Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Tetor 2022:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (PËRFITUESI) DHE AGJENCISË FRANCEZE TË ZHVILLIMIT (AGJENCIA), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “FURNIZIMI ME UJË I QYTETIT TË DURRËSIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (përfituesi) dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit (Agjencia), për financimin e projektit “Furnizimi me ujë i qytetit të Durrësit”, me një grant, në shumën 1 000 000 (një milion) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.639, DATË 6.11.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË AGJENCISË SË AUDITIMIT TË PROGRAMEVE TË ASISTENCËS, AKREDITUAR NGA BASHKIMI EVROPIAN, NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 21, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të pikës 4, të nenit 6, të ligjit nr.90/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.639, datë 6.11.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 3, shifra “21” zëvendësohet me “23”;
b) Në ndarjen IV, të skemës 2, “Organika e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian”, numri i audituesve të parë ndryshohet nga “2” në “4” dhe numri i përgjithshëm i punonjësve të kësaj ndarjeje ndryshohet nga “5” në “7”.
2. Ngarkohet Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.794, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “TIRANË-ELBASAN” (SHTESA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.794, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, “ullishte” dhe “drufrutorë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 12 039 835 (dymbëdhjetë milionë e tridhjetë e nëntë mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekë, nga të cilat:
a) tokë “arë”, me sipërfaqe 42 966 (dyzet e dy mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) m2, me vlerë 10 307 835 (dhjetë milionë e treqind e shtatë mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekë;
b) “ullishte”, me sipërfaqe 300 (treqind) m2, me vlerë 70 800 (shtatëdhjetë mijë e tetëqind) lekë;
c) “drufrutorë”, me vlerë 1 661 200 (një milion e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e dyqind) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 12 039 835 (dymbëdhjetë milionë e tridhjetë e nëntë mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:
a) 11 600 385 (njëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë e treqind e tetëdhjetë e pesë) lekë përballohen nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
b) 439 450 (katërqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind e pesëdhjetë) lekë përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.”.
2. Në tabelën e të shpronësuarve, bashkëlidhur vendimit nr.794, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
4. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, për pasurinë nr.127, zona kadastrale 1997, pasqyron në kartelën e pasurisë së paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit për interes publik të pasurisë, pronë private, dhe për sipërfaqen që mbetet “tokë bujqësore”.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKUALIFIKIMI URBAN I LAGJES “28 NËNTORI” I QYTETIT TË BALLSHIT, MALLAKASTËR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikualifikimi urban i lagjes “28 Nëntori” i qytetit të Ballshit, Mallakastër”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Mallakastër.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “njësi shërbimi”, me një vlerë të përgjithshme prej 7 164 536.75 (shtatë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e pesëqind e tridhjetë e gjashtë pikë shtatëdhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 7 164 536.75 (shtatë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e pesëqind e tridhjetë e gjashtë pikë shtatëdhjetë e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Mallakastër.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Mallakastër.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Mallakastër.
8. Bashkia Mallakastër kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Mallakastër.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Mallakastër.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Mallakastër, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe të regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Mallakastër.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Mallakastër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Mallakastër, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “LIDHJA E AUTOSTRADËS MILOT-MORINË ME AEROPORTIN E KUKËSIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Lidhja e autostradës Milot-Morinë me Aeroportin e Kukësit”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 650 118 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë e njëqind e tetëmbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, në masën 650 118 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë e njëqind e tetëmbëdhjetë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Kukës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU