Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Maj 2025:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË DEKLARATËS SË QËLLIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT NË LIDHJE ME EKSPORTET NË FUSHËN E MBROJTJES DHE BASHKËPUNIMIN INDUSTRIAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të deklaratës së qëllimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KABINETIT TË MINISTRAVE TË UKRAINËS, PËR TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR RRUGOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për transportin ndërkombëtar rrugor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES EVROPIANE PËR HEQJEN E VIZAVE PËR REFUGJATËT, BËRË NË STRASBURG, MË 20.4.1959 (ETS 31)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes evropiane për heqjen e vizave për refugjatët, bërë në Strasburg, më 20.4.1959 (ETS31), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.533, DATË 22.9.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT PËR ZHVILLIMIN E ZONËS SË RE, NË PËRPUTHJE ME PLANIN E DETYRUAR VENDOR, PËRMES KOMPENSIMIT ME SHKËMBIM, PËR TË GJITHA PASURITË QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSITË ADMINISTRATIVE 4 DHE 8, ZONA “5 MAJI”, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të nenit 32, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë nayrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në tabelën, që i bashkëlidhet vendimit nr.533, datë 22.9.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit për zhvillimin e zonës së re, në përputhje me planin e detyruar vendor, përmes kompensimit me shkëmbim për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi i projektit “Për zonën e re për zhvillim në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”, Bashkia Tiranë”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Të dhënat për shpronësim të numrave rendorë 4, 9, 10, 68, 70, 78, 80 dhe 81, të seksionit “Pronë private”, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor në tabelën, bashkëlidhur këtij vendimi.
b) Të dhënat për shpronësim të numrave rendorë 1, 8 dhe 9, të seksionit “Në proces legalizimi në ASHK”, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor në tabelën, bashkëlidhur këtij vendimi.
c) Pasuritë me numrat rendorë 25, 26, 27, 42, dhe 56, të pasqyruar në seksionin PPV, hiqen nga tabela e shpronësimit.
ç) Në tabelë shtohet pasuria me numrin rendor 86, në seksionin “Pronë private”, si dhe pasuritë me numrat rendorë 52, 53, 54 dhe 55, të seksionit “Në proces legalizimi në ASHK”, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.580, DATË 6.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT PËR ZHVILLIMIN E ZONËS SË RE, NË PËRPUTHJE ME PLANIN E DETAJUAR VENDOR, PËRMES KOMPENSIMIT ME SHKËMBIM, PËR TË GJITHA PASURITË QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE NR.6, ZONA “KOMBINAT”, BASHKIA TIRANË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 32, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në tabelën bashkëlidhur vendimit nr.580, datë 6.10.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Të dhënat për shpronësim të numrit rendor 35, të seksionit “pronë private”, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Të dhënat për shpronësim të numrave rendorë 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 64, 65, 66, 67, 68, 69, 70, 71, 72, 73, 74, 75, 76, 77, 79, 80, 81, 82, 84, 85, 86, 87, 88, 89, 90, 91, 92, 93, 94, 95, 96, 97, 98, 99, 100, 101, 103, 104, 105, 106, 107, 108, 109, 110, 111, 112, 113, 114, 115, 116, 117, 119, 120, 121, 122, 123, 124, 125, 126, 127, 128, 129, 130, 131, 132, 133, 134, 136, 137, 138, 139, 140, 141, 142, 143, 144, 145, 146, 147, 148 dhe 149, të seksionit “Pallate”, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Të dhënat për shpronësim të numrave rendorë 9, 20, 27, 32, 37, 41, 51, 53, 62 dhe 84, të seksionit “Në proces legalizimi”, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) Në tabelë shtohen pasuritë me numrat rendorë 92, 93, 94, të seksionit “Në proces legalizimi”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për shkëmbim, në kuadër të procesit të rindërtimit, për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohet me anë të këtij vendimi, duhet të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar, për secilin pronar, i konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi.
3. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.689, DATË 23.10.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË SHPALLJES SË KURORËS SË GJELBËR DHE PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE E TË PËRGJEGJËSIVE NË LIDHJE ME ADMINISTRIMIN, MBROJTJEN DHE RUAJTJEN E SAJ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 23, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.689, datë 23.10.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 8, të kreut II, emërtimi “Këshillit Kombëtar të Territorit” zëvendësohet me “Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU)”.
2. Pas kreut II shtohet kreu II/1, me këtë përmbajtje:
“II/1. Veprimtaritë e ndaluara dhe të lejuara në kurorën e gjelbër
1. Veprimtaritë e ndaluara janë:
a) kultivimi, mbarështimi i specieve invazive, të cilat mund të dëmtojnë zinxhirin ekzistues të botës së gjallë të zonës së mbrojtur;
b) fragmentimi i habitateve;
c) gjuetia;
ç) grumbullimi i kafshëve të egra, përveç rasteve me qëllim kërkimor-shkencor;
d) mbjellja e llojeve monokulturë (në pyllëzime).
2. Veprimtaritë e lejuara në kurorën e gjelbër janë veprimtaritë e lejuara për zonat e mbrojtura, “Kategoria V”, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar, si dhe veprimtaritë e mëposhtme:
a) Veprimtaritë kërkimore-shkencore;
b) Veprimtaritë me qëllim edukimin mjedisor;
c) Veprimtaritë me qëllim monitorimin e gjendjes mjedisore, të ekosistemit, të habitateve dhe të llojeve floristike e faunistike;
ç) Çdo veprimtari që lidhet me ndërhyrjet e nevojshme ose urgjente për përmirësimin e biodiversitetit, rigjenerimit ose shëndetësimit ose çdo veprimtari tjetër për këtë qëllim;
d) Veprimtaritë e zhvilluara në struktura miqësore me biodiversitetin e mjedisin;
dh) Veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të turizmit/agroturizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse;
e) Veprimtaritë ekonomike, shoqërore, për ndërtimin e strukturave miqësore me biodiversitetin me qëllim vrojtimi në natyrë, kamping, njësi shërbimi, për qëllime shëndetësore;
ë) Instalimet për veprimtari të prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, si dhe të transmetimit e të shpërndarjes së energjisë;
f) Ndërtimi i mënyrave të transportit miqësore me biodiversitetin, si: shtigje biçikletash, shtigje për ecje;
g) Ndërhyrjet e lejuara urbane, rekreacioni apo ekonomike brenda zonës, duke ruajtur karakterin e saj;
gj) Veprimtaritë bujqësore-blegtorale, pylltari, kullotje;
h) Veprimtaritë, që kanë të bëjnë me operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin/ndërtimin e infrastrukturës së ujitjes, kullimit, mbrojtjes nga përmbytja dhe sigurinë e digave;
i) Eko-turizmi;
j) Veprimtaritë kulturore;
k) Veprimtaritë, të cilat inkurajojnë komunitetin lokal në mirëmbajtjen e zonës;
l) Veprimtaritë e tilla, si: ndërtime, trajtimi i ujërave të zeza në ferma, ndërtimi i kanaleve lundruese, autostradave, zonave urbane, investime strategjike, si dhe veprimtaritë e ngjashme me këto, nëse subjekti që kërkon të kryejë veprimtarinë është i pajisur me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit;
ll) Veprimtaritë ushtarake, të cilat mund të ushtrohen pas miratimit me shkrim/pajisjes me leje mjedisi;
m) Çdo veprimtari tjetër, në përputhje me planin e integruar të menaxhimit të zonës së mbrojtur.”.
3. Në kreun III bëhen këto ndryshime:
a) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda kurorës së gjelbër, miraton me rregullore të posaçme kërkesat për leje zhvillimi/ndërtimi për veprimtaritë/projektet, që lidhen me veprimtaritë e lejuara, të parashikuara në kreun II/1 të këtij vendimi, si dhe rregullat e kriteret teknike të infrastrukturës kryesore dhe asaj mbështetëse.”.
b) Në pikën 2, shkronjat “ç” dhe “d” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“ç) ndalon kryerjen e ndërhyrjeve dhe të veprimtarive në kurorë, të cilat nuk janë në përputhje me parashikimet e planit të menaxhimit, me përjashtim të rasteve kur ka një vendimmarrje me rregullore të posaçme për leje zhvillimi/ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Miratimi me rregullore të posaçme i rregullave dhe i kritereve teknike të zhvillimit/ndërtimit nga ana e KKTU-së konsiderohet akt i ndryshimit;
d) merr masat e nevojshme për pezullimin apo kufizimin e të gjitha veprimtarive që cenojnë qëllimin dhe objektivat e menaxhimit, me përjashtim të rasteve kur ka një vendimmarrje me rregullore të posaçme për leje zhvillimi/ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Miratimi me rregullore të posaçme i rregullave dhe kritereve teknike të zhvillimit/ndërtimit nga ana e KKTU-së konsiderohet akt i ndryshimit.”.
II. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, njësitë e vetëqeverisjes vendore, Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT TË PASURIVE NR.15/451, NR.15/209, NR.15/445, NR.15/447 DHE NR.18/451, NË ZONËN KADASTRALE 8642, SARANDË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi te Fondi Shqiptar i Zhvillimit të pasurive me nr.15/451, nr.15/209, nr.15/445, nr.15/447 dhe nr.18/451, në zonën kadastrale 8642, Sarandë, sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim realizimin e projektit “Poli i zhvillimit turistik në Sarandë”.
2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet ndryshimi i destinacionit të përdorimit të pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, si dhe tjetërsimi i pronës.
3. Ngarkohen Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT TË PASURIVE ME NR.33/25, NR.33/28, NR.33/29, NR.33/30, NR.33/34 DHE PJESË TË PASURIVE ME NR.33/31, NR.33/33, NË ZONËN KADASTRALE 8602, ME VENDNDODHJE NË VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi te Fondi Shqiptar i Zhvillimit të pasurive me nr.33/25, nr.33/28, nr.33/29, nr.33/30, nr.33/34 dhe pjesë të pasurive me nr.33/31, nr.33/33, në zonën kadastrale 8602, me vendndodhje në Vlorë, sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim për t’u përdorur për realizimin e projektit “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, rajoni 3 dhe 4”.
2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet ndryshimi i destinacionit të përdorimit të pronës, të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, si dhe tjetërsimi i pronës.
3. Ngarkohen Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE QË NDIQEN PËR SHFUQIZIMIN E MASAVE ADMINISTRATIVE TË PAEKZEKUTUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 3, të ligjit nr.127/2024, “Për shfuqizimin e masave administrative të vendosura nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024, inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, si dhe Policia e Shtetit e Policia Bashkiake”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
1. Përcaktimin e procedurave që ndiqen për realizimin e procesit të shfuqizimit të masave administrative të paekzekutuara, sipas përcaktimeve të ligjit nr.127/2024, nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (në vijim IKMT), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (në vijim AKU), Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.
2. Procedurat e këtij vendimi, në kuptim të ligjit nr.127/2024, zbatohen për realizimin dhe përfundimin e procesit të shfuqizimit dhe heqjes/fshirjes së masave administrative të paekzekutuara deri në datën 15 janar 2025, të cilat janë vendosur nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024, nga:
a) inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit;
b) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
c) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
ç) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
d) Policia e Shtetit;
dh) Policia Bashkiake.
3. Procesi i heqjes/fshirjes së masave administrative, të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024, dhe të paekzekutuara, sipas këtij vendimi, zbatohet vetëm për masat që janë vendosur ndaj individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë, të cilët:
a) kanë bërë ndërtime dhe/ose ndërhyrje pa leje apo njoftim paraprak, në:
i. ndërtime për qëllime banimi;
ii. objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale;
iii. objekte që shërbejnë për mbajtjen e mjeteve të punës e input-eve bujqësore dhe blegtorale.
b) kanë objekt të aktivitetit të tyre prodhimin, përpunimin, ruajtjen dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale;
c) nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë.
4. Procedurat e heqjes/fshirjes së masave administrative, të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024, dhe të paekzekutuara, ndiqen dhe zbatohen nga organet që kanë vendosur këto masa, përkatësisht, për:
a) subjektet në shkelje, sipas përcaktimeve në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij vendimi, nga:
i. inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit;
ii. Policia Bashkiake;
iii. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
b) subjektet në kushtet e përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 3, të këtij vendimi, nga:
i. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
ii. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.
c) subjektet në shkelje, sipas përcaktimeve në shkronjën “c”, të pikës 3, të këtij vendimi, nga Policia e Shtetit.
II. PROCEDURAT QË ZBATOHEN NGA INSPEKTORATET VENDORE TË MBROJTJES SË TERRITORIT DHE POLICIA BASHKIAKE
1. Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit dhe policia bashkiake e çdo njësie të vetëqeverisjes vendore, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listën e individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë ndaj të cilëve nga ky organ është vendosur, përkatësisht, masë administrative, e cila rezulton e paekzekutuar dhe që është shfuqizuar me ligjin nr.127/2024.
2. Një kopje e listës së hartuar sipas pikës 1, të këtij kreu, nënshkruar nga titullari i organit procedues, i përcillet menjëherë drejtorisë përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore, përgjegjëse për taksat dhe tarifat vendore, për kryerjen e procedurave për heqjen/fshirjen nga sistemi të masave administrative, të shfuqizuara.
3. Drejtoria përkatëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore për taksat dhe tarifat vendore, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga administrimi i listës, kryen heqjen/fshirjen nga sistemi të masës administrative, sipas listës së përcjellë për secilin individ dhe/ose person fizik apo juridik.
4. Drejtoria përkatëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore, pas përfundimit të heqjes/fshirjes nga sistemi, njofton, sipas listës së përcjellë, Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit dhe Policinë Bashkiake për fshirjen e detyrimit në sistem.
5. Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik, që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, pas përfundimit të afatit të parashikuar në pikën 6, të këtij kreu, paraqet kërkesë, përkatësisht, pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit ose Policisë Bashkiake për heqjen/fshirjen e masës.
6. Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit ose Policia Bashkiake përkatëse verifikon pretendimet në kërkesë dhe, nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024 dhe në këtë vendim, procedon me dërgimin menjëherë të të dhënave pranë drejtorisë përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore për taksat dhe tarifat vendore për heqjen/fshirjen e detyrimit nga sistemi. Në rast se nuk plotësohen kriteret për shfuqizimin e masës, sipas ligjit dhe këtij vendimi, Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit ose Policia Bashkiake njofton brenda 5 (pesë) ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative, subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
III. PROCEDURAT QË ZBATOHEN NGA INSPEKTORATI KOMBËTAR I MBROJTJES SË TERRITORIT (IKMT)
1. Strukturat përgjegjëse në nivel qendror dhe rajonal, në përbërje të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), sipas ndarjes së tyre të përgjegjësive, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listat e individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë, ndaj të cilëve nga struktura përkatëse është vendosur masë administrative, e cila rezulton e paekzekutuar, plotësisht ose pjesërisht, dhe që është shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, dhe ia përcjellin për miratim Kryeinspektorit.
2. Lista e përgatitur sipas pikës 1, të këtij kreu, konsiderohet përfundimtare, kur për çdo subjekt kundërvajtës dhe për masën administrative përkatëse, të evidentuar për çdo subjekt, aktet administrative të mbajtura nga strukturat inspektuese të IKMT-së, përfshirë procesverbalet e konstatimit të kundërvajtjes (në vijim PVKK), relacionet shpjeguese bashkëlidhur tij, si dhe vendimin e masës administrative dhe vendimin e prishjes, kanë të evidentuar qartësisht tipologjinë e ndërtimit pa leje apo njoftim paraprak, të cilat, në çdo rast, duhet të pasqyrojnë qartë se përmbushen kushtet për shfuqizimin e masës administrative, sipas kërkesave të nenit 2, të ligjit nr.127/2024.
3. Përjashtimisht nga sa përcaktohet në pikën 2, të këtij kreu, për rastet e masave administrative të paekzekutuara, plotësisht apo pjesërisht, për të cilat aktet administrative të mbajtura nga strukturat inspektuese të IKMT-së, siç janë PVKK-të, relacionet shpjeguese bashkëlidhur tij, si dhe vendimi i masës administrative dhe vendimi i prishjes, nuk kanë të evidentuar qartësisht tipologjinë e ndërtimit pa leje apo njoftim paraprak, e cila në çdo rast duhet të jetë sipas përcaktimit të nenit 2, të ligjit nr.127/2024, dokumenti shtesë që do të vërtetojë tipologjinë e ndërtimit pa leje apo njoftim paraprak do të jetë akti i ekspertimit të ndërtimit pa leje, i nënshkruar nga 3 (tre) ekspertë të licencuar të fushës. Në mungesë të këtij akti ekspertimi, vlerësimi për tipologjinë e ndërtimit pa leje apo njoftim paraprak, për masën administrative që shqyrtohet dhe vërtetimi i përmbushjes së kushteve për shfuqizimin e saj, sipas ligjit nr.127/2024, bëhet nga një komision i posaçëm, i krijuar me urdhër të Kryeinspektorit, që përbëhet nga punonjës të IKMT-së, specialistë të fushës dhe juristë.
4. Vendimet e Kryeinspektorit të nxjerra sipas pikave 1 dhe 3, të këtij kreu, për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024, administrohen nga strukturat përgjegjëse për ndjekjen e ekzekutimit të masave administrative, si dhe nga strukturat përgjegjëse për mbajtjen e regjistrave, ku evidentohen masat administrative të vendosura nga IKMT-ja, të cilat përkatësisht bëjnë heqjen ose fshirjen e tyre nga evidencat apo regjistrat, që ato disponojnë.
5. Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik, që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, paraqet kërkesë, përkatësisht pranë strukturave përgjegjëse në nivel qendror e rajonal, në përbërje të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për heqjen/fshirjen e masës.
6. Struktura përgjegjëse verifikon pretendimet në kërkesë dhe, nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024 dhe në këtë vendim, procedon me dërgimin menjëherë të vendimit për shfuqizimin e masës administrative Kryeinspektorit. Në rast se nuk plotësohen kriteret për shfuqizimin e masës, sipas ligjit dhe këtij vendimi, struktura përgjegjëse njofton brenda 5 (pesë) ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
IV. PROCEDURAT QË ZBATOHEN NGA AUTORITETI KOMBËTAR I USHQIMIT DHE INSPEKTORATI SHTETËROR SHËNDETËSOR
1. Strukturat përgjegjëse, në nivel qendror e rajonal, në përbërje të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ose të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, sipas ndarjes së përgjegjësive të tyre, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listat e individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë ndaj të cilëve, nga struktura përkatëse, është vendosur masë administrative, e cila rezulton e paekzekutuar, plotësisht ose pjesërisht, dhe që është shfuqizuar me ligjin nr.127/2024.
2. Lista e subjekteve kundërvajtëse shoqërohet me kopjen e vendimeve përfundimtare të vendosjes së masës administrative, relacionin shpjegues për çdo masë të vendosur, si dhe informacionin për fazën, në të cilën ndodhet procesi i ekzekutimit, duke e shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
3. Lista e përgatitur sipas pikave 1 dhe 2 të këtij kreu përcillet për miratim, përkatësisht, në Drejtorinë e Përgjithshme e AKU-së ose te Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Listat përfundimtare miratohen nga titullari institucionit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e përcjelljes për miratim.
4. Listat e miratuara nga titullarët e institucioneve, sipas pikës 3, të këtij kreu, për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024, administrohen nga strukturat përgjegjëse për ndjekjen e ekzekutimit të masave administrative dhe nga strukturat përgjegjëse për mbajtjen e regjistrave, ku evidentohen masat administrative të vendosura përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ose Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Strukturat përgjegjëse, përkatësisht, bëjnë heqjen ose fshirjen e tyre nga evidencat apo regjistrat që ato disponojnë.
5. Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik, që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, paraqet kërkesë, përkatësisht pranë strukturave përgjegjëse, në nivel qendror e rajonal, në përbërje të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ose të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, sipas ndarjes së tyre të përgjegjësive për heqjen/fshirjen e masës.
6. Struktura përgjegjëse verifikon pretendimet në kërkesë dhe, nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024 dhe në këtë vendim, procedon me dërgimin menjëherë të vendimit për shfuqizimin e masës administrative për miratim në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së ose te Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Në rast se nuk plotësohen kriteret për shfuqizimin e masës, sipas ligjit dhe këtij vendimi, struktura përgjegjëse njofton brenda 5 (pesë) ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
V. PROCEDURAT QË ZBATOHEN NGA POLICIA E SHTETIT
1. Drejtoritë vendore të policisë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listat e individëve dhe/ose të personave fizikë apo juridikë, ndaj të cilëve, nga struktura e tyre policore është vendosur masë administrative, të cilat rezultojnë të paekzekutuara, plotësisht ose pjesërisht, dhe që janë shfuqizuar me ligjin nr.127/2024.
2. Lista e subjekteve kundërvajtëse shoqërohet me kopjen e vendimeve përfundimtare të vendosjes së masës administrative, relacionin shpjegues për çdo masë të vendosur, si dhe informacionin për fazën, në të cilën ndodhet procesi i ekzekutimit për çdo masë.
3. Listat e përgatitura nga drejtoritë vendore të policisë, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij kreu, së bashku me dokumentet shoqëruese, përcillen për miratim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, pasi verifikon e konstaton plotësimin e kushteve ligjore për shfuqizimin e masave administrative të listuara, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e përcjelljes së tyre, për miratim, me vendim të drejtorit të Përgjithshëm ose të autorizuarit prej tij, miraton listat përfundimtare të masave administrative të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024.
5. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgon në secilën drejtori vendore të policisë listat përfundimtare së bashku me vendimet përkatëse miratuese për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara.
6. Listat përfundimtare dhe vendimet miratuese për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara me ligjin nr.128/2024, administrohen nga strukturat e drejtorive vendore të policisë, përgjegjëse për ndjekjen e ekzekutimit të masave administrative, si dhe nga strukturat përgjegjëse për mbajtjen e regjistrave, ku evidentohen masat administrative të vendosura nga Policia e Shtetit, të cilat përkatësisht, bëjnë heqjen ose fshirjen e tyre nga evidencat apo regjistrat që ato disponojnë.
7. Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, paraqet kërkesë, përkatësisht pranë strukturave përgjegjëse në nivel vendor, për heqjen/fshirjen e masës.
8. Struktura përgjegjëse verifikon pretendimet në kërkesë dhe, nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024 e në këtë vendim, procedon sipas pikave 3 dhe 4, të këtij vendimi. Në rast se nuk plotësohen kriteret për shfuqizimin e masës, sipas ligjit dhe këtij vendimi, struktura përgjegjëse njofton brenda 5 (pesë) ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
VI. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Institucionet e përmendura në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, kryejnë njoftimin për heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara nëpërmjet njoftimit publik me shpallje, në përputhje me parashikimet në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.
2. Procesi i heqjes/fshirjes nga lista e subjekteve të debitorëve, sipas këtij vendimi, përfundon brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 3, të kreut III, për të cilin afati i përfundimit të procesit është 80 (tetëdhjetë) ditë.
3. Shpenzimet administrative për realizimin e procesit të heqjes/fshirjes së masave administrative të paekzekutuara dhe të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024, të kryera sipas këtij vendimi, përballohen nga secili institucion.
4. Ngarkohen inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Policia Bashkiake dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RRITJA E SIGURISË SË DIGËS DHE PËRMIRËSIMI I AFTËSIVE UJËMBLEDHËSE TË REZERVUARIT TË KURJANIT”, BASHKIA ROSKOVEC
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rritja e sigurisë së digës dhe përmirësimi i aftësive ujëmbledhëse të rezervuarit të Kurjanit”, Bashkia Roskovec.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Roskovec.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 481 500 (dy milionë e katërqind e tetëdhjetë e një mijë e pesëqind) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 481 500 (dy milionë e katërqind e tetëdhjetë e një mijë e pesëqind) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Roskovec.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Roskovec.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Roskovec.
8. Bashkia Roskovec kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Roskovec.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Roskovec për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Roskovec për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Roskovec, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE KUNDËR MASHTRIMIT PËR MBROJTJEN E INTERESAVE FINANCIARË TË BASHKIMIT EVROPIAN, 2025-2030, DHE TË PLANIT TË SAJ TË VEPRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Mashtrimit për Mbrojtjen e Interesave Financiarë të Bashkimit Evropian, 2025-2030, dhe të planit të saj të veprimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, ministritë e linjës, si dhe institucionet e tjera përgjegjëse të përcaktuara në Strategji dhe në planin e saj të veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA BELSH, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “AGJENCIA SEFERAN, ELBASAN”, ME NUMËR PASURIE 116/1, NË ZONËN KADASTRALE 3272, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.886, DATË 3.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.413, DATË 11.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Belsh, të pronës me emërtimin “Agjencia Seferan, Elbasan”, në zonën kadastrale 3272, sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për ta përdorur në funksion të projektit “Zhvillimi i turizmit në liqenin Marinëz, turizmit në zonën turistike Seferan dhe rehabilitimi i shtigjeve turistike që lidh liqenet e Rrahmanit-Marinzës”.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.886, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Belsh, të Qarkut të Elbasanit”, të ndryshuar.
3. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i hiqet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.413, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes (Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit)”, të ndryshuar.
4. Bashkisë Belsh i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pronës së përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Bashkia Belsh dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU