Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Maj 2025:
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.41, DATË 24.1.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ELEMENTET E PROGRAMEVE TË STUDIMIT TË OFRUARA NGA INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 71, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.41, datë 24.1.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në tabelën 1, të shtojcës nr.1, për komponentin mësimor, kategoria “E”, “Detyrime përmbyllëse”, kolona “Master i shkencave/“Master i arteve”, bëhet “10-25 % kredite”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.169, DATË 18.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.169, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, togfjalëshi “… 3 (tre) vjet …” zëvendësohet me “… 4 (katër) vjet …”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.395, DATË 9.6.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË NDIHMËS SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.395, datë 9.6.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, nënndarja “- znj. Brikena Qela anëtare” zëvendësohet me “- z. Besnik Çina anëtar”.
2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “AUTO – MOTO PARK”, BASHKIA ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Auto – Moto Park”, Bashkia Elbasan.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
3. Pronarët e pasurisë të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 347 372 260 (treqind e dyzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 347 372 260 (treqind e dyzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.858, DATË 29.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 1, shkronja “e”, 19, pika 4, 21, pika 3, 23, pika 1, 29, pikat 1 e 6, 33, pika 6, 37, pikat 1 e 4, 56, pika 7, 81, pika 4, 84, pika 4, 91, pika 3, dhe 140, pika 1, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.858, datë 29.12.2024, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në ndarjen “C”, të kreut II, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fund të shkronjës “ç”, të nënpikës 3.1, shtohen fjalitë, me këtë përmbajtje:
“Për studentët e huaj, vetëdeklarimi lëshohet nga vetë studentët e huaj. Gjithashtu, në mungesë të këtij vetëdeklarimi, vërtetimi i akomodimit mund të lëshohet nga institucioni i arsimit të lartë, nëse ky i fundit ofron shërbimin e akomodimit për studentët, ose mund të lëshohet nga subjekte të tjera, që ofrojnë këtë shërbim;”.
b) Në nënpikën 3.5 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
i. Në shkronjën “a”, pas fjalëve “… institucion arsimor shqiptar” shtohen “… pas verifikimit të dokumentacionit shkollor të të huajit nga institucioni i arsimit të lartë;”;
ii. Në shkronjën “b”, pas fjalëve “… të shkollimit” shtohen “… në vlerën 300 000 lekë në një bankë në vendin e origjinës;”;
iii. Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Dëshmia e njohjes së gjuhës së programit të studimit/gjuhës së zhvillimit të procesit mësimor apo vërtetimi për pranimin në kursin përgatitor të gjuhës;”.
2. Në kreun III bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në ndarjen “A” bëhen shtesat e mëposhtme:
i. Në fund të shkronjës “a”, të pikës 10, shtohet fjalia “Për të huajt, që qëndrojnë për motive studimi, pranohet edhe dokument vërtetues për burime të tjera, që rrjedhin nga një grant, një bursë studimi, një kontratë e vlefshme pune ose një ofertë pune, jo më pak se 300 000 lekë për person, për 1 (një) vit kalendarik.”.
ii. Pas pikës 13 shtohet pika 14, me këtë përmbajtje:
“14. Institucionet arsimore/institucionet e arsimit të lartë raportojnë, në formë shkresore ose elektronike, si vijon:
a) Dërgojnë informacion periodik çdo 6 (gjashtë) muaj dhe në çdo kohë kur kërkohet nga autoritetet vendore për kufirin dhe migracionin lidhur me frekuentimin e procesit mësimor të studentëve të huaj të pranuar për të ndjekur programet arsimore, si dhe menjëherë në rastet kur marrin dijeni mbi informacione që mund të sjellin si pasojë anulimin e vizës;
b) Dërgojnë informacion, në çdo kohë pranë autoriteteve vendore për kufirin dhe migracionin, lidhur me problematikat e hasura me studentët e huaj;
c) Njoftojnë menjëherë autoritetet vendore për kufirin dhe migracionin lidhur me rastet e studentëve të huaj, që kanë ndaluar së ndjekuri përkohësisht apo përfundimisht studimet.”.
b) Në shkronjën “a”, të pikës 2, të ndarjes “C”, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
i. Nënndarja “ii” ndryshohet dhe bëhet:
“ii. paraqitjen e një vërtetimi depozite bankare personale në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, jo më pak se 300 000 lekë për person, për 1 (një) vit kalendarik, ose të një dokumenti vërtetues për burime të tjera, që rrjedhin nga një grant, një bursë studimi, një kontratë e vlefshme pune ose një ofertë pune, jo më pak se 300 000 lekë për person, për 1 (një) vit kalendarik.”.
ii. Pas nënndarjes “iv” shtohet nënndarja “v”, me këtë përmbajtje:
“v. Vërtetim nga institucioni i arsimit të lartë, ku ndjek studimet i huaji për pajisjen me numër matrikullimi.”.
II. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NORMAVE DHE AFATEVE TË PËRDORIMIT TË UNIFORMËS USHTARAKE QË PËRDORET NË SHËRBIMIN USHTARAK REZERVIST TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të nenit 16, të ligjit nr.125/2024, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e normave dhe afateve të përdorimit të uniformës ushtarake që përdoret në shërbimin ushtarak rezervist të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas shtojcave 1 dhe 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ushtarakët e shërbimit rezervist të Forcave të Armatosura, të cilët dërgohen në misione ushtarake jashtë vendit, përfitojnë të njëjtin trajtim me uniformë si ushtarakët aktivë që marrin pjesë në këtë lloj veprimtarie.
3. Uniforma, gradat, shenjat dhe simbolet, që mbahen në uniformë, jepen pa pagesë për ushtarakët e përmendur në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi.
4. Kur ushtaraku i shërbimit rezervist humbet jetën në krye të detyrës, për ceremoninë e varrimit familjes së tij i jepet pa pagesë një uniformë ceremoniale (xhaketë, pantallona, kapele, këmishë me mëngë të gjata, kollare dhe këpucë gjysmëceremoniale).
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
6. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU