Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Qershor 2025:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT KOMBËTAR TË PRAKTIKAVE TË PUNËS NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE DHE INSTITUCIONET E TJERA PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 14/2, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Ky vendim ka si objekt miratimin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në Administratën Shtetërore, në nivel qendror dhe vendor, dhe institucionet e tjera publike për profesionistë të rinj (në vijim referuar si “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës”).
Neni 2
1. Programi Kombëtar i Praktikave të Punës synon të përfshijë pjesëmarrësit në një eksperiencë pune të integruar e në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale e të shprehive të tyre praktike në njohje me sistemin administrativ publik.
2. Kriteret, që duhet të plotësojë aplikanti për t’u bërë pjesë e këtij programi, janë, si më poshtë vijon:
a) Të jetë i ri nga mosha 21 deri në 29 vjeç;
b) Të jetë diplomuar në një program studimi të ciklit të parë apo të ciklit të dytë, të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë;
c) Të mos ketë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme;
ç) Të mos ketë qenë i punësuar në institucionet e administratës shtetërore apo institucione të tjera publike në të shkuarën, me përjashtim të punësimit si punonjës administrativ, në kuptim të shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.
3. Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, për çdo thirrje vjetore, përbëhet nga:
a) periudha 3 (tre)-mujore e praktikës;
b) periudha 1 (një)-vjeçare e punësimit me kontratë.
4. Periudha 3 (tre)-mujore e praktikës dhe periudha 1 (një)-vjeçare e punësimit me kontratë në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës njihen si përvojë pune gjatë procedurave të rekrutimit në institucionet e administratës publike.
II. REALIZIMI I PROGRAMIT DHE TRAJTIMI I PRAKTIKANTËVE
Neni 3
1. Programi Kombëtar i Praktikave të Punës realizohet nga ministria përgjegjëse për rininë, e cila mbështetet nga institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike që ofrojnë gatishmëri për pranimin e praktikantëve. Ministria përgjegjëse për rininë kryen rolin e sekretariatit teknik të programit për koordinimin ndërinstitucional.
2. Programi Kombëtar i Praktikave të Punës realizohet për çdo thirrje vjetore, sipas planveprimit dhe metodologjisë së përcaktuar në lidhjen 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Shpallja e thirrjes vjetore dhe procesi i aplikimit për profesionistët e rinj realizohet përmes platformës zyrtare elektronike të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, që administrohet nga ministria përgjegjëse për rininë.
Neni 4
1. Institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e tjera publike, që mbështesin këtë program, përcaktojnë numrin e praktikantëve të kërkuar dhe profilin e tyre.
2. Të gjitha institucionet pjesëmarrëse në këtë program kanë për detyrë të përcaktojnë 1 (një) person kontakti, i cili është përgjegjës për:
a) dorëzimin pranë ministrisë përgjegjëse për rininë të numrit të praktikantëve për çdo thirrje;
b) krijimin e kushteve të nevojshme për mbarëvajtjen e programit;
c) komunikimin me ministrinë përgjegjëse për rininë;
ç) koordinimin e pjesëmarrjes së praktikantëve në programin e posaçëm të trajnimit;
d) përcjelljen pranë ministrisë përgjegjëse për rininë të listës emërore të praktikantëve që përfshihen në thirrjen vjetore të programit, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga nënshkrimi i marrëveshjes për zhvillimin e praktikës 3 (tre)-mujore dhe nënshkrimi i kontratës 1 (një)-vjeçare të punës.
3. Për institucionet e administratës publike, pjesë të shërbimit civil, personi i kontaktit duhet të jetë nëpunës civil i konfirmuar. Për institucionet e tjera, ai duhet të ketë eksperiencë pune të paktën 3 (tre) vjet.
4. Të gjitha institucionet pjesëmarrëse në këtë program kanë për detyrë të caktojnë 1 (një) mbikëqyrës për çdo praktikant të pranuar.
5. Mbikëqyrësi i praktikantit ka përgjegjësitë e mëposhtme:
a) Të përcaktojë detyrat dhe angazhimet për praktikantin;
b) Të mbikëqyrë, të këshillojë dhe të udhëzojë praktikantin gjatë realizimit të detyrave të dhëna;
c) Të vlerësojë performancën e praktikantit gjatë praktikës;
ç) Të përgatisë vlerësimin përfundimtar për praktikantin;
d) Të gjykojë për arsyet e përfundimit të programit nga ana e praktikantit në rast shkeljeje të marrëveshjes midis institucionit dhe praktikantit.
6. Për institucionet e administratës publike, pjesë të shërbimit civil, mbikëqyrësi i praktikantit duhet të jetë nëpunës civil i konfirmuar. Për institucionet e tjera, ai duhet të ketë eksperiencë pune të paktën 2 (dy) vjet.
Neni 5
1. Numri i praktikantëve, që përfshihen në periudhën 3 (tre)-mujore të praktikës në kuadër të thirrjes vjetore të Programit Kombëtar të Praktikave të punës, në çdo rast, nuk është më shumë se 600 (gjashtëqind) praktikantë. Gjatë periudhës së kryerjes së praktikës, praktikanti përfiton:
a) trajtim ushqimor në formën e kompensimit financiar;
b) trajnim në kuadër të një programi të posaçëm trajnimi pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (referuar në vijim ASPA).
2. Vlera ditore e kompensimit financiar të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, është 500 (pesëqind) lekë dhe i akordohet praktikantit për çdo ditë praktike të kryer prej tij. Pagesa e kompensimit financiar kryhet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, e cila programon në buxhetin e saj fondet e nevojshme për këtë qëllim.
3. Me qëllim kryerjen e pagesës së kompensimit financiar:
a) ministritë koordinojnë me institucionet e sistemit të tyre ministror për mbledhjen e listëprezencave mujore me numrin e ditëve efektive të praktikës së kryer nga çdo praktikant i angazhuar në këto institucione dhe me të dhënat e përditësuara të llogarive bankare të praktikantëve dhe i raportojnë ato pranë Agjencisë Kombëtare të Rinisë, brenda datës 5, të muajit pasardhës;
b) institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore raportojnë drejtpërdrejt pranë Agjencisë Kombëtare Rinisë brenda datës 5 (pesë), të muajit pasardhës, të njëjtat të dhëna të përcaktuara në shkronjën “a”, të kësaj pike, për praktikantët pranë institucioneve të tyre.
4. Agjencia Kombëtare e Rinisë përllogarit shumën e kompensimit financiar mbi bazë mujore dhe e transferon atë në llogarinë bankare të praktikantit, në një bankë të nivelit të dytë.
5. Programi i posaçëm i trajnimit sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, hartohet nga ASPA, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për rininë, bazuar në vlerësimin e njohurive e të kapaciteteve të nevojshme për angazhimin e profesionistëve të rinj pranë institucioneve të administratës shtetërore. Pjesëmarrja në programin e trajnimit përfshihet në vlerësimin përfundimtar të praktikantit.
6. Programi i posaçëm i trajnimit të praktikantëve zhvillohet, në përputhje me rregullat dhe procedurat e ndjekura nga ASPA. Praktikanti pajiset me certifikatën e trajnimit, me përfundimin e suksesshëm të programit të trajnimit.
7. Pagesa për pjesëmarrjen e çdo praktikanti në programin e posaçëm të trajnimit përllogaritet, në bazë të tarifës së miratuar për përgatitjen paraprake të kandidatëve për të marrë pjesë në konkurrimin e hapur për kategorinë ekzekutive dhe kryhet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë në bazë të faturës së lëshuar nga ASPA.
Neni 6
1. Në përfundim të periudhës 3 (tre)-mujore të praktikës, deri në 250 (dyqind e pesëdhjetë) nga praktikantët e thirrjes vjetore të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës përzgjidhen nga institucionet ku kanë kryer praktikën për t’u punësuar me kontratë pune 1 (një)-vjeçare.
2. Përzgjedhja e praktikantëve të thirrjes për efekt të punësimit me kontratë pune 1 (një)-vjeçare është, si më poshtë vijon:
a) deri në 200 (dyqind) praktikantë për institucionet e administratës shtetërore;
b) deri në 50 (pesëdhjetë) praktikantë për institucionet e tjera publike.
3. Praktikanti për t’u punësuar me kontratën 1 (një)-vjeçare të punës duhet të ketë përmbyllur me sukses praktikën 3 (tre)-mujore dhe programin e trajnimit pranë ASPA-s.
4. Përzgjedhja e praktikantëve kryhet nga secili institucion pjesëmarrës, bazuar në vlerësimin e performancës së tyre në praktikën 3 (tre)-mujore.
5. Ministria përgjegjëse për rininë administron procesin e punësimit të praktikantëve në thirrjen vjetore për institucionet e administratës shtetërore dhe për institucionet e tjera publike, bazuar në kërkesat e institucioneve për punësimin e praktikantëve dhe numrin e praktikantëve që kanë kryer me sukses periudhën 3 (tre)-mujore të praktikës.
6. Ministria përgjegjëse për rininë dërgon në ministrinë përgjegjëse për financat numrin e praktikantëve që do të punësohen në çdo institucion të administratës shtetërore dhe institucion tjetër publik, në kuadër të këtij programi për çdo vit buxhetor. Ministria përgjegjëse për financat njofton degët e thesarit për numrin e praktikantëve që do të paguhen brenda fondeve të miratuara për institucionin përkatës në ligjin vjetor të buxhetit.
7. Praktikantët e punësuar, për efekt pagese, klasifikohen jo më lart se niveli i specialistit të kategorisë IV-3.
8. Fondet e nevojshme financiare për punësimin 1 (një)-vjeçar përballohen nga fondet e buxhetit, të miratuara për secilin institucion për shpenzimet e personelit, për vitin përkatës.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 7
1. Në përfundim të çdo thirrjeje, ministria përgjegjëse për rininë raporton pranë Departamentit të Administratës Publike të dhënat për çdo praktikant, që ka kryer me sukses periudhën 3 (tre)-mujore të praktikës dhe për çdo praktikant të punësuar me kontratë pune 1 (një)-vjeçare.
2. Vendimi nr.395, datë 29.4.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera publike”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 8
Ngarkohen ministria përgjegjëse për rininë, Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Rinisë, Departamenti i Administratës Publike, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike dhe të gjitha institucionet e administratës publike, të përfshira në program, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 3038, FSHATI POVELÇË, NJËSIA ADMINISTRATIVE DËRMENAS, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “POWER ENERGY”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “POWER ENERGY”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “POWER ENERGY”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M32018028D;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 25 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale 3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “POWER ENERGY”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “POWER ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “POWER ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 2436, FSHATI BOÇOVË, NJËSIA ADMINISTRATIVE LEVAN, BASHKIA FIER, NGA SHOQËRIA “ALBANIA SOLAR POWER”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 2436, fshati Boçovë, njësia administrative Levan, Bashkia Fier, nga shoqëria “ALBANIA SOLAR POWER”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “ALBANIA SOLAR POWER”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M41423083S;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 82 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale 2436, fshati Boçovë, njësia administrative Levan, Bashkia Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosjes sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “ALBANIA SOLAR POWER”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5 (pesë) % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “ALBANIA SOLAR POWER”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “ALBANIA SOLAR POWER”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.730, DATË 20.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KUSHTET, KRITERET, TARIFAT, AFATET DHE PROCEDURËN PËR KLASIFIKIMIN E STRUKTURAVE AKOMODUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 45, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 1, e nenit 7/1, të rregullores për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese, bashkëlidhur vendimit nr.730, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Përjashtimisht, deri në nënshkrimin e marrëveshjes me agjenci apo organizata ndërkombëtare të mirënjohura në fushën e vlerësimit të strukturave akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1, të nenit 7, të kësaj rregulloreje, verifikimi dhe vlerësimi për klasifikimin e strukturave akomoduese me 4 apo 5 yje, që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar e të njohur ndërkombëtarisht “Brand name”, bëhet nga ministria përgjegjëse për turizmin, me aplikim të vetë sipërmarrësit turistik. Pas përfundimit të këtij procesi, ministria përgjegjëse për turizmin lëshon certifikatë klasifikimi me 4 apo 5 yje ose vërtetim që konfirmon se struktura akomoduese përmbush kriteret e përgjithshme për t’u klasifikuar si hotel me 4 apo 5 yje.”.
2. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V e N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT POLITIK PËR MOSHIMIN DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2025-2030
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Dokumentit Politik për Moshimin dhe të planit të veprimit 2025-2030, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të përcaktuara në Dokumentin Politik për Moshimin dhe në planin e veprimit, për ndjekjen dhe zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR QASJEN NË ARSIMIN E LARTË DHE PRANIMIN PËR TË STUDIUAR NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor, të nënshkruar në Berlin, më 14.10.2024, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1699, DATË 29.12.2008; NR.707, DATË 23.6.2009; NR.1147, DATË 25.11.2009; DHE NR.1069, DATË 29.12.2010, TË NDRYSHUARA, PËR MIRATIMIN E DËMSHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR ISH-TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Korrigjimin e masës përfundimtare të dëmshpërblimit financiar, të parashikuar në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.1699, datë 29.12.2008; nr.707, datë 23.6.2009; nr.1147, datë 25.11.2009; dhe nr.1069, datë 29.12.2010, të ndryshuara, për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, sipas aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efekti financiar i korrigjimit të masës përfundimtare të dëmshpërblimit financiar për vendimet e parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.690, DATË 2.9.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË ZHVILLIMIT TË GARËS, KRITERET SHTESË PËR APLIKANTËT QË KONKURROJNË PËR T’U PAJISUR ME LICENCË PËR KATEGORINË “KAZINO”, E PROCEDURA E SHPALLJES SË FITUESIT, SI DHE RASTET E REVOKIMIT APO TË PEZULLIMIT TË KËSAJ LICENCE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 36, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun III, të vendimit nr.690, datë 2.9.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të zhvillimit të garës, kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “kazino”, e procedura e shpalljes së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit te kësaj licence”, bëhen këto shtesa:
a) Pas shkronjës “ë”, të pikës 1, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) Të jetë i certifikuar ose i klasifikuar në përputhje me përcaktimet e pikës 2, të nenit 35, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë.”.
b) Pas shkronjës “e”, të pikës 2, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Certifikatë klasifikimi me 5 yje ose vërtetim nga institucioni përgjegjës që konfirmon se struktura akomoduese përmbush kriteret e përgjithshme për t’u klasifikuar si hotel me 5 yje.”.
2. Ngarkohen Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.116, DATË 17.2.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT, FUNKSIONIMIT DHE PËRBËRJEN E KOMISIONIT TË KUALIFIKIMIT TË AUDITUESVE TË BRENDSHËM NË SEKTORIN PUBLIK DHE PËRCAKTIMIN E TARIFAVE TË TRAJNIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21 e 26, të ligjit nr.114/2015, “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.116, datë 17.2.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit, funksionimit dhe përbërjen e komisionit të kualifikimit të audituesve të brendshëm në sektorin publik dhe përcaktimin e tarifave të trajnimit”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun I bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Komisioni i kualifikimit të audituesve të brendshëm përbëhet nga anëtarë nga fusha e auditimit, të përzgjedhur nga ministri përgjegjës për financat, përkatësisht:
a) një anëtar, përfaqësues nga organizatat profesionale të audituesve të brendshëm në Shqipëri;
b) një anëtar nga fusha e auditimit të brendshëm në sektorin publik;
c) një anëtar, përfaqësues nga struktura përgjegjëse për harmonizimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit në ministrinë përgjegjëse për financat;
ç) një anëtar nga trupa e personelit akademik në fushën e auditimit nga institucionet e arsimit të lartë;
d) një anëtar, përfaqësues nga struktura përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm në ministrinë përgjegjëse për financat.”.
b) Në pikën 4 bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
i. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) Anëtarët e komisionit të kualifikimit të audituesve të brendshëm, të përzgjedhur nga fusha e auditimit të brendshëm në sektorin publik dhe nga struktura përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm, të jenë të certifikuar si “Auditues i brendshëm në sektorin publik” ose ekuivalente.
ii. Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
“e) Të kenë mbi 3 (tre) vjet eksperiencë në mësimdhënie dhe/ose trajnime.”.
2. Në kreun II bëhen këto ndryshime:
a) Në fund të fjalisë së pikës 6 shtohen fjalët “…, në çdo vit kalendarik”.
b) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Përfundimet e çdo mbledhjeje pasqyrohen në vendimet përkatëse dhe, së bashku me procesverbalin e mbledhjes, depozitohen në protokollin e ministrisë përgjegjëse për financat.”.
c) Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:
“11/1. Komisioni i paraqet ministrit përgjegjës për financat një raport të hollësishëm mbi ecurinë dhe rezultatet e procesit në përfundim të çdo sezoni të provimeve të certifikimit të audituesve të brendshëm dhe në fund të çdo viti kalendarik.”.
ç) Shkronja “c”, e pikës 14, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Realizon të gjitha detyrat dhe merr vendime për procesin e certifikimit të audituesve të brendshëm në sektorin publik, si dhe paraqet nevojat për ndryshime në aktet nënligjore përkatëse te ministri përgjegjës për financat, me qëllim përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për të siguruar përputhshmërinë dhe përditësimin e njohurive të audituesve të brendshëm me programin e certifikimit të audituesve të brendshëm në fuqi, si dhe me kërkesat për trajnimin e vazhdueshëm profesional.”.
3. Në kreun III bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, fjalët “… dhe mbikëqyrësve …” hiqen.
b) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Mbikëqyrësit e sallave të provimeve duhet të jenë pjesë e administratës publike, të cilët caktohen nga drejtori i përgjithshëm i strukturës përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm.”.
4. Kudo në përmbajtjen e vendimit bëhen këto zëvendësime:
a) Emërtimet “ministri i Financave” dhe “Ministria e Financave” zëvendësohen përkatësisht me “ministri përgjegjës për financat” dhe “ministria përgjegjëse për financat”;
b) Fjalët “… trajnim i vijueshëm profesional …” zëvendësohen me “… trajnim i vazhdueshëm profesional …”;
c) Fjalët “… tarifat e trajnimit …” zëvendësohen me “… tarifat e certifikimit dhe të trajnimit të vazhdueshëm profesional …”.
II. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E METODOLOGJISË PËR VLERËSIMIN DHE ANALIZIMIN E RREZIKUT TË SIGURISË KIBERNETIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ë”, të nenit 9, të ligjit nr.25/2024, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e metodologjisë për vlerësimin dhe analizimin e rrezikut të sigurisë kibernetike, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe operatorët e infrastrukturave kritike e të rëndësishme të informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU