Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Prill 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Prill 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Prill 2023:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN “QYTETARËT, BARAZIA, TË DREJTAT DHE VLERAT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.489, DATË 30.7.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË BARNAVE QË RIMBURSOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE MASËN E MBULIMIT TË ÇMIMIT TË TYRE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronja “b”, dhe 6, të nenit 10, të ligjit nr.10 383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Listat I dhe II, bashkëlidhur vendimit nr.489, datë 30.7.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohen me listat I dhe II, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 maj 2023.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.501, DATË 25.8.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE AFGANË DHE PERSONAVE PA SHTETËSI, ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË REPUBLIKËN ISLAMIKE TË AFGANISTANIT, DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE ”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 2/1, togfjalëshi “… dhe me 6 (gjashtë) muaj të tjerë …”, zëvendësohet me “… deri më 24.8.2023 …”.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLATFORMËS SË MONITORIMIT DHE VERIFIKIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, e të pikës 6, të nenit 8, të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka për qëllim krijimin e Platformës së Monitorimit dhe Verifikimit për Efiçencën e Energjinë, në vazhdim PMVEE, e cila shërben si bazë të dhënash për të vlerësuar arritjen e objektivave kombëtarë të efiçencës së energjisë.
2. Termat e përcaktuar në ligjin nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
a) “PMVEE”, baza e të dhënave shtetërore në përgjegjësi administrimi të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe që shërben për monitorimin e planeve kuadër të efiçencës së energjisë apo planeve për zvogëlimin e ndryshimeve klimatike, në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.
b) “Sektorët”, të gjithë sektorët ku do të realizohet monitorimi i konsumit energjetik dhe monitorimi i zbatimit të masave për rritjen e efiçencës së energjisë, duke përfshirë sektorin e ndërtesave publike apo private, sektorin e industrisë, transportin, ndriçimin publik, furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të ndotura e bujqësinë.
c) “Konsumatorët e tjerë të energjisë”, konsumatorët të cilët kanë një konsum energjie elektrike ekuivalente më të vogël se 1 milion kWh;
ç) “Shoqëri e shitjes me pakicë të energjisë”, një person fizik ose juridik që shet energji te konsumatorët fundorë.
3. Të dhënat parësore të PMVEE-së janë, si më poshtë vijon:
a) Formatet e raportimit vjetor të konsumit të energjisë të cilat plotësohen nga konsumatorët e mëdhenj kryesorë të identifikuar në këtë vendim dhe dërgohen tek Agjencia për Efiçencën e Energjisë jo më vonë se data 28 shkurt e çdo viti;
b) Metodologjia për llogaritjen e kursimeve sipas shtojcës 3, bashkëlidhur këtij vendimi;
c) Kursimi i energjisë, i llogaritur me metodologjinë, sipas shtojcës 3 dhe e shprehur në reduktimin e emetimit CO2, në bazë vjetore;
ç) Projektet e zbatuara që përfshijnë të dhënat e mëposhtme:
i. Emërtimin e masës (projektit);
ii. Energjinë e kursyer si rezultat i zbatimit të masës;
iii. Emetimet e reduktuara të CO2;
iv. Kostot e masave të zbatuara.
4. Të dhënat dytësore të PMVEE-së janë:
a) të dhënat e identifikimit të subjekteve që do të përdorin PMVEE-në si: NIPT-i, emërtimi i subjekti/institucionit;
b) të dhënat e licencave të subjekteve, si nr.licence;
c) të dhënat e ndërtesës, si indeksi i hartës, numri i pasurisë, zona kadastrale, sipërfaqja e gjurmës;
ç) të dhënat e adresës;
d) të dhënat e kontratës me OSHEE-në;
dh) të dhënat mbi rrugët, si emërtimi i rrugës, klasifikimi i rrugës.
5. PMVEE-ja ndërvepron me:
a) Regjistrin Tregtar, administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
b) Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve, administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
c) Regjistrin Elektronik të Pasurive të Paluajtshme, administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës;
ç) Regjistrin Kombëtar të Adresave, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
d) bazën e të dhënave për detyrimet për energjinë elektrike, administruar nga FSHU-ja (OSHEE);
dh) ARRSH WEB – GIS, administruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6. Dhënës të informacionit në PMVEE janë:
a) njësitë e vetëqeverisjes vendore;
b) konsumatorët e mëdhenj të energjisë;
c) shpërndarësit e energjisë dhe shoqëritë e shitjes me pakicë të energjisë;
ç) institucioni përgjegjës për statistikat;
d) konsumatorët e tjerë të energjisë të cilëve u kërkohet nga AEE-ja të raportojë të dhënat energjetike.

7. Subjekte të interesuara janë të gjitha subjektet e përmendura në pikën 6, të kreut I, si dhe ministria përgjegjëse për energjinë.
8. PMVEE-ja aksesohet dhe publikohet në faqen zyrtare të AEE-së.
9. Niveli i aksesimit në PMVEE është, si më poshtë vijon:
a) AEE-ja ka të drejta regjistrimi, përpunimi, raportimi, leximi, shkrimi dhe përditësimi për të dhënat e regjistruara;
b) Subjektet sipas pikës 6, të kreut I, kanë akses të drejtpërdrejtë dhe të pakufizuar në leximin e të dhënave, krijimin e dokumenteve për paraqitjen e raporteve dhe masat e marra sipas këtij vendimi;
c) Ministria përgjegjëse për energjinë ka akses të drejtpërdrejtë dhe të pakufizuar në leximin e të dhënave.

II. PROCESI I MONITORIMIT DHE DETYRAT E KONSUSMATORËVE KRYESORË

1. Procesi i monitorimit dhe verifikimit udhëhiqet nga agjencia përgjegjëse për efiçencën e energjisë, në vazhdim AEE, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për energjinë.

2. Ky vendim i shtrin efektet e tij për:

a) njësitë e vetëqeverisjes vendore;
b) konsumatorët e mëdhenj të energjisë;
c) shpërndarësit e energjisë dhe shoqëritë e shitjes me pakicë të energjisë;
ç) institucionin përgjegjës për statistikat;
d) konsumatorët e tjerë të energjisë të cilëve u kërkohet nga AEE-ja të raportojë të dhënat energjetike.

3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore:

a) paraqesin raporte vjetore, sipas shtojcës 1 bashkëlidhur këtij vendimi, për konsumin e energjisë sipas sektorëve, në përputhje me afatet e përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 3, të kreut I;
b) krijojnë llogari në programin kompjuterik PMVEE dhe raportojnë çdo masë të efiçencës së energjisë të zbatuar në territorin e tyre në kuadër të zbatimit të Planit Vendor të Veprimit për Efiçencën e Energjisë;
c) përfshijnë në kriteret për marrje shërbimesh, licencash apo lejesh etj. kërkesa që lidhen me raportimin e këtyre masave prej palëve të treta;
ç) punësojnë një menaxher energjie, sipas nenit 10, të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, të ndryshuar, i cili do të jetë përgjegjës për realizimin e këtij procesi dhe përcjellin të dhënat e kontaktit për të, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

4. Konsumatorët e mëdhenj të energjisë, në vazhdim KME,:

a) paraqesin raporte vjetore, sipas shtojcës 2, bashkëlidhur këtij vendimi, në përputhje me afatet e përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 3, të kreut I;
b) punësojnë një menaxher energjie, sipas nenit 10, të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, të ndryshuar, i cili do të jetë përgjegjës për realizimin e këtij procesi dhe përcjellin të dhënat e kontaktit për të, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
c) të cilët kanë certifikuar sistemin e menaxhimit të energjisë sipas ISO 50001, krijojnë llogari në programin kompjuterik PMVEE dhe raportojnë çdo masë të efiçencës së energjisë të zbatuar në territorin e tyre, në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit për Efiçencën e Energjisë.

5. Shpërndarësit e energjisë dhe shoqëritë e shitjes me pakicë të energjisë:

a) raportojnë sipas shtojcës 2 sasinë e energjisë së tregtuar, sipas afateve të përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 3, të kreut I;
b) dërgojnë brenda datës 31 janar të çdo viti listën e klientëve fundorë të energjisë elektrike që gjatë vitit paraardhës kanë pasur një konsum më të madh se 0.5 milion kWh energji ekuivalente;
c) raportojnë të dhëna lidhur me energjinë e humbur në rrjetin e shpërndarjes, për arsye teknike dhe joteknike, duke përfshirë dhe investimet e realizuara gjatë vitit të raportimit dhe kursimet e arritura si rezultat i aplikimit të masave për përmirësimin e rrjetit elektroenergjetik.
Raportimet sipas përcaktimeve të kësaj pike duhet të realizohen sipas afateve të përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 3, të kreut I.
6. Institucioni përgjegjës për statistikat, në bashkëpunim me AEE-në harton formatet për realizimin e pyetësorëve në nivel kombëtar me qëllim pasurimin e bazës së të dhënave kombëtare mbi konsumin e energjisë, sipas ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, të ndryshuar.

7. Konsumatorët e tjerë të energjisë:

a) me kërkesë të AEE-së, janë të detyruar të raportojnë mbi të dhënat energjetike sipas shtojcës 2. Kërkesa për raportim dërgohet në rrugë elektronike ose shkresore;
b) të cilët konsumojnë më shumë se 1 milion kWh energji elektrike ekuivalente duhet të njoftojnë AEE-në për t’i klasifikuar si konsumatorë të mëdhenj brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

8. Agjencia përgjegjëse për efiçencën e energjisë:

a) është përgjegjëse për mbarëvatjen e këtij procesi;
b) përfshin në kriteret për lëshimin e CPE-së kërkesa që lidhen me raportimin nga audituesit e energjisë të të dhënave të nevojshme për masat e zbatuara në kuadër të zhvillimit të këtij procesi;
c) kërkon brenda muajit shkurt të çdo viti nga konsumatorët, që kanë konsumuar 0.5-1 milion kWh gjatë vitit paraardhës, të paraqesin të dhëna lidhur me konsumin e burimeve të tjera të energjisë, nëse kanë, për vitin parardhës. Konsumatorët i dërgojnë të dhënat e kërkuara sipas kësaj shkronje brenda datës 31 mars;
ç) bën llogaritjet e konsumit total të energjisë nga konsumatorët, subjekt i shkronjës “c” të kësaj pike, i ekuivalentuar në kWh/vit sipas tabelës së konvertimit të aneksit IV të Direktivës 2012/27/EC të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, e datës 25 tetor 2012 për efiçencën e energjisë dhe përfshin në listën e konsumatorëve të mëdhenj të gjithë konsumatorët me një konsum total të burimeve të energjisë më të madh se 1 milion kWh energji ekuivalente në vit;
d) krijon dhe mban një listë të përditësuar të të gjithë konsumatorëve të mëdhenj të energjisë;
dh) monitoron në terren kryesisht ose me kërkesë të gjitha masat që janë ndërmarrë nga konsumatorët e identifikuar në këtë vendim, në formën e investimeve me qëllim uljen e konsumit të energjisë dhe bën verifikimet përkatëse lidhur me vlerën e reduktimit të energjisë dhe gazeve me efekt serë;
e) gjatë procesit të monitorimit përfshin të paktën 3 nëpunës të autorizuar, ku njëri prej tyre është kryetari dhe 2 anëtarët;
ë) merr masat administrative sipas dispozitave të parashikuara në ligjin nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, të ndryshuar, dhe në këtë vendim;
f) realizon trajnimet e nevojshme të personave përgjegjës për përdorimin e programit kompjuterik (PMVEE) brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
g) në mënyrë të detajuar, AEE-ja dërgon te ministria përgjegjëse për energjinë raportin kombëtar mbi konsumin e energjisë dhe reduktimin e emetimit CO2 jo më vonë se data 30 qershor e çdo viti.

III. VERIFIKIMI DHE REGJISTRIMI I TË DHËNAVE

1. AEE-ja harton formatin e bazës së të dhënave kombëtare të energjisë e cila miratohet nga ministri përgjegjës për energjinë.

2. AEE-ja regjistron të gjitha të dhënat e përftuara të konsumit të energjisë në bazën e të dhënave kombëtare.

3. Të dhënat e dërguara nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit regjistrohen nga AEE-ja te progami PMVEE.

4. Pas trajnimit të menaxherit të energjisë, të punësuar pranë konsumatorit të madh të energjisë, AEE-ja me pëlqimin e saj lejon krijimin e llogarisë te PMVEE-ja dhe raportimi realizohet drejtpërdrejt nga konsumatori i madh i energjisë.

5. Bazuar në programin kompjuterik PMVEE, AEE-ja krijon një regjistër për projektet e zbatuara, që përfshin të dhënat e mëposhtme:

a) Emërtimin e masës (projektit);
b) Energjinë e kursyer si rezultat i zbatimit të masës;
c) Emetimet e reduktuara të CO2;
ç) Kostot e masave të zbatuara.

6. Regjistri për projektet e zbatuara duhet të përfshijë të gjithë sektorët dhe një kopje dërgohet te ministria përgjegjëse për energjinë jo më vonë se data 30 qershor e çdo viti.

7. Të dhënat dhe informacioni i marrë e i mbledhur nga AEE-ja sipas këtij vendimi është konfidencial dhe mund të përdoret vetëm për qëllim të kryerjes së aktiviteteve të AEE-së për efiçencën e energjisë. AEE-ja ndërmerr të gjitha masat teknike dhe organizative sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të informacionit të ndjeshëm tregtar, duke siguruar mbrojtjen e këtyre të dhënave gjatë përpunimit, përdorimit apo publikimit të tyre.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, shpërndarësit e energjisë dhe shoqëritë e shitjes me pakicë të energjisë, institucioni përgjegjës për statistikat dhe konsumatorët e tjerë të energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKUALIFIKIM URBAN I LAGJES “LLUKAN PRIFTI”, BASHKIA KUÇOVË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikualifikimi urban i lagjes “Llukan Prifti”, Bashkia Kuçovë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Kuçovë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “ndërtesë” dhe “ullishte”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 873 996 (një milion e tetëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 873 996 (një milion e tetëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Kuçovë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Kuçovë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Kuçovë.

8. Bashkia Kuçovë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Kuçovë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Kuçovë, për pasuritë e shpronësuara.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Kuçovë.

12. Ngarkohen Bashkia Kuçovë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.587, DATË 7.9.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I HIDROCENTRALIT “GRABOVA 2” MBI PELLGUN UJËMBLEDHËS TË PËRROIT TË GRABOVËS, DEGË E LUMIT TË DEVOLLIT, NË QARKUN ELBASAN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.587, datë 7.9.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:

a) Në pikat 3 dhe 4, togfjalëshi “… 355 395 (treqind e pesëdhjetë e pesë mijë e treqind e nëntëdhjetë e pesë) lekë …” zëvendësohet me “… 441 671.16 (katërqind e dyzet e një mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e një pikë gjashtëmbëdhjetë) lekë …”.

b) Në tabelën bashkëlidhur vendimit shtohen nënndarjet me numër rendor 12, 13 dhe 14, me të dhënat sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i shoqërisë koncesionare “H.K HEC Grabova 2”, sh.p.k.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, shoqëria koncesionare “H.K HEC Grabova 2”, sh.p.k., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.822, DATË 7.10.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE TË NDËRTIMIT TË KAPACITETEVE TË REJA PRODHUESE TË ENERGJISË ELEKTRIKE, QË NUK JANË OBJEKT KONCESIONI”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave,

V E N D O S I :

I. Në vendimin nr.822, datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas shkronjës “gj”, të nenit 7, shtohet shkronja “h”, me këtë përmbajtje:

“h) dokumentacionin ligjor, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil, që provon marrëdhënien afatgjatë mbi pasurinë që do të përdoret për ndërtimin e burimit gjenerues. Kërkesa refuzohet në rastet kur pasuria ku propozohet ndërtimi ka kufizime shfrytëzimi, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e tokës bujqësore dhe zonave të mbrojtura.”.

2. Në fund të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 10, bëhet shtesa, si me këtë përmbajtje:

“Opinioni paraprak i OST-së ose OSSH-së në këtë fazë të procesit shërben vetëm për të përcaktuar mundësinë e lidhjes në rrjet. Ky opinion nuk angazhon OST-në ose OSSH-në për rezervimin e kapaciteteve të rrjetit, deri në pajisjen e subjekteve me miratim paraprak nga ministri sipas këtij vendimi.”.

3. Shkronja “c”, e pikës 3, të nenit 19, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) afatin maksimal 6 (gjashtë)-mujor, brenda të cilit kërkuesi duhet të përfundojë matjet ose studimet e tjera lidhur me investimin, sipas shkronjës “b”, të kësaj pike, si dhe dokumentacionin e përcaktuar në nenin 20, të këtij vendimi.”.

4. Shkronja “dh”, e nenit 20, shfuqizohet.

5. Kudo në përmbajtje të këtij vendimi, termi “OSHEE” zëvendësohet me termin “OSSH”.

II. Të gjitha subjektet, që nuk janë pajisur me miratim paraprak deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, janë të detyruara të plotësojnë kërkesat e këtij vendimi.

III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.173, DATË 18.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE UKRAINAS, PERSONAVE PA SHTETËSI DHE PERSONAVE QË KANË FITUAR MBROJTJE NDËRKOMBËTARE NË UKRAINË, ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË UKRAINË, DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 3, të vendimit nr.173, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:

“3/1. Me përfundimin e afatit, të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi, për personat që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, u shtyhet qëndrimi deri në datën 17.9.2023.”.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E TAVANEVE PËRGATITORE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2024 – 2026

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 23, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026, sipas lidhjes nr.1, “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE TIRANË, TË PASURISË NR.1/61, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8150, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.219, DATË 21.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, shkronja “g”, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, për njësinë administrative Tiranë, të pasurisë nr.1/61, me vendndodhje në zonën kadastrale 8150, sipas formularit dhe planit të rilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e infrastrukturës vendore.

2. Pasuria e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.

3. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit dhe ta tjetërsojë pasurinë e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Gjimnazi kryesor i Beratit, “Babë Dudë Karbunara” po bëhet i ri, Ministrja Kushi: Berati po i kushton vëmendje të veçantë arsimit dhe sportit