Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 shtator 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 shtator 2024

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 shtator 2024:

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.580, DATË 11.10.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË TE MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR FONDACIONIN “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY”, TË PRONAVE SHTETËRORE ME NUMËR PASURIE 79/1 DHE 80/1, PJESË E ZONËS KADASTRALE NR.8517, BASHKIA DURRËS, NJËSIA ADMINISTRATIVE DURRËS, PËR NDËRTIMIN DHE ZHVILLIMIN E KOMPLEKSIT TË AKADEMISË SË FUTBOLLIT DURRËS, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.262, DATË 6.4.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK NË SPITALLË, DURRËS”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.580, datë 11.10.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Ministria e Arsimit dhe Sportit, për fondacionin “Durrah City Football Academy”, të pronave shtetërore me numër pasurie 79/1 dhe 80/1, pjesë e zonës kadastrale nr.8517, Bashkia Durrës, Njësia Administrative Durrës, për ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës, si dhe për një ndryshim në vendimin nr.262, datë 6.4.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Spitallë, Durrës”, të ndryshuar”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për kalimin në përgjegjësi administrimi te Ministria e Arsimit dhe Sportit, për fondacionin “Durrah City Football Academy”, të pronave shtetërore me numër pasurie 79/1, 80/1 dhe 301/2, pjesë të zonës kadastrale nr.8517, Bashkia Durrës, Njësia Administrative Durrës, për ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës dhe Qendrës Sportive “Rafael Nadal”, si dhe për një ndryshim në vendimin nr.262, datë 6.4.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Spitallë, Durrës”, të ndryshuar”.

2. Në pikën 1 bëhen shtesat e mëposhtme:

a) Pas togfjalëshit “… me sipërfaqe 104 580 m2 …” shtohen fjalët “… si dhe nr.301/2, me sipërfaqe 3 120 (tre mijë e njëqind e njëzet) m2 … ”;
b) Pas emërtimit “Akademisë së Futbollit Durrës” shtohen fjalët “ … dhe Qendrës Sportive “Rafael Nadal” …”.

3. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të përdoren për ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës dhe të Qendrës Sportive “Rafael Nadal”, të ambienteve sportive dhe çdo shërbimi të nevojshëm, në funksion të promovimit dhe zhvillimit të sportit të futbollit, tenisit dhe sporteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, si dhe për realizimin e funksioneve të fondacionit, i cili i menaxhon këto komplekse.”.

4. Pas aneksit 1 bashkëlidhur vendimit shtohet aneksi 1/1, ku përcaktohen kartela e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale për pronën shtetërore me numër pasurie 301/2, me sipërfaqe 3 120 (tre mijë e njëqind e njëzet) m2, pjesë e zonës kadastrale nr.8517, Bashkia Durrës, Njësia Administrative Durrës, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, fondacioni “Durrah City Football Academy” dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE MËNYRËN E PËRFAQËSIMIT TË ORGANEVE TË QEVERISJES VENDORE NË KËSHILLIN KONSULTATIV TREPALËSH RAJONAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 200/1, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Këshilli Konsultativ Trepalësh Rajonal (në vijim KKTR) është organ rajonal konsultativ trepalësh, në nivel qarku, me përfaqësues të organizatave të punëdhënësve, të organizatave të punëmarrësve dhe përfaqësues të strukturave shtetërore në nivel qarku.

2. Këshillat konsultativë trepalësh rajonalë zhvillojnë konsultime për çështje me rëndësi rajonale në interes të përbashkët të palëve, marrin vendime dhe i bëjnë rekomandimet përkatëse këshillit të qarkut ose këshillit bashkiak, sipas kompetencës territoriale. Këshilli merr vendime duke u shprehur me votë pro, kundër ose abstenim dhe për zhvillimin e mbledhjeve të këshillit, kuorumi i nevojshëm të jetë më shumë se gjysma e përfaqësuesve të secilës palë.

3. Çdo organizatë përfaqësuese e punëmarrësve dhe e punëdhënësve, e krijuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe administrata shtetërore në nivel qarku duhet të vërë në dispozicion të Këshillit Konsultativ Trepalësh Rajonal çështje që kanë të bëjnë me punësimin, formimin profesional, mbrojtjen e punëmarrësve, higjienën dhe sigurimin teknik, prodhimin, mirëqenien, arsimin, si dhe çështje ekonomike, që do të konsultohen në këtë këshill.

4. Këshilli Konsultativ Trepalësh Rajonal përbëhet nga 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë dhe 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë zëvendësues, me këtë përbërje:

a) 5 (pesë) anëtarë dhe 5 (pesë) anëtarë zëvendësues nga organizatat sindikale;
b) 5 (pesë) anëtarë dhe 5 (pesë) anëtarë zëvendësues nga organizatat e punëdhënësve;
c) 5 (pesë) anëtarë dhe 5 (pesë) anëtarë zëvendësues, me përfaqësim nga organet e qeverisjes vendore.

5. Çdo këshill konsultativ trepalësh rajonal kryesohet nga prefekti dhe ka në përbërje prefektin dhe katër kryetarët e bashkive me numrin më të madh të banorëve.

6. Përzgjedhja e anëtarëve, përfaqësues të organizatave sindikale dhe organizatave të punëdhënësve, përcaktohet sipas treguesve të parashikuar në pikën 4, të nenit 200/1, të Kodit të Punës. Emërimi i anëtarëve të organizatave të punëdhënësve dhe organizatave sindikale bëhet nga prefekti, sipas propozimeve të vetë organizatave.

7. Kryetari i KKTR-së ka këto detyra:

a) Drejton mbledhjet e këshillit;
b) Miraton rendin e ditës, raportin përfundimtar të mbledhjeve, si dhe programin vjetor të këshillit, në bazë të mirëkuptimit ndërmjet palëve;
c) Informon këshillin e qarkut ose këshillin bashkiak për rekomandimet e tij, si dhe për mendimet e organizatave punëmarrëse dhe punëdhënëse në shkallë qarku;
ç) Cakton nënkryetarët e palëve, në konsultim me përfaqësuesit e organizatave sindikale dhe punëdhënësve, anëtarë të këshillit.

8. KKTR-ja, në çdo qark, mblidhet në përputhje me programin e miratuar ose me kërkesën me shkrim të çdo pale, sipas përcaktimit të bërë në rregulloren e brendshme të funksionimit, por jo më pak se 4 (katër) herë në vit. Çdo këshill harton rregulloren e vet të brendshme, mbështetur në specifikat e çdo qarku.

9. Anëtarët e këshillit, për çështjet që do të diskutohen, kanë të drejtën e këshillimit paraprak dhe shprehin qëndrimin e tyre nëpërmjet nënkryetarit të palës.

10. Për funksionimin e këshillit caktohet një sekretariat i përbërë nga 3 (tre) nëpunës të administratës së prefektit të qarkut.

11. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe prefektët e qarqeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË UZBEKISTANIT, PËR PËRJASHTIMIN E NDËRSJELLË TË KËRKESAVE PËR VIZË PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE DHE TË SHËRBIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Uzbekistanit, për përjashtimin e ndërsjellë të kërkesave për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

PËRDORIMIN E MJETEVE AJRORE PA PILOT NË ADMINISTRIM TË FORCAVE TË ARMATOSURA NË MBËSHTETJE TË INSTITUCIONEVE SHTETËRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7978, datë 26.7.1995, “Për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. QËLLIMI

Përcaktimi i rregullave të bashkëpunimit për përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot në administrim të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të institucioneve të tjera shtetërore, sipas fushave të tyre të përgjegjësisë.

II. PËRKUFIZIME

Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Bashkëpunimi”, veprimtaria e përbashkët e Ministrisë së Mbrojtjes (Forcave të Armatosura) me një apo më shumë institucione për realizimin e detyrave, sipas fushave të tyre të përgjegjësisë.

2. “Fotografim ajror”, marrja e imazheve fotografike nga sensorët e mjeteve ajrore pa pilot.

3. “Informacion i klasifikuar”, çdo dokument ose material, pavarësisht nga forma apo natyra e tij, i përgatitur ose që përgatitet dhe të cilit i është vendosur një nivel i caktuar klasifikimi dhe ruajtjeje, në zbatim të ligjit nr.10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”.

4. “Institucione shtetërore”, ministritë, institucionet në varësi të Kryeministrit dhe agjencitë autonome.

5. “Infrastruktura kritike”, strukturat fizike, rrjetet dhe pasuritë e tjera, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin ekonomik e social të shoqërisë ose komunitetit.

6. “Infrastrukturë kritike me efekt ndërkufitar”, ajo infrastrukturë kritike, ndërprerja ose shkatërrimi i së cilës do të kishte impakt të rëndësishëm në një ose disa shtete kufitare me Republikën e Shqipërisë. Rëndësia e impaktit duhet të vlerësohet sipas kritereve ndërsektoriale. Këtu përfshihen efektet që rezultojnë nga varësitë ndërsektoriale në llojet e tjera të infrastrukturës.

7. “Mbikëqyrje”, tërësia e veprimeve dhe mënyrave që përdoren për të ndjekur një punë apo një veprimtari të caktuar.

8. “Kërkimi”, veprimi i kryer nga strukturat e ngarkuara me ligj për kërkim-shpëtimin.

9. “Komandim-kontrolli”, procesi, nëpërmjet të cilit komandanti ushtarak ushtron autoritetin dhe drejtimin mbi burimet njerëzore dhe materiale.

10. “Pamjet filmike”, pamjet e përfituara nga sensorët e mjeteve ajrore pa pilot.

11. “Procedurë standarde e veprimit (PSV)”, një procedurë specifike ose një grup udhëzuesish ose procedurash që dokumentojnë një aktivitet ose proces pune që kryhet brenda një situate ose proces pune për të rritur cilësinë, duke ndjekur një procedurë të standardizuar të punës.

12. “Strukturat e mjeteve ajrore pa pilot në Forcat e Armatosura”, strukturat në varësi të Forcës Ajrore dhe të Forcës Tokësore, që kanë në administrim mjetet ajrore pa pilot.

13. “Sistemi i avionit pa pilot” (UAS) (unmanned aircraft system), një mjet ajror pa pilot dhe pajisjet për ta kontrolluar atë në distancë.

14. “Mjet ajror pa pilot” (UAV) (unmanned aerial vehicle), çdo mjet ajror që operon ose është krijuar për të operuar në mënyrë autonome ose për t’u pilotuar nga distanca pa një pilot në bord.

15. “Situatë emergjente”, situata e papritur, e cila shkaktohet nga faktorë të papërcaktuar, që mund të sjellin dëme të menjëhershme për rendin, për jetën e njerëzve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore e mjedisin, dhe kërkon informacion në kohë reale për gjendjen.

16. “Të dhëna personale”, çdo informacion për një person fizik i cili është i identifikuar ose i identifikueshëm, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

17. “Të dhëna gjeohapësinore”, çdo e dhënë që i referohet në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë një vendi ose zone gjeografike të veçantë.

III. BASHKËPUNIMI DHE NDËRVEPRIMI NDËRINSTITUCIONAL

1. Institucionet, që, për përmbushjen e përgjegjësive të tyre ligjore, kërkojnë shërbimet e mjeteve ajrore pa pilot të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, janë:

a) ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë;
b) ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe institucionet në varësi;
c) ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural;
ç) ministria përgjegjëse për turizmin dhe mjedisin;
d) Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile;
dh) Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;
e) Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor;
ë) Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

2. Shërbimi i mjeteve ajrore pa pilot ofrohet ndaj institucioneve shtetërore, sipas pikës 1, të këtij kreu, vetëm në rastet kur ky shërbim nuk mund të përfitohet në mënyra dhe mjete të tjera.

3. Operimi i mjeteve/sistemit ajror pa pilot kryhet në çdo rast në përputhje me vendimin nr.593, datë 18.10.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin, funksionimin dhe detyrat e Komitetit të Politikave të Menaxhimit të Hapësirës Ajrore Shqiptare dhe rregullat për koordinimin e bashkëpunimin për organizimin e hapësirës ajrore”, nga personeli i kualifikuar dhe i certifikuar në organikë të Forcës Ajrore ose strukturave të tjera të Forcave të Armatosura që kanë në dispozicion mjete ajrore pa pilot, në përputhje me manualet e shfrytëzimit të mjeteve dhe rregulloret e aviacionit ushtarak dhe civil në fuqi.

4. Institucionet shtetërore kanë të drejtë të përdorin imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga mjetet ajrore pa pilot, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, për të përmbushur detyrimet, sipas fushës së përgjegjësisë së tyre shtetërore.

5. Për misionet e planifikuara, kërkesa për fluturim e mjeteve ajrore pa pilot bëhet të paktën dy ditë pune para fillimit të detyrës/misionit dhe, në çdo rast, plotësohet formulari i aplikimit sipas procedurave standarde të veprimit.

6. Për misionet e paplanifikuara, kërkesa për fluturim e mjeteve ajrore pa pilot bëhet menjëherë para fillimit të detyrës/misionit dhe i dërgohet Qendrës së Bashkuar Operacionale (QBO) të Forcave të Armatosura dhe, në çdo rast, shoqërohet sa më shpejt të jetë e mundur me formularin e aplikimit.

7. Imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga sistemi i mjeteve ajrore pa pilot shfaqen në një hapësirë të dedikuar komandim-kontrolli në një nga venddislokimet e Forcave të Armatosura, duke respektuar rregullat e informacionit të klasifikuar dhe të përdorimit të të dhënave personale.

8. Kur kërkohet njohja me informacion të klasifikuar, institucionet shtetërore kërkuese duhet të autorizojnë personel të pajisur me certifikatën e sigurisë, sipas nivelit të kërkuar, për të administruar dhe për të përdoruar të dhënat të përftuara nga sistemi i mjeteve ajrore pa pilot.

9. Institucionet shtetërore të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, i kërkojnë Ministrisë së Mbrojtjes, mbështetur në planifikimin vjetor ose rast pas rasti, të angazhojë strukturat e mjeteve ajrore pa pilot në administrim të Forcave e Armatosura. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, në varësi të vlerësimit të kapaciteteve në dispozicion, vendos ose jo për angazhim të tyre dhe njoftohet kërkuesi.

10. Strukturat përgjegjëse për administrimin e informacionit të përfituar nga mjetet ajrore pa pilot e vendosin në dispozicion këtë informacion vetëm me kërkesë të institucioneve shtetërore, të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu.

11. Informacioni i përfituar nga mjetet ajrore pa pilot trajtohet nga të gjitha institucionet përfituese, sipas nivelit të klasifikimit të vendosur nga prodhuesi, sipas ligjit nr.10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”.

12. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nëpërmjet QBO-së, është strukturë koordinuese ndërmjet institucioneve të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

13. Shpenzimet financiare për përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot në mbështetje të institucioneve të tjera shtetërore mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

14. Në çdo kohë, komandim-kontrolli i strukturave të mjeteve ajrore pa pilot mbetet i pandryshuar.

IV. PËRDORIMI I MJETEVE AJRORE PA PILOT DHE PROCEDURAT E PUNËS

1. Mjetet ajrore pa pilot të Forcave të Armatosura përdoren në mbështetje të institucioneve shtetërore sipas pikës 1, të kreut III, të këtij vendimi, për sigurimin e pamjeve filmike dhe fotografike me qëllim:

a) mbikëqyrjen e territorit për të zbuluar dhe parandaluar aktivitete të paligjshme, si: kultivimi i bimëve narkotike, kontrabanda, emigracioni i paligjshëm, shkeljet territoriale, si dhe përdorimi i paautorizuar i burimeve ujore;
b) monitorimin e kufijve;
c) monitorimin e vijës bregdetare, ku përfshihet dhe rada portuale, të shtretërve dhe brigjeve të lumenjve, përrenjve, liqeneve, pellgjeve, lagunave dhe ujëmbledhësve natyrorë apo artificialë, ishujve dhe grumbullimeve të rërës, gurëve dhe dherave në shtretërit e lumenjve, liqeneve dhe ujëmbledhësve, tokës së përftuar nga tërheqja e ujit ose nga përparimi i tokës në drejtim të ujit, kur ajo lidhet me tokën, zonave të mbrojtura mjedisore, si dhe venddepozitimeve të mbetjeve të ngurta urbane;
ç) mbështetjen në reagim të emergjencave civile në raste tërmetesh, uraganesh, përmbytjesh dhe zjarresh, duke ofruar vëzhgime ajrore për vlerësim paraprak të dëmeve;
d) monitorimin e vatrave/zonave të zjarrit, për të gjurmuar përparimin e zjarrit dhe për të identifikuar pikat e nxehta;
dh) zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit (SAR) në gjetjen e të mbijetuarve, vlerësimin e dëmtimit të infrastrukturës dhe koordinimin e përpjekjeve të ndihmës, në gjetjen e personave/mjeteve të humbura/zhdukura ose individëve të bllokuar;
e) inspektimin vizual nga ajri të infrastrukturës kritike kombëtare dhe infrastrukturës kritike me efekt ndërkombëtar;
ë) fotografimin ajror të territorit me qëllim krijimin, administrimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit gjeohapësinor për institucionet publike;
f) plotësimin e kërkesave të institucioneve publike për fotografimin ajror me qëllim krijimin e informacionit gjeohapësinor, i cili administrohet dhe koordinohet nga ASIG-u;
g) kryerjen e studimeve dhe kërkimeve shkencore që ndikojnë pozitivisht në fuqizimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë e të mbrojtjes;
gj) mbështetjen e operacioneve të rëndësishme policore në zbatim të një plani kombëtar veprimi ose strategjie të miratuar sipas ligjit;
h) mbikëqyrjen e fondit pyjor kombëtar për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, të parashikuara me ligj;
i) monitorimin dhe inspektimin e situatës ndërtimore në të gjithë territorin, duke përfshirë zonat me rëndësi kombëtare, monumentet e kulturës, qendrat historike, parqet dhe zonat arkeologjike, zonat e mbrojtura natyrore dhe monumentet natyrore;
j) monitorimin e ecurisë së projekteve strategjike në zhvillim;
k) monitorimin e terminaleve të shkarkimit dhe depozitimit të lëndëve hidrokarbure;
l) monitorimin e burimeve natyrore në sektorin minerar dhe hidrokarbur.

2. Çdo vit, Ministria e Mbrojtjes miraton orët e fluturimit për misionet e planifikuara apo të paplanifikuara, të ndara për çdo institucion shtetëror që ka kërkuar apo mund të kërkojë shërbim nga strukturat e mjeteve ajrore pa pilot.

3. Ministria e Mbrojtjes krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e operacioneve të mjeteve ajrore pa pilot për drejtimin dhe bashkërendimin e punëve, në bashkëpunim me institucionet e përcaktuara në pikën 1, të kreut III, të këtij vendimi, për ofrimin e shërbimeve të kërkuara.

4. Koordinimi, drejtimi, komandimi, raportimi, shkëmbimi i informacionit me institucionet e tjera shtetërore dhe procedurat që ndiqen për angazhimin e strukturave të mjeteve ajrore pa pilot përcaktohen në dokumentin “Procedurat standarde të veprimit”, të miratuar nga ministri i Mbrojtjes.

V. BASHKËRENDIMI, PLANIFIKIMI DHE PËRGJEGJËSITË E INSTITUCIONEVE SHTETËRORE

1. Institucionet shtetërore të përmendura në kreun III bashkëpunojnë me Ministrinë e Mbrojtjes për përfitimin e shërbimit të kërkuar nga mjetet ajrore pa pilot.

2. Çdo institucion cakton një përfaqësues për të koordinuar punën me strukturat përgjegjëse në Ministrinë Mbrojtjes, me qëllim planifikimin dhe realizimin me sukses të operacionit, që ka lidhje me institucionet që ata përfaqësojnë dhe bashkërendojnë punën për zbatimin e këtyre planeve.

3. Çdo fillim viti kalendarik, institucionet shtetërore paraqesin kërkesë për orët e fluturimit që kërkojnë në dispozicion për mjetet ajrore pa pilot.

4. Ministria e Mbrojtjes dhe ministria përgjegjëse për infrastrukturën bëjnë të mundur sigurimin e fluturimit ajror për mjetet ajrore pa pilot.

5. Institucionet shtetërore bashkëveprojnë ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes për trajnimin dhe angazhimin, me qëllim përdorimin e burimeve në mënyrë racionale dhe rritjen e efektshmërisë operacionale të mjeteve ajrore pa pilot.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për hartimin e dokumentit “Procedurat standarde të veprimit” për përdorimin operacional të mjeteve ajrore pa pilot, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet shtetërore të përmendura në kreun II për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, NË LIDHJE ME MARRËVESHJEN E HUAS, TË DATËS 29 DHJETOR 2016, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.29/2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, në lidhje me marrëveshjen e huas, të datës 29 dhjetor 2016, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ratifikuar me ligjin nr.29/2017, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.717, DATË 1.12.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, dhe 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.717, datë 1.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Paragrafi i dytë, i pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon;

“a) Lista përbëhet gjithsej nga 17 (shtatëmbëdhjetë) fletë formulari, 20
(njëzet) planrilevime, 2 (dy) planimetri dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.”.

b) Pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:

“1.1. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.”.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.613, DATË 27.10.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL, PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE TË PESHKIMIT DHE AKUAKULTURËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, dhe 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.613, datë 27.10.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës”, të ndryshuar, shtohet prona, me emërtimin “Qendër Peshkimi Karavasta”, sipas formularit me 1 (një) fletë dhe 6 (gjashtë) planrilevimeve, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.285, DATË 19.5.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7, pika 2; 13, pika 1, shkronja “a”; 14, pika 3; 17, pikat 1 dhe 2; 21, pika 4; 23, shkronjat “c” dhe “gj”; 33, pika 2; 34, pika 2; 35, pika 3; 41, pika 2; 42, pikat 1 dhe 3, shkronja “a”; 43, pikat 1 dhe 4, shkronja “a”; 44, pika 1; 54, pika 1; 56, pika 4; 57, pikat 1 dhe 2, shkronja “c”; 58, pika 2; 71, pikat 1 dhe 2, shkronja “c”; 72, pika 1; 74, pika 1; 78, pika 3; 82, pikat 1 dhe 5; 111, pika 1; 114, pika 5; 116, pika 4; 124, pika 6; 131, pika 2; e 132, pika 2, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në tekstin bashkëlidhur vendimit nr.285, datë 19.5.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Në shkronjën “d”, të pikës 4, të nenit 41, “Kërkesa të veçanta për kontratat e shërbimeve”, fjalët “Në rastin e procedurës së prokurimit “Shërbim konsulence” …” zëvendësohen me “Në rastin e prokurimit të shërbimeve me natyrë intelektuale, ku nuk mbizotërojnë aspektet fizike të veprimtarisë dhe që kërkojnë ekspertizë të posaçme, …”.

Neni 2

Në pikën 3, të nenit 99, “Paraqitja e argumenteve nga operatorët ekonomikë të interesuar”, bëhen këto ndryshime:

1. Në fjalinë e parë, togfjalëshi “… 10 (dhjetë) ditë …” zëvendësohet me “… 7 (shtatë) ditë …”.

2. Në fjalinë e dytë, togfjalëshi “… 7 (shtatë) ditë …” zëvendësohet me “… 5 (pesë) ditë …”.

Neni 3

Në pikën 5, të nenit 100, “Afatet e shqyrtimit të ankesave nga autoriteti/enti kontraktor”, fjalët “… brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit nga autoriteti ose enti kontraktor, …” zëvendësohen me “… brenda 7 (shtatë) ditëve nga marrja e njoftimit nga autoriteti/enti kontraktor për procedurat e prokurimit nën kufirin e lartë monetar dhe brenda 10 (dhjetë) ditëve për procedurat e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar, …”.

Neni 4

Në fjalinë e dytë, të pikës 9, të nenit 107, “Zbatimi dhe mbikëqyrja e kontratës”, fjalët “… të publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, i dërguar …” zëvendësohen me “… , të publikuar nga APP-ja, pas dërgimit të këtij çmimi për publikim …”.

Neni 5

Dispozitë e fundit

Ngarkohen autoritetet dhe entet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Previous Muzhaqi në Thumanë: Një muaj kurse falas 80 fëmijë të Njësisë Administrative Thumanë