V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Adela Demetja emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 5, të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Hermon Bonati emërohet anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura për periudhën e mbetur të mandatit, sipas përcaktimit të shkronjës “d”, të pikës 3, të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E SKEMËS SË VEÇANTË TË GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË SUBJEKTEVE NË SEKTORIN E BUJQËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e skemës së veçantë të garancisë shtetërore të huas, në vlerën 3 000 000 000 (tre miliardë) lekë, për garantimin e huamarrjes së subjekteve në sektorin e bujqësisë.
2. Skema e veçantë e garancisë shtetërore të huas do të lëshohet në favor të bankave tregtare të nivelit të dytë, si më poshtë vijon:
a) Banka Raiffeisen, sh.a.;
b) Banka e Bashkuar e Shqipërisë, sh.a.;
c) Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.;
ç) Banka Tirana, sh.a.;
d) Banka Intesa Sanpaolo Albania, sh.a.;
dh) Banka Procredit, sh.a.;
e) Banka Amerikane e Investimeve, sh.a.;
ë) Banka e Parë e Investimeve Albania, sh.a.;
f) Banka Credins, sh.a.;
g) Banka OTP Albania, sh.a.;
gj) Banka Union, sh.a.
3. Marrëveshja e garancisë do të jetë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Autorizohet ministri i Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së garancisë me bankat tregtare të nivelit të dytë, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Agjencia për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive të Pakthyera dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi, për ndjekjen dhe administrimin e kësaj skeme garancie.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA KRUJË TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 20, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Krujë të 150 (njëqind e pesëdhjetë) njësive individuale të banimit, përkatësisht, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E ARMËVE TË KALIBRAVE TË VEGJËL, TË MESËM DHE DRONËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a, me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët për prodhimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., negocion dhe pranon një pjesëmarrje jo më të ulët se 20 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., kontribuon në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 5000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi dhe pa të drejtë transferimi të pronës, e cila do të mbetet në çdo rrethanë pronë e shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a.
4. Shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti më të cilin negocion, minimalisht:
a) një vlerë investimi jo më të ulët se 50 (pesëdhjetë) milionë euro;
b) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit ose montimit të armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë;
c) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël dhe dronëve për Forcat e Armatosura dhe për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se, minimalisht 40 % e Këshillit Drejtues ose Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore, të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT DHE ZHVILLUESIT “VERTIGO”, SH.P.K., PËR NDËRTIMIN, ADMINISTRIMIN DHE MONITORIMIN E FUNKSIONIMIT TË ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK NË XHAFZOTAJ, SHIJAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, të nenit 20, të vendimit nr.646, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe zhvilluesit “VERTIGO”, sh.p.k., për ndërtimin, administrimin dhe monitorimin e funksionimit të zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Xhafzotaj, Shijak, sipas tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe shoqëria “Vertigo”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E INSTITUCIONEVE PËRGJEGJËSE, TË PROCEDURAVE TË MIRATIMIT DHE TË DOKUMENTACIONIT QË DUHET TË PLOTËSOJNË FAMILJET QË PËRFITOJNË KREDI ME INTERES TË BARABARTË ME 0%, TË SUBVENCIONUAR NGA BUXHETI I SHTETIT, NËPËRMJET ENTIT KOMBËTAR TË BANESAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 47/1, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e institucioneve përgjegjëse, të procedurave të miratimit dhe të dokumentacionit që duhet të plotësojnë:
a) familjet që banojnë si qiramarrës në ish-pronë private, sipas aktit normativ nr.3, datë 1.8.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, të miratuar me ligjin nr.82/2012;
b) familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë;
c) fëmijët në përkujdesje të Republikës.
2. Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet e parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, për banesa me kosto të ulët, është me 0 (zero) % interes.
3. Aplikimi për përfitimin e kredisë me interes 0% kryhet nga kryefamiljari/kujdestari ligjor në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit.
3/1. Familjet qiramarrëse në ish-pronë private, përveç dokumentacionit të parashikuar në pikën 3, të këtij vendimi, ngarkojnë edhe dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Autorizimin ose dokumentin e lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv i lagjes/Këshilli Popullor i lagjes, nëse disponon;
b) Certifikatën apo vërtetimin e pronësisë në favor të pronarit ose vendimin e gjykatës, në të cilin vërtetohet se prona i është kthyer pronarit të ligjshëm dhe qytetari është i pastrehë;
c) Vërtetimin negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përkatëse, që, në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare, të datës 1.12.1992, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi;
ç) Vërtetimin nga organet tatimore se asnjë anëtar i familjes, që përfiton kredi të lehtësuar, nuk është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, si biznes i madh;
d) Certifikatën e gjendjes familjare të datës 1 dhjetor 1992.
3/2. Me kërkesë të Entit Kombëtar të Banesave, Ministria e Brendshme i përcjell EKB-së dokumentacionin që vërteton statusin e familjes aplikuese si familje e punonjësit të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.
3/3. Për fëmijët në përkujdesje të Republikës, përveç dokumentacionit të parashikuar në pikën 3, të këtij vendimi, kërkuesit ngarkojnë edhe dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Certifikatën personale të fëmijës me fotografi të tre muajve të fundit ose fotokopje të dokumentit të identifikimit;
b) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të familjarit, kujdestarit ose përfaqësuesit ligjor të fëmijës;
c) Prokurën e posaçme, në rastin kur kërkuesi është i ndryshëm nga përfaqësuesi ligjor i fëmijës.
4. Individët/familjet e miratuara për të përfituar kredi me interes 0 (zero) % qëndrojnë në listë pritjeje pa afat kohor të caktuar.
5. Lista e familjeve, që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 (zero) %, miratohet me vendim të komisionit ad hoc të kredisë, të ngritur pranë EKB-së. Komisioni ad-hoc ngrihet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e kërkesave. Komisioni shqyrton kërkesën brenda 10 (dhjetë) ditëve nga ngritja e tij. Ndaj vendimit të refuzimit të komisionit, kërkuesit paraqesin ankim administrativ pranë EKB-së brenda 5 (pesë) ditëve nga njoftimi i vendimit, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
6. Listat e përfituesve përfshijnë të dhëna për përbërjen e familjes, sipas certifikatës familjare, strukturën e apartamentit që përfiton, si edhe të dhëna mbi gjendjen:
a) e strehimit;
b) familjare;
c) sociale.
7. Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë zbatohet nga institucionet financiare me të cilat ministria përgjegjëse për strehimin ka lidhur marrëveshje. Në rastet kur kryefamiljari, emri i të cilit i është përcjellë institucionit financiar, në rastin e familjeve qiramarrëse në ish-pronë private, ka ndërruar jetë, institucioni financiar vijon me procedurat e përfitimit të kredisë, duke pasur parasysh certifikatën familjare të datës 1 dhjetor 1992, të vënë në dispozicion nga EKB-ja.
8. Listat e familjeve përfituese të programit të subvencionimit të interesave të kredisë me 0 interes i dërgohen institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja, si dhe çdo institucioni që do të monitorojë subvencionimin.
9. Enti Kombëtar i Banesave, në rolin e institucionit që zbaton programin, njofton institucionin financiar për ndërprerjen e subvencionimit të interesave të kredisë kur, nga verifikimet konstatohen:
a) se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar;
b) falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme;
c) mangësi apo të meta në dokumentacionin e dosjes së familjes përfituese.
10. Shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 18, pika 26/1, shkronjat “a”, “b”, dhe “c”, të pikës 28/1, dhe shkronja “a”, e pikës 36, të vendimit nr.453, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti me përzgjedhjen e institucionit financiar që do të kreditojë familjet”, të ndryshuar, shfuqizohet.
11. Ngarkohen Enti Kombëtar i Banesave, ministria përgjegjëse për strehimin, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme dhe institucionet financiare me të cilat janë nënshkruar marrëveshje për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TARIFAVE TË PËRDORIMIT TË KULLOTAVE DHE LIVADHEVE PËR KULLOTJE OSE KOSITJE, PËR VEPRIMTARI SHOQËRORE, SHËNDETËSORE, SPORTIVE E TURISTIKE DHE PËR PRODHIMIN E ENERGJISË SË RINOVUESHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 15, dhe të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozim e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e tarifave të përdorimit të kullotave dhe livadheve për kullotjen e bagëtive ose për kositje të barit dhe për veprimtari shoqërore, shëndetësore, sportive e turistike, si dhe për prodhimin e energjisë së rinovueshme, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Tarifat për dhënien në përdorim të kullotave e livadheve për kullotjen e bagëtive ose për kositjen e barit janë sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Tarifat për dhënien në përdorim të kullotave dhe livadheve për veprimtari shoqërore, shëndetësore, sportive e turistike janë sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Tarifat për dhënien në përdorim të kullotave dhe livadheve për prodhimin e energjisë së rinovueshme janë sipas shtojcës nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
6. Vendimi nr.632, datë 11.6.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave të përdorimit të kullotave dhe livadheve për kullotje dhe kositje”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË ZNJ. REIDA KASHTA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.15, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2025”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të znj. Reida Kashta, në masën 2 300 000 (dy milionë e treqind mijë) lekë.
2. Ky fond përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.91, DATË 12.2.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE PRIORITARE 2026-2028”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 5, të vendimit nr.887, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Aneksi 1, i përmendur në kreun V, “Lista Unike e Projekteve me Rëndësi Kombëtare”, të Dokumentit të Politikave Prioritare 2026-2028, bashkëlidhur vendimit nr.91, datë 12.2.2025, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me aneksin, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, si dhe të gjitha institucionet e tjera të administratës shtetërore, që janë pjesë e procesit të buxhetimit, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.294, DATË, 28.5.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PARAQITJES, FORMËS DHE SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË GRADAVE, SIMBOLEVE, UNIFORMAVE DHE SHENJAVE DALLUESE, DOKUMENTIT DHE MEDALJONIT ZYRTAR TË IDENTITETIT TË POLICISË SË SHTETIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 67 e 135, pikat 2 e 4, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Albumi për paraqitjen, formën dhe specifikimet teknike të gradave, simboleve, uniformave dhe shenjave dalluese, dokumentit dhe medaljonit zyrtar të identitetit të Policisë së Shtetit, bashkëlidhur vendimit nr.294, datë 28.5.2025, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me albumin me të njëjtin titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.329, DATË 18.4.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E TARIFËS SË BILETAVE TË CIRKUT KOMBËTAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Aneksi nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.329, datë 18.4.2013, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me aneksin me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Cirku Kombëtar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit, bashkëlidhur vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, përmasat e pronave me numrat rendorë 580, me emërtimin “Ish-pularia, reparti ushtarak nr.1015”, dhe 1137, me emërtimin “Heliodromi i repartit ushtarak nr.3340”, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët, gjithsej, 2 (dy) fletë inventari, dhe planrilevimet, gjithsej, 2 (dy), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.16, DATË 9.1.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PLANIN VJETOR TË PRANIMIT PËR VITIN 2025 NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.16, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për planin vjetor të pranimit për vitin 2025 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në paragrafin e parë, togfjalëshi “ … gjithsej 1186 … ” zëvendësohet me “ … gjithsej, 1196 … ”;
b) Në shkronjën “a”, numri “5” bëhet “15”.
2. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.142, DATË 12.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRSHKRIMIN DHE KLASIFIKIMIN E POZICIONEVE TË PUNËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE DHE INSTITUCIONET E PAVARURA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 18, të kreut IV, të vendimit nr.142, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura”, të ndryshuar, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave apo nëpunësi i caktuar prej tij për Kryeministrinë dhe institucionet në varësi të Kryeministrit;
…
c) Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë apo nëpunësi i caktuar prej tij për ministrinë dhe institucionet në varësi të ministrit;”.
2. Ngarkohen Kryeministria, ministritë e linjës dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.329, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV FIBËR – ELBASAN””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.329, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kV, Fibër – Elbasan”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “ullishte”, “truall”, “ndërtesë” dhe “ndërtesë social-ekonomike”, me një vlerë të përgjithshme prej 11 936 884 (njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e katër) lekësh.”.
b) Në pikën 4, vlera prej “… 558 086 (pesëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e tetëdhjetë e gjashtë) lekësh” zëvendësohet me vlerën prej “… 11 936 884 (njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e katër) lekësh”;
c) Në pikat 10 dhe 11, fjalët “… në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a., …” zëvendësohen me “… në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Operatorin e Sistemit të Transmetimit. sh.a., …”.
2. Në tabelën, që i bashkëlidhet vendimit nr.329, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Të dhënat e pasurisë, me numër rendor 24, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Pas numrit rendor 35 shtohen pasuritë me numrat rendorë 36 deri në 45, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Operator i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.607, DATË 31.8.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, PËRBËRJEN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË KËRKIMIT SHKENCOR DHE INOVACIONIT (AKKSHI)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të neneve 12 e 13, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.607, datë 31.8.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI)”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “b”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Shpërndarjen e fondeve për programet e kërkimit shkencor, mbi bazën e projekteve të paraqitura nga institucionet e arsimit të lartë, institucionet publike e jopublike dhe punonjësit kërkimorë-shkencorë, që kanë për objekt të veprimtarisë kërkimin shkencor në fushat e shkencave natyrore, inxhinierike dhe teknologjike, mjekësore, bujqësore, sociale e humane.”.
b) Pas shkronjës “e”, të pikës 4, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) shpërndarjen e fondeve, bazuar në kriteret e miratuara nga bordi i administrimit, sipas marrëveshjeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, vendase dhe të huaja, në kuadër të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.”.
c) Paragrafi i parë dhe shkronja “a”, të pikës 8 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“8. Bordi i administrimit është organ kolegjial vendimmarrës, që kryesohet nga ministri përgjegjës për shkencën dhe kërkimin shkencor ose zëvendësministri i autorizuar prej tij dhe ka në përbërje:
a) ministrin përgjegjës për inovacionin;”.
2. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.699, DATË 5.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS VLORË (SHTESA)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.699, datë 5.10.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-pass Vlorë (shtesa)””, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 3 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fjalinë e parë, togfjalëshi “… prej 260 289 121 (dyqind e gjashtëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e një) lekësh …” zëvendësohet me “… prej 260 811 171 (dyqind e gjashtëdhjetë milionë e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e një) lekësh …”;
b) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Truall, me sipërfaqe 22 820 (njëzet e dy mijë e tetëqind e njëzet) m2, me vlerë 234 650 228 (dyqind e tridhjetë e katër milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë e dyqind e njëzet e tetë) lekë;”.
2. Në pikën 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fjalinë e parë, togfjalëshi “… në shumën 260 289 121 (dyqind e gjashtëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e një) lekë …” zëvendësohet me “… në shumën 260 811 171 (dyqind e gjashtëdhjetë milionë e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e një) lekë …”;
b) Në nënparagrafin e parë, vlera “- 240 155 150 (dyqind e dyzet milionë e njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e njëqind e pesëdhjetë) lekë …” zëvendësohet me “- 240 677 200 (dyqind e dyzet milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e dyqind) lekë …”.
3. Në tabelën bashkëlidhur vendimit shtohet pasuria, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
III.Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E ORGANIZATAVE SINDIKALE DHE TË PUNËDHËNËSVE NË KËSHILLIN KOMBËTAR TË PUNËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 200, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Organizatat e punëdhënësve dhe organizatat sindikale, anëtare të Këshillit Kombëtar të Punës, janë, si më poshtë vijon:
A. Për organizatat e punëdhënësve:
a) Bashkimi i Bizneseve Shqiptare (BIZNES ALBANIA): 1 anëtar, 1 kandidat;
b) Shoqata Shqiptare e Bankave (SHSHB): 1 anëtar, 1 kandidat;
c) Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë (SHNSH): 1 anëtar, 1 kandidat;
ç) Shoqata Shqiptare e Turizmit (SHSHT): 1 anëtar, 1 kandidat;
d) Byroja Shqiptare e Sigurimeve (BSHS): 1 anëtar, 1 kandidat;
dh) Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH): 1 anëtar, 1 kandidat;
e) Bashkimi i Investitorëve dhe Industrialistëve Shqiptarë (BI&ISH): 1 anëtar, 1 kandidat;
ë) Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” (SHBPSH): 1 anëtar, 1 kandidat;
f) Shoqata Proexport Albania (SHPA): 1 anëtar,1 kandidat;
g) Shoqata e Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave (SHBPB): 1 anëtar, 1 kandidat.
B. Për organizatat sindikale:
a) Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH): 1 anëtar,1 kandidat;
b) Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH): 1 anëtar, 1 kandidat;
c) Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë (SPMSH): 1 anëtar, 1 kandidat;
ç) Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Ndërtimit dhe Shërbimeve Publike të Shqipërisë (SPPNSHPSH): 1 anëtar,1 kandidat;
d) Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH): 1 anëtar, 1 kandidat;
dh) Federata e Sindikatave të Punonjësve të Shëndetësisë së Shqipërisë (FSPSHSH): 1 anëtar, 1 kandidat;
e) Federata e Sindikatave të Administratës Publike dhe Shërbimit Civil të Shqipërisë (FSAPSHCSH): 1 anëtar, 1 kandidat;
ë) Federata e Sindikatave të Punonjësve të Transportit dhe Telekomunikaciont të Shqipërisë (FSPTTSH): 1 anëtar, 1 kandidat;
f) Sindikata e Punonjësve të Postë – Telekomit Shqiptar (SPPTSH): 1 anëtar, 1 kandidat;
g) Sindikata Autonome e Ushqimit, Agrikulturës, Tregtisë dhe Turizmit të Shqipërisë (SAUATT): 1 anëtar, 1 kandidat.
2. Emërimi i anëtarëve dhe i kandidatëve të Këshillit Kombëtar të Punës bëhet nga ministri përgjegjës për punën, sipas propozimeve të organizatave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Vendimi nr.356, datë 26.5.2022, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e organizatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve në Këshillin Kombëtar të Punës”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME “ANSAMBËL ARKITEKTONIK URBAN” TË NJË ZONE NË QYTETIN E KONISPOLIT, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË TIJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” e “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të nënndarjes “ii”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, të pikës 3, të nenit 62, dhe të pikës 1, të nenit 96, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Ansambël arkitektonik urban” të një zone në qytetin e Konispolit, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Përcaktimin e zonës mbrojtëse të “Ansamblit arkitektonik urban” të një zone në qytetin e Konispolit, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave të “Ansamblit arkitektonik urban” të një zone të qytetit të Konispolit dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe me aktet nënligjore në fuqi.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Konispol për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA BASHKIA TIRANË TE MINISTRIA E EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT, TË PASURISË ME NUMËR 7/74, NË ZONËN KADASTRALE 8160, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.834, DATË 13.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pasurisë me numër 7/74, në zonën kadastrale 8160, Tiranë, sipas planit të rilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i hiqet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së pjesshme të inventarit (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore në Bashkinë Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL DHE PËR PËRDORIMIN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND, PËR VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 27, pika 5, dhe 29, pika 1, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe në vijim të pikave 2, 3 e 4, të kreut V, të vendimit nr.118, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e emërimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përjashtimisht, për vitin 2025, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND është e hapur edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND.
2. Për vitin 2025, pranimi në TND bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet një konkursi kombëtar.
3. Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 15 (pesëmbëdhjetë).
4. Kriteret minimale të pranimit për këtë procedurë për kandidatët nga jashtë shërbimit civil janë, si më poshtë vijon:
a) Të plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil, të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh”, të nenit 21, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar;
b) Të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike”, ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë të njohura paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njësimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi;
c) Të kenë të paktën 3 (tre) vjet përvojë punë në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlershme në:
i. institucione të administratës publike;
ii. institucione bankare të nivelit të dytë e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
iii. shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
iv. organizata jofitimprurëse, të cilat kanë të paktën 5 (pesë) vjet që janë krijuar.
ç) Të mos kenë procese gjyqësore, civile, penale, administrative, të cilat janë në proces, si edhe të mos jenë në ndjekje penale nga prokuroria;
d) Të mos kenë masë disiplinore në fuqi, që nuk janë shuar sipas legjislacionit përkatës.
5. Përjashtimisht, për kandidatët nga jashtë shërbimit civil, të cilët kanë punuar dhe/ose punojnë:
a) në institucione ndërkombëtare brenda vendit;
b) në profesione jashtë vendit;
c) pedagogë në institucione të arsimit të lartë;
ç) avokatë, noterë apo kontabilistë, të miratuar brenda ose jashtë vendit,
kriteri i përvojës në punë të jetë të paktën 5 (pesë) vjet në këto institucione ose në profesion.
6. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT VJETOR PËR NDIHMAT SHTETËRORE TË VITIT 2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e raportit vjetor për ndihmat shtetërore të vitit 2024, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZBATIMIT TË PUNIMEVE TË NDËRTIMIT DHE TË RREGULLAVE TË KANTIERIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores së zbatimit të punimeve të ndërtimit dhe të rregullave të kantierit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Rregullat e detajuara për mënyrën e bashkëpunimit dhe detyrimet e zhvilluesit, drejtuesit teknik, zbatuesit të punimeve dhe mbikëqyrësit përcaktohen me udhëzim të Këshillit të Ministrave.
3. Udhëzimi nr.2, datë 13.5.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen ministria përgjegjëse për zhvillimin e territorit, autoritetet përgjegjëse të inspektimit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 10 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I SHKOLLËS SË MESME “RAMIZ ARANITASI”, ÇOROVODË, SI DHE RUAJTJES SË PERIMETRIT TË SIGURISË NË SHKOLLA”, BASHKIA SKRAPAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i shkollës së mesme “Ramiz Aranitasi”, Çorovodë, si dhe ruajtjes së perimetrit të sigurisë në shkolla”, Bashkia Skrapar.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 105 974 (një milion e njëqind e pesë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 105 974 (një milion e njëqind e pesë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh, përballohet nga Bashkia Skrapar.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Skrapar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Skrapar.
8. Bashkia Skrapar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Skrapar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Skrapar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Skrapar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Skrapar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Skrapar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Skrapar, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS KTHESA E PASHALLISË-KONIZBALTË DERI NË KONIZBALTË”, BASHKIA DIMAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës kthesa e Pashallisë-Konizbaltë deri në Konizbaltë”, Bashkia Dimal.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Dimal.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 489 372.10 (katërqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy pikë dhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 489 372.10 (katërqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy pikë dhjetë) lekësh, përballohet nga Bashkia Dimal.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Dimal.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Dimal.
8. Bashkia Dimal kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Dimal.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Dimal për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Dimal, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I SEGMENTIT RRUGOR DALJE ELBASAN-PËRRENJAS-QAFËTHANË (FAZA IV)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i segmentit rrugor dalje Elbasan – Përrenjas – Qafëthanë (faza IV)”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë”, “apartament”, bodrum” dhe “njësi”, me një vlerë të përgjithshme prej 377 526 994.3 (treqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e njëzet e gjashtë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e katër pikë tre) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 377 526 994.3 (treqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e njëzet e gjashtë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e katër pikë tre) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri, objekt shpronësimi, duhet të kërkohet dokumentacion pronësie, i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Librazhd, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Librazhd, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR ZBATIMIN E PROJEKTIT TË PORTIT TË RI TREGTAR TË INTEGRUAR TË DURRËSIT NË PORTO ROMANO”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për zbatimin e projektit të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Portual Durrës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “pyll”, “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 815 696 300.40 (tetëqind e pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind pikë dyzet) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 815 696 300.40 (tetëqind e pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind pikë dyzet) lekësh, përballohet nga Autoriteti Portual Durrës.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Portual Durrës.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Portual Durrës.
8. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohen me anë të këtij vendimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi, si dhe në rast se prona është në proces gjyqësor, masa e shpërblimit ose e kompensimit do t’i vendoset në dispozicion personit që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës.
9. Autoriteti Portual Durrës kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Portual Durrës.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Portual Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Autoritetit Portual Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Portual Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE DHE SHTESAVE TË TJERA MBI PAGË TË ZËVENDËSMINISTRIT, FUNKSIONARËVE TË KABINETEVE, PREFEKTIT, NËNPREFEKTIT, NËPUNËSVE CIVILË DHE NËPUNËSVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 9, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në shkronjën “c”, të pikës 1, të kreut I, emërtimi “Inspektorati Qendror” zëvendësohet me “Inspektorati i Përgjithshëm”;
b) Në pikën 8/1, të kreut III, fjalët “ … në Inspektoratin Qendror … ” zëvendësohen me “ … në Inspektoratin e Përgjithshëm … ”;
c) Në lidhjen nr.9/1:
i. fjalët “ … në Inspektoratin Qendror … ” zëvendësohen me “ … në Inspektoratin e Përgjithshëm … ”;
ii. fjalët “ … Drejtor i drejtorive të përmbajtjes.” zëvendësohen me “ … Zëvendësinspektor i Përgjithshëm. Drejtor i drejtorive të përmbajtjes.”;
iii. fjalët “ … Specialist një njësitë e përmbajtjes.” zëvendësohen me “ … Inspektor/Specialist një njësitë e përmbajtjes.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2025, përballohen nga buxheti i miratuar për Inspektoratin e Përgjithshëm për këtë vit dhe fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.389, DATË 13.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS DHE TË TARIFAVE TË SHËRBIMEVE KADASTRALE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 63, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.389, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në kreun I bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. Për rastet e regjistrimit në regjistrin kadastral të pasurive të paluajtshme të institucioneve shtetërore dhe organeve të vetëqeverisjes vendore, që kanë në përgjegjësi administrimi/pronësi pasuri të paluajtshme, Agjencia Shtetërore e Kadastrës aplikon tarifë të reduktuar, në masën 100 (njëqind) lekë.”.
b) Pas shkronjës “ë”, të pikës 9, shtohen shkronjat “f”, “g”, “gj”, “h”, “i” dhe “j”, me këtë përmbajtje:
“f) Agjencia e Zhvillimit të Territorit”;
g) Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve;
gj) Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural”;
h) Korporata e Investimeve Shqiptare dhe SPV-të e krijuara me kapital të Korporatës apo me kapital të përbashkët me kontributet e një partneri publik;
i) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe drejtoritë rajonale të ngarkuara për administrimin e tatimeve, taksave dhe kontributeve në nivel kombëtar;
j) Institucionet shtetërore dhe organet e vetëqeverisjes vendore që kanë në përgjegjësi administrimi/pronësi pasuri të paluajtshme.”.
c) Numërtimi i pikave 9.1 dhe 9.2 zëvendësohet me numërtimin 9/1 dhe 9/2;
ç) Pas pikës 9/1 shtohen pikat 9/1/a dhe 9/1/b, me këtë përmbajtje:
“9/1/a. Për Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, shërbimet kadastrale, për të cilat nuk parapaguhet, janë edhe ato me numrat rendorë 66 dhe 66/1, sipas aneksit nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
9/1/b. Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtoritë rajonale të ngarkuara për administrimin e tatimeve, taksave dhe kontributeve në nivel kombëtar, shërbimet kadastrale, për të cilat nuk parapaguhet, janë edhe ato me numrat rendorë 22 dhe 23, sipas aneksit nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
d) Pika 9.2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9/2. Ato duhet t’i shlyejnë drejtorisë vendore të ASHK-së çdo muaj shumën e tarifave të shërbimeve kadastrale të ofruara në favor të muajit paraardhës. Përjashtimisht, institucionet e përcaktuara në shkronjën “j”, të pikës 9, të kreut I, të këtij vendimi, shlyejnë shumën e tarifave çdo 6 (gjashtë) muaj. Në rast mosshlyerjeje të detyrimit të plotë brenda dy javëve nga përfundimi i afatit, drejtoria vendore e ASHK-së ndërpret ofrimin e shërbimeve ndaj institucionit deri në pagimin e tij.”.
2. Në kreun II bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:
“11/1 Aktet e fitimit, njohjes apo ndryshimit të së drejtës së pronësisë, të parashikuara në nenin 24, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, duhet të pasqyrohen në seksionin përkatës së kartelës së pasurisë (B1:Të dhënat e regjistrimit paraprak), nëpërmjet shërbimit sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ky shërbim nuk i nënshtrohet tarifimit sipas dispozitave të këtij vendimi. Tarifa për këtë shërbim përfshihet në tarifën e regjistrimit përfundimtar të aktit.”.
b) Në pikën 12 bëhen këto ndryshime:
i. Fjalët “… administrata tatimore …” zëvendësohen me “… njësitë tatimore të qeverisjes vendore …”;
ii. Fjalët “… administratës tatimore …” zëvendësohen me “… njësive tatimore të qeverisjes vendore …”.”.
3. Në aneksin 1, bashkëlidhur vendimit në fuqi, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Të dhënat mbi shërbimin nr.59 zëvendësohen me të dhënat e shërbimit nr.59, sipas tabelës në aneksin 1/2, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Shtohet shërbimi me nr.67, sipas tabelës në aneksin 1/2, bashkëlidhur këtij vendimi;
c) Të dhënat e shërbimeve me nr.5, nr.6, nr.7, nr.8, nr.9, nr.10, nr.11, nr.13, nr.17, nr.17/1, nr.17/2, nr.19, nr.21, nr.23, nr.25, nr.26, nr.27, nr.32, nr.35, nr.42, nr.43, nr.48, nr.49, nr.51, nr.52, nr.53, nr.54, nr.60, nr.62 zëvendësohen me të dhënat sipas shërbimeve në tabelën e aneksit 1/4, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Pas aneksit 1, bashkëlidhur vendimit në fuqi, shtohet aneksi 2, sipas aneksit me të njëjtin numër, bashkëlidhur këtij vendimi.
III.Institucionet publike dhe shoqëritë aksionare me kapital shtetëror në likuidim, me përjashtim të rasteve të regjistrimit të pasurive në regjistrin kadastral, për shërbimet e tjera kadastrale tarifohen sa 1/10 e vlerës së përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet vendimit nr.389, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dhe është pjesë përbërëse e tij. Ato detyrohen të parashikojnë në projektbuxhetin e tyre shpenzimet e nevojshme për shlyerjen e tarifave të shërbimeve kadastrale. Për shërbimet kadastrale që ofrohen në funksion të shpronësimeve për interes publik, organi qendror, vendor apo subjekti privat, përfitues i shpronësimit, detyrohet të parashikojë shumën e tarifave të shërbimeve kadastrale, si pjesë të shpenzimeve procedurale të tij. Këto tarifa do të jenë të aplikueshme për një periudhë njëvjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Pas kalimit të këtij afati, institucionet publike do të paguajnë tarifat standarde për shërbime kadastrale sipas këtij vendimi.
IV. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.428, DATË 26.6.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E TARIFAVE DHE TË MËNYRËS SË PËRDORIMIT TË TYRE PËR SHËRBIMET QË KRYHEN NGA SEKRETARIATI TEKNIK I KËSHILLIT KOMBËTAR TË TERRITORIT DHE UJIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 46/1, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në kreun I, “Shërbimet dhe tarifat”, të vendimit nr.428, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave dhe të mënyrës së përdorimit të tyre për shërbimet që kryhen nga sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 3, pas shkronjës “ë” shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) ndryshimi/rishikimi i lejes së zhvillimit.”.
2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për leje zhvillimi dhe tarifa për shqyrtimin e kërkesave për ndryshimin/rishikimin e lejeve të zhvillimit do të llogaritet në bazë të sipërfaqes bazë së pronave që do të zhvillohen dhe niveli i tarifës do të llogaritet:
a) për projektet me sipërfaqe të përgjithshme prone deri në 100 ha, tarifa është në vlerën 100 (njëqind) lekë për m2;
b) për projektet me sipërfaqe të përgjithshme prone mbi 100 ha, tarifa është në vlerën 100 (njëqind) lekë për m2, por jo më shumë se 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekë në total.”.
3. Pas pikës 4 shtohen pikat 4/1 dhe 4/2, me këtë përmbajtje:
“4/1. Nga përcaktimet e bëra në pikën 4, përjashtohen aplikimet për leje zhvillimi për centralet gjeneruese të energjisë, tarifa për shqyrtimin e të cilave do të llogaritet sipas përcaktimeve, si më poshtë vijon:
a) Për centralet deri në 2 MW, tarifa fikse në vlerën 1 000 000 (një milion) lekë;
b) Për centralet mbi 2 MW deri në 10 MW, tarifa fikse në vlerën 3 000 000 (tre milionë) lekë;
c) Për centralet mbi 10 MW deri në 50 MW, tarifa fikse në vlerën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë;
ç) Për centralet mbi 50 MW deri në 100 MW, tarifa fikse në vlerën 20 000 000 (njëzet milionë) lekë;
d) Për centralet mbi 100 MW, tarifa fikse në vlerën 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë.
4/2. Pagesa e tarifës për shqyrtimin e kërkesave për leje zhvillimi dhe tarifa për shqyrtimin e kërkesave për ndryshimin/rishikimin e lejeve të zhvillimit, sipas parashikimeve të pikës 4, të këtij kreu, kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.”.
4. Pikat 5 dhe 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“5. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi është në vlerën 1% të vlerës së investimit të deklaruar në sistemin e-Leje. Vlera e investimit llogaritet sipas preventivit të investimit, të hartuar dhe të deklaruar nga inxhinieri preventivues, sipas legjislacionit në fuqi. Preventivi i investimit dhe deklarata e inxhinierit preventivues, me anë të së cilës deklaron nën përgjegjësinë e tij të plotë civile dhe penale se preventivi është hartuar në përputhje me rregullat dhe manualet në fuqi, ngarkohen nga kërkuesi në sistemin e-Leje. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës së arkëtimit nga AZHT-ja.
6. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për ndryshimin e subjektit zhvillues është në vlerën 1% të vlerës së investimit të deklaruar në sistemin e-Leje. Vlera e investimit llogaritet sipas preventivit të investimit, të hartuar dhe të deklaruar nga inxhinieri preventivues, sipas legjislacionit në fuqi. Preventivi i investimit dhe deklarata e inxhinierit preventivues, me anë të së cilës deklaron nën përgjegjësinë e tij të plotë civile dhe penale se preventivi është hartuar në përputhje me rregullat dhe manualet në fuqi, ngarkohen nga kërkuesi në sistemin e-Leje. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.”.
5. Në pikën 8, fjalët “…, si dhe për lëshimin e certifikatave të përdorimit …” dhe fjalia e fundit hiqen.
6. Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:
“8/1. Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për lëshimin e certifikatave të përdorimit është në vlerën 1% e diferencës midis vlerës së situacionit përfundimtar të punimeve me preventivin fillestar të investimit, të deklaruar në sistemin e-Leje në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit. Pagesa për lëshimin e certifikatave të përdorimit kryhet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.”.
7. Në pikën 11, pas fjalëve “… apo të objekteve publike …” shtohen “… si dhe objektet me destinacion publik që ndërtohen në bazë të partneriteteve publike private …”.
II. Dispozitë kalimtare
Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, merr të gjitha masat, që, brenda muajit mars 2026, të kryhet lëshimi i faturave brenda sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit. Deri në krijimin e modaliteteve përkatëse, brenda sistemit e-Leje, AZHT-ja mund të kryejë lëshimin e faturave dhe autorizimeve për kryerjen e pagesave, sipas tarifave të përcaktuara në këtë vendim, jashtë sistemit e-Leje.
III. Ngarkohet Agjencia e Zhvillimit të Territorit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË REFORMËS NË ADMINISTRATËN PUBLIKE 2025–2030, PLANIT TË VEPRIMIT 2025-2027 DHE PASAPORTËS SË TREGUESVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2025–2030, planit të veprimit 2025-2027 dhe pasaportës së treguesve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Departamenti i Administratës Publike, ministritë e linjës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të përcaktuara në strategji, në planin e veprimit, si dhe në pasaportën e treguesve, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR ZHVILLIMIN E TURIZMIT 2025–2030 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2025–2030 dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe të gjitha ministritë e institucionet përgjegjëse, të përmendura në tekstin e kësaj strategjie, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN FINANCIAR DHE EKONOMIK TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË CAKTUAR NË DETYRË SI OFICERË NDËRLIDHËS JASHTË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 130, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministria e Brendshme, brenda fondeve buxhetore vjetore, të miratuara për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përballon shpenzimet e oficerit ndërlidhës dhe familjarëve, që i shoqërojnë ata gjatë kohës që shërbejnë në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit.
2. Për efekt të këtij vendimi, familjarë të oficerit ndërlidhës janë bashkëshorti/ja, fëmijët nën moshën 18 vjeç, si dhe persona të tretë, në kujdestari që shoqërojnë oficerin ndërlidhës, që shërben në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit.
3. Trajtimi financiar i oficerëve ndërlidhës, gjatë kohës që shërbejnë në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit, përfshin, si më poshtë vijon:
a) Shpenzimet publicitare në interes të Policisë së Shtetit;
b) Udhëtimet dhe dietat jashtë vendit pritës, kur këto kryhen në interes të Policisë së Shtetit;
c) Udhëtimet dhe dieta, brenda vendit pritës;
ç) Shpenzimet për përmbushjen e detyrimeve protokollare për pritjen e partnerëve zyrtarë, ceremonitë zyrtare të karakterit policor dhe pritje të personelit policor të nivelit të lartë në vendin pritës;
d) Shpenzimet për mbështetjen e veprimtarive, veçanërisht të rëndësishme, të studentëve të policisë shqiptare në vendet përkatëse;
dh) Uniformën;
e) Qiranë e apartamentit, mirëmbajtjen e tij dhe të ambienteve të përbashkëta për ngrohje, gaz, energji elektrike dhe ujë, pajisje shtëpiake;
ë) Siguracion, mirëmbajtje, riparim defekti dhe shërbimi karrotrec, karburant, parkim, regjistrim dhe kontrollet periodike në vendin pritës të automjetit;
f) Komisionet bankare;
g) Internetin dhe telefoninë fikse e të lëvizshme;
gj) Shpenzimet për zyrë, mobilje e pajisje zyre dhe kancelari;
h) Transportin e oficerit ndërlidhës dhe familjarëve të tij nga Shqipëria në kohën e emërimit, si dhe shpenzimet e transportit nga vendi i emërimit për në Shqipëri, kur ata mbarojnë detyrën;
i) Transportin e sendeve personale në momentin e emërimit dhe kthimit në atdhe. Transporti i sendeve dhe orendive personale bëhet me miratimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në masën 7,4 m3 për anëtar familjeje, pa kaluar limitin e 30 m3 për çdo familje. Prokurimi i fondeve për mbulimin e këtyre shpenzimeve i nënshtrohet legjislacionit në fuqi;
j) Sigurimin e jetës së oficerit ndërlidhës, që shërben në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit dhe të familjarëve të tyre, në rastet kur vendi pritës konsiderohet vend me rrezikshmëri të lartë. Sigurimi i jetës do të paguhet për sa kohë vazhdon situata e rrezikshmërisë së lartë. Prokurimi i fondeve për mbulimin e këtyre shpenzimeve i nënshtrohet legjislacionit në fuqi. Rrezikshmëri e lartë, për efekt sigurimi, sipas këtij vendimi, konsiderohen situatat, kur:
i. në shtetin pritës shpallet gjendja e luftës ose e jashtëzakonshme;
ii. në shtetin pritës mbizotërojnë situata të përkeqësuara të sigurisë dhe të rendit publik, të cilat vlerësohen të rrezikshme për jetën.
k) Sigurimin e shëndetit gjatë udhëtimit.
4. Trajtimi financiar i familjarëve të oficerit ndërlidhës gjatë kohës që shërbejnë në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit përfshin, si më poshtë vijon:
a) Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të bashkëshortit/es për periudhën që shoqëron oficerin ndërlidhës, që shërben në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit. Masa e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortin/en llogaritet, përkatësisht, si më poshtë vijon:
i. Për bashkëshortin/en, i cili/e cila, ka qenë në marrëdhënie pune përpara emërimit të oficerit ndërlidhës jashtë vendit, e barasvlershme me masën që është paguar në momentin e shkëputjes së marrëdhënieve të punës;
ii. Për bashkëshortin/en, i cili/e cila nuk ka qenë në marrëdhënie pune përpara emërimit të oficerit ndërlidhës jashtë vendit, në masën e pagës minimale të sigurueshme në Republikën e Shqipërisë.
b) Në rast se bashkëshorti/ja punësohet me kohë të pjesshme në misionet diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë ose në organizatat ndërkombëtare të vendit pritës, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore paguhen në masën që është paguar në momentin e shkëputjes së marrëdhënieve të punës ose në rastin kur nuk ka qenë në marrëdhënie punë para emërimit të oficerit ndërlidhës jashtë vendit, në masën e pagës minimale të sigurueshme në Republikën e Shqipërisë;
c) Pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortët e oficerëve ndërlidhës i nënshtrohet rishikimit në të njëjtën formë, siç rishikohet pagesa e kontributit për sigurimet shoqërore e shëndetësore të detyrueshme në Republikën e Shqipërisë;
ç) Në rast se bashkëshorti/ja që shoqëron oficerin ndërlidhës punësohet në shtetin pritës, oficeri ndërlidhës njofton titullarin për këtë punësim;
d) Për shkollimin e fëmijëve të oficerit ndërlidhës pagesa kryhet pas paraqitjes së dokumentacionit, si më poshtë vijon:
i. Vërtetim nga autoritetet e vendit pritës, që shkollat publike në këtë vend janë me pagesë;
ii. Vërtetim të masës së pagesës mujore/vjetore që duhet të paguhet për shkollimin e fëmijës, të lëshuar nga institucioni arsimor publik i vendit pritës ku do të studiojë fëmija;
iii. Për rastet kur në shtetin pritës, gjuha e shkollimit në shkollat publike nuk është anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja, spanjishtja, shkollimi i fëmijës të oficerit ndërlidhës mund të bëhet në shkolla private të licencuara dhe me miratimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit mbulohet tarifa për shkollimin për çdo fëmijë deri në masën 2 500 (dy mijë e pesëqind) euro në vit;
iv. Shpenzimet e pagesës së librave dhe transportit.
dh) Trajtim financiar mujor i bashkëshortit/es që shoqëron oficerin ndërlidhës, që shërben në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit, është në vlerën 50 (pesëdhjetë) për qind të pagës së pozicionit të punës të gradës “Atashe” të vendit të emërimit të oficerit ndërlidhës. Pagesa e trajtimit financiar mujor fillon pas vërtetimit të shoqërimit në detyrë të oficerit ndërlidhës nga bashkëshorti/ja në vendin pritës. Ky trajtim i nënshtrohet ndalesave të tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Shpërblimi derdhet në llogarinë e bashkëshortit/es në një nga bankat e vendit pritës, ku bashkëshorti/ja ka llogarinë personale. Trajtimi financiar mujor, sipas kësaj shkronje, nuk përfitohet ose ndërpritet, në rastet kur:
i. bashkëshorti/ja emërohet në një nga pozicionet e stafit teknik në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe organizatat ndërkombëtare jashtë vendit apo punësohet në një vend pune në vendin pritës. Për çdo rast tjetër punësimi me kohë të pjesshme vijon përfitimi i trajtimit financiar mujor, sipas kësaj shkronje;
ii. bashkëshorti/ja e oficerit ndërlidhës nuk e shoqëron atë në detyrë në vendin pritës;
iii. bashkëshorti/ja nuk shoqëron oficerin ndërlidhës për më shumë se tre muaj rresht në detyrë.
e) Trajtim financiar mujor për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç, që jeton me oficerin ndërlidhës, që shërben në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit, është në vlerën 20 (njëzet) për qind të pagës së gradës “Atashe” të vendit të emërimit të oficerit ndërlidhës. Ky trajtim financiar i nënshtrohet ndalesave të tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Pagesa në këtë rast derdhet në llogarinë ku derdhet trajtimi financiar i oficerit ndërlidhës. Kur fëmija mbush moshën 18 vjeç dhe vazhdon studimet shkollore/universitare, vlera e masës 20 (njëzet) për qind të pagës së gradës “Atashe” vijon të jepet deri në përfundim të studimeve të plota shkollore. Pas përfundimit të studimeve/shkollës, trajtimi financiar i fëmijës së oficerit ndërlidhës ndërpritet.
5. Për shpenzime, që janë të përshtatshme të kryhen në vendin pritës, oficeri ndërlidhës dërgon ofertat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila përzgjedh dhe miraton ofertën më të përshtatshme, në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin e prokurimit publik, të ndryshuar.
6. Kur oficeri ndërlidhës dërgohet me shërbim jashtë shtetit pritës ose kur vjen në atdhe, ndërkohë që në shtetin, ku kryen detyrën, ka lënë bashkëshorten dhe fëmijët, merr 100 për qind të trajtimit financiar, të dhënë për përkujdesje ndaj familjes së tij.
7. Kur oficeri ndërlidhës shtrohet për kurim në institucionet shëndetësore të shtetit, ku kryen detyrën ose në ndonjë shtet tjetër, ai vazhdon ta përfitojë pagesën përkatëse dhe trajtimin financiar, të dhënë për përkujdesjen ndaj familjes së tij.
8. Oficeri ndërlidhës dhe pjesëtarët e familjes, në ngarkim të tij, kanë të drejtë, që me miratimin e eprorit direkt dhe sipas rregullave të Policisë së Shtetit, për raste urgjencash, të mjekohen në vendin, ku oficeri kryen detyrën, kur, për këtë rast, nuk është parashikuar sigurimi shëndetësor. Shpenzimet përballohen nga buxheti i policisë së shtetit, ndërsa për rastet e tjera përballohen nga vetë oficeri ndërlidhës.
9. Në rastet e paaftësisë së përkohshme në punë të oficerit ndërlidhës, pagesa e tij bëhet sipas legjislacionit në fuqi.
10. Oficeri ndërlidhës gëzon të drejtën e pushimeve javore, të pushimeve në ditët e festave zyrtare dhe të pushimit vjetor të paguar, për kohën që është me detyrë jashtë shtetit, sipas dispozitave ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Brendshme mbulon shpenzimet e udhëtimit një herë në vit për oficerin ndërlidhës dhe familjen e tij për kryerjen e lejes së zakonshme në atdhe.
11. Me miratimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vetëm në rast fatkeqësie (vdekja e prindërve, bashkëshortit/es, fëmijës, vëllait dhe motrës), oficerit ndërlidhës dhe familjarëve shoqërues u paguhen nga shteti shpenzimet e udhëtimit për ardhjen në atdhe dhe kthimin në vendin e huaj.
12. Ministria e Brendshme, për oficerët ndërlidhës dhe familjarët që i shoqërojnë, përballon sigurimet shëndetësore, sipas legjislacionit të shtetit përkatës, ku ata kryejnë detyrën.
13. Oficeri ndërlidhës ka të drejtë të përfitojë shpenzime udhëtimi, akomodimi dhe dietë, në valutë të huaj, sipas legjislacionit në fuqi, kur emërohet në detyrë, thirret në atdhe ose dërgohet me shërbim në një shtet tjetër, si dhe kur kthehet në atdhe, në përfundim të detyrës.
14. Në rast humbjeje të jetës së oficerit ndërlidhës apo të pjesëtarit të familjes që e shoqëron në detyrë, shpenzimet për transportin e trupit në atdhe, si dhe ato të ceremonisë mortore përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.
15. Ministria e Brendshme, brenda fondeve buxhetore vjetore, të miratuara për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përballon efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi.
16. Vendimi nr.759, datë 8.7.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e shpenzimeve të punonjësve shqiptarë, që shërbejnë si oficerë kontakti pranë ministrive të brendshme të shteteve të ndryshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
17. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SHKODËR TË DISA PRONAVE DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.421, DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE (TË PJESSHME) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SHKODËR, TË QARKUT TË SHKODRËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Shkodër të pronave, me numrat rendorë 856-859, sipas shtojcës nr.1, formularëve, planeve të rilevimit dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pronat sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur vendimit, i shtohen lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet vendimit nr.421 datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare (të pjesshme) të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Shkodër, të Qarkut të Shkodrës”, të ndryshuar.
3. Në vendimin nr.421, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare (të pjesshme) të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Shkodër, të Qarkut të Shkodrës”, të ndryshuar, pika 1, paragrafi i dytë, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Lista me 198 (njëqind e nëntëdhjetë e tetë) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 859 (tetëqind e pesëdhjetë e nëntë).”.
4. Bashkisë Shkodër i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurive, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
5. Ngarkohen Bashkia Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PRONAVE SHTETËRORE PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “KORPUSI I INSPEKTORATEVE” DHE PROJEKTEVE TË TJERA TË INVESTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe në vijim të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D të pronave shtetërore, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për realizimin e projektit të investimit “Korpusi i inspektorateve” dhe projekteve të tjera të investimit.
2. Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronave, të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, sipas këtij vendimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i cili ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.
3. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucioneve publike përfituese, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entiteteve në pronësi të të cilit/ave regjistrohet prona e re shtetërore.
4. Në funksion të realizimit të projektit të investimit “Korpusi i inspektorateve” dhe projekteve të tjera të investimit dhe në zbatim të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, ngarkohet Korporata e Investimeve Shqiptare të kryejë procesin e konsolidimit të pronave, sipas shtojcave nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës.
5. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronave, të parashikuara në shtojcën nr.1, nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, me qëllim realizimin e projekteve të saj të investimit. Shpenzimet për shërbimet e parashikuara në këtë pikë mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare.
6. Autorizohet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që në të njëjtën procedurë, të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare nëpërmjet hartimit të termave të referencës për projektidetë arkitekturore, hartimin e kritereve të kualifikimit për projektuesit dhe kritereve të vlerësimit paraprak e përfundimtar të projektideve arkitekturore.
7. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projekteve të saj të investimit.
8. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin, në emër të Republikës së Shqipërisë/Korporatës, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit me institucionet publike përfituese, të pronës së re shtetërore, që do të krijohet në kuadër të projekteve të investimit.
9. Institucionet publike, të cilat zhvillojnë aktivitet në godinat e ngritura në pronat e përcaktuara në këtë vendim, do të vazhdojnë të përdorin pronën në funksion të aktivitetit të tyre deri në momentin e marrjes në dorëzim të ambienteve të reja, të ndërtuara në përputhje me termat dhe kushtet e përcaktuara në marrëveshjet, sipas pikës 3, të këtij vendimi. Kur, për nevoja të realizimit të projekteve të investimit, institucioni publik duhet të largohet nga prona ku kryen aktivitet, institucioni publik, me njoftimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare liron ambientet ku kryen veprimtarinë e tij, vetëm pasi Korporata e Investimeve Shqiptare, në bashkëpunim me institucione të tjera, publike apo subjekte private, i ka siguruar ambiente të përkohshme për vazhdimin e aktiviteteve të punës deri në marrjen në dorëzim të ambienteve të reja të ndërtuara.
10. Në funksion të zhvillimit të pronave, të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr. 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
11. Në listat e pronave, që i bashkëlidhen vendimeve të Këshillit të Ministrave, nr.820, datë 13.10.2010, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të institucioneve të varësisë, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit”, të ndryshuar, dhe nr.60, datë 1.2.2006, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror”, të ndryshuar, të hiqen pronat shtetërore, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSSHSH), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB), Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet (ZMR), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat Minerare (AKSEM), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKPMB), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Universiteti Politeknik i Tiranës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E TRE ANËTARËVE TË KOMISIONIT KOMBËTAR TË PËRZGJEDHJES PËR TND-NË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Emërimin, si anëtarë të Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes për TND-në, të:
a) z. Aleksandër Xhuvani për një mandat 5-vjeçar, duke filluar nga data 28.8.2025;
b) znj. Eglantina Zyka për një mandat 5-vjeçar, duke filluar nga data 28.8.2025;
c) znj. Klesta Hysi, e cila do të qëndrojë në detyrë deri në datën 19.1.2027, datë në të cilën përfundon mandati i ish-anëtarit të KKP-së, z. Erind Mërkuri.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK E TË ZHVILLUESIT TË ZONËS ME VENDNDODHJE NË KASHAR, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 52 140 (pesëdhjetë e dy mijë e njëqind e dyzet) m2, pjesë të zonave kadastrale 2105, 2119, me vendndodhje në Kashar, Tiranë, me emërtimin “TEDA NEXUS PARK TIRANA”, të përbërë nga pasuritë me sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe genplanit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes së “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” përcaktohen në genplanin, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” janë të llojit:
a) industri automotive, e automobilave, e mjeteve motorike të ujit, tokës dhe ajrit;
b) industri e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT);
c) industri e pajisjeve elektronike, inxhinierike, kimike, minerare, ndërtimi, mekanike dhe elektrike;
ç) industri farmaceutike, dentare dhe shëndetësore;
d) industri të tjera prodhuese, përpunuese të pjesshme apo të plota;
dh) industri agropërpunuese dhe agroprodhuese;
e) shërbime distribucioni dhe logjistike;
ë) përpunim dhe magazinim mallrash;
f) tregtar dhe eksport-import;
g) industri të tjera, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.
5. Zhvillues i “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” shpallet bashkimi i shoqërive “Astral”, sh.p.k., dhe “Capital Resources”, sh.p.k.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Agjencia Shtetërore Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU