Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Qershor 2026

V E N D I M
PËR 
PËRCAKTIMIN E PËRBËRJES DHE TË MËNYRËS  SË FUNKSIONIMIT TË BORDIT TË INSPEKTIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 14, të  ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për objekt përcaktimin e përbërjes dhe të mënyrës së funksionimit të bordit të inspektimeve.
2. Në ushtrimin e detyrave dhe të përgjegjësive të parashikuara në ligjin për inspektimin dhe në këtë vendim, bordi i inspektimeve udhëhiqet nga këto parime:
a) Parimi i ligjshmërisë;
b) Parimi i pavarësisë dhe paanësisë në vendimmarrje;
c) Parimi i transparencës dhe informimit;
ç)  Parimi i mbrojtjes së të dhënave dhe konfidencialitetit;
d)  Parimi i objektivitetit;
dh) Parimi i ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit administrativ.
II.  PËRBËRJA DHE FUNKSIONIMI I BORDIT TË INSPEKTIMEVE
1. Bordi i inspektimeve (në vijim, Bordi) krijohet pranë Inspektoratit të Përgjithshëm si organ bashkërendues e funksionon si strukturë e përhershme në përcaktimin e politikave dhe të standardeve të përgjithshme të inspektimit, për inspektoratet qendrore, vendore, si dhe për strukturat e tjera përgjegjëse për inspektimin, në fushën e zbatimit të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
2. Bordi kryesohet nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe inovacionin dhe ka në përbërje këta anëtarë:
a) Ministrin përgjegjës për arsimin;
b) Ministrin përgjegjës për mbrojtjen e territorit;
c) Ministrin përgjegjës për turizmin dhe kulturën;
ç)  Ministrin përgjegjës për mjedisin;
d)  Ministrin përgjegjës për financën;
dh)Ministrin përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë;
e)  Ministrin përgjegjës për bujqësinë;
ë)  Ministrin përgjegjës për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale;
f) Ministrin përgjegjës për pushtetin vendor.
3. Bordi ushtron detyrat dhe përgjegjësitë që i janë ngarkuar nga   ligji nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ka kompetencat e mëposhtme:
a) Shqyrton dhe vlerëson raportin vjetor të Inspektoratit të Përgjithshëm mbi veprimtarinë inspektuese të inspektorateve qendrore;
b) Bashkërendon e orienton veprimtarinë e inspektimit në bashkëpunim me inspektorin e Përgjithshëm;
c) Koordinon veprimtarinë e tij me inspektorin e Përgjithshëm dhe shkëmben informacione në funksion të garantimit të standardeve të përgjithshme të inspektimit;
ç)  Bashkëpunon me organet e tjera shtetërore, institucione ndërkombëtare, si dhe organizata të tjera me objekt veprimtarie ose ekspertizë në fushën e inspektimit;
d) Ndihmon ministrinë e linjës në bashkërendimin e punës për fushat e inspektimit;
dh) Shqyrton e miraton masat e nevojshme për mirorganizimin e mbledhjeve dhe të veprimtarive të Bordit, si dhe çdo kompetencë tjetër të nevojshme për organizimin e funksionimin e tij.
4. Kryetari i Bordit ushtron këto detyra:
a) Cakton datën e zhvillimit të mbledhjes së Bordit dhe vendos rendin e ditës së çdo mbledhjeje;
b) Drejton zhvillimin e mbledhjes së Bordit;
c) Mbikëqyr veprimtarinë e sekretariatit teknik të Bordit;
ç) Ruan konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tij;
d) Deklaron dhe u kërkon anëtarëve të Bordit, në mbledhjen e radhës, para votimit të çdo çështjeje, për të deklaruar konfliktin e interesit;
       dh) U jep fjalën anëtarëve të Bordit për të relatuar për çështjet e ngarkuara;
e) Nënshkruan vendimin e Bordit, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
5. Anëtari i Bordit ushtron këto detyra:
a) Merr pjesë në mbledhjet e Bordit ose njofton kryetarin për mosparaqitjen e tij dhe arsyet e mungesës;
b) Deklaron gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit;
c) Voton për çështjet e rendit të ditës;
ç) Merr fjalën dhe diskuton për çdo temë, objekt diskutimi;
d) Relaton para Bordit çështjen, nëse është anëtari i caktuar si relator;
dh) Ruan konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksionit;
e) Nënshkruan vendimin e Bordit, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
6. Bordi mbështetet nga sekretariati teknik, përbërja e të cilit caktohet me urdhër të inspektorit të Përgjithshëm.
7. Sekretariati teknik ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Paraqet relacionin lidhur me çështjet që do të trajtohen dhe dokumentacionin përkatës;
b) Vendos në dispozicion të anëtarëve të Bordit, elektronikisht, çështjet që do të shqyrtohen në Bord, të paktën 5 (pesë) ditë pune përpara datës së mbledhjes;
c) Krijon kushtet për mbarëvajtjen e punës;
ç) Përpilon dhe kryen njoftimet për mbledhjen e Bordit;
d) Mban procesverbalin e mbledhjeve, i cili zbardhet brenda 2 (dy) ditëve punë dhe nënshkruhet rregullisht nga anëtarët e Bordit dhe sekretariati teknik;
dh) Zbardh vendimet e arsyetuara të marra nga Bordi dhe i ngarkon ato në sistemin elektronik “e-Inspektimi”.
III. THIRRJA E MBLEDHJES SË BORDIT TË INSPEKTIMEVE
1. Bordi mblidhet sa herë është i nevojshëm shqyrtimi i një çështjeje ose rasti, por jo më pak se 2 (dy) herë në vit. Kërkesa për thirrjen e mbledhjes përmban qëllimin, çështjet që do të diskutohen në mbledhje dhe materialet përkatëse.
2. Mbledhja e Bordit thirret me nismën e kryetarit të Bordit.
3. Çdo anëtar i Bordit dhe inspektori i Përgjithshëm kanë të drejtë t’i kërkojnë me shkrim kryetarit të Bordit të thërrasë mbledhjen për çështje specifike dhe emergjente. Kryetari, nëse e vlerëson të arsyeshme, thërret mbledhjen e Bordit brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga depozitimi i kërkesës në sekretariatin teknik të Bordit. Kjo mbledhje shqyrton çështjen specifike, shoqëruar me dokumentacionin përkatës, për të cilën është kërkuar mbledhja.
4. Mbledhjet e Bordit zhvillohen brenda 5 (pesë) ditëve punë nga marrja e miratimit nga kryetari për thirrjen e mbledhjes së Bordit dhe kryerjes së njoftimit; përveç rasteve kur ka urgjencë, mbledhjet e Bordit zhvillohen me afat njoftimi më të shkurtër. Sekretariati teknik i Bordit u dërgon anëtarëve të Bordit, me postë elektronike ose me shkrim, njoftimin dhe rendin e ditës për mbledhjen, si dhe materialet që do të shqyrtohen. Data e njoftimit të anëtarit të Bordit do të konsiderohet data e dërgimit të njoftimit.
5. Inspektori i Përgjithshëm është i pranishëm në çdo mbledhje të Bordit.
6. Mbledhja e Bordit, sipas pikës 2, të kreut IV, të këtij vendimi, në raste përjashtimore, mund të zhvillohet edhe në distancë (on-line). Në këtë rast, mënyra e thirrjes, organizimi i mbledhjes dhe vendimet miratohen sipas parashikimit në pikën 2, të kreut IV, të këtij vendimi.
7. Sekretariati teknik i Bordit përgatit njoftimin dhe rendin e ditës mbi bazën e materialeve të dorëzuara, si dhe i paraqet për konfirmim te kryetari i Bordit. Materialet, që paraqiten për shqyrtim në mbledhje, depozitohen pranë sekretariatit teknik të Bordit, i cili përgatit nga një kopje për secilin anëtar dhe ua dërgon në formë elektronike ose të printuar.
8. Në rast pamundësie objektive, papajtueshmëri, konflikt interesi ose pengese ligjore të kryetarit, sipas përcaktimeve në nenin 30 të Kodit të Procedurave Administrative, veprimet përgatitore, thirrja e mbledhjes dhe drejtimi kryhen nga anëtari i Bordit më i vjetër në moshë.
IV. PROCEDURA E MARRJES SË VENDIMEVE DHE E VOTIMIT NË MBLEDHJET E BORDIT TË INSPEKTIMEVE
1. Vendimmarrjet e Bordit konsultohen paraprakisht nga ministrat përgjegjës me institucionet dhe strukturat e tyre në varësi, që mbulojnë fushat përkatëse të përgjegjësisë shtetërore.
2. Mbledhja është e vlefshme kur janë të pranishëm dy të tretat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Bordit. Çdo anëtar i Bordit ka të drejtën e një vote. Në rastet kur nuk arrihet kuorumi i nevojshëm, mbledhja shtyhet dhe zhvillohet brenda 5 (pesë) ditëve punë nga dita e njoftuar më parë. Vendimi miratohet kur merret me shumicën e thjeshtë të votave të pjesëmarrësve në mbledhjen e Bordit. Kur numri i votave është i barabartë, vota e kryetarit të Bordit është përcaktuese në marrjen e vendimit dhe voton i fundit. Abstenimi nuk lejohet dhe çdo votë kundër argumentohet në procesverbal.
3. Bordi miraton vendime mbi bazën e dokumenteve të paraqitura për fushën inspektuese, por, në rastet kur e gjykon të nevojshme, ai merr vendime edhe mbi bazën e informacioneve të paraqitura për shqyrtim apo të propozimeve të bëra gjatë diskutimit në mbledhje.
4. Vendimet e rekomandimet e miratuara nga Bordi janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha inspektoratet qendrore dhe institucionet e tjera inspektuese përgjegjëse për fushat përkatëse të inspektimit.
V. ZBARDHJA DHE PUBLIKIMI I VENDIMEVE TË BORDIT TË INSPEKTIMEVE
1. Zbardhja e vendimeve të Bordit bëhet nga sekretariati teknik i Bordit.
2. Vendimet e nënshkruara nga kryetari i Bordit depozitohen dhe regjistrohen në një libër të veçantë në zyrën e protokoll-arkivit të Inspektoratit të Përgjithshëm. Sekretariati teknik i Bordit dorëzon në protokoll procesverbalin dhe regjistrimet e mbledhjeve të Bordit.
3. Sekretariati teknik i Bordit u dërgon kopje të vendimeve të miratuara strukturave përkatëse, të cilat ngarkohen me ndjekjen dhe zbatimin e tyre.
4. Pas zbardhjes së vendimeve të Bordit, brenda 5 (pesë) ditëve punë, sekretariati teknik i Bordit i publikon në faqen zyrtare të Inspektoratit të Përgjithshëm.
VI. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen kryetari, anëtarët e Bordit të Inspektimeve dhe Inspektorati i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
ADMINISTRIMIN DHE PËRDORIMIN E  FONDIT TË POSAÇËM  TË KRIJUAR NGA VEPRIMTARITË E LOJËRAVE TË FATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 52/1, të  ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:     
1. Ky vendim ka për objekt përcaktimin e rregullave e të procedurave për administrimin dhe përdorimin e fondit të posaçëm, të krijuar nga veprimtaritë e lojërave të fatit, në vijim “Fondi”, përfshirë procedurat e arkëtimit, verifikimit, financimit, monitorimit dhe kontrollit të përdorimit të fondeve.
2. Fondi administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), i cili ushtron funksionet e administrimit teknik dhe financiar të fondit, pa cenuar kompetencat vendimmarrëse të organeve përkatëse (Këshilli i Mbështetjes së Projekteve) për miratimin e projekteve.
      Për këtë qëllim, AMLF-ja:
a) administron llogarinë bankare të dedikuar të fondit;
b) regjistron, monitoron dhe ndjek të gjitha arkëtimet dhe pagesat e fondit;
c) mban regjistrin financiar të fondit dhe kryen rakordimin periodik të të dhënave financiare me gjendjen e llogarisë bankare;
ç) evidenton detyrimet e papaguara dhe njofton subjektet përkatëse;
d) kryen verifikimin administrativ dhe financiar të dokumentacionit që lidhet me arkëtimin, administrimin dhe përdorimin e fondit;
dh) përgatit dokumentacionin për ekzekutimin e pagesave për projektet e miratuara, të cilat realizohen nëpërmjet sistemit të thesarit;
e) administron dhe ruan dokumentacionin përkatës;
ë) kontrollon dhe monitoron përdorimin e fondeve në përputhje me qëllimin e miratuar.
3. Burimet e financimit të fondit përbëhen nga të ardhurat e përcaktuara në nenet 52 dhe 52/1, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nga të ardhura të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Për verifikimin e përmbushjes së detyrimeve financiare, që lidhen me fondin, AMLF-ja:
a) miraton dhe publikon formatin e faturës për arkëtim;
b)  verifikon dokumentacionin financiar që shoqëron pagesat;
c) kërkon informacion shtesë dhe të dhëna verifikuese nga administrata tatimore dhe institucionet përkatëse, në rastet kur evidentohen mospërputhje, paqartësi ose pasaktësi në deklarimet apo pagesat financiare të subjekteve përkatëse.
5. Administrata tatimore bashkëpunon me Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) për shkëmbimin e informacionit të nevojshëm për verifikimin e saktësisë së pagesave, arkëtimeve dhe deklarimeve financiare të subjekteve përkatëse.
6 Fondi përdoret vetëm për financimin e projekteve të miratuara nga Këshilli i Mbështetjes së Projekteve, i cili ushtron kompetencat vendimmarrëse për përzgjedhjen dhe miratimin e projekteve, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe qëllimet e përdorimit të fondit të përcaktuara në të.
7. Fondi nuk përdoret për:
a) shpenzime që nuk lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e projektit të miratuar;
b) financimin e aktiviteteve që mbështeten njëkohësisht nga fonde të tjera buxhetore për të njëjtin qëllim.
8. AMLF-ja kryen administrimin dhe përgatitjen e ekzekutimit të pagesave për projektet e miratuara vetëm mbi bazën e:
a) vendimit të Këshillit të Mbështetjes së Projekteve;
b) kontratës së financimit të lidhur me përfituesin;
c) dokumentacionit justifikues financiar të paraqitur nga përfituesi.
9. Pagesat nga fondi kryhen nëpërmjet sistemit bankar, sipas fazave, kushteve dhe afateve të përcaktuara në kontratën e financimit.
10.  Përfituesi i fondit ka detyrimin:
a) të përdorë fondet në përputhje me qëllimin e miratuar;
b) të administrojë dhe të ruajë dokumentacionin financiar të projektit;
c) të vërë në dispozicion të AMLF-së çdo informacion dhe dokumentacion të kërkuar për verifikim dhe monitorim.
11. Në rast të përdorimit të fondeve në kundërshtim me qëllimin e financimit, të mungesës së dokumentacionit justifikues ose të konstatimit të parregullsive gjatë monitorimit:
a) AMLF-ja pezullon menjëherë pagesat dhe kërkon kthimin e fondeve të përfituara në mënyrë të parregullt, si dhe, kur është rasti, ndërpret kontratën e financimit. Zgjidhja e kontratës së financimit kryhet në përputhje me kushtet e përcaktuara në kontratë dhe legjislacionin në fuqi;
b) pas njoftimit me shkrim nga AMLF-ja për konstatimin e parregullsive dhe detyrimin për kthimin e fondeve, përfituesi është i detyruar të kthejë shumat përkatëse në llogarinë e fondit, brenda afatit të përcaktuar në njoftim. Në rast moskthimi brenda këtij afati, AMLF-ja ndërmerr procedurat për rikuperimin e detyrimit në përputhje me legjislacionin në fuqi për detyrimet ndaj shtetit.
12. AMLF-ja publikon periodikisht në faqen zyrtare:
a) fondet e arkëtuara dhe shpenzimet e realizuara;
b) fondet e disbursuara;
c) listën e përfituesve të fondeve, shumën e financimit dhe qëllimin e çdo projekti të miratuar;
ç) raportin vjetor mbi administrimin financiar të fondit.
13. AMLF-ja kryen auditim të brendshëm për administrimin dhe përdorimin e fondit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
14. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN  E HARTIMIT TË PROJEKTEVE TË NDËRHYRJEVE REHABILITUESE/PËRSHTATËSE PËR NDËRHYRJET STRUKTURALE TË NEVOJSHME PËR OBJEKTET ME SHKALLË DËMTUESHMËRIE DS4 NË BASHKINË KURBIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nënndarjes “i”, të shkronjës “b, të nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 5 988 250 (pesë milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e dyqind e pesëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e hartimit të projekteve të ndërhyrjeve rehabilituese/përshtatëse, të nevojshme për kthimin e strukturës së objekteve që janë klasifikuar me shkallë dëmtueshmërie DS4 në Bashkinë Kurbin.
2. Efekti financiar përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, dhe i transferohet Bashkisë Kurbin në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
  EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË KRUJË E KURBIN, DHE CAKTIMIN E BASHKIVE KRUJË E KURBIN SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nënndarjeve “i” e “iii”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
  V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 300 618 237,34 (treqind milionë e gjashtëqind e tetëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë e shtatë presje tridhjetë e katër) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të klasifikuar si objekte të pabanueshme, që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Krujë e Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Krujë i transferohet fondi, në masën 196 476 027 (njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e njëzet e shtatë) lekë pa TVSH;
b) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi, në masën 104 142 210, 34 (njëqind e katër milionë e njëqind e dyzet e dy mijë e dyqind e dhjetë presje tridhjetë e katër) lekë pa TVSH.
2. Efekti financiar përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, dhe i transferohet bashkive Krujë e Kurbin, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë Krujë e Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN  E RIKONSTRUKSIONIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT NË BASHKITË KURBIN DHE LEZHË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 327 350 000  (treqind e njëzet e shtatë milionë  e treqind e pesëdhjetë mijë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit në bashkitë Kurbin dhe Lezhë, të ndarë, si më poshtë vijon:
a) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi, në masën 30 100 000 (tridhjetë milionë e njëqind mijë) lekë pa TVSH;
b) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi, në masën 297 250 000 (dyqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë pa TVSH.
2. Efekti financiar  përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, dhe i transferohet bashkive Kurbin dhe Lezhë në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë Kurbin dhe Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR 
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INSPEKTORATIT QENDROR TË MBIKËQYRJES SË TREGUT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 2, të nenit 26, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, në vijim “IQMT”, si institucion qendror publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për tregtinë dhe me seli në Tiranë.
2. IQMT-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Buxheti i IQMT-së përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për tregtinë.
3. IQMT-ja ka si mision garantimin e sigurisë së produkteve për konsumatorët, të vendosura në treg dhe në shërbim/në përdorim, nëpërmjet aktiviteteve mbikëqyrëse, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. IQMT-ja është, gjithashtu, përgjegjëse për të monitoruar respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, si dhe të të drejtave të tjera, sipas fushës së veprimtarisë institucionale, objekt inspektimi sipas këtij vendimi.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË INSPEKTORATIT QENDROR TË  MBIKËQYRJES SË TREGUT
1. IQMT-ja është struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut të produkteve të destinuara për konsumatorët, sipas legjislacionit për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore dhe legjislacionit për tregtimin e mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore, për të gjitha produktet apo grup-produktet joushqimore.
2. IQMT-ja është, gjithashtu, përgjegjëse për inspektimin e zbatimit të kërkesave të detyrueshme ligjore në fushën e:
a) mbrojtjes së konsumatorëve, sipas përcaktimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve;
b) mbrojtjes së pronësisë industriale, sipas përcaktimit të legjislacionit për pronësinë industriale;
c) garantimit të mbrojtjes dhe të respektimit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, sipas përcaktimit të legjislacionit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to;
ç)  inspektimit metrologjik, sipas legjislacionit për metrologjinë;
d) etiketimit për konsumin e energjisë dhe burimeve të tjera të produkteve me ndikim në energji, sipas përcaktimit të legjislacionit për informacionin e konsumit të energjisë dhe burimeve të tjera të produkteve me ndikim në energji;
     dh) kontrollin e detergjentëve të vendosur në treg sipas dispozitave të ligjit për detergjentët.
3. IQMT-ja ushtron veprimtarinë, në përputhje me legjislacionin për inspektimin në Republikën e Shqipërisë dhe legjislacionin e posaçëm të zbatueshëm në secilën nga fushat e inspektimit, të përmendura në pikën 2, të këtij kreu, si dhe çdo përgjegjësi tjetër, të përcaktuar me ligj apo akt nënligjor.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I IQMT-SË
1. IQMT-ja organizohet si drejtori e përgjithshme me juridiksion në të gjithë territorin e vendit.
2. Struktura dhe organika e IQMT-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit përgjegjës për tregtinë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Përpara dërgimit të propozimit merret mendimi i Inspektoratit të Përgjithshëm.
3. IQMT-ja drejtohet nga kryeinspektori qendror, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj, si dhe përgjigjet e raporton për veprimtarinë inspektuese përpara ministrit përgjegjës për tregtinë dhe inspektorit të përgjithshëm.
4. Kryeinspektori qendror drejton veprimtarinë e IQMT-së dhe është përgjegjës për:
a) organizimin, koordinimin e funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së IQMT-së, nëpërmjet:
i. organizimit të punës për kryerjen e veprimtarisë inspektuese për të arritur përputhshmërinë ligjore me legjislacionin e sigurisë së përgjithshme të produkteve joushqimore, legjislacionit për tregtimin e mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore, legjislacionit të pronësisë industriale dhe legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave të autorit të subjekteve të inspektimit;
ii. monitorimit dhe vlerësimit të efikasitetit të veprimtarisë inspektuese së fushës përkatëse, si dhe të masave të ndërmarra për arritjen e objektivave;
iii. organizimit të punës për hartimin dhe propozimin e përmbajtjes të dokumenteve standarde për inspektimin e fushës përkatëse dhe zbatimin e tyre në këto fusha;
iv. zbatimit të politikave sektoriale, strategjive dhe programeve të inspektimit të fushës.
b) menaxhimin e burimeve njerëzore;
c) menaxhimin e burimeve financiare, zbatimin dhe administrimin e buxhetit të miratuar, si dhe përgatitjen e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, të cilin ia paraqet ministrit përgjegjës për tregtinë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, në funksion të veprimtarisë së inspektoratit, si dhe në përmbushje të politikave të institucionit;
ç) nxjerrjen e akteve administrative të përcaktuara sipas legjislacionit    në  fuqi për inspektimin e sigurisë së përgjithshme të produkteve
joushqimore,  tregtimit dhe mbikëqyrjes së produkteve joushqimore, inspektimit në fushën e metrologjisë, pronësisë industriale dhe mbrojtjes të të drejtave të autorit;
d) sigurimin e unifikimit të praktikave të mbikëqyrjes të tregut dhe të inspektimit në fushën përkatëse të përgjegjësisë;
dh)sigurimin e cilësisë dhe efektivitetit të veprimtarisë së IQMT-së;
e) informimin e publikut për veprimtarinë e IQMT-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
  ë) bashkëveprimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë së IQMT-së me
institucione të tjera shtetërore për fushën përkatëse të përgjegjësisë, si   dhe me strukturën administrative përgjegjëse për politikat e mbikëqyrjes së tregut në ministrinë përgjegjëse për tregtinë;
f) përfaqësimin e IQMT-së në marrëdhënie me të tretët;
g) propozimin për miratim ministrit të rregullores së brendshme të IQMT-së dhe mbikëqyrjen e zbatimit të saj;
 gj) kryerjen e çdo funksioni tjetër si kryeinspektor apo titullar institucioni, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Marrëdhëniet e punës së kryeinspektorit qendror dhe inspektorëve të IQMT-së rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës, dispozitave të ligjit për inspektimin dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
6. Marrëdhëniet e punës për punonjësit e tjerë, që nuk ushtrojnë funksione inspektuese, rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
7. Kryeinspektori emërohet në detyrë nga Kryeministri, me propozimin e ministrit përgjegjës për tregtinë, sipas përcaktimeve të vendimit nr.778, datë 19.12.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, shkarkimin dhe lirimin nga detyra të Kryeinspektorit, inspektorit të Inspektoratit Qendror dhe Inspektoratit të Përgjithshëm”.
8. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të IQMT-së miratohet nga ministri përgjegjës për tregtinë, me propozimin e kryeinspektorit qendror.
9. IQMT-ja identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.
10. Stema e IQMT-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
11. Vula e IQMT-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave që përcakton rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përmbajnë shënimin identifikues “Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut”.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut riorganizohet në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
2. Nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, të cilët kryejnë funksione inspektuese, trajtohen sipas dispozitave kalimtare të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, të cilët kryejnë funksionet horizontale, në kuptim të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, trajtohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.
4. Punonjësit aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, vijojnë marrëdhëniet e punës pranë Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, në përputhje me strukturën organizative të miratuar.
5. Procedurat për riorganizimin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut përfundojnë brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe përgjatë kësaj periudhe ngarkohet Inspektorati i Përgjithshëm për të kryer përditësimet e nevojshme në sistemin E-Inspektimi.
6. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut vazhdon funksionimin e tij, sipas strukturës dhe organikës së miratuar.
7. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, vendimi nr.36, datë 20.1.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut”, i ndryshuar, shfuqizohet.
8. Ngarkohen Inspektorati i Përgjithshëm, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit,  Departamenti i Administratës Publike dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË QËNDRUESHMËRISË DHE TË REDUKTIMIT TË EMETIMEVE TË GAZEVE SERRË   PËR BIOKARBURANTET DHE LËNDËT DJEGËSE TË RINOVUESHME, SI DHE TË RREGULLAVE PËR VERIFIKIMIN  E PËRMBUSHJES SË TYRE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.46/2025, “Për biokarburantet në transport”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e kritereve të qëndrueshmërisë dhe të reduktimit të emetimeve të gazeve serrë për biokarburantet dhe lëndët djegëse të rinovueshme, si dhe të rregullave për verifikimin e përmbushjes së tyre, sipas aneksve që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, përkatësisht, me emërtimet si vijon:
a) Aneksi 1, “Kuadri i përgjithshëm dhe transpozimi operacional”;
b) Aneksi 2, “Metodologjia për llogaritjen e pjesës së energjisë nga burimet e rinovueshme në sektorin e transportit”;
c) Aneksi 3, “Kritere të hollësishme të qëndrueshmërisë dhe të kursimit të emetimeve të gazeve serrë, kuadri i verifikimit”;
ç) Aneksi 4, “Metodologjia për llogaritjen e kursimit të emetimeve të gazeve serrë”;
d) Aneksi 5, “Baza e të dhënave për biokarburantet dhe regjistri i verifikimit”;
dh)Aneksi 6, “Sasia e detyrueshme e energjisë nga burimet e rinovueshme në sektorin e transportit dhe certifikatat për lëndët djegëse të rinovueshme për transport (RTF)”;
e) Aneksi 7, “Kritere të qëndrueshmërisë për biokarburantet, biolëngjet dhe lëndët djegëse nga biomasa, nga biomasa bujqësore dhe pyjore”;
ë) Aneksi 8, “Dispozita kalimtare dhe përfundimtare”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit dhe Qendra Kombëtare e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM, QË VEPRON NËPËRMJET AMBASADËS SË ZVICRËS NË SHQIPËRI,  PËR PROJEKTIN E VLERËSIMIT TË DËMEVE NË NDËRTESA, NJË FAZË E VETME, 2025 – 2029
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin e vlerësimit të dëmeve në ndërtesa, një fazë e vetme, 2025 – 2029, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
R
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR  “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.45/2019, “PËR MBROJTJEN CIVILE””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për një shtesë në ligjin nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.131/2015, “PËR QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.131/2015, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.31, DATË 21.1.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2026, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA (ERRU)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të  ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.31, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e planit të shpenzimeve, për vitin 2026, të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU)”, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Miratimin e planit të shpenzimeve, për vitin 2026, të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, në shumën 83 713 216 (tetëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e trembëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
b) Pasqyra nr.1 bashkëlidhur vendimit zëvendësohet me pasqyrën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.307, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E NDËRTIMIT DHE TË RIKONSTRUKSIONIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, NË ZONAT E REJA TË SHPALLUARA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”,TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.307, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në pikën 3/7, vlera “…18 584 271 (tetëmbëdhjetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e katër mijë e dyqind e shtatëdhjetë e një) lekë …”   zëvendësohet me vlerën “ … 864 086  (tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e tetëdhjetë e gjashtë) lekë …”.
b) Pas pikës 3.7 shtohet pika 3.8, me këtë përmbajtje:
“3.8. Përdorimi i fondit të miratuar në buxhetin e vitit 2026, në masën      17 720 185  (shtatëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëzet mijë e njëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, i cili i shtohet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2026, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi” për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak e Vorë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.518, DATË 20.9.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË NJË PJESE TË GODINËS, KU USHTRON VEPRIMTARINË KONTROLLI I LARTË I SHTETIT, PËR KOLEGJIN E POSAÇËM TË APELIMIT DHE PROKURORINË E POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743,  datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.518, datë 20.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të një pjese të godinës, ku ushtron veprimtarinë Kontrolli i Lartë i Shtetit, për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, të ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në titullin e vendimit dhe kudo në përmbajtje të tij, emërtimi “Kolegjit të Posaçëm të Apelimit” zëvendësohet me “Gjykatës Kushtetuese”.
b) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1.Gjykata Kushtetuese do të përdorë mjediset sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij vendimi, deri në përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.”.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M 
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.608, DATË 23.10.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I HAPËSIRËS SË PALLATEVE NË KRYQËZIMIN E RRUGËS “KUJTIM LARO” DHE “KONGRESI I MANASTIRIT”, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.608, datë 23.10.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i hapësirës së pallateve në kryqëzimin e rrugës “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit”, Bashkia Tiranë””, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 6 055 283.97 (gjashtë milionë e pesëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e shtatë) lekësh” zëvendësohet me “… 5 510 755.44 (pesë milionë e pesëqind e dhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë pikë dyzet e katër) lekësh”;
b) Tabela, e cila përmban listën emërore të pronarëve, që preken nga shpronësimi, bashkëlidhur vendimit nr.608, datë 23.10.2025, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me tabelën e ndryshuar, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M 
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.910, DATË 22.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK NDËRKOMBËTAR KFOR, KOSOVË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.910, datë 22.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR, Kosovë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, togfjalëshi “… 10 (dhjetë) …” zëvendësohet me “… 12 (dymbëdhjetë) …”;
b) Në pikën 4, togfjalëshi “… çdo 6 (gjashtë) muaj …” zëvendësohet me “… deri në 6 (gjashtë) muaj …”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, për vitin 2026.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1108, DATË 30.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT KALOJNË NË PRONËSI TË OPERATORIT TË SISTEMIT TË SHPËRNDARJES, SH.A.”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.1108, datë 30.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në pronësi të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.”, të ndryshuar, përmasat e pronave me emërtimin “N/Stacioni 35/6 KV Uji Ftohtë, Vlorë”, “N/Stacioni 110/35/6 KV, Gjirokastër”, “N/Stacioni 110/6 KV, Memaliaj”, “N/Stacioni 110/35/6 KV Shkozet”, “N/Stacioni 35/6 KV Durrës”, “N/Stacioni 110/6 KV, Reps, Mirditë”, “N/Stacioni 110/6 KV Përrenjas”, “N/Stacioni 110/10 KV Këlcyrë”, “N/Stacioni 110/20 KV Bushat”, “N/Stacioni 35/10 KV, Koman, Shkodër”, “N/Stacioni 35/6 KV, Qafëmollë, Tiranë”, “N/Stacioni 35/6 KV, Valias, Kamzë”, “N/Stacioni 35/10 KV, Rehovë, Korçë”, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët e përditësimit, gjithsej, 13 (trembëdhjetë) fletë dhe planet e rilevimet, gjithsej, 13 (trembëdhjetë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME TË “QENDRËS HISTORIKE” TË FSHATIT DHËRMI, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të pikës 3, të nenit 62, dhe të pikës 1, të nenit 96, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme të “Qendrës historike” të fshatit Dhërmi dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj, sipas hartave të zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e “Qendrës historike” të fshatit Dhërmi dhe zonës mbrojtëse të saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Vendimi nr.29, datë 20.1.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e “Qendrës historike” të fshatit Dhërmi dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave të “Qendrës historike” të fshatit Dhërmi dhe zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kadastrën.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Himarë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR BARAZI, PËRFSHIRJE DHE PJESËMARRJE TË ROMËVE DHE EGJIPTIANËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË (2026 – 2030) 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrje të Romëve dhe Egjiptianëve në Republikën e Shqipërisë  (2026 – 2030), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE AFATEVE PËR PEZULLIMIN APO REVOKIMIN E LICENCËS SË LOJËRAVE TË FATIT “BASTE SPORTIVE ON-LINE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 27/3, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe afateve për pezullimin dhe revokimin e licencës për ushtrimin e veprimtarisë së lojërave të fatit në kategorinë “Baste sportive on-line”, në zbatim të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar (në vijim ligji).
2. Ky vendim synon:
a) garantimin e një procedure administrative të rregullt, transparente dhe të drejtë;
b) sigurimin e proporcionalitetit ndërmjet natyrës së shkeljes dhe masës administrative të aplikuar;
c) standardizimin e praktikës institucionale në trajtimin e rasteve të pezullimit dhe revokimit;
ç) forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe monitorimit institucional, me qëllim garantimin e përputhshmërisë së vazhdueshme të subjekteve të licencuara me kërkesat ligjore.
Neni 2
Fusha e zbatimit
Ky vendim zbatohet për organizatorët e licencuar në ushtrimin e lojërave të fatit, në kategorinë “Baste sportive on-line”, ndaj të cilëve konstatohen shkelje sipas kritereve dhe procedurave, të përcaktuara në ligj dhe në këtë vendim.
KREU II
PEZULLIMI DHE/OSE REVOKIMI I LICENCËS
Neni 3
Rastet për pezullimin dhe/ose revokimin e licencës
1. Licenca për lojërat e fatit në kategorinë “Baste sportive on-line” pezullohet dhe/ose revokohet në rastet, si më poshtë vijon:
a) Organizatori i licencuar nuk përmbush kriteret bazë të licencimit, pas marrjes së licencës;
b) Organizatori nuk ngurtëson fondet e garancisë, sipas pikës 3, të nenit 47, të ligjit;
c) Organizatori i licencuar përsërit shkeljet, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të nenit 53, të ligjit.
2. Përveç rasteve të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, licenca për lojërat e fatit në kategorinë “Baste sportive on-line” ndaj organizatorit të licencuar:
a) pezullohet kur nuk shlyen detyrimet ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (në vijim AMLF) dhe/ose fituesve të lojës, sikurse përcaktohet në pikën 1, të nenit 56, të ligjit;
b) revokohet kur kryen një ose më shumë nga shkeljet e përcaktuara në pikën 3, të nenit 56, të ligjit;
c) revokohet, në zbatim të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 59, të ligjit, për shkelje të detyrimeve ndaj AMLF-së.
Neni 4
Procedura e pezullimit/revokimit kur organizatori i licencuar nuk përmbush kriteret bazë të licencimit pas marrjes së licencës
1. Procedura për pezullimin e licencës, kur organizatori i licencuar nuk përmbush kriteret bazë të licencimit pas marrjes së licencës, iniciohet nga AMLF-ja, në rastet kur:
a) vihet në dijeni mbi bazën e një referimi, ankese, informacioni, prove, për shkelje të mundshme nga organizatori, të përcjella nga një entitet, institucion apo nga palë të treta individë;
b) kryesisht ose me kërkesë, kryen verifikime dhe kontrolle, ku konstatohen shkelje;
c) konstaton shkelje gjatë kontrolleve dhe verifikimit të raportimeve financiare, teknike dhe elektronike;
ç) gjatë inspektimeve administrative të planifikuara periodike, konstaton shkelje.
2. Për rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, AMLF-ja ndjek procedurën si më poshtë vijon:
a) Inicion procedurën e kontrollit dhe të inspektimit pranë subjektit për të cilin janë sinjalizuar shkelje, menjëherë dhe jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga vënia në dijeni;
b) Harton procesverbalin e kontrollit dhe inspektimit, ku evidentohen gjetjet, verifikimet e kryera dhe konstatimet e shkeljeve.
3. Kur konstaton se nga kontrolli dhe inspektimi rezultojnë shkelje të një ose disa kritereve bazë të licencimit pas marrjes së licencës, të parashikuar në nenin 22 të ligjit, AMLF-ja, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga konstatimi i shkeljes/ve së/të kryer/a nga organizatori i licencuar, i dërgon Komisionit të Licencave kërkesën e arsyetuar për pezullim licence, aktkonstatimin dhe dokumentacionin shoqërues. Dokumentacioni shoqërues përbëhet nga relacioni shpjegues, procesverbali kontrollit, kopje të licencës, si dhe çdo material apo dokument tjetër që provon shkeljet e konstatuara.
4. Komisioni i Licencave, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga data e marrjes së kërkesës nga AMLF-ja, shqyrton dhe vendos lidhur me kërkesën e paraqitur.
5. Komisioni i Licencave, brenda afatit të shqyrtimit të kërkesës, njofton  organizatorin e licencuar për fillimin e procedurës së pezullimit dhe i bën me dije të drejtën e tij për të marrë pjesë, vetë ose përmes përfaqësuesit të tij të autorizuar, në dëgjesën që do të zhvillohet për dhënien e shpjegimeve dhe rrethanave të rastit. Komisioni i Licencave në njoftim i komunikon organizatorit të licencuar të dhënat për vendin dhe orën e zhvillimit të seancës dëgjimore. Mosparaqitja e organizatorit të licencuar apo përfaqësuesit të tij nuk përbën shkak për mosvijimin e shqyrtimit të kërkesës.
6. Mosbashkëpunimi i organizatorit gjatë procesit të kontrollit dhe inspektimit, përfshirë refuzimin për të dhënë informacion, mosvënien në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar apo pengimin e verifikimeve në vend, merret në konsideratë nga organi kompetent gjatë shqyrtimit të çështjes, në vlerësimin e fakteve dhe provave, si dhe në përcaktimin e masës administrative përkatëse. Në këtë kuadër, organi kompetent çmon ndikimin që sjell një sjellje e tillë në zhvillimin e rregullt të procedurës dhe në mundësinë për verifikimin e plotë e të saktë të rrethanave të rastit.
7. Komisioni i Licencave, pas përfundimit të shqyrtimit të rastit, merr vendim si më poshtë vijon:
a) Në rast se vlerëson se konstatimet e AMLF-së për shkelje janë të justifikuara dhe të bazuara në ligj dhe në prova, i propozon ministrit përgjegjës për financat marrjen e masës për pezullimin e licencës së organizatorit, për ushtrimin e lojërave të fatit në kategorinë “Baste sportive on-line”;
b) Nëse vlerëson se konstatimet e AMLF-së për shkelje janë të pajustifikuara e të pabazuara në ligj dhe në prova, përfundon procedurën, duke rrëzuar kërkesën e AMLF-së.
8. Vendimi i Komisionit të Licencave përmban:
a) të dhënat e subjektit;
b) bazën ligjore;
c) përshkrimin e shkeljeve të konstatuara;
 ç) referencat te raportet e inspektimit të AMLF-së ose në dokumente dhe prova të tjera;
d) shpjegimet dhe provat e paraqitura nga organizatori licencuar;
dh) analizën e arsyetuar;
e) sipas rastit, propozimin për:
i. pezullimin/revokimin e licencës së organizatorit të licencuar dhe afatin;
ii. refuzimin e kërkesës së AMLF-së.
ë) në rastin kur propozon pezullimin e licencës, përcakton detyrat për plotësimin e shkeljeve, që kanë sjellë pezullimin e saj.
9. Në rastin e marrjes së vendimit për propozimin për pezullimin e licencës, kryetari i Komisionit të Licencave i përcjell me shkresë vendimin dhe dokumentacionin e nevojshëm ministrit përgjegjës për financat, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e zbardhjes së këtij vendimi.
10. Ministri përgjegjës për financat, në zbatim të procedurës së parashikuar në nenin 9, të këtij vendimi, vendos me urdhër të arsyetur për pezullim ose jo të licencës ndaj organizatorit të licencuar.
11. AMLF-ja, në zbatim të urdhrit të ministrit përgjegjës për financat, në rastin kur është vendosur pezullimi i licencës, monitoron në vijimësi për plotësimin e detyrave të lëna, sipas afateve të caktuara në urdhrin përkatës. Në rastin kur organizatori i licencuar nuk ka rregulluar pasojat/shkeljet, për të cilat është vendosur masa e pezullimit, brenda afatit të caktuar në urdhrin e pezullimit të ministrit përgjegjës për financat, AMLF-ja evidenton shkeljet/pasojat e konstatuara në procesverbal dhe i dërgon Komisionit të Licencave, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e mbajtjes së këtij procesverbali, kërkesën për revokim licence dhe dokumentacionin e administruar.
12. Komisioni i Licencave për vlerësimin dhe propozimin e kërkesës për revokim licence zbaton procedurën e përcaktuar për pezullimin e licencës, sipas parashikimeve të këtij neni.
13. Ministri përgjegjës për financat, në zbatim të procedurës së parashikuar në nenin 9, të këtij vendimi, vendos me urdhër të arsyetur për revokim ose jo të licencës ndaj organizatorit të licencuar.
Neni 5
Procedura e pezullimit dhe revokimit të licencës kur subjekti fitues i licencës nuk ngurtëson fondet e garancisë 
1. Procedura për pezullimin dhe revokimin e licencës, kur subjekti fitues i licencës nuk ngurtëson fondet e garancisë, në zbatim të shkronjës “b”, të  pikës 1, të nenit 3, të këtij vendimi, iniciohet nga Komisioni i Licencave.
2. Komisioni i Licencave, pas përfundimit të afatit 30-ditor të detyrimit të subjektit fitues për ngurtësimin e fondit të garancisë, fillon procedurën për pezullim dhe revokim licence, procedurë e cila duhet të shqyrtohet brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e përfundimit të këtij afati.
3. Komisioni i Licencave, brenda afatit të shqyrtimit të kërkesës, njofton  subjektin fitues për fillimin e procedurës për pezullim dhe revokim licence dhe i bën me dije të drejtën e tij për të marrë pjesë, vetë ose përmes përfaqësuesit të tij të autorizuar, në dëgjesën që do të zhvillohet për dhënien e shpjegimeve dhe rrethanave të rastit. Komisioni i Licencave, në njoftim, i komunikon subjektit fitues të dhënat për vendin dhe orën e zhvillimit të seancës dëgjimore. Mosparaqitja e organizatorit të licencuar apo përfaqësuesit të tij nuk përbën shkak për mosvijimin e shqyrtimit të kërkesës.
4. Komisioni i Licencave, brenda afatit të shqyrtimit të kërkesës, shqyrton dhe vendos, si më poshtë vijon:
a) Në rast se vlerëson se konstatimi i shkeljes është i justifikuar dhe  i bazuar në ligj e në prova, i propozon ministrit përgjegjës për financat marrjen e masës për pezullimin dhe revokimin e licencës së subjektit fitues për ushtrimin e lojërave të fatit, në kategorinë “Baste sportive on-line”;
b) Nëse vlerëson se shkelja e konstatuar nga Komisioni i Licencave është korrigjuar nga subjekti fitues, përfundon procedurën pa veprime dhe nuk vijon me shqyrtimin e mëtejshëm.
5. Ministri përgjegjës për financat, në zbatim të procedurës së parashikuar në nenin 9, të këtij vendimi, vendos me urdhër të arsyetur për pezullimin dhe revokimin ose jo të licencës ndaj subjektit fitues.
Neni 6
Procedura e pezullimit/revokimit të licencës për rastet, ku organizatori i licencuar përsërit shkeljet e përcaktuara në ligj 
1. Inspektori i AMLF-së, në rastet kur organizatori i licencuar përsërit shkeljet,  sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të nenit 53, të ligjit, inicion procedurën për propozimin e pezullimit apo revokimit të licencës, në varësi të përsëritjes së shkeljes:
a) Për shkelje për herë të dytë, për të njëjtën shkelje ose grup shkeljesh, brenda një periudhe 3-vjeçare, inspektori i AMLF-së ka të drejtën të iniciojë procedurën për pezullimin e licencës;
b) Për shkelje për herë të tretë, për të njëjtën shkelje ose grup shkeljesh, brenda një periudhe 3-vjeçare, inspektori i AMLF-së ka të drejtën të iniciojë procedurën për revokimin e licencës.
2. Inspektori i AMLF-së, kur plotësohen kriteret për gjobë për herë të dytë ose të tretë, i dërgon titullarit të AMLF-së praktikën e plotë të mbajtur ndaj organizatorit të licencuar, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e njoftimit të gjobës.
3. Titullari i AMLF-së, brenda 10 (dhjetë) ditëve, i dërgon Komisionit të Licencave praktikën e plotë, së bashku me gjobën e vendosur ndaj organizatorit të licencuar.
4. Komisioni i Licencave, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga data e marrjes së kërkesës nga AMLF-ja, shqyrton dhe vendos lidhur me kërkesën e paraqitur.
5. Komisioni i Licencave, brenda afatit të shqyrtimit të kërkesës, njofton  organizatorin e licencuar për fillimin e procedurës së pezullimit dhe i bën me dije të drejtën e tij për të marrë pjesë, vetë ose përmes përfaqësuesit të tij të autorizuar, në dëgjesën që do të zhvillohet për dhënien e shpjegimeve dhe sqarimin e rrethanave të rastit. Komisioni i Licencave, në njoftim, i komunikon organizatorit të licencuar të dhënat për vendin dhe orën e zhvillimit të seancës dëgjimore. Mosparaqitja e organizatorit të licencuar apo përfaqësuesit të tij nuk përbën shkak për mosvijimin e shqyrtimit të kërkesës.
6. Komisioni i Licencave, pas përfundimit të shqyrtimit të rastit, merr vendim, si më poshtë vijon:
a) Në rast se vlerëson se konstatimet e AMLF-së për shkelje janë të justifikuara e të bazuara në ligj dhe në prova, i propozon ministrit përgjegjës për financat marrjen e masës për pezullimin/revokimin e licencës së organizatorit (në varësi të përsëritjes së shkeljes/ve) për ushtrimin e lojërave të fatit, në kategorinë “Baste sportive on-line”;
b) Nëse vlerëson se konstatimet e AMLF-së për shkelje janë të pajustifikuara e të pabazuara në ligj dhe në prova, përfundon procedurën, duke rrëzuar kërkesën e AMLF-së.
7. Ankimi në gjykatë ndaj gjobave të lëshuara nga AMLF-ja nuk pengon zhvillimin e procedurës dhe marrjen e urdhrit për pezullimin/revokimin e licencës, me përjashtim të rastit kur është vendosur një masë sigurimi padie.
8. Vendimi i Komisionit të Licencave përmban të njëjtat elemente të përcaktuara në pikën 8, të nenit 4, të këtij vendimi.
9. Në rastin e propozimit për pezullimin/revokimin e licencës, kryetari i Komisionit të Licencave i përcjell me shkresë vendimin dhe dokumentacionin e nevojshëm, me propozimin përkatës, ministrit përgjegjës për financat, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e vendimit.
Neni 7
Procedura për pezullim të licencës kur organizatori i licencuar nuk shlyen detyrimet ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe/ose fituesve të lojës
1. AMLF-ja, pas pezullimit 30-ditor të veprimtarinë së ushtrimit të lojërave të fatit, në zbatim të pikës 1, të nenit 56, të ligjit, ka të drejtën e propozimit për pezullim të licencës për një afat tjetër te Komisioni i Licencave, kur organizatori i licencuar nuk shlyen detyrimet ndaj AMLF-së dhe/ose fituesve të lojës.
2. Brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e pezullimit, AMLF-ja i dërgon Komisionit të Licencave kërkesën e arsyetuar për pezullim licence, aktkonstatimin dhe dokumentacionin shoqërues. Dokumentacioni shoqërues përbëhet nga relacioni shpjegues, procesverbali i kontrollit, kopje të licencës, si dhe çdo material apo dokument tjetër që provon shkeljet e konstatuara.
3. Komisioni i Licencave, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga data e marrjes së kërkesës nga AMLF-ja, shqyrton dhe vendos lidhur me kërkesën e paraqitur.
4. Komisioni i Licencave, brenda afatit të shqyrtimit të kërkesës, njofton  organizatorin e licencuar për fillimin e procedurës së pezullimit dhe i bën me dije të drejtën e tij për të marrë pjesë, vetë ose përmes përfaqësuesit të tij të autorizuar, në dëgjesën që do të zhvillohet për dhënien e shpjegimeve dhe sqarimin e rrethanave të rastit. Komisioni i Licencave, në njoftim, i komunikon organizatorit të licencuar të dhënat për vendin dhe orën e zhvillimit të seancës dëgjimore. Mosparaqitja e organizatorit të licencuar apo përfaqësuesit të tij nuk përbën shkak për mosvijimin e shqyrtimit të kërkesës.
5. Komisioni i Licencave, pas përfundimit të shqyrtimit të rastit, merr vendim si më poshtë vijon:
a) Në rast se vlerëson se konstatimet e AMLF-së për shkelje janë të justifikuara e të bazuara në ligj dhe në prova, i propozon ministrit përgjegjës për financat marrjen e masës për pezullimin e licencës së organizatorit, për ushtrimin e lojërave të fatit në kategorinë “Baste sportive on-line”;
b) Nëse vlerëson se konstatimet e AMLF-së për shkelje janë të pajustifikuara e të pabazuara në ligj dhe prova, përfundon procedurën, duke rrëzuar kërkesën e AMLF-së.
6. Vendimi i Komisionit përmban të njëjtat elemente, të përcaktuara në pikën 8, të nenit 4, të këtij vendimi.
7. Në rastin e propozimit për pezullimin e licencës, kryetari i Komisionit të Licencave i përcjell me shkresë vendimin dhe dokumentacionin e nevojshëm me propozimin përkatës ministrit përgjegjës për financat, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e vendimit.
Neni 8
Procedura për revokim licence për rastet e shkeljeve të parashikuara në pikën 3, të nenit 56, të ligjit, dhe shkeljet e detyrimeve ndaj AMLF-së, referuar shkonjës “ç”, të pikës 1, të nenit 59, të ligjit
1. AMLF-ja inicion procedurën për revokim licence ndaj organizatorit të licencuar, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga konstatimi i një ose më shumë shkeljeve, të parashikuara në pikën 3, të nenit 56, të ligjit.
2. AMLF-ja, 30 (tridhjetë) ditë pas datës së dërgimit të njoftimit subjektit përkatës, inicion gjithashtu procedurën për revokim licence ndaj subjekteve të licencuara për ushtrim të aktivitetit për lojëra fati, për shkeljet e detyrimeve ndaj AMLF-së, të parashikuara nga ligji për lojrat e fatit, referuar shkonjës “ç”, të pikës 1, të nenit 59, të këtij ligj.
3. AMLF-ja, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga konstatimi i shkeljes/ve të kryera nga organizatori i licencuar, i dërgon Komisionit të Licencave kërkesën e arsyetuar për revokim licence, aktkonstatimin dhe dokumentacionin shoqërues. Dokumentacioni shoqërues përbëhet nga relacioni shpjegues, procesverbali i kontrollit, kopje e licencës, si dhe çdo material  apo dokument tjetër që provon shkeljet e konstatuara.
4. Komisioni i Licencave, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga data e marrjes së kërkesës nga AMLF-ja, shqyrton dhe vendos lidhur me kërkesën e paraqitur.
5. Komisioni i Licencave, brenda afatit të shqyrtimit të kërkesës, njofton  organizatorin e licencuar për fillimin e procedurës së revokimit dhe i bën me dije të drejtën e tij për të marrë pjesë, vetë ose përmes përfaqësuesit të tij të autorizuar, në dëgjesën që do të zhvillohet për dhënien e shpjegimeve dhe rrethanave të rastit. Komisioni i Licencave në njoftim i komunikon organizatorit të licencuar të dhënat pë vendin dhe orën e zhvillimit të seancës dëgjimore. Mosparaqitja e organizatorit të licencuar apo përfaqësuesit të tij nuk përbën shkak për mosvijimin e shqyrtimit të kërkesës.
6. Komisioni i Licencave, pas përfundimit të shqyrtimit të rastit, merr vendim, si më poshtë vijon:
a) Në rast se vlerëson se konstatimet e AMLF-së për shkelje janë të justifikuara e të bazuara në ligj dhe në prova, i propozon ministrit përgjegjës për financat marrjen e masës për revokimin e licencës së organizatorit për ushtrimin e lojërave të fatit, në kategorinë “Baste sportive on-line”;
b) Nëse vlerëson se konstatimet e AMLF-së për shkelje janë të pajustifikuara e të pabazuara në ligj dhe në prova, përfundon procedurën, duke rrëzuar kërkesën e AMLF-së.
7. Vendimi i Komisionit të Licencave përmban të njëjtat elemente të përcaktuara në pikën 8, të nenit 4, të këtij vendimi.
8. Në rastin e propozimit për revokimin e licencës, kryetari i Komisionit të Licencave i përcjell me shkresë vendimin dhe dokumentacionin e nevojshëm, me propozimin përkatës, ministrit përgjegjës për financat, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e vendimit.
Neni 9
Procedura e shqyrtimit të kërkesave nga ministri përgjegjës për financat për pezullim dhe/ose revokim të licencës
1. Ministri përgjegjës për financat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së vendimit të propozimit nga Komisioni Licencave dhe dokumentacionit shoqërues, me urdhër të arsyetuar, vendos për pezullimin  dhe/ose revokimin apo mospezullimin dhe/ose mosrevokimin e licencës.
2. Afati për pezullimin e licencës jepet për një periudhë, nga 30 (tridhjetë) ditë deri në përmbushjen e kritereve dhe të kushteve, për të cilat është marrë masa, por jo më shumë se 2 (dy) vjet.
3. Ministri përgjegjës për financat, me paraqitjen e propozimit të Komisionit të Licencave dhe dokumentacionit shoqërues, urdhëron ngritjen e një komisioni ad hoc, të përbërë nga jo më pak se 3 (tre) anëtarë nga struktura përgjegjëse në ministrinë e financave, për shqyrtimin dhe vlerësimin e praktikës së plotë.
4. Komisioni ad hoc, brenda 20 (njëzet) ditëve, mblidhet dhe shqyrton propozimin dhe dokumentacionin shoqërues.
5. Komisioni ad hoc:
a) verifikon pranueshmërinë nëse konstatimet për shkelje janë të justifikuara e të bazuara në ligj dhe në prova;
b) sipas rastit, siguron të drejtën e ankuesit për t’u dëgjuar;
c) kërkon informacion shtesë nga Komisioni i Licencave;
ç) vlerëson provat dhe harton raportin për ministrin dhe drafturdhrin përfundimtar të arsyetuar.
6. Urdhri i ministrit përgjegjës për financat për pezullimin dhe/ose revokimin i njoftohet zyrtarisht me shkrim për kompetencë dhe zbatim Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Komisionit të Licencave dhe organizatorit të licencuar. Urdhri i ministrit publikohet edhe në faqen zyrtare të AMLF-së.
7. Organizatori, të cilit i pezullohet licenca, nuk mund të ushtrojë veprimet e përcaktuara në urdhrin e pezullimit. Organizatori gjatë periudhës së pezullimit, është i detyruar të ndërpresë ushtrimin e veprimtarisë së licencuar e të marrë të gjitha masat e nevojshme për respektimin e kushteve të përcaktuara në urdhrin e pezullimit dhe mban përgjegjësi për zbatimin e urdhrit, si dhe ka detyrimin për të raportuar pranë AMLF-së.
8. AMLF-ja monitoron dhe mbikëqyr organizatorin gjatë kohës së pezullimit revokimit, nëpërmjet verifikimeve në vend, monitorimit me mjetet e teknologjisë, me qëllim garantimin e përmbushjes së urdhrit të ministrit përgjegjës për financat.
KREU III
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 10
Dispozita të fundit
1. Organizatori i licencuar ka të drejtën e ankimit ndaj urdhrit të pezullimit/revokimit në gjykatën kompetente, sipas afateve dhe parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
2. Urdhri i pezullimit apo i revokimit të licencës zbatohet pavarësisht nga sanksionet administrative, që mund të merren ndaj organizatorit të licencuar.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Komisioni i Licencave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR KRYERJEN E VERIFIKIMEVE KUFITARE TË PËRBASHKËTA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Verifikimet kufitare në pikat e kalimit kufitar kryhen sipas parimit “një   ndalesë-një verifikim”, që nënkupton se çdo person, mjet apo mall i nënshtrohet një kontrolli të plotë dhe të koordinuar nga të gjitha autoritetet përgjegjëse vetëm një herë në pikën përkatëse të kalimit kufitar, me qëllim lehtësimin e kalimit dhe sigurimin e një verifikimi sa më efektiv.
2. Mosprezenca e një autoriteti të caktuar gjatë verifikimit kufitar të vijës së parë nuk kushtëzon apo nuk pengon autoritetet e tjera, që, në përputhje me kompetencat e tyre, të kryejnë verifikimin kufitar.
3. Çdo element verifikimi i vijës së parë, për llogari të çdo autoriteti, i cili ka nevojë për verifikim, inspektim apo ekzaminim të mëtejshëm, që nuk mund të kryhet për një kohë të shkurtër në zonën e vijës së parë, konsiderohet arsye për verifikim të vijës së dytë.
4. Gjatë verifikimeve të vijës së dytë, çdo autoritet i pranishëm në kufi, që ka kompetenca dhe detyrime në lidhje me natyrën e verifikimit në fjalë, ka detyrimin të marrë pjesë në verifikim, përveç rasteve kur nga kjo prani rrezikohen hetimet për një vepër penale, identiteti i viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit, identiteti i dëshmitarëve të mbrojtur ose informacioni i klasifikuar.
5. Autoritetet përgjegjëse, që operojnë në pikën e kalimit kufitar, përdorin ose shfrytëzojnë bashkërisht pajisjet, mjetet dhe mjediset e verifikimit kufitar, veçanërisht të vijës së dytë, pavarësisht nga pronësia e këtyre pajisjeve apo mjediseve. Ky rregull zbatohet edhe në rastin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.
6. Në verifikimet e vijës së dytë, kur nevojitet ekspertizë profesionale në tërësi ose për elemente të veçanta verifikimi, veprimet e drejtpërdrejta në lidhje me këto elemente kryhen nga punonjësit e atij autoriteti që ka ekspertizën përkatëse ose nga një ekspert i jashtëm në rastet kur asnjë autoritet nuk ka punonjës me ekspertizë në këto fusha.
7. Për verifikimet kufitare të vijës së dytë, në të cilat, për arsye kompetence apo të natyrës specifike të kontrollit, kërkohet pjesëmarrja e një autoriteti që nuk vepron në kufi ose që vepron me orar të kufizuar, njoftohet autoriteti përkatës nëpërmjet komunikimit telefonik, postës elektronike, shërbimit postar ose faksit.
8. Mosparaqitja brenda një kohe të arsyeshme e autoritetit të njoftuar sipas parashikimit të pikës 7, të këtij vendimi, nuk kushtëzon moskryerjen e verifikimit kufitar, përveç rasteve kur prania e autoritetit kompetent është absolutisht e domosdoshme.
9. Verifikimet e kryera nga Policia Kufitare dhe Migracionit në brendësi të territorit, në kuptim të nenit 7, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, kryhen, sipas rastit, në koordinim dhe bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse kompetente, kur gjatë verifikimit evidentohen elemente që, sipas legjislacionit në fuqi, bëjnë pjesë në fushën e përgjegjësisë së tyre.
10. Për verifikimet e parashikuara në pikën 9, të këtij vendimi, në rastet kur kontrolli është objekt i kompetencës së autoriteteve të tjera përgjegjëse, njoftohen shërbimet më të afërta të autoritetit përkatës nëpërmjet komunikimit telefonik, postës elektronike, shërbimit postar ose faksit, me qëllim kryerjen e verifikimeve sipas legjislacionit në fuqi, përveç rasteve kur nga vonesa mund të rrezikohen jeta dhe siguria e njerëzve, hetimet penale, identiteti i viktimave ose viktimave të mundshme të trafikimit, identiteti i dëshmitarëve të mbrojtur ose informacioni i klasifikuar.
11. Në çdo rast të kryerjes së verifikimeve apo kontrolleve të përbashkëta, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, përfaqësuesit e autoriteteve përgjegjëse pjesëmarrëse kanë detyrimin të nënshkruajnë aktin përkatës të konstatimit, verifikimit apo kontrollit.
12. Në rastin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, pavarësisht nga territori ku ato ndodhen, autoritetet përgjegjëse shqiptare mund të kryejnë verifikime të përbashkëta kufitare me autoritetet përgjegjëse fqinje, në përputhje me marrëveshjen përkatëse dhe duke respektuar:
a) aksesin në mbrojtjen ndërkombëtare, sipas ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”,  për personat që kërkojnë këtë mbrojtje, në çdo kohë, kur pika e përbashkët e kalimit kufitar gjendet në territorin shqiptar dhe në momentin që ka përfunduar procedurat e daljes nga vendi fqinj, kur pika e përbashkët gjendet në territorin e vendit fqinj;
b) shkëmbimin e informacionit të nevojshëm dhe informimin e saktë të palëve në lidhje me faktet dhe provat, në rastin e çështjeve që justifikojnë ndalimin apo arrestimin e një personi ose bllokimin e një sendi, si dhe transferimin e personit ose sendit te pala që ndjek çështjen, pavarësisht nga shtetësia e personit ose vendi i regjistrimit të sendit;
c) mospengimin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të personit që gëzon këtë të drejtë, pavarësisht nga ekzistenca e motiveve për refuzim daljeje nga pala tjetër, kur në legjislacionin e kësaj pale ekziston një parashikim për këtë dhe shkëmbimin e informacionit mbi këto motive për të mundësuar një trajtim të përshtatshëm të rastit;
ç) vendosjen dhe përdorimin e përshtatshëm të sistemeve elektronike dhe bazave të  të dhënave, duke ruajtur të dhënat personale nga dëmtimi ose humbja aksidentale apo e paligjshme, nga modifikimi, dekonspirimi ose aksesi i paautorizuar i tyre, përfshi këtu aksesin nga shtetet që nuk e gëzojnë këtë të drejtë.
13. Për kryerjen në mënyrë të efektshme të verifikimeve të përbashkëta kufitare, pikat e kalimit kufitar pajisen përkatësisht me mjediset, mjetet dhe pajisjet, si më poshtë vijon:
a) Pikat e kalimit kufitar për qarkullim ndërkombëtar të personave pa automjete pajisen, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Pikat e kalimit kufitar për qarkullim ndërkombëtar të personave dhe automjeteve jo të rënda pajisen, sipas shtojcave nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
c) Pikat e kalimit kufitar për qarkullim ndërkombëtar të mjeteve dhe mallrave pajisen, minimalisht, sipas shtojcave nr.1, nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
14. Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministritë dhe autoritetet e tjera që kanë kompetenca dhe detyrime në lidhje me kufirin shtetëror, sipas përcaktimeve të bëra në Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe planin e saj të veprimit, marrin masa për pajisjen e pikave të kalimit kufitar me mjediset, mjetet dhe pajisjet, në përputhje me shtojcat përkatëse të këtij vendimi, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore përkatëse të tyre apo të secilit institucion të varësisë, që vepron në pikën e kalimit kufitar, duke i konsideruar ato si kritere standarde minimale.
15. Për çështje të veçanta të aspekteve teknike, procedurale dhe organizative të verifikimit të përbashkët kufitar, të cilat kanë nevojë për specifikime konkrete të veprimtarisë së dy a më shumë autoriteteve, ministrat e linjës nxjerrin urdhër të përbashkët në zbatim të këtij vendimi.
16. Për çështje të veçanta të aspekteve teknike, procedurale dhe organizative të verifikimit kufitar, të cilat kanë nevojë për specifikime konkrete të veprimtarisë së strukturave vartëse të ministrive të linjës, ministri përkatës nxjerr urdhër në zbatim të këtij vendimi.
17. Veprimet dhe mënyra e bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit ndërmjet tyre për verifikimin e përbashkët kufitar përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
18. Veprimet e Policisë Kufitare dhe Migracionit gjatë verifikimit kufitar kryhen, në përputhje me procedurat standarde të punës, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi, duke u mbështetur edhe në manuale teknike apo udhëzues operacionalë, me qëllim zbatimin e praktikave më të mira për kryerjen e verifikimeve të efektshme.
19. Vendimi nr.745, datë 26.10.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për kryerjen e verifikimeve të përbashkëta kufitare”, shfuqizohet.
20. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
       Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E RREGULLOREVE “PËR KUSHTET DHE PROCEDURAT E POSAÇME TË AUTORIZIMIT PËR SHKARKIMET E GAZEVE ME EFEKT SERRË NGA OPERATORI   I INSTALIMIT DHE SUBJEKTI I RREGULLUAR”  DHE “PËR KUSHTET, KRITERET DHE PROCEDURAT PËR MONITORIMIN DHE RAPORTIMIN E SHKARKIMEVE  TË GAZEVE ME EFEKT SERRË NGA OPERATORI I INSTALIMIT,  NGA OPERATORI I AVIONIT DHE NGA SUBJEKTI I RREGULLUAR DHE TË EFEKTEVE NË AVIACION TË PALIDHURA   ME SHKARKIMIN E CO2” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 6, shkronjat “a”, “b”, “d” e “dh”, 11, pika 6, shkronjat “a“, “b” dhe “d”, dhe 11, pika 7, të ligjit nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregulloreve “Për kushtet dhe procedurat e posaçme të autorizimit për shkarkimet e gazeve me efekt serrë nga operatori i instalimit dhe subjekti i rregulluar”, sipas parashikimeve të shtojcave I dhe II që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Miratimin e rregullores “Për kushtet, kriteret dhe procedurat për monitorimin dhe raportimin e shkarkimeve të gazeve me efekt serrë nga operatori i instalimit, nga operatori i avionit dhe nga subjekti i rregulluar dhe të efekteve në aviacion të palidhura me shkarkimin e CO2”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi në shtojcën III dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Dispozitat e rregulloreve që miratohen me këtë vendim, të cilat parashikojnë kryerjen e kërkesave dhe të procedurave nëpërmjet sistemit elektronik, zbatohen pas realizimit të përmirësimeve të nevojshme të këtij sistemi për përmbushjen e tyre.
4. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI ARKITEKTONIK I RRUGËVE “MYSLYM GJOLEKA”, “AHMET LEPENICA”, “HYSNI MUKA”, NË LAGJEN “KUSHTRIMI”, BASHKIA VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti arkitektonik i rrugëve “Myslym Gjoleka”, “Ahmet Lepenica”, “Hysni Muka”, në lagjen “Kushtrimi”, Bashkia Vlorë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 14 472 710 (katërmbëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e dhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 14 472 710 (katërmbëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e dhjetë) lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vlorë.
8. Bashkia Vlorë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim, për pasuritë “pronë private”, që miratohen me anë të këtij vendimi, do të verifikohen kufizimet hipotekore dhe likuidimi i pronarëve të shpronësuar do të bëhet pasi të vlerësohet dokumentacioni përkatës ligjor lidhur me përmbushjen e detyrimeve financiare nga institucionet bankare.
10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.
11. Bashkia Vlorë, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.666, DATË 10.10.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE E TË PAGESAVE PËR NXËNËSIT E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR, SI DHE FORMAT E TJERA TË PËRKUJDESJES NDAJ KATEGORIVE TË VEÇANTA NË INSTITUCIONET ARSIMORE PARAUNIVERSITARE PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 19, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të  nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidëve të punës”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të nenit 12, të   ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.666, datë 10.10.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte dhe përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave e të pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar, si dhe format e tjera të përkujdesjes ndaj kategorive të veçanta në institucionet arsimore parauniversitare publike”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fund të shkronjës “a”, të pikës 2.1, shtohet fjalia “Për nxënësit në arsimin profesional nuk zbatohet kushti i akomodimit në konvikte  publike …”;
b) Në pikën 3, pas fjalëve “… kategorive të mësipërme …” shtohen fjalët  “… në arsimin e përgjithshëm …” ;
c) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Për nxënësit në arsimin profesional zbatohen shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 3. Humbja e bursës për rezultate shkollore zbatohet vetëm në rast përsëritjeje të vitit shkollor.”.
ç) Në pikën 7, fjalët “… (në vitin e parë) …” hiqen;
d) Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:
“8/1. Në rastet kur numri i nxënësve që ndjekin arsimin e përgjithshëm, që plotësojnë kriteret për përfitimin e bursës, është më i lartë se mundësitë e financimit të miratuara për atë vit shkollor dhe njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të mbulojë me fondet e veta mbështetjen për të gjithë nxënësit që plotësojnë kriteret, njësia e vetëqeverisjes vendore, me vendim të këshillit bashkiak, përcakton rregullat për shpërndarjen e bursave dhe gjysmëbursave, sipas kategorive të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.”.
dh) Në fund të pikës 10 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“… Bursë përfitojnë edhe nxënësit në klasën XI e lart, që nuk kanë përfituar bursë në vitin e parë dhe përmbushin kriteret, sipas këtij vendimi.”.
e) Pika 10.1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10.1. Bursat e nxënësve për klasën XI e lart, në arsimin profesional, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga këshilli bashkiak, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku ata ndjekin arsimin. Rishqyrtimi përfshin edhe nxënësit që përfitojnë për herë të parë bursë në klasën XI e lart, në rastet kur plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë vendim.”.
ë) Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Të gjithë nxënësit/prindërit paraqesin kërkesat për përfitimin e bursës pranë drejtorive të institucioneve arsimore, të cilat dokumentojnë me procesverbal pranimin e tyre, dhe një kopje e procesverbalit i jepet kërkuesit. Drejtoritë e institucioneve arsimore, për nxënësit që regjistrohen për herë në klasën X, të cilët përfitojnë bursë sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi, i dërgojnë zyrtarisht kërkesat për miratimin e bursës në njësitë e vetëqeverisjes vendore të vendbanimit të përhershëm të nxënësit. Për nxënësit e klasave të tjera, që kanë përfituar më parë bursa, depozitojnë dokumentacionin për vijimin e përmbushjes së kritereve.”.
f) Pika 14/1 shfuqizohet;
g) Pas pikës 15 shtohet pika 15/1, me këtë përmbajtje:
“15/1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore dorëzojnë kërkesat për fondet e bursave brenda muajit mars.”.
gj) Pas pikës 22 shtohet pika 22/1, me këtë përmbajtje:
“22/1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, me fondet e tyre buxhetore apo transfertës nga buxheti i shtetit, për institucionet arsimore parauniversitare publike në territorin që mbulojnë, kanë të drejtë të ofrojnë shërbimin e ushqimit për nxënësit, në përputhje me standardet dhe rregullat e miratuara nga autoritetet përgjegjëse për ushqimin.”.
h) Pika 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“23. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve të bursave administrohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave dhe konvikteve, ku nxënësit ndjekin mësimet. Pagesa mujore e bursës bëhet sipas përcaktimeve të mëposhtme:
a) Nxënësit përfitojnë kuotat financiare (bursa), sipas normave në natyrë për ushqimin e nxënësve në konvikte dhe shpenzimeve vetjake, sipas pasqyrës nr.3. Masa e bursës përllogaritet si prodhim i kuotës ushqimore me ditë qëndrimin në konvikt, për jo më shumë se 10 (dhjetë) muaj kalendarikë, në proporcion me ditë qëndrimin në konvikt;
b) Nxënësit që nuk jetojnë në konvikt dhe që plotësojnë kriteret për bursë përfitojnë vlerën e plotë të bursës mujore, e cila u paguhet pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të prindit/prindërve ose përfaqësuesit ligjor, për llogari të nxënësit çdo muaj, brenda datës 10 (dhjetë) të muajit pasardhës. Masa e bursës për këtë kategori jepet në pasqyrat nr.2, për arsimin e përgjithshëm, dhe nr.2/1, për arsimin profesional, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.”.
i) Pas pikës 23 shtohet pika 23/1, me këtë përmbajtje:
“23/1. Në rastet kur fondet e disponueshme të njësisë së vetëqeverisjes vendore nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat e pranuara, njësia e vetëqeverisjes vendore miraton gjysmë bursë, me vlerë 50% të kuotës së plotë mujore, duke respektuar rendin e përparësisë së kritereve të përcaktuara në këtë vendim dhe rregullat e miratuara nga Këshilli i NJVV-së.”.
j) Pas pikës 30 shtohet pika 30/1, me këtë përmbajtje:
“30/1. Duke filluar nga viti 2027, kuota mujore e bursës për të gjithë përfituesit, sipas pikave 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4, të këtij vendimi, indeksohet çdo vit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në bazë të normës vjetore te inflacionit të publikuar nga INSTAT-i për vitin paraardhës. Ministritë përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe atë profesional përllogaritin fondin e nevojshëm të bursave, përfshirë edhe indeksimin, dhe njoftojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore për masën e normës së inflacionit që do të aplikohet, në përputhje me pasqyrat që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, si dhe me normën vjetore të inflacionit të publikuar nga INSTAT-i.”.
k) Pika 29 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“29. Ministria përgjegjëse për arsimin profesional jep në total jo më pak se 5 000 (pesë mijë) bursa në vit për nxënësit e arsimit profesional, nga të cilat 2 500 (dy mijë e pesëqind) bursa janë të dedikuara për hyrjet e reja në shkollat profesionale të sistemit arsimor publik.”.
l) Pika 33 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“33. Vendimet e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore miratohen, sipas afateve të përcaktuara në këtë vendim. Vendimet e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore, të miratuara përtej afateve, përballohen me fondet e tyre.”.
ll) Pasqyrat nr.1, nr.2 dhe nr.3, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me pasqyrat nr.1, nr.2, dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
m) Pas pasqyrës nr.2 shtohet pasqyra nr.2/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet e sistemit arsimor parauniversitar dhe ofruesit e arsimit të mesëm profesional publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare duke filluar nga viti shkollor 2026-2027.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR 
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.587, DATË 22.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E  REJA  PËR ZHVILLIM DHE RINDËRTIM NË TË NJËJTIN TRUALL”,  TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 5.3, të vendimit nr.587, datë 22.7.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 5.4, me këtë përmbajtje:
“5.4. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2026, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 287 812 166 (dyqind e tetëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dymbëdhjetë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekësh pa TVSH.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR 
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.707, DATË 21.11.2018,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR TURIZMIN  TË DISA PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË VIJËN BREGDETARE SHKODËR-FIER”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të                                      nenit 34, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 20 të shtojcës, që i bashkëlidhet vendimit nr.707, datë 21.11.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Shkodër-Fier”, të ndryshuar, shtohet prona e paluajtshme me                        nr.284/5, me vendndodhje në zonën kadastrale 3774, sipas të dhënave të përcaktuara në shtojcën që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, me qëllim përdorimin për zhvillimin e qëndrueshëm në turizëm.
2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.980, DATË 2.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E PROJEKTIMIT, ZBATIMIT TË PUNIMEVE, MBIKËQYRJES DHE KOLAUDIMIT TË QENDRËS SË SHËRBIMEVE DHE ADMINISTRIMIT TË MJETEVE TË TRANSPORTIT”,  TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 3/2, të vendimit nr.980, datë 2.12.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 3/3, me këtë përmbajtje:
“3/3. Përdorimi i fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, për financimin e projektimit, të zbatimit të punimeve, të mbikëqyrjes dhe të kolaudimit të Qendrës së Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit, të jetë në masën 158 747 529  (njëqind e pesëdhjetë e tetë milionë e shtatëqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e njëzet e nëntë) lekë pa TVSH  dhe të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në  “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË DURRËS TË PASURISË ME NUMËR 101/2, ZONA KADASTRALE 3541, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.536, DATË 1.5.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË DURRËS, TË QARKUT TË DURRËSIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të  ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:  
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Durrës të pasurisë me numër 101/2, me vendndodhje në zonën kadastrale 3541, sipas formularit dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur për interes vendor, në funksion të Qendrës së Strehimit dhe Trajtimit për Kafshët.
2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi i shtohet listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet                        vendimit nr.536, datë 1.5.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Durrës, të Qarkut të Durrësit”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Durrës i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pasurisë së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Durrës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 
*** 
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKITË VORË DHE SHIJAK TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të  aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te bashkitë Vorë dhe Shijak të 362 (treqind e gjashtëdhjetë e  dy) apartamenteve, në 19 (nëntëmbëdhjetë) ndërtesa me njësi banimi (pallat), përkatësisht, sipas listave të inventarit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, detajuar, si më poshtë vijon:
a) 101 (njëqind e një) apartamente në 6 (gjashtë) ndërtesa me njësi banimi (pallat) në Bashkinë Vorë;
b) 261 (dyqind e gjashtëdhjetë e një) apartamente në 13 (trembëdhjetë) ndërtesa me njësi banimi (pallat) në Bashkinë Shijak.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkitë Vorë e Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 

RREGULLA – VERIFIKIMI KUFITAR