Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Korrik 2022:
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË DISA ANËTARËVE TË BORDIT MBIKËQYRËS TË AGJENCISË PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.10 093, datë 9.3.2009, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Emërimin në detyrë të anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, përfaqësues të institucioneve të administratës publike qendrore, si më poshtë vijon:
– Z. Oltjon Muzaka;
– Znj. Elira Kokona;
– Z. Besmir Gjokuta;
– Znj. Eridana Cano.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES FINANCIARE KUADËR TË PARTNERITETIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR RREGULLAT SPECIFIKE TË ZBATIMIT TË ASISTENCËS FINANCIARE TË BE-SË PËR REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT PËR ASISTENCËN E PARAANËTARËSIMIT (IPA III)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA III), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, NË EMËR TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT GLOBAL PËR TË LUFTUAR SIDA-N, TUBERKULOZIN DHE MALARIEN, PËR PROGRAMIN “PËRSHKALLËZIMI DHE SIGURIMI I QËNDRUESHMËRISË SË PËRGJIGJES KOMBËTARE NDAJ HIV/SIDA-S DHE TUBERKULOZIT NË GRUPET KRYESORE TË POPULLATËS”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.219, DATË 12.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, dhe Fondit Global për të Luftuar SIDA-n, Tuberkulozin dhe Malarien, për programin “Përshkallëzimi dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së përgjigjes kombëtare ndaj HIV/SIDA-s dhe tuberkulozit në grupet kryesore të popullatës”, miratuar me vendimin nr.219, datë 12.3.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.636, DATË 26.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E LLOJEVE, TË MËNYRËS SË SHKËMBIMIT E TË PËRPUNIMIT TË INFORMACIONIT DHE TË TË DHËNAVE STATISTIKORE, TË KËRKUARA NGA AGJENCIA SHTETËRORE PËR TË DREJTAT DHE MBROJTJEN E FËMIJËS, PRANË STRUKTURAVE SHTETËRORE PËRGJEGJËSE, NË NIVEL QENDROR DHE VENDOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shtojca 1, bashkëlidhur vendimit nr.636, datë 26.10.2018, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.175, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË PUNONJËSVE MËSIMORË DHE TË PUNONJËSVE TË TJERË JOMËSIMORË NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar”, bëhen këto ndryshime:
a) Lidhja nr.1, “Struktura e pagës për punonjësit mësimorë të arsimit parauniversitar” zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Lidhja nr.2, “Struktura e pagës për punonjësit e shërbimit psiko-social dhe punonjësit e tjerë jomësimorë në institucionet arsimore” zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Lidhja nr.3, “Struktura e pagës për punonjësit mësimorë të arsimit parashkollor, të qendrave kulturore të fëmijëve dhe konvikteve të nxënësve” zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
ç) Paragrafët i dytë dhe i tretë, të pikës 5, ndryshohen, si më
poshtë vijon:
“- Në shkollat e arsimit të mesëm të lartë 390 lekë/për orë;
– Në shkollat arsimit fillor dhe të mesëm të ulët 300 lekë/për orë.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2022, përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, për politikat e reja të pagave.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2022.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.555, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT MJEKËSOR, TË PUNONJËSVE ME ARSIM TË LARTË DHE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT TEKNIK TË SHKENCAVE MJEKËSORE, NË SISTEMIN E MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR SHËNDETËSINË, NË NJËSINË MJEKËSORE USHTARAKE PRANË SPITALIT UNIVERSITAR TË TRAUMËS, NË STRUKTURAT E TJERA TË FORCAVE TË ARMATOSURA DHE NË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE DHE SPITALIN PËRKATËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve të personelit mjekësor, të punonjësve të tjerë me arsim të lartë dhe të punonjësve të personelit teknik të shkencave mjekësore, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës, në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe spitalin përkatës”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Lidhja nr.1/AP dhe krerët 1.1 deri 1.8, të lidhjes nr.1, zëvendësohen me lidhjen e me krerët përkatës me të njëjtin numër dhe me të njëjtët tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
b) Lidhja nr.2, krerët 2.1 deri 2.6, zëvendësohen me lidhjen me të njëjtin numër sipas krerëve përkatës dhe me të njëjtët tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
c) Lidhja nr.4, “Struktura dhe nivelet e pagave për mjekët me tituj dhe grada shkencore”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
ç) Lidhja nr.7, “Struktura dhe nivelet e pagave për personelin teknik të shkencave mjekësore në Institutin e Shëndetit Publik”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
d) Lidhja nr.8, “Struktura dhe nivelet e pagave për personelin mjekësor dhe personelin teknik të shkencave mjekësore në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe spitalin përkatës”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
dh) Lidhja nr.9, “Struktura dhe nivelet e pagave për personelin mjekësor civil në strukturat e Forcave të Armatosura të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
e) Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:
“11/1. Mjekët e sistemit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, të cilët, pas përfundimit të specializimit në spitalet universitare, në bazë të detyrimit kontraktor me ministrinë përgjegjëse për çështjet e shëndetësisë, emërohen sipas nevojave të sistemit shëndetësor, larg vendbanimit të tyre, për një periudhë trevjeçare, përfitojnë një kompensim për kosto jetese, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj, sipas specifikimeve që miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e shëndetësisë, bazuar në shtrirjen territoriale të shërbimit spitalor.”;
ë) Shkronja “a”, e pikës 12.2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Për punën e kryer nga ora 19:00 deri në orën 22:00, si dhe për punën e kryer nga ora 22:00 deri në orën 06:00 përfitojnë shtesë mbi pagë, si vijon:
Në spitale dhe në Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët: Nga ora 19:00 deri në orën 22:00 Nga ora 22:00 deri në orën 06:00
Për ditët e zakonshme 120 lekë 500 lekë
Për ditët e shtuna 200 lekë 800 lekë
Për ditët e diela e festat 240 lekë 1 000 lekë
f) Në pikën 12/4, shpërblimi i punonjësve të personelit të Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimi, pjesë e Institutit të Shëndetit Publik, bëhet në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
g) Pas pikës 14 shtohet pika 14/1, me këtë përmbajtje:
“14/1. “Specialistët”, “përgjegjësit e sektorit” apo “drejtorët e drejtorive” të institucioneve të kujdesit shëndetësor të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të shërbimit shëndetësor dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i shkencave/Master profesional/Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Inxhinieri telekomunikacioni”, “Teknologji informacioni”, “Informatikë ekonomike”, “Inxhinieri matematike informatike” apo “Shkenca kompjuterike”, në masën:
– 7 500 (shtatë mijë e pesëqind) lekë në muaj, për nëpunësit e strukturave të TIK-ut, të institucioneve qendrore të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe në qendrat spitalore universitare/spitalin rajonal “Memorial” Fier;
– 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj, për nëpunësit e strukturave të TIK-ut, të spitaleve rajonale apo bashkiake, të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Zbatimi i shtesave si më sipër për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike, sipas përshkrimit të pozicionit të punës.
Përjashtohen nga ky parashikim nëpunësit e strukturave të TIK-ut, të institucioneve të kujdesit shëndetësor të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që janë bërë pjesë e strukturës dhe organikës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2022, përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, për politikat e reja të pagave.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2022.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT VJETOR PËR NDIHMAT SHTETËRORE TË VITIT 2021
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e raportit vjetor për ndihmat shtetërore të vitit 2021, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, PROCEDURAVE DHE KRITEREVE TË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE TË VENDIMMARRJES SË MBËSHTETUR PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.93/2014, “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim përcakton rregullat, procedurat dhe kriteret e ofrimit të shërbimeve të vendimmarrjes së mbështetur për personat me aftësi të kufizuara.
2. Në kuptim të këtij vendimi, vendimmarrje e mbështetur është ushtrimi i vullnetit nga një person me aftësi të kufizuar, nëpërmjet një kompetence specifike të shtuar, që mbështet qëllimin dhe interesin më të mirë të personit të aftësisë së kufizuar, duke i mundësuar kryerjen e veprimeve për të fituar të drejta dhe për të marrë përsipër detyrime.
3. Mbështetja në vendimmarrje ofrohet si alternativë fuqizuese, me qëllim realizimin e të drejtave dhe lirive të personit me aftësi të kufizuara dhe pjesëmarrjen efektive të personit në shoqëri si përfitues i shërbimeve në institucionet publike dhe jopublike, duke respektuar parimin e konfidencialitetit.
4. Ofrimi i vendimmarrjes së mbështetur bazohet në respektin e nevojave, dëshirave, zgjedhjeve, vlerave, besimeve dhe traditave të personave me aftësi të kufizuara.
5. Mbështetja në vendimmarrje për personat me aftësi të kufizuara, fizike, mendore, intelektuale ose ndijore ofrohet për të rritur aksesin për mbështetjen e nevojshme, kur personat me aftësi të kufizuara janë në pamundësi për të marrë vendime, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Vendimmarrja e mbështetur synon marrjen e vendimeve nga personi me aftësi të kufizuara pas ofrimit të informacionit të plotë nga mbështetësi. Komunikimi i vendimeve nga personi me aftësi të kufizuara ose mbështetësi kur garantohet komunikimi joverbal ose komunikim i thjeshtuar kryhet vetëm për rastet kur vendimmarrja e mbështetur është në interesin e personit me aftësi të kufizuara dhe ky i fundit përfiton nga mbështetja në vendimmarrje.
7. Personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë:
a) të zgjedhin mënyrën si do të jetojnë sipas mundësive të tyre;
b) të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe gjithëpërfshirëse në aktivitetet e jetesës së përditshme, sipas vendimmarrjes që mbron interesin më të lartë të tyre;
c) të marrin vendime për mbështetje në formën më efektive pa kufizime dhe ndërhyrje në të drejtat e tyre;
ç) të pranojnë ose të refuzojnë mbështetjen për vendimmarrje sipas aneksit nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
d) të marrin vendime pa cenuar të drejtat e personave të tjerë.
8. Mbështetësi ndihmon në marrjen dhe komunikimin e vendimeve për personat me aftësi të kufizuara. Mbështetësi, në asnjë rast, nuk zëvendëson si vendimmarrës vetë personat me aftësi të kufizuara.
9. Personi me aftësi të kufizuara nuk do të konsiderohet si i paaftë për të marrë vendime bazuar vetëm mbi faktin se vendimet mund të mos pranohen nga mbështetësi.
10. Mungesa e aftësisë për të marrë një vendim në një fushë të caktuar nuk nënkupton mungesën e aftësisë për të marrë vendime në fusha të tjera.
11. Mbështetja që ofrohet ndaj personit me aftësi të kufizuara synohet të jepet në një kohë sa më të shkurtër dhe në përputhje me kërkesat e personave me aftësi të kufizuara.
12. Personi me aftësi të kufizuara, i cili përfiton mbështetjen në vendimmarrje, është personi që ka aftësi për të marrë vetë vendime dhe kërkon mbështetje sipas aneksit nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
13. Personi me aftësi të kufizuara, që përfiton mbështetjen për vendimmarrje, nuk prezumohet si i paaftë për të marrë vendime, në rastet kur informacioni i ofruar nuk është në formë të përshtatur, duke përfshirë gjuhën e thjeshtuar, komunikimin joverbal nga interpreti i gjuhës së shenjave, shoqëruesi për të verbrit dhe ndihmën e mjeteve ndihmëse.
14. Marrëveshja e vendimmarrjes së mbështetur është alternativë për vendimmarrje të mbështetur për personat me aftësi të kufizuara, që janë në gjendje të marrin vendimet e tyre, por që kanë nevojë për një kompetencë specifike të shtuar.
15. Marrëveshja për vendimmarje të mbështetur nuk zëvendëson, në asnjë rast, alternativat ekzistuese, si kujdestaria ligjore/ përfaqësuesi ligjor.
16. Në rastin kur një grup individësh janë deklaruar si mbështetës në vendimmarrje, ata bashkëpunojnë për procesin e mbështetjes me personin me aftësi të kufizuara, sipas përzgjedhjes së personit me aftësi të kufizuara.
17. Institucionet publike dhe jopublike, që ofrojnë shërbime, kanë detyrimin:
a) të marrin masat përkatëse për ofrimin e informacionit sipas kërkesës verbale ose me shkrim nga personi me aftësi të kufizuara;
b) të evidentojnë dhe të trajnojnë personat që ofrojnë këtë shërbim për formatet e aksesueshme sipas legjislacionit në fuqi.
18. Ministria përgjegjëse për çështjet e aftësisë së kufizuar, bashkitë dhe organizatat për aftësinë e kufizuar bashkëpunojnë për nxitjen dhe ndërgjegjësimin e personave me aftësi të kufizuara për të përdorur vendimmarrjen e mbështetur si një mjet për fuqizimin e autonomisë e të pavarësisë së personave me aftësi të kufizuara.
19. Shërbimin e vendimmarrjes së mbështetur e përfitojnë personat me aftësi të kufizuara që kërkojnë, dëshirojnë e zgjedhin këto shërbime dhe plotësojnë këto kritere:
a) Kanë mbushur moshën 18 vjeç;
b) Kërkojnë mbështetje për të marrë vendime për aktivitete të jetës së përditshme, sipas aneksit nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
c) Hasin pengesa për marrjen apo kuptimin e informacionit që i nevojitet për të marrë vendime.
20. Mbështetës në vendimmarrje është/janë:
a) familjari/ët, i afërmi/të afërmit, miqtë ose ndihmësi personal;
b) një ose disa individë me zotësi të plotë për të vepruar, që garanton/jnë mbrojtjen e personit me aftësi të kufizuara, pa qëllim abuzimi apo përfitimi gjatë gjithë ofrimit të vendimmarrjes së mbështetur;
c) një individ ose grup individësh, zgjedhur prej personit me aftësi të kufizuara, që plotëson kriteret e përcaktuara dhe ka nënshkruar marrëveshjen, sipas aneksit nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
ç) i/të gatshëm që të mbështesë/in personin që kërkon mbështetje në vendimmarje duke vepruar në përputhje me interesin, zgjedhjet dhe dëshirat e personit me aftësi të kufizuara.
21. Mbështetësi në vendimmarrje të mbështetur nuk duhet të jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, kundërvajtjeje penale me dashje apo vendim gjykate me një nga masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje.
22. Personi me aftësi të kufizuara dhe mbështetësi/t në vendimmarrje nënshkruajnë një marrëveshje sipas aneksit nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, të cilën e dorëzojnë në njësinë administrative/strukturat vendore të shërbimeve sociale në bashki. Marrëveshja nuk përjashton që personi me aftësi të kufizuara të kryejë veprime në mënyrë të pavarur nga marrëveshja.
23. Nënshkrimi i marrëveshjes kryhet në praninë e dy punonjësve nga sektori i shërbimeve sociale i bashkisë/njësisë administrative përkatëse.
24. Mbështetësi merr informacionin e duhur dhe bashkëpunon me punonjësin social në bashki për të komunikuar në mënyrë të kuptueshme dhe në formatin më të përshtatshëm për personin që merr vendimin.
25. Mbështetësi paraqitet individualisht dhe/ose me personin me aftësi të kufizuara në çdo institucion publik dhe jopublik për të marrë informacion me autorizim ligjor.
26. Punonjësi nga strukturat përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror pranë bashkive dhe njësive administrative identifikon dhe referon rastet e mosofrimit të shërbimit të vendimmarrjes së mbështetur.
27. Ministria përgjegjëse për çështjet e aftësisë së kufizuar dhe Shërbimi Social Shtetëror përfshijnë vendimmarrjen e mbështetur si shërbim i ofruar sipas legjislacionit në fuqi.
28. Ministria përgjegjëse për çështjet e aftësisë së kufizuar dhe Shërbimi Social Shtetëror nxitin dhe promovojnë përgatitjen e institucioneve për vendimmarrje të mbështetur përmes programeve të trajnimit në bashki, me qëllim mirëfunksionimin e këtij shërbimi.
29. Ministria përgjegjëse për çështjet e aftësisë së kufizuar bashkëpunon me strukturat e shërbimeve sociale në nivel rajonal dhe vendor për të përforcuar referimin e shërbimeve që ndihmojnë në vendimmarrjen e mbështetur.
30. Institucionet publike dhe jopublike kanë detyrimin që të shpjegojnë të drejtat dhe detyrimet personave me aftësi të kufizuara/mbështetësve, pasojat e veprimeve me natyrë juridike, duke përdorur teknika të përshtatshme për nivelin dhe llojin e aftësisë së kufizuar.
31. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Kulturës, bashkitë dhe njësitë administrative për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË NUMRIN E PUNONJËSVE ORGANIKË TË MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR VITIN 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve organikë të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2022, shtohet me 30 (tridhjetë) veta, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe numri i përgjithshëm i sistemit të ministrisë bëhet 15 141 (pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e dyzet e një) punonjës.
2. Numri i punonjësve rezervë të buxhetit pakësohet me 30 (tridhjetë) veta dhe numri i përgjithshëm i punonjësve rezervë mbetet 10 (dhjetë) veta.
3. Ngarkohet Ministria e Brendshme të depozitojë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve shtesë, sipas këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ