Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Prill 2022:
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË KAVAJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 1 135 011 697 (një miliard e njëqind e tridhjetë e pesë milionë e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH, nga Bashkia Kavajë, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) dhe njësive individuale të banimit, të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni.
2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, në masën 227 002 339 (dyqind e njëzet e shtatë milionë e dy mijë e treqind e tridhjetë e nëntë) lekë pa TVSH, i cili do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.
3. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTIT TË INSTITUTIT TË POLICISË SHKENCORE DHE CAKTIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.117/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të objektit të Institutit të Policisë Shkencore, në masën 653 582 498 (gjashtëqind e pesëdhjetë e tre milionë e pesëqind e tetëdhjetë e dy mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH.
2. Në buxhetin e miratuar për vitin 2022, për Ministrinë e Brendshme, në programin buxhetor “Policia e Shtetit” 03440, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, shtohet fondi prej 130 716 500 (njëqind e tridhjetë milionë e shtatëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e pesëqind) lekësh pa TVSH, për financimin e rindërtimit të objektit të Institutit të Policisë Shkencore.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit caktohet si njësi zbatuese për financimin e rindërtimit të objektit të Institutit të Policisë Shkencore.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË SHKOLLËS 9-VJEÇARE “BAGO”, BASHKIA KAVAJË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KAVAJË SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Bago”, Bashkia Kavajë, në masën 197 156 668 (njëqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH.
2. Bashkisë Kavajë, në buxhetin e vitit 2022, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 39 431 333 (tridhjetë e nëntë milionë e katërqind e tridhjetë e një mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Bago”, Bashkia Kavajë, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit.
3. Bashkia Kavajë caktohet si njësi zbatuese për financimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Bago”, Bashkia Kavajë, sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PAKETËS SË PROGRAMIT KOMBËTAR PËR KUJDESIN E SHIKIMIT PËR FËMIJËT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.10138, datë 11.5.2009, “Për shëndetin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e paketës së Programit Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët si një paketë shërbimesh ndihmëse në shëndetin publik, me qëllim identifikimin e hershëm të dëmtimeve të shikimit dhe parandalimin e problematikave të shikimit e dëmtimeve të tjera të shikimit.
2. Objektivat e paketës së Programit Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët do të arrihen me ndjekjen e këtyre hapave:
a) Programi Kombëtar i Depistimit në etapat, si më poshtë vijon:
i. Te të porsalindurit;
ii. Në 6-mujorin e dytë të vitit të parë të jetës deri në 3 vitet e para të jetës;
iii. Depistim periodik në moshat nga 4 – 14 vjeç.
b) Vlerësimi okulistik/optometrik bazuar në protokollet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
c) Përgatitja e një regjistri kombëtar për problemet e shikimit të fëmijëve.
3. Depistimi te të porsalindurit kryhet nga neonatologët, në maternitetet publike ose jopublike, sipas protokolleve të përcaktuara. Nëse konstatohen probleme, njoftohet prindi dhe rekomandohet për ekzaminim të specializuar.
4. Depistimi në 6-mujorin e dytë të lindjes kryhet nga mjekët pediatër/të familjes në konsultorin e fëmijës, në qendrat e konsultorit në të gjithë vendin. Fëmijët që shfaqin probleme rekomandohen nga mjeku i familjes për ekzaminim të specializuar.
5. Depistimi deri në moshën 4 (katër) vjeç kryhet nga mjekët e familjes në qendrat shëndetësore dhe nga mjekët e konsultorit të fëmijës. Paraqitja e fëmijës në konsultor për vaksinat, sipas kalendarit të vaksinimit, shoqërohet edhe me depistimin për shikimin. Depistimi dokumentohet në regjistër.
6. Fëmijët që rezultojnë me problematika gjatë depistimit rekomandohen nga mjeku i familjes për ekzaminim të specializuar.
7. Përpara regjistrimit në klasë të parë, për fëmijën duhet të kryhet depistimi nëpërmjet vizitës okulistike/optometrike.
8. Për moshën 6 (gjashtë) deri në 14 (katërmbëdhjetë) vjeç, depistimi, sipas udhëzimeve, kryhet në shkollë nga mjekët e shkollave dhe, në mungesë të personelit shëndetësor në shkolla, depistimi kryhet nga mjekët e familjes, sipas zonave përkatëse që mbulon qendra shëndetësore.
9. Gjatë depistimit, personeli shëndetësor dokumenton rezultatet e depistimit në një regjistër të veçantë me të dhënat bazë të nxënësit.
10. Fëmijët, që rezultojnë me probleme gjatë depistimit, rekomandohen nga personeli shëndetësor/mjeku i familjes për vizitë të specializuar.
11. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të hartojë planin e shtrirjes së programit, sipas etapave të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
12. Organizimi i programit të depistimit të shikimit për fëmijët ndiqet e monitorohet nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
13. Të dhënat për çdo përfitues të këtij programi analizohen nga Instituti i Shëndetit Publik pas raportimit nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
14. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik dhe spitalet gjinekologjike e obstetrike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATËVE PËR ANËTAR TË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të listës së kandidatëve të kualifikuar për anëtar të Komisionit të Prokurimit Publik, sipas renditjes në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Dërgimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë edhe të listës së kandidatëve, që nuk plotësojnë kriteret për emërim, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË JAPONISË, MBI BASHKËPUNIMIN EKONOMIK JAPONEZ PËR PROJEKTIN PËR PËRMIRËSIMIN E PAJISJEVE PËR KONSERVIMIN, RESTAURIMIN DHE MJEDISIN EKSPOZUES NË MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR TË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Japonisë, mbi bashkëpunimin ekonomik japonez për projektin për përmirësimin e pajisjeve për konservimin, restaurimin dhe mjedisin ekspozues në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.101, DATË 9.2.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË E ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2022”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve, 6, pika 3, e 36, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të nenit 18, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.101 datë 9.2.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 2.2 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në shkronjën “ç”, shifra “7 250 000 (shtatë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë” zëvendësohet me “13 500 000 (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë”;
b) Nënndarjet “i”, “ii”, “iii”, të shkronjës “ç”, zëvendësohen me nënndarjet e mëposhtme:
“i. Blerjen dhe instalimin e motorit kryesor, por jo më shumë se 7 000 000 (shtatë milionë) lekë;
ii. Blerjen e pjesëve të këmbimit për motor, si kollodok, biella, bronxina, këmisha, fasho, pistona, testato dhe set guarnicionesh, por jo më shumë se 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekë;
iii. Blerjen dhe instalimin e motorit ndihmës (gjeneratori detar), por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë;
iv. Blerjen dhe instalimin e vinçit të anijes, por jo më shumë se 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mije) lekë. Vinçi përfshin edhe agregatet, hidromotorin, pompë vaji friksion, multiplikator dhe tubacionet;
v. Dokimi periodik i anijes, por jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë) lekë. Dokimi periodik, sipas kushteve të klasit, përfshin ngritjen dhe uljen nga kantieri, pastrimin dhe heqjen e bojës së vjetër, blerje boje, stuko, protektor (zinqe), riparim aksi helike;
vi. Riparim i përgjithshëm i anijes, por jo më shumë se 9 000 000 (nëntë milionë) lekë. Në riparimin e përgjithshëm, përveç zërave të përcaktuar në dokimin periodik sipas nënndarjes “v”, përfshihen dhe zëvendësim llamarine, ndërrim dërrase dhe impianti elektrik.”.
2. Fjalia e parë, e shkronjës “a”, të pikës 2.3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe/ose tregjeve të kafshëve të gjalla për shoqëritë tregtare me kapital 100% shtetëror, të zotëruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në vlerën jo më shumë se 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë për subjekt, nëpërmjet transferimit të fondit nga llogaria ekonomike 606 në llogarinë ekonomike 604 “Të tjera transferta të brendshme”.
3. Në nënpikën 2.5.1, shifra “950 000 000 (nëntëqind e pesëdhjetë milionë) lekë” zëvendësohet me shifrën “1 450 000 000 (një miliard e katërqind e pesëdhjetë milionë) lekë”.
4. Nënpika 2.5.11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.5.11. Procedura e prokurimit për blerjen dhe shpërndarjen e naftës për përdorim nga fermerët realizohet, në përputhje me legjislacionin në fushën e prokurimit publik”.
5. Pas nënpikës 2.5.12 shtohet pika 2.5.13, me këtë përmbajtje:
“2.5.13. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kryen procedura prokurimi publik gjatë vitit 2022, sipas fondeve shtesë për mbështetjen me naftë për bujqësinë, në përputhje me legjislacionin në fushën e prokurimit publik”.
6. Pas pikës 6 shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:
“6/1 Efektet financiare shtesë prej 500 000 000 (pesëqind milionë) lekësh për mbështetjen me naftë do të përballohen nga paketa e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.737, DATË 13.12.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN E QENDRËS SË KOORDINIMIT KUNDËR EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM (QKEDH)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin të Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.737, datë 13.12.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikat 1, 6, 7, shkronjat “b” e “gj”, dhe 12, emërtimi “Kryeministri”, zëvendësohet me “ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike”.
2. Në pikën 4, hiqen fjalët “… miratuar me vendimin nr.930, datë 18.11.2015, të Këshillit të Ministrave.”.
3. Në pikën 5 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “ç” hiqen fjalët “… por jo vetëm …”;
b) Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) Koordinon planin e veprimit kundër ekstremizmit të dhunshëm në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse;”.
c) Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) Informon, sa herë që kërkohet nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, për çështje në zbatim të ushtrimit të kompetencave të saj.”.
4. Në pikën 7 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “dh” hiqen fjalët “… dhe porosi, me shkrim ose verbale …”;
b) Në shkronjën “e”, pas fjalës “… të nevojshme, …” shtohen fjalët “… pas marrjes së miratimit të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, …”.
5. Në pikën 8, në fund të fjalisë, shtohen fjalët “… me propozimin e ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.”.
II. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS DHE PUNONJËSVE TË TJERË TË SPECIALITETEVE TË NDRYSHME NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen punonjësit mbështetës dhe punonjës të tjerë të specialiteteve të ndryshme (në vijim, punonjësit) në:
a) institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura, në nivel qendror, e në administratën e prefektit;
b) institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura, në nivel rajonal/vendor, e në institucionet qendrore të grupit të tretë të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes.
2. Struktura e pagës bruto mujore të punonjësve të përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, është si vijon:
a) Paga bazë për klasë;
b) Shtesa për vjetërsi në punë;
c) Shtesa për funksion drejtues;
ç) Shtesa për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin;
d) Shtesa për natyrë të veçantë pune, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
3. Punonjësit e institucioneve të përmendura në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, trajtohen me sistemin e pagës bazë për klasë me 9 klasa, sipas lidhjes I, “Nivelet e pagës bazë për klasë të punonjësve të institucioneve të përmendura në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi”.
4. Punonjësit e institucioneve të përmendura në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, trajtohen me sistemin e pagës bazë për klasë me 13 klasa, sipas lidhjes II, “Nivelet e pagës bazë për klasë të punonjësve të institucioneve të përmendura në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi”.
5. Renditja e pozicioneve të punës për punonjësit e institucioneve të përmendura në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, është sipas krerëve I/1 deri në I/11, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
6. Renditja e pozicioneve të punës për punonjësit e institucioneve të përmendura në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, është sipas krerëve II/1 deri në II/3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
7. Shtesa për vjetërsi në punë llogaritet për çdo vit pune, në masën 1 (një) për qind të pagës bazë për klasë, por jo më shumë se 25 (njëzet e pesë) për qind. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite pune do të konsiderohen vjetërsia e përgjithshme në punë e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi. Përjashtohen nga kjo llogaritje vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit të lartë dhe periudha e trajtimit me pagesë papunësie.
8. Punonjësit, kur punojnë në funksione drejtuese, përfitojnë shtesë mbi pagën bazë për klasë në përqindje, sipas shkallëzimit në 5 (pesë) grupe, si më poshtë vijon:
a) Grupi i parë, 5%;
b) Grupi i dytë, 10%;
c) Grupi i tretë, 15%
ç) Grupi i katërt, 20%;
d) Grupi i pestë, 30%.
9. Për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, punonjësve u jepet shtesë mbi pagë, sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë, si më poshtë vijon:
a) Në shkallën e parë, në masën 1 335 (një mijë e treqind e tridhjetë e pesë) lekë në muaj;
b) Në shkallën e dytë, në masën 4 005 (katër mijë e pesë) lekë në muaj;
c) Në shkallën e tretë, në masën 5 340 (pesë mijë e treqind e dyzet) lekë në muaj;
ç) Në shkallën e katërt, në masën 6 675 (gjashtë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë në muaj.
Ndarja e punëve sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë bëhet sipas lidhjes III, “Kriteret e ndarjes së punëve sipas shkallës së vështirësisë dhe dëmshmërisë për shëndetin”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
10. Zbatimi i shtesës së përcaktuar në pikën 9, të këtij vendimi, sipas shkallëve përkatëse të vështirësisë e të dëmshmërisë bëhet, si më poshtë vijon:
a) Drejtoritë/njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore të institucioneve të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, u paraqesin kërkesën e tyre drejtorive të shëndetit publik, të cilat përcaktojnë vendet e punës, të vështira e të dëmshme për shëndetin e punëmarrësve, si dhe shkallën e vështirësisë e dëmshmërisë, për çdo vend pune;
b) Pas përcaktimit të shkallës së vështirësisë e dëmshmërisë, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, titullarët e institucioneve paraqesin kërkesën për miratim në ministrinë përgjegjëse për çështjet e shëndetësisë dhe në ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit;
c) Pas marrjes së miratimit nga dy ministritë e përmendura në shkronjën “b”, të kësaj pike, titullarët miratojnë dhënien e këtyre shtesave për punonjësit e institucioneve të sistemit të tyre. Për institucionet qendrore, në varësi të ministrave të linjës, si dhe ato rajonale e vendore, ky miratim bëhet nga ministri përkatës, në varësi të të cilit janë këto institucione;
ç) Kur punonjësit i takon të marrë dy a më shumë shtesa sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë, ai do të marrë nga një shtesë vështirësie për çdo shkallë, por jo më shumë se 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
d) Këto shtesa, sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë së pozicioneve të punës, u rekomandohen edhe punëdhënësve të tjerë të administratës publike, pagat e të cilëve nuk përcaktohen sipas këtij vendimi apo edhe subjekteve private.
11. Paga dhe shtesa mbi pagë për punonjësin që punon në pozicionin “shofer i titullarit” është, si më poshtë vijon:
a) Në rastet kur titullarët e institucioneve të përmendura në shkronjën “a”, të pikës, 1 të këtij vendimi, janë të klasifikuar në grupin “A” për efekt të ligjit përkatës për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, dhe të cilët, në bazë të ligjit përkatës për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët politikë dhe nëpunësit civilë, kanë në dispozicion shoferë që nuk janë punonjës të Gardës së Republikës, shoferi i titullarit përfiton pagën bazë mujore sipas klasës VI, të lidhjes I që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe një shtesë mujore për natyrë të veçantë pune, në masën 13 500 (trembëdhjetë mijë e pesëqind) lekë në muaj.
b) Në rastet kur titullarët e institucioneve të përmendura në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, janë të klasifikuar në grupet “B” dhe “C”, për efekt të ligjit përkatës për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, dhe të cilët, në bazë të ligjit përkatës për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët politikë dhe nëpunësit civilë, kanë në dispozicion shoferë, shoferi i titullarit përfiton pagën sipas klasës V, të lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe një shtesë mujore për natyrë të veçantë, në masën 9 500 (nëntë mijë e pesëqind) lekë në muaj.
c) Shoferët e titullarëve të tjerë, të cilët, në bazë të ligjit përkatës për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët politikë dhe nëpunësit civilë, kanë në dispozicion shoferë, përfitojnë pagën sipas klasës IV, të lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe një shtesë mujore për natyrë të veçantë pune, në masën 6 500 (gjashtë mijë e pesëqind) lekë në muaj.
12. Për natyrë të veçantë pune jepet një shtesë mbi pagën bazë mujore të klasës përkatëse, e, konkretisht:
a) punonjësve të sektorit të teknikës e shtypshkrimit, në Qendrën e Botimeve Zyrtare, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj;
b) punonjësve shpëtues të sektorit të emergjencave dhe shpëtimit, të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj;
c) punonjësve të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj;
ç) punonjësve në pozicionin “shofer-mekanik” në Qendrën e Shërbimeve dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj;
d) punonjësve, të cilët punojnë në shërbimet e shëndetit mendor e që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët me probleme të shëndetit mendor, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj. Ministri përgjegjës për çështjet e shëndetësisë përcakton vendet e punës që përfitojnë këtë shtesë, me miratimin e strukturave të institucioneve shëndetësore përkatëse;
dh) punonjësve, të cilët punojnë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me të dënuarit, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj. Kjo shtesë aplikohet pas miratimit të strukturave të institucioneve të ekzekutimit të veprave penale përkatëse, sipas propozimit të ministrit përgjegjës për çështjet e drejtësisë;
e) punonjësve në pozicionin “shofer” në urgjencën e spitaleve, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj;
ë) punonjësve në pozicionin “roje mjedisore” në administratat e zonave të mbrojtura, në masën 4 000 (katër mijë) lekë në muaj;
f) punonjësve në pozicionet “përgjegjës (shërbimi i ushqimit dhe restorantit)”, “kuzhinier”, “administrues hoteli” dhe “ndihmëskuzhinier” në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme, Durrës, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj.
13. Paga mujore për punonjësit. që punojnë në pozicionin “prozektor” në Institutin e Mjekësisë Ligjore, është e njëjtë me pagën mujore për të njëjtin pozicion pune në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, e përcaktuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e personelit mjekësor dhe punonjësve të personelit teknik të shkencave mjekësore në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
14. Vendimi nr.717, datë 23.6.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës në institucionet buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”, i ndryshuar, shfuqizohet.
15. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2022, përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për këtë vit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 prill 2022.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D IM
PËR
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për vitin 2022, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, për të cilët lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.
2. Numri maksimal i pozicioneve, për të cilët do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është:
a) 12 (dymbëdhjetë) pozicione për kategorinë e mesme drejtuese;
b) 36 (tridhjetë e gjashtë) pozicione për kategorinë e ulët drejtuese.
3. Pozicionet, në të cilat mund të konkurrojnë dhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil, për nivelin e mesëm drejtues, gjithsej, 9, si edhe për nivelin e ulët drejtues, gjithsej, 26, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D IM
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, QË NDIQEN PËR PROKURIMET E BËRA NË NJË VEND TË TRETË, PËRFSHIRË PROKURIMET CIVILE TË KRYERA KUR FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË JANË DISLOKUAR JASHTË TERRITORIT TË VENDIT DHE KUR, PËR NEVOJA OPERACIONALE, DUHET TË LIDHEN KONTRATA ME OPERATORËT EKONOMIKË, QË JANË NË VENDIN KU PO KRYHET OPERACIONI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “ç”, dhe 2, të nenit 5, të ligjit nr.36/2020, “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e procedurave, që ndiqen për prokurimet e bëra në një vend të tretë, përfshirë prokurimet civile të kryera, kur Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë dislokuar jashtë territorit të vendit dhe kur, për nevoja operacionale, duhet të lidhen kontrata me operatorët ekonomikë, që janë në vendin ku po kryhet operacioni.
2. Qëllimi i këtij vendimi është plotësimi i nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në rastet e dislokimit jashtë vendit dhe kur është i pamundur krijimi i strukturave përgjegjëse të procesit të prokurimit e kryerja e procedurave standarde të blerjes së mallit/shërbimit/punës.
3. Ky vendim zbatohet për blerjen e të gjitha shërbimeve/mallrave/punëve për plotësimin e nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të dislokuara jashtë territorit të vendit dhe që janë të paparashikuara në marrëveshjen teknike të nënshkruar ndërmjet shtetit pritës, shtetit udhëheqës të misionit dhe/ose shteteve pjesëmarrëse në të ose kur, për shkaqe specifike të misionit, nuk zbatohet marrëveshja teknike.
4. Ky vendim nuk zbatohet për blerjen e armatimit, të municioneve dhe të pajisjeve të tjera speciale të ushtarakut.
5. Në zbatim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
5.1. “Marrëveshje teknike”, marrëveshja e nënshkruar ndërmjet shtetit pritës, shtetit udhëheqës të misionit ose stërvitjes ushtarake dhe/ose shteteve pjesëmarrëse në të, e cila dakordëson për të drejtat e detyrimet e palëve, përpara fillimit të misionit ose të stërvitjes ushtarake.
5.2. “Nevoja operacionale”, situatat urgjente dhe jourgjente (që nuk ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në operacionalitet), plotësimi i të cilave nuk cenon në kohë, burime dhe në kapacitete realizimin e misionit.
5.3. “Personi përgjegjës për kryerjen e blerjes”, drejtuesi i misionit ose i stërvitjes ushtarake/përfaqësuesi ushtarak, që është në mision ose stërvitje ushtarake jashtë vendit, sipas përcaktimeve të urdhrit të ministrit përgjegjës për mbrojtjen, për dërgimin e personelit në mision ose në stërvitje ushtarake.
5.4. “Struktura përgjegjëse eprore”, struktura përgjegjëse, në varësi të së cilës është personeli, që dërgohet në mision apo në stërvitje ushtarake.
5.5. “Shkaqe specifike të misionit”, rastet kur ushtarakët ndodhen në mes të një konflikti të armatosur dhe paraqitet një nevojë urgjente për furnizim me mall/shërbim a punë, e cila nuk pret deri në kthimin në bazën ushtarake përkatëse.
KREU II
PROCEDURAT E BLERJEVE TË SHËRBIMEVE/MALLRAVE/PUNËVE
1. Për realizimin e misionit ose të stërvitjes, për blerjen e shërbimeve/mallrave/punëve, drejtuesi i misionit ose i stërvitjes ushtarake/përfaqësuesi ushtarak, që është në mision ose stërvitje ushtarake jashtë vendit, për shkak të nevojës urgjente për furnizim, kryen blerjen e shërbimeve/mallrave/punëve, duke përzgjedhur vetë operatorin/ët ekonomikë dhe negocion kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre. Në këtë rast, drejtuesi i misionit ose i stërvitjes ushtarake/përfaqësuesi ushtarak që është në mision ose në stërvitje ushtarake jashtë vendit negocion me ofertuesin/t, me qëllim përshtatjen e ofertave të tyre me kërkesat për realizimin e misionit ose stërvitjes.
1.1. Drejtuesi i misionit ose i stërvitjes ushtarake/përfaqësuesi ushtarak, që është në mision ose në stërvitje ushtarake jashtë vendit harton e ruan, në përputhje me legjislacionin tatimor të vendit ku kryhet operacioni, dokumentacionin vërtetues për kryerjen e blerjes, që është: kontrata (aty ku është e mundur), fatura elektronike (aty ku është e mundur)/fatura e shitjes, fletëhyrja e mandatpagesa dhe, në momentin e kthimit në atdhe, e paraqet atë pranë njësisë ushtarake përgjegjëse.
1.2. Për blerjen e këtyre shërbimeve/mallrave/punëve, drejtuesi i misionit ose i stërvitjes ushtarake/përfaqësuesi ushtarak njofton, nëpërmjet komunikimit elektronik, autoritetet e komandim-kontrollit, sipas hierarkisë.
1.3. Në çdo rast, aktivet merren në administrim nga komandanti i kontingjentit, drejtuesi/përfaqësuesi i misionit ose i stërvitjes.
2. Për blerjen e shërbimeve/mallrave/punëve, të cilat nuk ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në operacionalitetin për realizimin e misionit ose të stërvitjes dhe për të cilat kërkohet asistencë, drejtuesi i misionit ose i stërvitjes ushtarake/përfaqësuesi ushtarak, që është në mision ose stërvitje ushtarake jashtë vendit, paraqet, nëpërmjet komunikimit elektronik, kërkesën për blerje pranë strukturës përgjegjëse eprore, sipas hierarkisë, e cila, jo më shumë se 5 (pesë) ditë pune nga e nesërmja e ditës së marrjes së saj, kthen përgjigje për miratimin apo refuzimin e kërkesës.
2.1. Pas miratimit të kërkesës për blerje nga struktura përgjegjëse eprore, drejtuesi i misionit ose i stërvitjes ushtarake/përfaqësuesi ushtarak, që është në mision ose në stërvitje ushtarake jashtë vendit, do të ndjekë të njëjtën procedurë dhe do të hartojë të njëjtin dokumentacion, siç parashikohet në pikën 1, të këtij kreu.
3. Struktura përgjegjëse eprore, si dhe strukturat e tjera zbatuese të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kontrollin dhe auditin financiar të veprimtarisë së organeve shtetërore kryejnë kontrolle financiare për procedurat e blerjes, objekt i këtij vendimi, referuar dokumentacionit të dorëzuar pranë saj nga drejtuesi i misionit ose i stërvitjes ushtarake/përfaqësuesi ushtarak, që është në mision ose në stërvitje ushtarake jashtë vendit.
KREU III
DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIM KOPSHTI DHE ÇERDHE E INTEGRUAR NR.42”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim kopshti dhe çerdhe e integruar nr.42”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 66 620 761.20 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e njëzet mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e një pikë njëzet) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 66 620 761.20 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e njëzet mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e një pikë njëzet) lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Shpenzimet procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi paraqesin dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bën regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tiranë.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Jug, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT DHE MJEDISIT NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT PËR VITIN 2022, PËR PAGESËN E STUDIOS PËR ÇËSHTJEN E ANULIMIT TË VENDIMIT TË ARBITRAZHIT ICSID CASE NO. ARB/14/26
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në zërin “Shpenzime korente”, të programit buxhetor 01110 “Planifikim, menaxhim, administrim”, i shtohet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, për kryerjen e pagesës për detyrimet që rrjedhin ndaj studios “Gowling” WLG për procesin e anulimit të vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar, datë 20.3.2020, ICSID Case no.ARB/14/26, ndërmjet shoqërisë “Albaniabeg Ambient”, sh.p.k., dhe të tjerë, kundër Republikës së Shqipërisë.
2. Efekti financiar prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.858, DATË 29.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 1, shkronja “e”, 19, pika 4, 21, pika 3, 23, pika 1, 29, pikat 1, 2 e 6, 33, pika 6, 37, pikat 1 e 4, 56, pika 7, 81, pika 4, 84, pika 4, 91, pika 3, dhe 140, pika 1, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.858, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
I. Në seksionin A, të kreut III, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Pas pranimit të kërkesës, autoriteti i kufirit dhe migracionit pajis brenda 5 (pesë) ditëve të huajin me leje provizore.”.
2. Pikat 2 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. I huaji pajiset me dokumentin biometrik, leje qëndrimi për të huaj, sipas përcaktimeve të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, dhe paraqitet personalisht për aplikimin dhe tërheqjen e dokumentit biometrik. Përjashtimisht, lejet e qëndrimit të tipit “A”, leja provizore, leja e qëndrimit dhe leja unike që me marrëveshje ndërqeveritare është përcaktuar ndryshe, nuk janë biometrike.”.
“4. Formati i lejes provizore të qëndrimit, si dhe formati i lejes për motive humanitare të tipit “A”, sipas parashikimeve të nenit 37, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, lëshohen vetëm në formë elektronike, duke iu përmbajtur kushteve të sigurisë. Formati i këtyre lejeve është përcaktuar në aneksin nr.7, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për të huajt, që me marrëveshje qeveritare është parashikuar një format standard i lejes provizore të qëndrimit dhe i lejes për motive humanitare, zbatohet ky format.”.
3. Në fund të pikës 5 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Për të huajt, që me marrëveshje qeveritare është parashikuar një formular standard i aplikimit për leje unike qëndrimi, zbatohet ky formular.”.
4. Në fund të pikës 6 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Për të huajt, që me marrëveshje qeveritare është parashikuar një formular standard i aplikimit për leje qëndrimi për këto kategori, zbatohet ky formular.”.
5. Në pikën 7, pas fjalëve “… shtetasit e Republikës së Kosovës …” shtohet fjala “… si …”.
6. Në pikën 9, pas togfjalëshit “… në gjuhën shqipe …” shtohen fjalët “… i lëshuar në 6-mujorin e fundit …”.
7. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Për kategoritë e lejeve, të cilat kërkojnë dëshmi të burimeve të mjaftueshme financiare për jetesën në Republikën e Shqipërisë, ajo konsiston në:
a) paraqitjen e një vërtetimi depozite bankare në bankat e nivelit të dytë, personale apo familjare, në Shqipëri, jo më pak se 300 000 lekë për person (për 1 (një) vit kalendarik);
b) vërtetim i të ardhurave mujore jo më pak se 32 000 lekë për person.”.
8. Në pikën 11 bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “ b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) afati i lejes së qëndrimit të jetë i njëjtë me afatin e aplikimit për herë të parë.”
b) Fjalia e dytë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Nëse i huaji kërkon të ndryshojë motivin e lejes së qëndrimit, brenda afatit të vlefshmërisë së lejes (me përjashtim të lejes për herë të parë), ai mund të aplikojë për një leje të re qëndrimi pas dorëzimit të lejes së vlefshme të qëndrimit pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin dhe plotësimit të kushteve të përmendura në shkronjat “a” e “b” të kësaj pike.”.
9. Pas pikës 11 shtohet pika 12, me këtë përmbajtje:
“12. I huaji i pajisur me leje qëndrimi ka detyrimin të bëjë regjistrimin e adresës, duke u paraqitur personalisht pranë zyrës përgjegjëse të gjendjes civile ose on-line”.
II. Në seksionin B, të kreut III, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fjalinë e parë të këtij seksioni hiqet lidhëza “edhe”.
2. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Dokumentet që provojnë akomodim të përshtatshëm në Shqipëri, në përputhje me standardet e banimit në Shqipëri.
4. Për të huajt, që me marrëveshje qeveritare është parashikuar reciprocitet në thjeshtimin e dokumentacionit për përfitimin e lejes së qëndrimit, zbatohen përcaktimet në marrëveshje.”.
III. Në shkronjën “ç”, të pikës 2, të seksionit C, të kreut III, pas nënndarjes “iii” shtohen nënndarjet “iv”, “v” dhe “vi”, me këtë përmbajtje:
“iv. Dëshmi penale e legalizuar nga vendi i origjinës;
v. Vërtetim mjekësor se nuk ka qenë në trajtime psikoterapie dhe psikologjike në vendin e origjinës;
vi. Para marrjes së dokumentit biometrik, i huaji, që ka aplikuar për këtë leje unike, dorëzon pranë autoriteti rajonal për kufirin dhe migracionin, ku ka kryer aplikimin, një policë të sigurimit shëndetësor nga sëmundjet dhe aksidentet, të vlefshme për periudhën e qëndrimit në Shqipëri.”
IV. Në seksionin “Ç”, të kreut III, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1, pas fjalës “… on-line …” shtohen fjalët “… pas kryerjes së pagesës, e cila është e pakthyeshme …”.
2. Në pikën 9, fjalia “Shqyrtimi i kërkesës nga secili institucion përgjegjës duhet bërë brenda një afati maksimal prej 2 javësh” shfuqizohet.
V. Në shkronjën “gj”, të seksionit “D”, të kreut III, pas nënndarjes “iii” shtohet nënndarja “iv”, me këtë përmbajtje:
“iv. Policë të sigurimit shëndetësor, të vlefshme për të paktën 1 (një) vit.”.
VI. Në seksionin “E”, të kreut III, pas paragrafit ekzistues shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Për personat, që kanë përfituar statusin e refugjatit ose të mbrojtjes plotësuese në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për azilin, duhet të dorëzojnë vendimin e autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, për dhënien e këtij statusi.”.
VII. Pika 3, e seksionit “Ë”, të kreut III, shfuqizohet.
VIII. Në kreun IV bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 2, fjalët “… brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e tij …” zëvendësohen me “….brenda datës 1 shtator 2022 …”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 2/1 dhe 2/2, me këtë përmbajtje:
“2/1. Parashikimet e shënjuara me (*) në formularin e aplikimit për leje unike do të hyjnë në fuqi pas datës 1 shtator 2022.
2/2. Aplikimi për regjistrimin e adresës do të mundësohet edhe on-line pas datës 1 shtator 2022.”.
IX. Pika 3, e aneksit nr.3, bashkëlidhur vendimit, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Lista e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa vizë për motive turistike në Republikën e Shqipërisë dhe me dokumentin pasaportë për një periudhë të kufizuar/për periudhën nga data 20 prill deri më 31 dhjetor:
Nr. Shteti
1 Arabi Saudite
2 Bahrein
3 Egjipt*
4 Indi
5 Katar
6 Oman
7 Rusi*
8 Tailandë
* Shtetasit e shteteve të shënuara me simbolin (*),hyjnë pa vizë për motive turistike në Republikën e Shqipërisë dhe me dokumentin pasaportë, për një periudhë të kufizuar/për periudhën nga data 1 maj deri më 30 shtator.
X. Në aneksin nr.5, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto shtesa:
1. Fushat në pikën 37 deri në pikën 42 të formularit plotësohen nga të huajt të cilët kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim bashkimin familjar.
2. Pas pikës 49 shtohet shënimi:
“Ky formular nuk do të aplikohet pas datës 1 shtator 2022 për të huajt që aplikojnë për leje unike.”.
XI.Anekset nr.6, nr.7, nr.8 dhe nr.9, që i bashkëlidhen vendimit në fuqi, zëvendësohen me anekset me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.561 DATË 29.7.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR STANDARDIZIMIN DHE DISIPLINIMIN E SHPENZIMEVE TË KARBURANTIT NË NJËSITË E QEVERISJES SË PËRGJITHSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1/1, të vendimin nr.561, datë 29.7.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas togfjalëshit “… Policisë së Shtetit …” shtohen fjalët “… dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA