Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Shtator 2026

V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 23.6.2026, PËR ÇËSHTJEN “ELEZI KUNDËR SHQIPËRISË”, PËR KËRKESËN NR.17141/21
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 23.6.2026, për çështjen “Elezi kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.17141/21, përfundimtar në datën 23.6.2026, në shumën 6 000 (gjashtë mijë) euro në lidhje me dëmin jopasuror, si dhe 5 000 (pesë mijë) euro në lidhje me kostot e shpenzimet, plus çdo taksë, që mund të jetë e aplikueshme.
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 23.6.2026, për çështjen “Elezi kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.17141/21.
4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit, bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumat e mësipërme paguhen interesa të thjeshtë, të barabartë me normën margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit, plus tre pikë përqindjeje.
6. Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
7. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
VENDIM
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), TË MARRËVESHJES SË HUAS PËR REHABILITIMIN ME EFICIENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.4/2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), të marrëveshjes së huas për rehabilitimin me eficiencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, ratifikuar me ligjin nr.4/2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE (PËRFITUESI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), TË MARRËVESHJES                  SË GRANTIT PËR MASAT SHOQËRUESE PËR REHABILITIMIN ME EFICIENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.73 DATË 2.2.2022, TË KËSHILLIT  TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave (përfituesi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), të marrëveshjes së grantit për masat shoqëruese për rehabilitimin me eficiencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, miratuar me vendimin nr.73, datë 2.2.2022, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (PËRFITUESI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), TË MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR REHABILITIMIN ME EFICIENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.74, DATË 2.2.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.63/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (përfituesi), përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), të marrëveshjes së grantit për rehabilitimin me eficiencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, miratuar me vendimin nr.74, datë 2.2.2022, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË KRYETARIT TË AGJENCISË SË TRAJTIMIT TË KONCESIONEVE
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikave 8/1 e 8/2, shkronja “ç”, të kreut III, të vendimit nr.285, datë 10.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin, funksionimin, si dhe procedurat e nivelit të tarifave të shërbimeve që do të ofrohen nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO)”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Emiliano Gjika, kryetar i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Ina Zeqaj emërohet kryetar i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Oltjon Muzaka, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË ARSIMIT, PËR UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”, KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Arsimit, për universitetin “Fan S. Noli”, Korçë, për ushtrimin e aktivitetit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
2. Lista përbëhet, gjithsej, nga 7 (shtatë) fletë formulari, 7 (shtatë) planrilevime, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Ministrisë së Arsimit dhe universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të pronave të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, si dhe ta tjetërsojnë atë.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES NDËRKOMBËTARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, NGA NJËRA ANË, DHE BASHKIMIT EVROPIAN, NGA ANA TJETËR, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN E BASHKIMIT, “EVROPA DIGJITALE” (2021-2027), RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.87/2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, nga njëra anë, dhe Bashkimit Evropian, nga ana tjetër, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit, “Evropa digjitale” (2021-2027), ratifikuar me ligjin nr.87/2023,  sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E EKONOMISË DHE INOVACIONIT, DHE PROGRAMIT PËR ZHVILLIM TË KOMBEVE TË BASHKUARA (UNDP)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në cilësinë e financuesit, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), në cilësinë e zbatuesit të programit, për zbatimin e programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0D2226, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PËRGATITJEN E PROJEKTIT “PËR ZHVILLIMIN E INTEGRUAR TË EKOSISTEMIT TURISTIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes së grantit nr.TF0D2226, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për përgatitjen e projektit “Për zhvillimin e integruar të ekosistemit turistik”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR NDARJEN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE TË NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.820, DATË 13.10.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË INSTITUCIONEVE TË VARËSISË, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.820, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të institucioneve të varësisë, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, të ndryshuar, përmasat e pronës, me emërtimin “Stacioni i Duhanit, Cërrik, Agjencia Kombëtare e Duhan Cigareve”, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin 1 (një) fletë dhe planrilevimin 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.80, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NJËSIA ADMINISTRATIVE 6, ZONA KOMBINAT, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË TIRANË SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, e 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.80, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, njësia administrative 6, zona Kombinat, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, njësia administrative 6, zona Kombinat, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë Tiranë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese.”.
b) Në pikën 2, fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese për zbatimin e projekteve të nisura e në vijim, në kuadër të procesit të rindërtimit, për: …”.
c) Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për zbatimin e projekteve të reja, në kuadër të procesit të rindërtimit, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe kritike;
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër, në funksion të rindërtimit të kësaj zone.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.620, DATË 15.9.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS  SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI INSTITUTIT TË SIGURIMEVE SHOQËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.620, datë 15.9.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Titulli ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, për Institutin e Sigurimeve Shoqërore”.
b) Paragrafi i parë, i pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.”.
c) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronës me emërtimin “Agjencia Lokale e Sigurimeve Shoqërore, Përmet” zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin, 1 (një) fletë, dhe planrilevimin, 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME  “QENDËR HISTORIKE” TË FSHATIT VUNO, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” e “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të pikës 3, të nenit 62, dhe të pikës 1, të nenit 96, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Qendër historike” të fshatit Vuno dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj, sipas  hartave të zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e “Qendrës historike” të fshatit Vuno dhe të zonës mbrojtëse të saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Vendimi nr.30, datë 20.1.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Vuno dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj të zonës së mbrojtur përreth”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave të “Qendrës historike” të fshatit Vuno dhe të zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kadastrën.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Himarë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E MIRATUAR  PËR VITIN 2026, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË DHE INOVACIONIT DHE INSPEKTORATIT TË PËRGJITHSHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2026 bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:
a) Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit i pakësohet fondi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në programin buxhetor “Mbështetje për inovacion dhe teknologji”, në artikullin 600;
b) Inspektoratit të Përgjithshëm i shtohet fondi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në programin buxhetor “Shërbime të tjera”, në artikullin 602.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Inspektorati i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËVE NË QYTET, PËR RRUGËN “ÇEL ISLAMI””, BASHKIA DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugëve në qytet, për rrugën “Çel Islami””, Bashkia Durrës.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Durrës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 473 320.05 (katërqind e shtatëdhjetë e tre mijë e treqind e njëzet pikë zero pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 473 320.05 (katërqind e shtatëdhjetë e tre mijë e treqind e njëzet pikë zero pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Durrës.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Durrës.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Durrës.
8. Bashkia Durrës kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Durrës.
10. Bashkia Durrës, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës – Kavajë – Krujë, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës – Kavajë – Krujë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.221, DATË 1.4.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “STUDIM, PROJEKTIM, AKSI RRUGOR ELBASAN-LEKAJ, KORRIDORI 8, LOTI I (FAZA I, II, III) ELBASAN–PAPËR””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.221, datë 1.4.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Studim, projektim, aksi rrugor Elbasan–Lekaj, korridori 8, loti I (faza I, II, III) Elbasan–Papër””, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 46 241 507.4 (dyzet e gjashtë milionë e dyqind e dyzet e një mijë e pesëqind e shtatë pikë katër) lekësh …” zëvendësohet me “… 50 391 918 (pesëdhjetë milionë e treqind e nëntëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tetëmbëdhjetë) lekësh …”;
b) Në tabelën, bashkëlidhur vendimit, bëhen shtesat dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:
i. Pas numrit rendor 115 shtohen numrat rendorë 116-136, sipas të dhënave të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ii. Në fund të tabelës, “Vlera totale 46,241,507.4” zëvendësohet me “Vlera totale 50 391 918”.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.509, DATË 25.9.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të  ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.509, datë 25.9.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, bëhen këto shtesa:
a) Në fund të pikës 2 shtohen fjalët “… dhe bashkërendon punën për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore, të lidhura me veprimtarinë e njësive të vetëqeverisjes vendore.”.
b) Pas shkronjës “g”, të pikës 3, shtohen shkronjat “gj”, “h”, “i”, “j”, “k”, “l”, “ll”, “m”, “n”, me këtë përmbajtje:
“gj)Ndjek hartimin dhe realizimin e zbatimit të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore;
h) Bashkërendon punën për propozimin, përmirësimin dhe hartimin e projektakteve ligjore e nënligjore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore, si dhe jep mendim për projektaktet që kanë të bëjnë me çështje të lidhura me njësitë e vetëqeverisjes vendore;
i)  Mbikëqyr punën për monitorimin e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Vetëqeverisjen Vendore, si dhe planit të veprimit përkatës;
j) Përfaqëson politikat e qeverisë në fushën e vetëqeverisjes vendore dhe koordinon punën me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë, që mbështesin zhvillimin e njësive të vetëqeverisjes vendore;
k) Drejton dhe bashkërendon punën ndërmjet strukturave të ngritura në kuadrin e marrëdhënieve ndërinstitucionale me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë;
l) Kujdeset për përmbushjen e detyrimeve, si dhe monitoron e koordinon masat, që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, për sa ato kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore;
ll) Siguron krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik, me synim monitorimin dhe zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore;
m) Bashkërendon dhe mbështet punën e organeve përgjegjëse në funksion të zbatimit të politikave shtetërore në fushën e zhvillimit rajonal dhe kohezionit, në përputhje me legjislacionin përkatës;
n) Kryen edhe funksione e veprimtari të tjera brenda fushës së përgjegjësisë, që i ngarkohen në përputhje me ligjin, marrëveshjet ndërkombëtare, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe urdhrat e Kryeministrit, apo që nuk i janë ngarkuar specifikisht një organi apo institucioni tjetër shtetëror, por kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore.”.
2. Vendimi nr.520, datë 25.9.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor”, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU