Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Dhjetor 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Dhjetor 2022

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Dhjetor 2022:

 

V E N D I M
PËR

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 21.1.2020, PËR ÇËSHTJEN “STRAZIMIRI KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR. 34602/16)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 21.1.2020, për çështjen “Strazimiri kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.34602/16, përfundimtar në datën 21.5.2020, në shumën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) euro në lidhje me dëmin jopasuror, si dhe 2 500 (dy mijë e pesëqind) euro në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Arben Strazimiri, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 21.1.2020, “Strazimiri kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.34602/16.

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Arben Strazimiri, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.

5. Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 22.8.2020 deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, të paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.

6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.

7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT TË INVESTIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN PËR MENAXHIM TË QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN NË SEKTORIN E MBETJEVE TË NGURTA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit të investimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta, me një grant në shumën 6 900 000 (gjashtë milionë e nëntëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR MASAT SHOQËRUESE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN PËR MENAXHIM TË QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN NË SEKTORIN E MBETJEVE TË NGURTA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit e ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit për masat shoqëruese, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta, me një grant në shumën 5 000 000 (pesë milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

 

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT SECO, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN PËR MENAXHIM TË QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN NË SEKTORIN E MBETJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit e ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit SECO, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve, me një grant në shumën 4 750 000 (katër milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Elbasan, Vlorë, Korçë, Kavajë, Durrës, Zonat e Stimuluara dhe Shkodër.

2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 367 720 895,22 (treqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e shtatëqind e njëzet mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e pesë presje njëzet e dy) lekë, për sipërfaqen 46 914,7 (dyzet e gjashtë mijë e nëntëqind e katërmbëdhjetë presje shtatë) m² sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës 14, të shtojcës 1, përkatësisht: nr.2, nr.10, nr.12, nr.13, nr.17, nr.20, nr.21, nr.26, nr.29, nr.47, nr.49, nr.52, nr.53, nr.54, nr.55, nr.56, nr.57, nr.58, nr.59, nr.60, nr.61, nr.62, nr.63, nr.64, nr.66, nr.67, nr.71, nr.72, nr.73, nr.74, nr.75, nr.93, nr.99, nr.100, nr.101, nr.102, nr.103, nr.104, nr.105, nr.106, nr.107, nr.108, nr.118, nr.122, nr.124, nr.127, nr.131, nr.140, nr.142, nr.143, nr.144 dhe 183, sipas seksionit të veçantë (kolona 19) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri, Tiranë Jug, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Elbasan, Vlorë, Korçë, Kavajë, Durrës, Zonat e Stimuluara dhe Shkodër kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDËRQEVERITARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME DHE BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, NË LIDHJE ME NJË HUA KONCESIONARE PËR “MBËSHTETJE PËR NGRITJEN E SISTEMIT TË MBROJTJES CIVILE NË SHQIPËRI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërqeveritare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në lidhje me një hua koncesionare për “Mbështetje për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN PËR MENAXHIM TË QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN NË SEKTORIN E MBETJEVE TË NGURTA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe KFW, Frankfurt am Main (KfW), për programin për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta, me një hua në shumën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.486, DATË 17.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHTYPJEN, BOTIMIN, SHPËRNDARJEN DHE SHITJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE TË SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 19 e 47, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shkronja “a”, e pikës 6, të vendimit nr.486, datë 17.6.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) Nxënësit, që ndjekin arsimin bazë, nga klasa e parë deri në klasën e tretë, në institucionet arsimore publike, në institucionet e paraburgimit, të vuajtjes së dënimit dhe në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të cilëve u jepen tekstet shkollore të reja, çdo vit, në përdorim falas. Nxënësve, që ndjekin arsimin bazë në këto institucione, nga klasa e katërt deri në klasën e nëntë, u jepen tekstet shkollore në përdorim falas.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV BURREL-BULQIZË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kv Burrel-Bulqizë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 218 208 (dyqind e tetëmbëdhjetë mijë e dyqind e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 218 208 (dyqind e tetëmbëdhjetë mijë e dyqind e tetë ) lekë përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., për pasuritë e shpronësuara.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Dibër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, bën ndarjen e pasurisë ‘arë’ për sipërfaqen, objekt shpronësimi, dhe sipërfaqen që mbetet.

12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Dibër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKONSTRUKSION RRUGE NË LAGJEN “18 TETORI” DHE RIKONSTRUKSION I RRUGËS “SALI GJUKA” (RIKUALIFIKIM URBAN I BLLOKUT TË BANIMIT NË LAGJEN “18 TETORI” DHE RIKONSTRUKSION I RRUGËS “SALI GJUKA”)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikonstruksion rruge në lagjen “18 Tetori” dhe rikonstruksion i rrugës “Sali Gjuka” (Rikualifikim urban i bllokut të banimit në lagjen “18 Tetori” dhe rikonstruksion i rrugës “Sali Gjuka”).

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Dimal.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 752 735 (shtatëqind e pesëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e pesë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 752 735 (shtatëqind e pesëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Dimal.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Dimal.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Dimal.

8. Bashkia Dimal kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Dimal.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Dimal, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Dimal, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I LINJËS 400 KV SHQIPËRI- MAQEDONI E VERIUT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i linjës 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “vresht”, “ullishte”, “pemëtore”, me një vlerë të përgjithshme prej 5 007 301 (pesë milionë e shtatë mijë e treqind e një) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 5 007 301 (pesë milionë e shtatë mijë e treqind e një) lekësh, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, bën ndarjen e pasurisë “arë” për sipërfaqen, objekt shpronësimi, dhe sipërfaqen që mbetet.

12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Fier dhe Qarku Elbasan, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.420, DATË 8.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E CEREMONIALIT SHTETËROR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17 të ligjit nr.43/2015, “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

1. Në kapitullin V, pika 2, “Përdorimi i sallës VIP të aeroportit”, në fund të nënpikës 3 shtohen këto autoritete:

“… – Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese;
– Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;
– Inspektori i Lartë i Drejtësisë;
– Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor;
– Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;
– Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
– Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi;
– Kryetari i Gjykatës së Posaçme;
– Kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;
– Komisionerët publikë;
– Drejtori i Shkollës së Magjistraturës;
– Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit …;”.

2. Në kapitullin VI, pika 1, “Përparësia në Republikën e Shqipërisë”, në rangun II të përparësive bëhen këto shtesa:
a) Pas emërtimit “… kryetari i Gjykatës së Lartë …” shtohen:

“… – Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor;
– Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
– Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;
– Kryetari i Gjykatës së Posaçme…;”.

b) Pas fjalëve “… anëtarët e Gjykatës Kushtetuese …” shtohen “… Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit …”.

c) Pas fjalëve “… anëtarët e Gjykatës së Lartë …” shtohen:

“… – Inspektori i Lartë i Drejtësisë;
– Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor;
– Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
– Anëtarët e Prokurorisë së Posaçme;
– Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi;
– Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi;
– Anëtarët e Gjykatës së Posaçme;
– Kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;
– Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;
– Komisionerët Publikë;
– Drejtori i Shkollës së Magjistraturës…;”.

ç) Pas emërtimit “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit” shtohet “Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

II. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR FINANCIMIN E VLERËS SË TATIMIT MBI VLERËN E SHTUAR (TVSH) TË BILETAVE PËR NDESHJEN FINALE TË UEFA CONFERENCE LEAGUE, TË ZHVILLUAR NË ARENËN KOMBËTARE TË FUTBOLLIT TIRANË, NË DATËN 25 MAJ 2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në zërin “Shpenzime korrente”, në artikullin 604 “Të tjera transferta korrente të brendshme”, të programit buxhetor “Zhvillimi i sportit”, i shtohet fondi prej 19 710 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e dhjetë mijë) lekësh, për financimin e vlerës së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) të biletave për ndeshjen finale të UEFA Conference League, të zhvilluar në Arenën Kombëtare të Futbollit Tiranë, në datën 25 maj 2022.

2. Ministria e Arsimit dhe Sportit i transferon Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në llogarinë e saj në një bankë të nivelit të dytë, fondin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, pas përcjelljes nga ana e FSHF-së së dokumentacionit justifikues, në masën e shumës që transferohet.

3. FSHF-ja në zbatim të kushteve të kontratës së nënshkruar, në datën 21 mars 2021, ndërmjet saj dhe UEFA-s, për financimin e vlerës të tatimit mbi vlerën e shtuar të biletave për ndeshjen finale të UEFA Conference League, transferon nga llogaria e saj në një bankë të nivelit të dytë, në llogarinë e UEFA-s, fondin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, pas konfirmimit të dokumentacionit justifikues, në masën e shumës që transferohet.

4. Efekti financiar, prej 19 710 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e dhjetë mijë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Federata Shqiptare e Futbollit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR SHPËRBLIMIN E SPORTISTËVE ELITARË E TË TRAJNERËVE TË TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në zërin “Shpenzime korrente”, në artikullin 604 “Të tjera transferta korrente të brendshme”, të programit buxhetor “Zhvillimi i sportit”, i shtohet fondi prej 45 000 000 (dyzet e pesë milionë) lekësh, për shpërblimin e sportistëve elitarë e të trajnerëve të tyre.

2. Efekti financiar, prej 45 000 000 (dyzet e pesë milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.

3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SELENICË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE BRATAJ, TË PASURISË NR.490/48, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 1265

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “j”, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Selenicë, për njësinë administrative Brataj, të pasurisë nr.490/48, me vendndodhje në zonën kadastrale 1265, sipas formularit dhe planit të rilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur për interes vendor.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të miratuar me vendimin nr.195, datë 6.3.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Selenicë të Qarkut Vlorë”.

3. Bashkisë Selenicë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Bashkia Selenicë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Ministrja Xhaçka: Diaspora ka një potencial të jashtëzakonshëm, të gjejmë mënyra për të ndërtuar modele bashkëpunimi