Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Nëntor 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Nëntor 2022

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Nëntor 2022:

 

V E N D I M
PËR

KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA AGJENCIA E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS, TË PASURISË NR.50/17-N, ZONA KADASTRALE 8605, VLORË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.448, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të pasurisë nr.50/17-N, zona kadastrale 8605, Vlorë, sipas planimetrisë që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, të ndryshuar.

3. Agjencisë Shtetërore të Kadastrës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurisë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ia japë atë në përdorim të tretëve.

4. Ngarkohen Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS DHE TË DOKUMENTACIONIT PËR KRIJIMIN E INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË PUBLIK TË PAVARUR (IALPP)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 120, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Institucionet e arsimit të lartë (në vijim IAL), të cilat plotësojnë kriteret ligjore për t’u transformuar në institucione publike të pavarura të arsimit të lartë (në vijim IALPP), paraqesin kërkesën për transformim, ndërsa institucionet publike dhe subjektet e së drejtës private, në cilësinë e themeluesve, paraqesin kërkesën për krijimin e IALPP-së, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.

2. Themeluesi/t paraprakisht, për secilën kategori të IAL-ve, fillojnë procedurat e transformimit në IALPP, si më poshtë vijon:

a) Vlerëson me ekspertë të licencuar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, ku do të zhvillojë veprimtarinë IALPP-ja dhe i kontabilizon me vlerën e tregut;
b) Themelon fondacionin, sipas kuadrit ligjor në fuqi për organizatat jofitimprurëse, Kodit Civil dhe ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”;
c) Përgatit dokumentacionin e nevojshëm të fondacionit të themeluar, sipas përcaktimeve të këtij vendimi për krijimin apo transformimin e IAL-së në IALPP dhe e paraqet në ministrinë përgjegjëse për arsimin, e cila pas vlerësimit teknik dhe ligjor të kërkesës, propozon në Këshillin e Ministrave krijimin e IALPP-së së propozuar;
ç) Ndjek nëpërmjet portalit “e-Albania” procedurat e nevojshme dhe paraqet dokumentacionin, sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.

3. Institucionet publike dhe subjektet e së drejtës private, në cilësinë e themeluesve, paraqesin për krijimin e IALPP-së dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Kërkesën për themelimin e IALPP-së, e cila duhet të përmbajë emrin dhe objektivat afatgjatë të veprimtarisë arsimore, kërkimore dhe zhvilluese të institucionit;
b) Aktin e krijimit dhe statutin e fondacionit, shoqëruar me vendimin e gjykatës kompetente;
c) Vendimin e Bordit të Fondacionit për themelimin e IALPP-së;
ç) Të dhënat për burimet financiare dhe gjendjen financiare, e cila duhet të garantojë zhvillimin e veprimtarisë së IAL-së, për të paktën 3 (tri) vite akademike;
d) Planin e zhvillimit të IAL-së për 5 (pesë) vitet e ardhshme;
dh) Raportin e auditimit financiar nga auditues të jashtëm, referuar nenit 116, të ligjit nr.80/2015;
e) Raportin e vlerësimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në administrim, pronësi apo posedim;
ë) Organizimin akademik dhe administrativ të IALPP-së, si dhe dokumentacionin ligjor për personelin akademik dhe administrativ, sipas kërkesave të kuadrit ligjor në fuqi;
f) Organizimin e programeve të studimit, planeve mësimore, programeve të lëndëve/moduleve të nënshkruara nga titullari i lëndës, jetëshkrimit të titullarit të lëndës, niveleve dhe emërtimeve të diplomave;
g) Strukturën e IAL-së (organigrama);
gj) Projektstatutin e IALPP-së;
h) Kontratat e punës për personelin akademik të punësuar dhe kriteret e punësimit për çdo vend pune në IAL;
i) Deklaratën për plotësimin e standardeve akademike;
j) Relacionin për infrastrukturën nga inxhinier i licencuar dhe relacionin për laboratorët e bibliotekat, bazuar në standardet shtetërore;
k) Numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS) për regjistrimin si person juridik, me aktivitet në fushën e arsimit.

4. IAL-të, që kërkojnë të transformohen në IALPP, kryejnë procedurat paraprake, si më poshtë vijon:

a) Administratori i IAL-së, së bashku me auditues të jashtëm, referuar nenit 116, të ligjit nr.80/2015, bëjnë paraprakisht vlerësimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i kontabilizuar me vlerën e tregut. Shpenzimet për audituesin përballohen nga vetë IAL-ja;
b) Administratori i IAL-së, bazuar në pasqyrat financiare të 3 (tri) viteve të fundit, harton raportin e ecurisë financiare të institucionit, ku identifikon masën e financimit nga të ardhurat e IAL-së, e cila duhet të garantojë zhvillimin e veprimtarisë së IAL-së për të paktën 3 (tri) vite akademike;
c) Administratori harton planin e zhvillimit të IAL-së për 5 (pesë) vitet e ardhshme;
ç) Administratori i IAL-së paraqet për mendim në senatin akademik dokumentacionin për plotësimin e kritereve të mësipërme dhe gjendjes financiare, si dhe propozimin për transformim të IAL-së në IALPP;
d) Në rast se mendimi i Senatit Akademik është pozitiv, atëherë Senati Akademik ia paraqet për vendimmarrje Bordit të Administrimit;
dh) Bordi i Administrimit shprehet brenda 1 (një) muaji për propozimin e administratorit. Vendimi i Bordit të Administrimit për transformim duhet të merret me tre të katërtat e votave të anëtarëve të tij;
e) Në rast të një vendimi pozitiv për transformim nga Bordi i Administrimit, dokumentacioni dhe vendimi i paraqitet ministrit përgjegjës për arsimin;
ë) Fondacioni i themeluar, sipas kuadrit ligjor në fuqi për organizatat jofitimprurëse, Kodit Civil dhe ligjit nr.80/2015, përgatit dokumentacionin e nevojshëm për ngritjen e IALPP-së dhe e paraqet në ministrinë përgjegjëse për arsimin, e cila pas vlerësimit të dokumentacionit, sipas këtij vendimi dhe kritereve ligjore të përcaktuara në nenin 119, të ligjit nr.80/2015, propozon në Këshillin e Ministrave krijimin e IALPP-së.

5. IAL-të, që kërkojnë të transformohen në IALPP, paraqesin dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Kërkesën për transformimin e IALPP-së, e cila duhet të përmbajë emrin dhe objektivat afatgjatë të veprimtarisë arsimore, kërkimore dhe zhvilluese të institucionit;
b) Aktin e krijimit dhe statutin e fondacionit, shoqëruar me vendimin e gjykatës kompetente;
c) Aktin e hapjes së IAL-së, aktin e akreditimit institucional dhe të të gjitha programeve të studimit;
ç) Vendimin e Bordit të Fondacionit për themelimin e IALPP-së;
d) Të dhënat për burimet financiare dhe gjendjen financiare, e cila duhet të garantojë zhvillimin e veprimtarisë së IAL-së, për të paktën 3 (tri) vite akademike;
dh) Planin e zhvillimit të IAL-së për 5 (pesë) vitet e ardhshme;
e) Raportin e auditimit financiar nga auditues të jashtëm, referuar nenit 116, të ligjit nr.80/2015;
ë) Raportin e vlerësimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në administrim, pronësi apo posedim;
f) Organizimin akademik dhe administrativ të IALPP-së, si dhe dokumentacionin ligjor për personelin akademik dhe administrativ, sipas kërkesave të kuadrit ligjor në fuqi;
g) Organizimin e programeve të studimit, planeve mësimore, programetve të lëndëve/moduleve të nënshkruara nga titullari i lëndës, jetëshkrimit të titullarit të lëndës, niveleve dhe emërtimeve të diplomave;
gj) Strukturën e IAL-së (organigrama);
h) Projektstatutin e IALPP-së;
i) Kontratat e punës për personelin akademik të punësuar, të paktën për 1 (një) vit akademik dhe kriteret e punësimit për çdo vend pune në IAL;
j) Deklaratën për plotësimin e standardeve akademike;
k) Relacionin për infrastrukturën nga inxhinier i licencuar dhe relacionin për laboratorët e bibliotekat, bazuar në standardet shtetërore;
l) Numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS) për regjistrimin si person juridik, me aktivitet në fushën e arsimit;
ll) Pasqyrat financiare për 3 (tri) vitet e fundit;
m) Deklaratën analitike për tatimin mbi të ardhurat dhe deklaratat e tatimit mbi të ardhurat nga burime të tjera, për 3 (tri) vitet e fundit, sipas kuadrit ligjor përkatës në fuqi;
n) Vërtetimet që themeluesit nuk janë palë të paditura në procese gjyqësore, që kanë të bëjnë me çështje thelbësore, të cilat lidhen me veprimtarinë e IALPP-së.

6. IAL-të jopublike, që kërkojnë të transformohen në IALPP, së bashku me dokumentet e përcaktuara në pikën 5, paraqesin edhe dokumentet, si më poshtë vijon:

a) Dokumentin zyrtar të akreditimit për institucionet private, që zotërojnë një formë akreditimi në një shtet tjetër;
b) Dokumentin zyrtar të bashkëpunimit, si dhe dokumentin zyrtar të akreditimit të institucionit bashkëpunues, nëse ka, në rast se institucioni parashikon të ofrojë programe studimi të përbashkëta me IAL-të e tjera, vendase apo të huaja;
c) Kontratën tip që studenti lidh me IALPP-në, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
ç) Vërtetimet që themeluesit nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) Vërtetimin nga gjykata që IAL-ja ekzistuese nuk është në procedura falimentimi;
dh) Vërtetimin nga prokuroria që personi juridik dhe (ose) përfaqësuesi i tij nuk janë në ndjekje penale.

7. Procedura për shqyrtimin e dokumentacionit për krijimin e IALPP-së apo transformimin e IAL-së në IALPP është, si më poshtë vijon:

a) Dokumentacioni shqyrtohet, sipas rregullave të brendshme të ministrisë përgjegjëse për arsimin brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e depozitimit të tij në portalin “e-Albania”. Në rast se konstatohen mangësi në dokumentacion, ministria përgjegjëse për arsimin i kërkon subjektit plotësimin e tyre, brenda afatit kohor prej 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit. Në rast se dokumentacioni nuk plotësohet brenda këtij afati, konsiderohet që subjekti ka hequr dorë nga aplikimi dhe praktika arkivohet;
b) Kur dokumentacioni është i plotë, sipas kërkesave të këtij vendimi, vijon procedura me vlerësimin e plotësimit të standardeve nga ekspertë të jashtëm, nga lista e miratuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, të cilët caktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Numri i ekspertëve për vlerësimin paraprak institucional, tarifat që paguhen nga IAL-të, si dhe masa e pagesës së ekspertëve përcaktohen në vendimin nr.109, datë 15.2.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar;
c) Ekspertët brenda 21 (njëzet e një) ditëve dorëzojnë raportin e vlerësimit në ministrinë përgjegjëse për arsimin. Në rastet kur dokumentacioni është i paplotë apo konstatohen mangësi/pasaktësi nga ekspertët, ministria përgjegjëse për arsimin njofton subjektin, i cili bën plotësimet e nevojshme brenda 21 (njëzet e një) ditëve nga marrja e njoftimit;
ç) Nëse pas njoftimit, dokumentacioni nuk plotësohet nga subjekti brenda këtij afati, prezumohet që subjekti ka hequr dorë nga aplikimi dhe praktika arkivohet;
d) Dokumentacioni me plotësime i depozituar nga subjekti i përcillet ekspertëve, të cilët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve dorëzojnë raportin e rivlerësuar. Nëse vlerësimi dhe vendimi përfundimtar është pozitiv, ministri i propozon Këshillit të Ministrave hapjen e institucionit të arsimit të lartë.

8. IAL-të publike, të cilat transformohen në IALPP, sipas përcaktimeve në këtë vendim, kthejnë në buxhetin e shtetit të gjitha fondet buxhetore të përfituara dhe të pashpenzuara deri në atë moment.

9. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.783, DATË 15.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR, NYJA TEG””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.783, datë 15.12.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 64 499 504 (gjashtëdhjetë e katër milionë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e katër) lekë …” zëvendësohet me “… 66 420 087 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e katërqind e njëzet mijë e tetëdhjetë e shtatë) lekë …”;

b) Në pikën 5, vlera “… 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë …” zëvendësohet me “… 100 000 (njëqind mijë) lekë…”;

c) Të dhënat për nënndarjet me numrat rendorë 3 dhe 4, në tabelën bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me të dhënat në seksionin A, si dhe shtohen nënndarjet për pasuritë me nr.583/34, nr.583/21, nr.484/10, nr.484/6/1, nr.484/7 dhe nr.484/17, me të dhënat në seksionin B, të tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 1, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROCEDURAVE TË RIMBURSIMIT TË MASAVE ADMINISTRATIVE TË FALURA, TË PAGUARA, SIPAS LIGJIT NR.112/2020, “PËR REGJISTRIN E PRONARËVE PËRFITUES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15/1, të ligjit nr.112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Qendra Kombëtare e Biznesit përgatit listën e masave administrative të falura, të paguara, sipas parashikimeve të pikës 8, të nenit 15/1, të ligjit nr.112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, të ndryshuar.

2. Subjektet, të cilave u është falur gjoba e paguar, e vendosur ndaj tyre dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë dhe kanë përmbushur detyrimet përkatëse për regjistrimin e pronarëve të tyre përfitues, paraqesin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit kërkesën për rimbursim, jo më vonë se data 15.12.2022, shoqëruar me dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Emrin/mbiemrin e individit/emërtimin e subjektit;
b) ID kartën e identitetit/NIPT-in;
c) IBAN-in;
ç) Emrin e bankës pranë së cilës kanë llogarinë personale/llogarinë e subjektit;
d) vërtetimin bankar, që llogaria bankare ku do të arkëtohet kthimi i gjobës është aktive;
dh) ekstraktin e regjistrit të të dhënave të pronarëve përfitues.

3. Qendra Kombëtare e Biznesit pas paraqitjes së dokumentacionit, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike, kryen rimbursimin e gjobës në të njëjtën masë (ekuivalente në lekë) në llogarinë bankare, të përcaktuar nga subjekti përfitues.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Qendra Kombëtare e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “HAPJE RRUGE NË LAGJEN “PJETËR BUDI”, NJËSIA ADMINISTRATIVE BURREL, BASHKIA MAT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Hapje rruge në lagjen “Pjetër Budi”, njësia administrative Burrel, Bashkia Mat”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Mat.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 299 937 (një milion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, në masën 1 299 937 (një milion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Mat.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Mat.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën kadastrale pranë Bashkisë Mat.

8. Bashkia Mat kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Mat.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Mat.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Mat.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Mat, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore e Kadastrës Mat, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE, PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË ORGANIZIMIT TË “SAMITIT BE-BP”, TË DATËS 6 DHJETOR 2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”, që do të organizohet në Tiranë, në datën 6 dhjetor 2022.

2. Efekti financiar, prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, PËR RIMBURSIMIN E MASAVE ADMINISTRATIVE TË FALURA, TË PAGUARA, SIPAS LIGJIT NR.112/2020, “PËR REGJISTRIN E PRONARËVE PËRFITUES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e një shtese fondi, në shumën prej 46 000 000 (dyzet e gjashtë milionë) lekësh, në buxhetin e vitit 2022, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për Qendrën Kombëtare të Biznesit, për rimbursimin e masave administrative të paguara, të falura, sipas ligjit nr.112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, të ndryshuar.

2. Efekti financiar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022, dhe i shtohet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në zërin “Shpenzime korente” të programit buxhetor 04130 “Mbështetje për zhvillimin ekonomik”.

3. Shuma e papërdorur e fondit, sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, kthehet në fondin rezervë të buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Qendra Kombëtare e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR TITUJT E NDERIT DHE TITUJT VENDORË TË NDERIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10 296, DATË 8.7.2010, “PËR MENAXHIMIN FINANCIAR DHE KONTROLLIN”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Lezhë, aty ku me gjithë dendësinë e madhe të reshjeve, perimetri i tokave nën ujë është zvogëluar, si asnjëherë më parë