëse për rendin e sigurinë publike, ceremonitë e dekorimit zhvillohen në përputhje me rregullat e veçanta të ceremonialit ushtarak dhe rregullat e ceremonialit, që zbatohet për ceremonitë e rendit e të sigurisë publike.
Neni 5
Kryesimi i ceremonisë dhe delegimi
Presidenti i Republikës, kur e vlerëson të përshtatshme, i delegon kryesimin e ceremonisë dhe dorëzimin e urdhrave dhe medaljeve të akorduara prej tij një përfaqësuesi të tij ose një autoriteti tjetër. Në radhët e autoriteteve shtetërore, që kryejnë ceremonitë e dekorimeve me delegim, bëjnë pjesë:
a) kryetari i Kuvendit;
b) Kryeministri;
c) ministrat;
ç) Kancelari i Urdhrave dhe Medaljeve;
d) prefektët;
dh) shefat e misioneve diplomatike jashtë vendit.
Neni 6
Përparësia në ceremonitë e dekorimit
1. Rendi i vendosjes së pjesëmarrësve në ceremoni përcaktohet sipas rregullave të ceremonialit shtetëror. Për sa u përket personave që do të dekorohen, rendi i përparësisë së urdhrave dhe medaljeve në Republikën e Shqipërisë përcaktohet duke marrë në konsideratë këto elemente:
a) Rangun e autoritetit dhënës;
b) Përparësinë e urdhrave ndaj medaljeve;
c) Hierarkinë ndërmjet urdhrave dhe ndërmjet medaljeve;
ç) Hierarkinë e shkallëve brenda çdo urdhri dhe medaljeje;
d) Kriteret e dhënies së disa medaljeve;
dh) Shtetësinë e të dekoruarve;
e) Të drejtat që u njeh ligji mbajtësve të disa shkallëve të urdhrave dhe të shkallës më të lartë të medaljeve, që jepen nga Presidenti i Republikës dhe nga Kryeministri.
2. Në çdo rast, kanë përparësi mbajtësit e atyre shkallëve në urdhra dhe medalje, të cilëve ligji u ka njohur të drejtën e shoqërimit me ceremoni zyrtare dhe nderime ushtarake pas vdekjes, si edhe përfshirjen në radhën e përparësive në aktivitetet ceremoniale, sipas rregullave të përcaktuara në ceremonialin shtetëror të Republikës së Shqipërisë.
3. Shtetasit shqiptarë të dekoruar me urdhra dhe medalje të shtetit shqiptar kanë përparësi ndaj shtetasve të huaj, kur këta të fundit janë mbajtës dekoratash apo vlerësimesh honorifike të ngjashme të dhëna nga shteti shqiptar.
4. Dekorimet për merita ushtarake dhe civile në kohë lufte kanë përparësi ndaj dekorimeve për merita ushtarake dhe civile në kohë paqeje.
5. Rendi i detajuar për çdo shkallë i përparësisë ceremoniale të dekoratave dhe i mbajtësve të tyre në Republikën e Shqipërisë është, si vijon:
(1) Gjerdani i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(2) Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(3) Ylli i Madh i Urdhrit të Skënderbeut;
(4) Medalja e Artë e Meritës Ushtarake;
(5) Oficeri i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(6) Oficeri i Madh i Urdhrit të Skënderbeut;
(7) Medalja e Artë e Meritës Civile;
(8) Ylli i Madh i Lisit Akademik;
(9) Medalja e artë “Nënë Tereza”;
(10) Komandari i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(11) Oficeri i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(12) Komandari i Urdhrit të Skënderbeut;
(13) Komandari i Urdhrit të Lisit Akademik;
(14) Kalorësi i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(15) Oficeri i Urdhrit të Skënderbeut;
(16) Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut;
(17) Kalorësi i Urdhrit të Lisit Akademik;
(18) Medalja e Artë e Mirënjohjes Publike;
(19) Medalja e Argjendtë e Meritës Ushtarake;
(20) Medalja e Argjendtë e Meritës Civile;
(21) Medalja e argjendtë “Nënë Tereza”;
(22) Medalja “Pishtar i demokracisë”;
(23) Medalja e Argjendtë e Mirënjohjes Publike;
(24) Medalja e Bronztë e Meritës Ushtarake;
(25) Medalja e Bronztë e Meritës Civile;
(26) Medalja e bronztë “Nënë Tereza”;
(27) Medalja e Bronztë e Mirënjohjes Publike;
(28) Medalja e Artë e Shërbimit Ushtarak;
(29) Medalja e Artë e Shërbimit të Rendit Publik;
(30) Medalja e Argjendtë e Shërbimit Ushtarak;
(31) Medalja e Argjendtë e Shërbimit të Rendit Publik;
(32) Medalja e Bronztë e Shërbimit Ushtarak;
(33) Medalja e Bronztë e Shërbimit të Rendit Publik;
(34) Medalje dhe shenja nderi të dhëna, sipas ndarjes në shkallë dhe sipas datës së dhënies, nga ministri përgjegjës për Forcat e Armatosura;
(35) Medaljet përkujtimore ushtarake dhe civile sipas datës së dhënies.
Neni 7
Vendi i zhvillimit të ceremonisë
1. Ceremonia e dekorimit zhvillohet në vendin e përcaktuar nga autoriteti përgjegjës për dhënien e dekoratës, në bashkëpunim me Kancelarinë.
2. Ceremonia e dekorimit organizohet në:
a) selinë e autoritetit përgjegjës për dhënien e dekoratës;
b) selinë e autoritetit propozues;
c) selinë e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve;
ç) selinë e prefekturës së qarkut;
d) selinë e përfaqësisë diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit;
dh) mjedise të tjera të përshtatshme, me miratim paraprak të Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, kur zhvillimi i ceremonisë nuk është i mundur në ambientet e përcaktuara në shkronjat “a” deri në “d”, të kësaj pike.
3. Përzgjedhja e vendit të zhvillimit të ceremonisë bëhet duke marrë në konsideratë numrin e pjesëmarrësve, kërkesat e sigurisë dhe rangun e kryesuesit të ceremonisë.
4. Ndalohet zhvillimi i ceremonive të dekorimit në:
a) selitë e partive politike dhe të organizatave me karakter militant, politik ose prozelit;
b) faltore dhe vende kulti të dedikuara për shërbesa dhe ceremoni liturgjike.
5. Shpenzimet për organizimin e ceremonisë së dekorimit përballohen nga institucioni që organizon ceremoninë.
Neni 8
Rregullimi i mjedisit për zhvillimin e ceremonisë
1. Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve kujdeset që, duke marrë parasysh kushtet e veçanta të vendit ku zhvillohet ceremonia, kërkesat e autoritetit përgjegjës për dhënien e pritshmëritë legjitime të subjektit përfitues, mjedisi të jetë, në çdo rast, i pajisur me këto elemente:
a) Tryezë të përshtatshme ose një mbajtëse tjetër të ngjashme për vendosjen e dekoratave;
b) Jastëkë dekorativë ose kutitë përkatëse të vendosura mbi tryezë ose mbi një mbajtëse tjetër të ngjashme.
2. Organizimi dhe rregullimi i mjedisit bëhen në përputhje me udhëzimet e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, të cilat janë të detyrueshme për organizatorët e ceremonisë.
3. Në rastet kur ceremonia zhvillohet në mjedise të posaçme ose në kuadër të veprimtarive të tjera, rregullimi i mjedisit përshtatet me kushtet konkrete, pa cenuar karakterin solemn dhe institucional të ceremonisë.
Neni 9
Kodi i veshjes
1. Kodi i veshjes për subjektin që dekorohet gjatë ceremonisë është formal dhe përfshin:
a) kostum njëngjyrësh të errët, për zotërinjtë;
b) veshje kokteji njëngjyrëshe të errët, për zonjat;
c) uniformën e armës përkatëse për ushtarakët në shërbim aktiv dhe uniformën e shërbimit për punonjësit e forcave të sigurisë dhe të rendit publik, në përputhje me rregullat e posaçme në fuqi për mbajtjen e uniformave.
2. Kodi i veshjes për të ftuarit e tjerë në ceremoni përcaktohet në ftesë.
Neni 10
Formati i ceremonisë
1. Ceremonia e dekorimit përfshin, si rregull:
a) fjalën e kryesuesit të ceremonisë;
b) leximin e tekstit të certifikatës dhe të motivacionit;
c) shqiptimin e formulës së dekorimit;
ç) dorëzimin e dekoratës.
2. Fjala falënderuese e të dekoruarit është fakultative dhe mund të jepet vetëm me miratimin e kryesuesit të ceremonisë.
3. Ceremonitë e dekorimit, individuale ose kolektive, mund të përfshihen në organizime dhe kremtime shtetërore më të mëdha e gjithëpërfshirëse. Në këto raste, organizatorët sigurohen që ceremonia e dekorimit të ruajë karakterin e saj të veçantë, si dhe të respektojë rendin ceremonial, sipas pikës 1, të këtij neni.
4. Në organizimet dhe në kremtimet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, çelja dhe përfundimi i ceremonisë së dekorimit mund të sinjalizohen përmes një trumbete ushtarake, që lajmëron qëndrimin “Për nder”.
5. Në raste të veçanta të karakterizuara nga solemnitet i posaçëm, kur dekorohen shtetas shqiptarë, ceremonitë e kryesuara, në cilësinë e autoritetit dhënës, nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministri përgjegjës për mbrojtjen dhe ministri përgjegjës për sigurinë dhe rendin publik, mund të parashikohet ekzekutimi i himnit kombëtar nga një formacion muzikor.
6. Ekzekutimi i himnit kombëtar në ceremonitë e parashikuara në pikat 3 dhe 5, të këtij neni, përcaktohet në harmoni me tërësinë e programit dhe me rregullat e përgjithshme të luajtjes së tij në ngjarjet me rëndësi shtetërore.
7. Ceremonia e dekorimit të një personi juridik respekton parimet e përgjithshme sipas pikës 1, të këtij neni, me përjashtim të shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni. Dekorata i dorëzohet përfaqësuesit ligjor të përcaktuar përmes një akti marrë në përputhje me statutet e personit juridik.
Neni 11
Rendi i ceremonisë
1. Në datën dhe në vendin e caktuar, pas mbërritjes dhe akomodimit të të ftuarve, kryesuesi hap zyrtarisht ceremoninë.
2. Pas fjalës së kryesuesit lexohet teksti dhe motivacioni i certifikatës.
3. Në rast të dekorimeve kolektive në disa urdhra dhe me disa medalje, dorëzimi i tyre kryhet sipas rendit të përparësisë të përcaktuar në nenin 6, të këtij vendimi.
4. Pas leximit të certifikatës dhe motivacionit, kryesuesi i ceremonisë pozicionohet përballë subjektit të dekoruar për kryerjen e aktit të dekorimit.
5. Në zhvillimin e ceremonisë kryesuesi mund të asistohet nga një person ndihmës, i cili mund të jetë:
a) pjesëtar i njësive ceremoniale të Forcave të Armatosura, i Gardës së Republikës ose i Policisë së Shtetit;
b) pjesëtar i shërbimeve të protokollit të institucioneve të përfshira.
6. Formula e dekorimit shqiptohet, si më poshtë vijon:
a) Kur kryesuesi i ceremonisë është Presidenti i Republikës, Kryetar i Urdhrave:
i. nëse subjekti është shtetas shqiptar:
“[Emër, mbiemër], në emër të Republikës së Shqipërisë, ju dekorojmë (shkalla: kalorës, oficer etj.) në urdhrin e …”.
ii. nëse subjekti është shtetas i huaj:
“[Emër, mbiemër], në emër të Republikës së Shqipërisë, ju dorëzojmë dekoratën e (shkalla: kalorësit, oficerit etj.) të urdhrit …”.
b) Kur kryesuesi vepron me delegim të Presidentit të Republikës:
i. nëse subjekti është shtetas shqiptar:
“[Emër, mbiemër], në emër të Presidentit të Republikës, ju dekorojmë (shkalla: kalorës, oficer etj.) në urdhrin e … ”.
ii. nëse subjekti është shtetas i huaj:
“[Emër, mbiemër], në emër të Presidentit të Republikës, ju dorëzojmë dekoratën (shkalla: kalorës, oficer etj.) në urdhrin e … ”.
7. Dhënia e medaljeve nuk paraprihet nga formulë për t’u shqiptuar.
8. Pas shqiptimit të formulës së dekorimit, kryesuesi i ceremonisë i vendos subjektit dekoratën në këtë mënyrë:
a) Për kalorësit dhe oficerët e urdhrave, si dhe për titullarët e medaljeve, dekorata vendoset në pjesën e majtë të kraharorit;
b) Për komandarët e urdhrave dhe titullarët e Medaljes së Bronztë të Mirënjohjes Publike dekorata vendoset rreth qafës. Kryesuesi i ceremonisë e afron shiritin sa më afër subjektit, duke i ndenjur përballë, dhe një ndihmës qëndron prapa tij për ta fiksuar, duke e lidhur rreth qafës;
c) Për oficerët e mëdhenj të urdhrave dhe titullarët e Medaljes së Argjendtë të Mirënjohjes Publike vendoset fillimisht ylli në pjesën e majtë të kraharorit e më pas dekorata rreth qafës;
ç) Për Yllin e Madh të urdhrave dhe titullarët e Medaljes së Artë të Mirënjohjes Publike vendoset fillimisht ylli në pjesën e majtë të kraharorit e më pas kordoni, duke e kaluar nga shpatulla e djathtë në ijën e majtë.
9. Dekorimi i personave juridikë bëhet përmes dorëzimit në kuti të shenjave të Kalorësit, kur bëhet fjalë për dekorim me urdhër, ose të një prej shkallëve të medaljeve, në duart e përfaqësuesit ligjor të përcaktuar të tyre.
10. Ceremoniali përmbyllet me një shtrëngim dore ose me një përqafim kokë më kokë, i cili mund të shoqërohet me fjalët: “Urime!” ose “Ta mbani me nder!”.
11. Ceremoniali mbetet i njëjtë për kalimin nga një shkallë e urdhrave në tjetrën.
12. Për ushtarakët në detyrë dhe për njësitë ushtarake, zhvillimi i ceremonisë dhe ceremoniali i dekorimit përcaktohen, si rregull, nga ceremoniali i Forcave të Armatosura, ndërsa shqiptimi i formulave të dekorimit të parashikuara në këtë nen mbetet i pandryshuar.
Neni 12
Ceremoniali i marrjes në dorëzim të Yllit të Madh të Urdhrit Suprem të Shqiponjës dhe të Yllit të Madh të Urdhrit të Skënderbeut për shkak të funksionit
1. Autoritetet më të larta përfaqësuese të shtetit janë, sipas përcaktimeve ligjore dhe për shkak të funksionit, mbajtës të shkallëve të larta të Urdhrit Suprem të Shqiponjës dhe të Urdhrit të Skënderbeut:
a) Presidenti i Republikës, mbajtës i Yllit të Madh të Urdhrit Suprem të Shqiponjës dhe i Yllit të Madh të Urdhrit të Skënderbeut që nga marrja e detyrës;
b) Kryetari i Kuvendit, mbajtës i Yllit të Madh të Skënderbeut pas mbarimit të detyrës, kur e ka ushtruar atë për jo më pak se 2 (dy) vjet;
c) Kryeministri, mbajtës i Yllit të Madh të Skënderbeut pas mbarimit të detyrës, kur e ka ushtruar atë për jo më pak se 2 (dy) vjet.
2. Ceremonia e dorëzimit të shenjave të urdhrave përkatës mund të jetë publike ose private.
3. Ceremonia organizohet nga Kancelaria në bashkëpunim me stafin e autoriteteve përkatëse.
4. Kancelari lexon tekstin e procesverbalit e më pas shqipton formulën e dorëzimit të dekoratës:
“Z./Znj. President/e i/e Republikës; Z./Znj. Kryetar/e i/e Kuvendit; Z./Znj. Kryeministër/Kryeministre, bazuar në legjislacionin në fuqi, ju ftojmë të merrni në dorëzim Yllin e Madh të Urdhrit Suprem të Shqiponjës/Yllin e Madh të Urdhrit të Skënderbeut.”.
5. Në rastin e dorëzimit të shenjave Presidentit të Republikës, Kancelari i vendos vetëm dekoratën e Yllit të Madh të Urdhrit Suprem të Shqiponjës dhe më pas vijon me dorëzimin e Yllit të Madh të Urdhrit të Skënderbeut, duke shqiptuar formulën e parashikuar në pikën 4, të këtij neni.
6. Autoriteti i dekoruar nënshkruan procesverbalin përkatës së bashku me Kancelarin.
Neni 13
Marrja në dorëzim e dekoratës së Komandarit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës nga Kancelari
1. Dekorata e Komandarit i dorëzohet Kancelarit menjëherë pas marrjes së detyrës, në mjediset e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, nga Kancelari pararendës ose, në mungesë të tij, nga zëvendëskancelari.
2. Procesverbali i dorëzimit të dekoratës nënshkruhet nga Kancelari dhe zëvendëskancelari.
Neni 14
Dekorimet mbi bazën e zakoneve dhe traditave diplomatike, si dhe të reciprocitetit ndërkombëtar
1. Kur një vizitë shtetërore parashikon shkëmbim dekoratash ndërmjet krerëve të delegacioneve të kryesuara nga Presidenti i Republikës dhe, sipas rasteve, ndërmjet anëtarëve të delegacioneve zyrtare, formati i dorëzimit të dekoratave dakordësohet mes shërbimeve të protokollit të palëve.
2. Si rregull, përveç formateve në miniaturë, shenjat e dekoratave nuk vendosen në trup, por u prezantohen krerëve të delegacioneve ose mbi një jastëk ceremonial, ose në kuti.
3. Kur shkëmbimi i dekoratave përfshin edhe anëtarë të tjerë të delegacioneve, dorëzimi i tyre kryhet, si rregull, në mënyrë të përbashkët ndërmjet shërbimeve përkatëse të protokollit.
4. Me dakordësinë e palëve, momenti i prezantimit të dekoratave për krerët e delegacioneve mund të pasqyrohet në mënyrë të përmbledhur në media, me përjashtim të rasteve të shkëmbimit të dekoratave ndërmjet anëtarëve të tjerë të delegacioneve.
5. Shkëmbimi i dekoratave kryhet në fillim të vizitës shtetërore. Dekoratat e marra nga shteti ftues mbahen nga secili gjatë gjithë vizitës shtetërore në formatet e specifikuara dhe në përputhje me kodin e veshjes të përcaktuar nga pala ftuese.
6. Kur Presidenti i Republikës vendos të dekorojë homologë ose shtetas të huaj, që mbajnë rang zyrtar, jashtë kuadrit të vizitave shtetërore, dhe nuk ka mundësi ta dorëzojë personalisht dekoratën, kryesimi dhe delegimi i ceremonisë bëhet sipas parashikimeve të nenit 5, të këtij vendimi.
7. I deleguari prezanton dekoratën në kutinë e saj, duke i dorëzuar njëkohësisht personalitetit të dekoruar mesazhin e shkruar të autoritetit dhënës dhe duke përcjellë urimet zyrtare të tij.
Neni 15
Institucionet zbatuese
Ngarkohen Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, autoritetet përgjegjëse për dhënien dhe propozimin e dekoratave, si dhe institucionet e tjera të përfshira, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 16
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN DHE RREGULLAT E NGRITJES E TË FUNKSIONIMIT TË INSTITUCIONEVE MJEKËSORE TË POSAÇME, SI DHE PËR MASAT E SIGURISË PËR RUAJTJEN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.44/2012, “Për shëndetin mendor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij vendimi është garantimi i trajtimit të specializuar, rehabilitimit dhe sigurisë së personave me çrregullime të shëndetit mendor, që u nënshtrohen masave mjekësore sipas legjislacionit penal, në përputhje me parimet e respektimit të dinjitetit njerëzor dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky vendim zbatohet për institucionet mjekësore të posaçme, që trajtojnë:
a) personat me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë kryer një vepër penale, për të cilët gjykata kompetente ka vendosur mjekimin e detyruar, sipas Kodit Penal;
b) të paraburgosurit ose të dënuarit, që shfaqin çrregullime të shëndetit mendor gjatë periudhës së paraburgimit ose të vuajtjes së dënimit dhe që vendosen në një institucion mjekësor të posaçëm me vendim gjykate, sipas legjislacionit në fuqi për ekzekutimin e vendimeve penale;
c) personat, për të cilët gjykata ka vendosur shtrimin e përkohshëm në një institucion mjekësor të posaçëm, sipas nenit 239, të Kodit të Procedurës Penale.
2. Ky vendim nuk zbatohet për shërbimet e shëndetit mendor të specializuara brenda spitaleve të përgjithshme ose në spitale të specializuara, të cilat funksionojnë sipas legjislacionit në fuqi për shërbimin spitalor.
Neni 3
Përkufizime
Në këtë vendim, përveç përkufizimeve të parashikuara në legjislacionin e posaçëm, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Institucion mjekësor i posaçëm”, institucioni shëndetësor publik, pjesë e sistemit shëndetësor të integruar, i specializuar për trajtimin dhe rehabilitimin e personave, të parashikuar në nenin 2, të këtij vendimi.
2. “Masë sigurie”, tërësia e mjeteve fizike, procedurale dhe organizative, që synojnë parandalimin e largimit të paautorizuar të pacientit, si dhe garantimin e sigurisë së pacientit, të stafit e të komunitetit.
3. “Nivel i rrezikut klinik”, klasifikimi klinik i pacientit (i lartë, i mesëm, i ulët), i përcaktuar nga ekipi multidisiplinar, në bazë të vlerësimit të rrezikshmërisë klinike dhe ligjore, sipas protokolleve të miratuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.
4. “Ekip i sigurisë”, stafi i posaçëm, jomjekësor, i ngarkuar me ruajtjen dhe sigurinë e jashtme të institucionit.
Neni 4
Ngritja e institucioneve mjekësore të posaçme
1. Institucionet mjekësore të posaçme ngrihen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, në bashkërendim me ministrin përgjegjës për drejtësinë, si institucione shëndetësore publike, në varësi funksionale të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
2. Numri, vendndodhja dhe kapaciteti i shtretërve të institucioneve mjekësore të posaçme përcaktohen në bazë të hartës kombëtare të nevojave, të hartuar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për drejtësinë, duke marrë parasysh, ndër të tjera:
a) numrin aktual dhe të parashikuar të personave, subjekt të masave mjekësore, dhënë sipas legjislacionit penal;
b) shpërndarjen gjeografike të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe të gjykatave kompetente;
c) nevojën për afërsi me shërbimet mjekësore të specializuara dhe me familjarët e pacientëve.
3. Ndërtimi ose përshtatja e infrastrukturës për institucionet mjekësore të posaçme kryhet në përputhje me standardet e miratuara, me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe të ministrit përgjegjës për drejtësinë, të cilët marrin parasysh njëkohësisht kërkesat klinike dhe ato të sigurisë.
Neni 5
Struktura organizative
1. Institucioni mjekësor i posaçëm funksionon si institucion publik, në varësi të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, dhe organizohet në përputhje me legjislacionin për shëndetin mendor, legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, si dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tyre.
2. Institucioni mjekësor i posaçëm drejtohet nga një drejtor, i emëruar nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, ndër specialistë me përvojë në fushën e psikiatrisë ose administrimit shëndetësor.
3. Struktura organizative e institucionit përfshin, të paktën:
a) ekipin multidisiplinar mjekësor, psikosocial dhe rehabilitues, të përbërë nga profesionistë të fushave përkatëse, sipas nevojave individuale të pacientëve;
b) strukturën administrative dhe mbështetëse.
4. Funksionet e sigurisë dhe të ruajtjes së institucionit ushtrohen nga Policia e Burgjeve, nëpërmjet ekipit të sigurisë, në bashkërendim me drejtuesin e institucionit.
5. Organika dhe rregullorja e brendshme e funksionimit të institucionit miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Neni 6
Klasifikimi i pacientëve sipas nivelit të rrezikut klinik
Klasifikimi dhe rivlerësimi i pacientëve, sipas nivelit të rrezikut klinik, kryhen nga ekipi multidisiplinar, në përputhje me protokollet e miratuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.
Neni 7
Kushtet e pranimit
1. Pranimi në institucionin mjekësor të posaçëm bëhet vetëm në zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë ose të një urdhri të gjykatës, sipas pikës 1, të nenit 239, të Kodit të Procedurës Penale.
2. Në momentin e pranimit, institucioni harton dosjen klinike dhe atë të sigurisë së pacientit, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, vendimin gjyqësor, aktin e ekspertimit psikiatriko-mjekoligjor dhe dokumentacionin, mbi të cilin është bazuar vendimi gjyqësor për caktimin e mjekimit të detyrueshëm, si dhe vlerësimin fillestar të rrezikshmërisë.
3. Pacienti, familjarët e tij të afërt ose përfaqësuesi ligjor informohen për të drejtat, kushtet e trajtimit dhe rregullat e institucionit, në përputhje me legjislacionin e posaçëm.
Neni 8
Kujdesi shëndetësor dhe trajtimi
Personave që trajtohen në institucionet mjekësore të posaçme u garantohet akses në kujdes shëndetësor, trajtim dhe rehabilitim, në përputhje me standardet e miratuara për shërbimet e shëndetit mendor, pa diskriminim, për shkak të statusit të tyre juridik, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shëndetin mendor. Stafi multidisiplinar harton e zbaton planin individual të trajtimit të pacientit, si dhe administron një kartelë të përbashkët multidisiplinare, e cila shërben për rishikimin periodik të gjendjes së shëndetit mendor e të planit terapeutik të pacientit.
Neni 9
Masat e sigurisë
1. Institucioni mjekësor i posaçëm organizohet dhe pajiset në përputhje me parimin e “sigurisë minimale të nevojshme”, duke synuar balancën ndërmjet kujdesit terapeutik dhe kërkesave për siguri publike.
2. Masat e sigurisë përfshijnë, në varësi të nivelit të rrezikut të pacientëve që trajtohen:
a) siguri fizike perimetrale (rrethim, kontroll hyrje-daljeje, video vëzhgim në ambientet e përbashkëta, me respektimin e privatësisë në ambientet e kujdesit personal);
b) siguri procedurale (protokolle pranimi, transferimi dhe daljeje, regjistër i incidenteve, regjistër i rasteve të përdorimit të kufizimit fizik, regjistër i kërkesave dhe ankesave, procedura për situata urgjente, regjistri për rastet e dyshuara të keqtrajtimit të pacientëve, në zbatim të Protokollit të Stambollit);
c) siguri operacionale (prani e vazhdueshme e stafit të kualifikuar, trajnim periodik për menaxhimin e krizave dhe të sjelljes agresive).
3. Transferimi i pacientëve jashtë institucionit, për marrjen e shërbimeve shëndetësore, pjesëmarrjen në seanca gjyqësore ose, për raste të tjera, të parashikuara nga ligji, kryhet nën shoqërimin dhe garantimin e sigurisë nga Policia e Burgjeve, në bashkëpunim me personelin mjekësor të institucionit. Policia e Shtetit ofron asistencë në rastet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi ose kur kërkohet mbështetje operacionale.
4. Ndalohet përdorimi i masave të sigurisë si mjet ndëshkimi. Çdo masë sigurie duhet të jetë proporcionale me rrezikun e vlerësuar dhe të dokumentohet në dosjen e pacientit.
5. Standardet teknike minimale të infrastrukturës shëndetësore janë sipas legjislacionit të posaçëm për normat e projektimit të spitaleve dhe të klinikave mjekësore.
6. Standardet teknike minimale të infrastrukturës së sigurisë miratohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe të ministrit përgjegjës për drejtësinë.
Neni 10
Bashkërendimi ndërinstitucional
Ministria përgjegjëse për shëndetësinë, ministria përgjegjëse për drejtësinë dhe ministria përgjegjëse për punët e brendshme bashkërendojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet protokolleve, udhëzimeve dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit, të cilat rregullojnë, ndër të tjera, procedurat e transferimit të pacientëve, shkëmbimin e informacionit dhe ndarjen e përgjegjësive në lidhje me sigurinë.
Neni 11
Monitorimi dhe mbrojtja e të drejtave
Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave, që trajtohen në institucionet mjekësore të posaçme, si dhe monitorimi i këtyre institucioneve realizohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 12
Financimi
1. Institucionet mjekësore të posaçme funksionojnë si institucione të sistemit shëndetësor të integruar dhe financohen nga buxheti i shtetit, si dhe nga burime të tjera të ligjshme, përfshirë ndihmën e huaj, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shëndetin mendor, organizimin e funksionimin e administratës shtetërore dhe legjislacionin buxhetor.
2. Personeli i institucionit mjekësor të posaçëm përfiton pagë, shtesa mbi pagë dhe përfitime të tjera financiare, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, që rregullojnë trajtimin financiar të punonjësve të sektorit publik dhe akteve të posaçme, të miratuara për këtë kategori punonjësish.
Neni 13
Institucionet përgjegjëse për zbatimin
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Drejtësisë, institucionet mjekësore të posaçme, që do të ngrihen në zbatim të tij, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera publike, të përfshira sipas kompetencave të tyre, për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 14
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR VLERËSIMIN DHE MIRATIMIN E STUDIMEVE TË FIZIBILITETIT, DHËNIEN, NDRYSHIMIN E TRANSFERIMIN E KONTRATAVE TË KONCESIONIT/PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 8, 20, pika 4, 26, pika 2, 27, pika 2, 29, pika 2, 30, pika 5, 31, pika 5, 35, pika 2, 58, pika 9, dhe 60, pika 7, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave për vlerësimin dhe miratimin e studimeve të fizibilitetit, dhënien, ndryshimin e transferimin e kontratave të koncesionit/partneritetit publik privat, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, miraton dokumentet standarde të koncesionit/partneritetit publik privat dhe i dërgon ato për publikim në Agjencinë e Prokurimit Publik.
3. Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat harton udhëzime dhe manuale shpjeguese për procedurat e koncesioneve/partneritetit publik privat, të detyrueshme për përdorim nga çdo autoritet/ent kontraktor gjatë kryerjes së aktiviteteve të koncesioneve/partneriteteve publike private.
4. Vendimi nr.575, datë 10.7.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, i ndryshuar, shfuqizohet.
5. Ngarkohen të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR EMËRIMIN DHE SHKARKIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHËRBIMEVE ARSIMORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 13, të nenit 10, të ligjit nr.43/2026, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton rregullat e hollësishme për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të këshillit drejtues (në vijim Këshilli) të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (në vijim Agjencia).
2. Këshilli përbëhet nga 6 (gjashtë) anëtarë, të emëruar nga ministri përgjegjës për arsimin, për një mandat katërvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, sipas përbërjes së përcaktuar në pikën 8, të nenit 10, të ligjit nr.43/2026, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”.
II. KRITERET DHE PROCEDURA E PROPOZIMIT DHE EMËRIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES
1. Kriteret për emërimin e anëtarëve të Këshillit janë, si më poshtë vijon:
a) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
c) Të zotërojë diplomë të ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë;
ç) Ndaj tij të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
d) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.
2. Procedura për emërimin e anëtarëve të Këshillit iniciohet nga ministria përgjegjëse për arsimin, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit, ose brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përfundimi i parakohshëm i mandatit apo shkarkimit të anëtarit/ëve.
3. Për anëtarin pa të drejtë vote, ministria përgjegjëse për arsimin i kërkon ministrisë përgjegjëse për arsimin profesional propozimin e përfaqësuesit të saj. Propozimi dërgohet në ministrinë përgjegjëse për arsimin, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
4. Për anëtarët që propozohen nga donatorët/partnerët zhvillimorë, ministria përgjegjëse për arsimin u kërkon subjekteve, me të cilat ka marrëveshje bashkëpunimi për rritjen e kapaciteteve të Agjencisë, të paraqesin kandidaturat për vendet përkatëse, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
5. Kur propozohen më shumë kandidatura se numri i vendeve të parashikuara për donatorët/partnerët zhvillimorë, ministri përgjegjës për arsimin cakton anëtarët që do të emërohen në Këshill.
6. Propozimi për kandidaturën shoqërohet me:
a) aktin ose shkresën e propozimit nga institucioni apo subjekti propozues;
b) jetëshkrimin e kandidatit;
c) vetëdeklarimin e gjendjes gjyqësore;
ç) vërtetimin që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
d) vetëdeklarimin për mospasjen e konfliktit të interesave dhe papajtueshmërisë;
dh) vetëdeklarimin për vërtetësinë e të dhënave të paraqitura.
7. Verifikimi i dokumentacionit dhe përmbushja e kritereve ligjore të emërimit bëhet nga ministria përgjegjëse për arsimin, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e tij. Në rast mangësish, kërkohet plotësimi i dokumentacionit, brenda 5 (pesë) ditëve.
8. Në rast se konstatohet, që kandidati nuk përmbush kërkesat, sipas shkronjave “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 6, të këtij kreu, ministria refuzon aplikimin e kandidatit.
9. Emërimi i anëtarëve të Këshillit bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, brenda 10 (dhjetë) ditëve pas përfundimit të procedurës së verifikimit të dokumentacionit dhe përmbushjes së kritereve ligjore.
10. Miratimi i anëtarëve të Këshillit bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Kandidati që refuzohet, njoftohet me shkrim nga ministria përgjegjëse për arsimin, duke argumentuar arsyen e refuzimit.
11. Procedura e ankimimit bëhet sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
12. Mandati i anëtarit të Këshillit fillon nga data e përcaktuar në urdhrin e emërimit dhe zgjat 4 (katër) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje, përveç rasteve të mbarimit të parakohshëm ose shkarkimit, sipas këtij vendimi. Procedura që ndiqet në këtë rast është e njëjtë me atë të përcaktuar në këtë vendim, për emërimin e anëtarëve të Këshillit.
13. Në rast mbarimi të parakohshëm të mandatit, anëtari i ri emërohet për periudhën e mbetur të mandatit të anëtarit të zëvendësuar.
14. Anëtarit, të cilit i mbaron mandati rregullisht, qëndron në detyrë deri në emërimin e anëtarit të ri apo rizgjedhjen e atij ekzistues.
III. PËRFUNDIMI I MANDATIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES
1. Anëtari i Këshillit lirohet nga detyra nga ministri përgjegjës për arsimin, në rastet e mëposhtme:
a) Paraqet dorëheqje me shkrim;
b) Ndërpritet marrëdhënia e punës, funksioni ose autorizimi që ka shërbyer si bazë për përfaqësimin në Këshill;
c) Ndërpritet ose përfundon marrëveshja e bashkëpunimit me donatorin/partnerin zhvillimor, që ka propozuar anëtarin;
ç) Deklarohet i paaftë për punë nga komisioni përgjegjës mjekësor ose, me vendim gjyqësor të formës së prerë, i kufizohet apo i hiqet zotësia juridike për të vepruar;
d) Gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
dh) Kërkohet nga institucioni/partnerët propozues, në rastin kur nuk plotëson kushtin ligjor për të qenë anëtar i Këshillit;
e) Me vdekjen e anëtarit.
2. Anëtari i Këshillit shkarkohet nga ministri përgjegjës për arsimin në këto raste:
a) Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale;
b) Kryen shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës ose cenon rëndë funksionimin e Këshillit;
c) Kryen veprimtari që krijon konflikt interesi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për konfliktin e interesave;
ç) Shkel detyrimin për ruajtjen e konfidencialitetit dhe përdor informacionin e marrë për shkak të detyrës, në kundërshtim me ligjin;
d) Mungon pa shkaqe të arsyeshme në 3 (tri) mbledhje radhazi të Këshillit;
dh) Verifikohen të dhëna të pavërteta në dokumentacionin e paraqitur para emërimit.
3. Procedura e përfundimit të mandatit iniciohet kryesisht nga ministri përgjegjës për arsimin ose mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Agjencia, institucioni propozues, donatori/partneri zhvillimor, strukturat përgjegjëse të ministrisë ose institucionet e tjera kompetente.
4. Gjatë kësaj procedure ministria përgjegjëse për arsimin kryen verifikimin e fakteve, administron dhe vlerëson dokumentacionin shkresor, të paraqitur në cilësinë e provës, duke i garantuar edhe kandidatit të drejtën për t’u dëgjuar para marrjes së vendimit.
5. Shkarkimi bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Urdhri i shkarkimit i njoftohet anëtarit, Agjencisë dhe subjektit propozues, sipas rastit.
6. Procedura e ankimimit ndaj urdhrit të shkarkimit bëhet sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore dhe, sipas rastit, donatorët/partnerët zhvillimorë, që kanë marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë përgjegjëse për arsimin, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.222, DATË 7.4.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË SUBSTANCAVE KANDIDATE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shfuqizimin e vendimit nr.222, datë 7.4.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së substancave kandidate”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS RROTONDA E VARREZAVE – INTERSEKTIMI I RRUGËS “NOS JOSIFI”, NDODHUR NË ZONAT KADASTRALE 8522 DHE 8527”, BASHKIA ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës rrotonda e varrezave – intersektimi i rrugës “Nos Josifi”, ndodhur në zonat kadastrale 8522 dhe 8527”, Bashkia Elbasan.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 654 833.40 (gjashtëqind e pesëdhjetë e katër mijë e tetëqind e tridhjetë e tre pikë dyzet) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 654 833.40 (gjashtëqind e pesëdhjetë e katër mijë e tetëqind e tridhjetë e tre pikë dyzet) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.
8. Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.
10. Bashkia Elbasan, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, e cila brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.46, DATË 16.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SARANDË, TË PRONËS E CILA ËSHTË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR, DHE DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.60, DATË 1.2.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7, 8 e 12, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 1, të vendimit nr.46, datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin në pronësi të bashkisë Sarandë, të pronës, e cila është në përgjegjësi administrimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, dhe disa ndryshime në vendimin nr.60, datë 1.2.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Shërbimit Social Shtetëror””, shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:
“1/1. Sipërfaqes prej 1 347 (një mijë e treqind e dyzet e shtatë) m2 truall, dhe 437 (katërqind e tridhjetë e shtatë) m2 ndërtesë, pjesë të pasurisë 17/322/1, në zonën kadastrale 8641, sipas formularit 1 (një) fletë dhe planit të rilevimit 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, i ndryshohet destinacioni i përdorimit të pronës në arsim parashkollor.
1/2. Përdorimi i pronës, sipas pikës 1/1, të këtij vendimi, duhet të garantojë mospengimin e funksionimit, sigurinë, aksesin dhe zhvillimin normal të institucionit “Godina e Shtëpisë së Fëmijëve 6–14 vjeç”, si dhe të mos cenojë cilësinë e shërbimit rezidencial, që ofrohet në këtë institucion.”.
2. Ngarkohen Bashkia Sarandë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA