Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Qershor 2022:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SHTETËRORE TË PROKURIMEVE TË PËRQENDRUARA DHE NGARKIMIN E KËSAJ AGJENCIE PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË VEÇANTA TË PROKURIMIT PUBLIK, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË KRYEMINISTRISË, MINISTRIVE DHE INSTITUCIONEVE TË VARËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Prokurimeve të Përqendruara (këtu e në vijim ASHPP), si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit të Brendshëm (këtu e në vijim ministri), me seli në Tiranë.
2. ASHPP-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme. Buxheti i ASHPP-së është pjesë e buxhetit të Ministrisë së Brendshme.
3. Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara është organ qendror blerës, misioni i të cilit konsiston në mirëpërdorimin e fondeve publike, nëpërmjet kryerjes së procedurave të përqendruara të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla. ASHPP-ja zhvillon procedurat në fushën e prokurimit të mallrave e shërbimeve në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës.
4. Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara ka përgjegjësi të organizojë punën për kryerjen e procedurave të prokurimit për të nënshkruar marrëveshje kuadër dhe kryerjen e procedurave të prokurimit për të lidhur kontratë.
KREU II
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË SHTETËRORE TË PROKURIMEVE TË PËRQENDRUARA
1. Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara organizohet në nivel qendror dhe e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara drejtohet dhe përfaqësohet në marrëdhënie me të tretët nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e agjencisë dhe përgjigjet përpara ministrit.
3. Drejtori i Përgjithshëm i ASHPP-së emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra nga ministri. Kriteret për emërimin drejtor i Përgjithshëm janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ç) Të ketë diplomë të nivelit “Master i Shkencave” apo “Master Profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike ose të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë.
d) Të ketë eksperiencë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet në fushën e prokurimeve publike;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
4. Drejtori i Përgjithshëm i ASHPP-së lirohet nga detyra në rastet e mëposhtme:
a) Jep dorëheqjen;
b) Mbush moshën e pensionit të pleqërisë;
c) Vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën;
ç) Gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit.
5. Drejtori i Përgjithshëm i ASHPP-së shkarkohet nga detyra në rastet e mëposhtme:
a) Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) Kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;
c) Merr formë të prerë vendimi i gjykatës për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar.
6. Drejtori i Përgjithshëm i ASHPP-së kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Drejton procesin e planifikimit buxhetor dhe të raportit vjetor të punës;
b) Raporton çdo 3 (tre) muaj dhe sa herë që kërkohet para ministrit për veprimtarinë e ASHPP-së;
c) Drejton punën për përgatitjen e rregullores që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të ASHPP-së dhe/apo ndryshimet e saj dhe e dërgon atë për miratim te ministri;
ç) Drejton punën për përgatitjen e kërkesave të veçanta të pozicioneve të punës për rekrutimin e punonjësve të ASHPP-së;
d) Emëron punonjësit e ASHPP-së në përputhje me dispoziat e Kodit të Punës;
dh) Nxjerr akte të brendshme për menaxhimin administrativ, financiar, të burimeve njerëzore dhe akte të tjera të brendshme, të detyrueshme për nëpunësit e ASHPP-së për realizimin e funksioneve të këtij institucioni;
e) Krijon grupe pune, komisione apo struktura përgjegjëse për trajtimin e çështjeve të ndryshme në agjenci;
ë) Zbaton legjislacionin në fuqi për prokurimin publik dhe blerjet e përqendruara, në cilësinë e titullarit të organit qendror të krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
f) Çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi dhe ministri.
7. Detyrat e Agjencisë Shtetërore të Prokurimeve të Përqendruara gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit për lidhjen e një marrëveshjeje kuadër janë, si më poshtë vijon:
a) Të bashkërendojë punën me autoritetet/entet kontraktore për mbledhjen e përpunimin e të dhënave, teknike e sasiore, të mallrave dhe shërbimeve të vazhdueshme dhe/ose të unifikuara;
b) Të verifikojë përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet/entet kontraktore, në raport me kuadrin ligjor në fushën e prokurimeve publike;
c) Të përllogarisë fondin limit për sasitë e pritshme të mallrave dhe të shërbimeve që do të prokurohen, bazuar në kërkesat, afatin e marrëveshjes kuadër dhe fondin limit të dërguar nga autoritetet/entet kontraktore, duke vënë në dijeni autoritetin/entin kontraktor;
ç) Të zhvillojë procedurat e prokurimit deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;
d) Të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë;
dh) Të njoftojë autoritetet/entet kontraktore për mundësinë e lidhjes së një apo disa kontratave, në bazë të kërkesave të tyre, brenda afatit dhe limitit të fondit të përcaktuar në marrëveshjen kuadër.
8. Detyrat e Agjencisë Shtetërore të Prokurimeve të Përqendruara gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit për lidhjen e një kontrate janë, si më poshtë vijon:
a) Të bashkërendojë punën me autoritetet/entet kontraktore për mbledhjen e përpunimin e të dhënave, teknike e sasiore, të mallrave dhe shërbimeve, objekt prokurimi;
b) Të verifikojë përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet/entet kontraktore, në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi;
c) Të përllogarisë fondin limit të kontratës për sasitë e mallrave dhe shërbimeve që do të prokurohen, përpara publikimit të njoftimit të kontratës, bazuar në kërkesat dhe fondet e autoriteteve/enteve kontraktore, duke vënë në dijeni autoritetin/entin kontraktor;
ç) Të zhvillojë procedurat e prokurimit deri në nënshkrimin e kontratës;
d) Të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë.
9. ASHPP-ja për nevojat e saj mund të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me institucione përkatëse brenda fushës së kompetencave të tyre për ofrimin e asistencës teknike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
10. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe punonjësve të ASHPP-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
11. Rregullorja, që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të ASHPP-së, dhe/apo ndryshimet e saj miratohen nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të ASHPP-së.
12. Shërbimet mbështetëse dhe ato të buxhetit e të financës për Agjencinë Shtetërore të Prokurimeve të Përqendruara realizohen nga strukturat përgjegjëse për këto funksione në Ministrinë e Brendshme.
13. Struktura dhe organika e ASHPP-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
14. ASHPP-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e agjencisë përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Brendshme, Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara”.
15. Vula e ASHPP-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU III
KRYERJA E PROCEDURAVE TË VEÇANTA TË PROKURIMIT PUBLIK
1. Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, për prokurimin e fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, zhvillon procedurat në fushën e prokurimit të mallrave dhe shërbimeve, si më poshtë vijon:
a) Blerje automjetesh;
b) Blerje karburanti, me përjashtim të vajgurit Jet A1 dhe karburantit që prokurohet për përdorim nga fermerët;
c) Blerje materialesh kancelarie;
ç) Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim;
d) Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;
dh) Blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;
e) Blerje këpucësh;
ë) Blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike;
f) Blerje tonerash;
g) Shërbime në fushën e sigurimeve, si:
i. sigurim i automjeteve;
ii. sigurim i mjeteve lundruese;
iii. sigurim i mjeteve ajrore;
iv. sigurim jete dhe shëndeti;
v. sigurim i godinave publike;
gj) Shërbim gatimi dhe shpërndarjeje ushqimi;
h) Shërbim pastrimi;
i) Shërbim lavanderie;
j) Shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje të ndërtesave publike;
k) Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;
l) Botime, printime dhe materiale shtypshkrimi;
ll) Blerje materialesh të buta dhe veshmbathjesh;
m) Riparim e mirëmbajtje sistemesh të ngrohje-ftohjeve;
n) Blerje pajisjesh laboratorike si dhe mjetesh didaktike, të lidhura me proceset e tyre të punës, me përjashtim të atyre mjekësore;
nj) Shërbime dezinfektimi, deratizimi dhe dezinsektimi;
o) Blerje artikujsh ushqimorë;
p) Blerje pajisjesh kondicionimi;
q) Shërbim gjelbërimi.
2. Bëjnë përjashtim nga parashikimet e pikës 1, të këtij kreu, institucionet e mëposhtme:
a) Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e saj të varësisë, që realizojnë vetë procedurat e prokurimit me objekte, si:
i. riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;
ii. blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;
iii. blerje këpucësh;
iv. sigurim i mjeteve lundruese;
v. sigurim i mjeteve ajrore;
vi. sigurim jete dhe shëndeti;
vii. sigurim jete detari dhe personeli fluturues.
b) Shtypshkronjat e letrave me vlerë, që prokurohen sipas legjislacionit në fuqi;
c) Shërbimi Informativ Shtetëror që realizon vetë procedurat e prokurimit publik, sipas legjislacionit në fuqi;
ç) Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural realizon vetë procedurat e prokurimit për blerjen dhe shpërndarjen e karburantit, që prokurohet për përdorim nga fermerët në sektorin e bujqësisë.
d) Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që realizon vetë procedurat e prokurimit lidhur me:
i. blerjen e automjeteve;
ii. blerjen e pjesëve të këmbimit për automjete, për shërbimet profilaktike;
iii. riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve; si dhe
iv. blerjen e artikujve ushqimorë.
3. Autoritetet/entet kontraktore duhet t’i dërgojnë ASHPP-së, si organ qendror blerës, të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës për mallrat e shërbimet përkatëse, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga miratimi i ligjit për buxhetin për vitin pasardhës.
4. ASHPP-ja krijon regjistrin e parashikimeve për procedurat e prokurimit që zhvillohen prej tyre menjëherë me mbledhjen e të dhënave, por, në çdo rast, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë nga marrja e kërkesave për prokurim nga autoritetet/entet kontraktore.
5. Autoritetet/entet kontraktore kanë përgjegjësinë për të dërguar kërkesat teknike në përputhje me aktet ligjore në fuqi, duke garantuar gjithëpërfshirje të operatorëve ekonomikë, vendas apo të huaj, në procedurat e prokurimit.
6. ASHPP-ja unifikon specifikimet teknike për mallra dhe shërbime që prokurohen në mënyrë të përqendruar, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas apo të huaj, dhe harton katalogët e standardeve. Katalogët e standardeve miratohen me urdhër të ministrit të Brendshëm, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të ASHPP-së.
7. Në rastet kur ASHPP-ja, gjatë verifikimit të përputhshmërisë së kërkesave të dërguara nga autoritetet/entet kontraktore me kuadrin ligjor në fushën e prokurimeve publike, vlerëson se të dhënat teknike e sasiore të mallrave e shërbimeve të objekteve të prokurimit duhet të ndryshohen ose të saktësohen, i kërkon autoriteteve/enteve kontraktore, që, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve të bëjnë rishikimin e tyre përpara publikimit të procedurës.
8. Në rastet kur ASHPP-ja konstaton se autoritetet/entet kontraktore kanë kërkesa, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës të procedurës së prokurimit, verifikon arsyet e vonesës dhe shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa. ASHPP-ja duhet të informojë menjëherë Agjencinë e Prokurimit Publik (APP) në çdo rast kur konstaton mosrespektimin e afatit kohor.
9. ASHPP-ja, me kërkesë të një apo të disa autoriteteve/enteve kontraktore, zhvillon procedura prokurimi edhe për mallra apo shërbime të cilat nuk janë listuar në pikën 1, të këtij kreu, në rastet kur autoriteti/enti kontraktor kërkues nuk ka kapacitete apo njohuri të mjaftueshme për realizimin e një procedure prokurimi.
10. Me kërkesë të ASHPP-së, çdo autoritet/ent kontraktor sipas pikës 1, të këtij kreu, vendos në dispozicion specialistë të fushës, objekt prokurimi, për të asistuar agjencinë. Shpenzimet administrative mbulohen nga buxheti i aparatit të Ministrisë së Brendshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU IV
DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.81, datë 14.2.2018, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara”, i ndryshuar, dhe nr.82, datë 14.2.2018, “Për ngarkimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë për disa mallra dhe shërbime”, i ndryshuar, shfuqizohen.
2. Të gjithë punonjësit, që janë në marrëdhënie pune në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, vazhdojnë marrëdhëniet e punës të rregulluara sipas ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Autoritetet/entet kontraktore të përmendura në pikën 1, të kreut 3, të këtij vendimi, zhvillojnë vetë procedurën e prokurimit, me objekt “blerje tonerash”, për nevoja të vitit buxhetor 2022, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara, Kryeministria, ministritë e linjës, institucionet në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE “ERSEKA SOLAR PARK 1” DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN E ERSEKËS, BASHKIA KOLONJË, QARKU I KORÇËS, NGA BASHKIMI I PËRKOHSHËM I SHOQËRIVE “FAVINA” SH.P.K., “FAVINA 1”, SH.P.K., DHE “M&K ENERGY TRADING CO”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike “Erseka Solar Park 1” dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën e Ersekës, Bashkia Kolonjë, Qarku i Korçës, nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., me elementet si më poshtë vijon:
a) Emrin e aplikuesit: Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k.;
b) Numrin e identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS:
“FAVINA”, sh.p.k. : J64104078V,
“FAVINA 1”, sh.p.k. : K54624001I,
“M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k.: M04516001I;
c) Tipin e centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapacitetin e instaluar: 20 MW;
d) Afatin e pritshëm të vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
dh) Vendndodhjen e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën e Ersekës, Bashkia Kolonjë, Qarku i Korçës;
e) Afatin e operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ose institucione të tjera të autorizuara kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Bashkimit të përkohshëm të shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit fotovoltaik. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., dhe shoqëria për qëllime të veçanta do të jenë bashkërisht përgjegjëse për detyrimet sipas këtij miratimi dhe kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
gj) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike “Erseka Solar Park 1” dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 20 MW, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën e Ersekës, Bashkia Kolonjë, Qarku i Korçës, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10% e kuotave të shoqërisë për qëllime të veçanta mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
h) Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet bashkimit të përkohshëm të shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE “ERSEKA SOLAR PARK 2” DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN E ERSEKËS, BASHKIA KOLONJË, QARKU I KORÇËS, NGA BASHKIMI I PËRKOHSHËM I SHOQËRIVE “FAVINA” SH.P.K., “FAVINA 1”, SH.P.K., DHE “M&K ENERGY TRADING CO”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike “Erseka Solar Park 2” dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën e Ersekës, Bashkia Kolonjë, Qarku i Korçës, nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emrin e aplikuesit: Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k.;
b) Numrin e identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS:
“FAVINA”, sh.p.k. : J64104078V,
“FAVINA 1”, sh.p.k. : K54624001I,
“M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k.: M04516001I;
c) Tipin e centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapacitetin e instaluar: 20 MW;
d) Afatin e pritshëm të vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
dh) Vendndodhjen e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën e Ersekës, Bashkia Kolonjë, Qarku i Korçës;
e) Afatin e operimit: 49 (dyzet e nëntë) vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ose institucione të tjera të autorizuara kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.
g) Bashkimit të përkohshëm të shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit fotovoltaik. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., dhe shoqëria për qëllime të veçanta do të jenë bashkërisht përgjegjëse për detyrimet sipas këtij miratimi dhe kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
gj) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike “Erseka Solar Park 2” dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 20 MW, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën e Ersekës, Bashkia Kolonjë, Qarku i Korçës, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10% e kuotave të shoqërisë për qëllime të veçanta mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
h) Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet bashkimit të përkohshëm të shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj.;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimi i përkohshëm i shoqërive “FAVINA”, sh.p.k., “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe “M&K ENERGY TRADING CO”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN E DISBALANCAVE TË SHKAKTUARA NGA PRODHUESIT ME PËRPARËSI TË ENERGJISË ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 99, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
QËLLIMI I VENDIMIT
Ky vendim përcakton mënyrën e trajtimit të disbalancave të shkaktuara nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike dhe kostot përkatëse për mbulimin e tyre.
PËRKUFIZIMET
Në këtë vendim termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Grupi i balancimit”, një grup i përbërë prej dy ose më shumë palëve përgjegjëse balancuese në tregun e energjisë elektrike, që, për qëllim të balancimit, bashkojnë skedulet e tyre dhe matjet nga pikat matëse duke transferuar përgjegjësinë e tyre të balancimit te lideri i grupit të balancimit dhe duke vepruar si palë e vetme përgjegjëse balancuese për shlyerjen e disbalancave.
2. “Lideri i grupit të balancimit”, pala përgjegjëse balancuese, tek e cila pjesëmarrësit e tjerë të grupit balancues kanë transferuar përgjegjësinë e tyre të balancimit. Ai përfaqëson grupin në komunikim, skedulim dhe shlyerjen e disbalancave kundrejt OST, sh.a.-së, në përputhje me rregullat e balancimit në fuqi.
3. “Pagesë për prodhimin e matur”, pagesa, bazuar në vlerat e matura të energjisë së prodhuar.
4. “Pagesë për prodhimin e nominuar”, pagesa, bazuar në vlerat e nominuara të programit të prodhimit, në përputhje me rregullat e balancimit në fuqi.
5. “Matje sipas intervaleve të caktuara kohore”, sistem matjeje (tërësia e pajisjeve përbërëse të sistemit të matjes), i aftë të masë, të regjistrojë dhe të transmetojë të dhënat në drejtim të një platforme elektronike në intervale të caktuara kohore, të integruar me sistemin e matjes së OST, sh.a.-së, dhe në përputhje me Kodin e Matjes.
III. PARIME TË PËRGJITHSHME
1. Në përputhje me nenin 22.5, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, dhe rregullat e tregut të balancimit, të miratuara nga ERE, prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike janë përgjegjës për disbalancat dhe kostot përkatëse që ato shkaktojnë në sistem, në përputhje me rregullat e tregut shqiptar të balancimit të energjisë elektrike, të miratuara nga ERE.
2. Prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, të cilët kanë një kontratë shitblerjeje energjie elektrike me shoqërinë e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik për blerjen e energjisë nga burimet e rinovueshme, nga data 1 prill 2021 janë automatikisht pjesë e Grupit të Balancimit të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme (OER).
3. Prodhuesit e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, të pajisur me të dhëna matjeje sipas intervaleve të caktuara kohore, mund të vendosin për përgjegjësinë e tyre për balancimin, duke zgjedhur një prej opsioneve të mëposhtme:
a) Nënshkrimin e një kontrate direkt me OST, sh.a.-në, në përputhje me rregullat e balancimit në fuqi.
b) Transferimin e përgjegjësisë së tyre balancuese te një grup tjetër balancues, i ndryshëm nga grupi i balancimit OER.
4. Për prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, të cilët për përgjegjësinë e tyre të balancimit kanë zgjedhur opsionet sipas pikës 3, të këtij kreu, kontrata tip e shitblerjes së energjisë elektrike, e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë, ndryshon nga pagesa për prodhimin e matur në pagesë për prodhimin e nominuar.
IV. OER, LIDER I GRUPIT TË BALANCIMIT
1. Në rolin e tij si lider i grupit të balancimit, OER-ja do të alokojë te prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike vlerën neto të faturave mujore të disbalancave në përpjesëtim me prodhimin e matur të energjisë.
2. Në rast se grupi i balancimit ka në përbërje dhe palë të tjera përgjegjëse balancuese, të ndryshme nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, atëherë lideri i grupit të balancimit do të alokojë te të gjithë pjesëmarrësit e grupit vlerën neto të faturave mujore të disbalancave, sipas formulës së mëposhtme:
〖VFD (PPB)〗_(i=1..n)=〖FND〗_LGB*〖(Energji e matur)〗_(〖PPB〗_(i=1..n) )/(∑_(i=1)^n▒〖(Energji e matur)〗_(〖PPB〗_i ) )
Ku:
VFD – vlera e faturës së disbalancave për palën përgjegjëse balancuese.
〖FND〗_LGB – fatura neto e disbalancave pozitive dhe negative për liderin e grupit të balancimit,
〖 (PPB)〗_(i=1..n) – palët përgjegjëse balancuese të grupit të balancimit
(Energji e matur)[MWh] – sasia e energjisë totale e prodhuar dhe konsumuar (në vlerë absolute) nga të gjithë palët përgjegjëse balancuese të grupit të balancimit të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme.
3. OER-ja në të njëjtën mënyrë do të shpërndajë çdo kosto shtesë nga zbatimi i mekanizmit balancues.
4. Përveç sa më sipër, për shërbimin e balancimit, lideri i grupit të balancimit, Operatori i Energjisë së Rinovueshme do t’ì ngarkojë pjesëmarrësve të gupit të balancimit një tarifë për mbulimin e shpenzimeve të këtij shërbimi, e cila përfaqëson kostot e OER-së për njësi lekë/kwh, shumëzuar me energjinë e matur/prodhuar.
5. Pagesa për shërbimin e balancimit do të jetë shuma e vlerës së faturës së disbalancave për palën përgjegjëse balancuese plus tarifën e shërbimit të balancimit, sipas formulës së mëposhtme:
Pagesa totale=〖VFD (PPB)〗_i+tarifa
V. TË TJERA
1. Prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike duhet të pajisen me sistem matjeje sipas intervaleve të caktuara kohore, brenda datës 30.9.2022.
2. Me përfundimin e afatit të parashikuar në pikën 1, të këtij kreu, faturimi për energjinë elektrike të prodhuar nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike do të bëhet vetëm në përputhje me të dhënat e sistemit të matjes, sipas pikës 5, të kreut 2, të këtij vendimi.
VI. DISPOZITA KALIMTARE
1. Deri në fillimin e veprimtarisë funksionale të OER-së, ngarkohet “Furnizuesi i Tregut të Lirë”, sh.a., për kryerjen e detyrave të këtij operatori, të parashikuara në këtë vendim.
2. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, në përputhje me pikën 2, të kreut 3, të këtij vendimi, “Furnizuesi i Tregut të Lirë”, sh.a., do t`ì përcjellë OST, sh.a.-së, aneksin “Agregimi i grupit të balancimit”, sipas formatit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Subjektet, që janë shpallur fituese, sipas procedurave konkurruese të përcaktuara në vendimin nr.349, datë 12.6.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e masave mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës, si dhe të procedurave për përzgjedhjen e projekteve për përfitimin e tyre”, negociojnë marrëveshjen e balancimit me blerësin e energjisë elektrike.
4. Ngarkohen prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, “Furnizuesi i Tregut të Lirë”, sh.a., Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., dhe Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
VII. TË FUNDIT
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: INFRASTRUKTURA BUJQËSORE DHE AKUAKULTURA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “q”, e 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Infrastruktura bujqësore dhe akuakultura”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin e përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMAT: KUSHTET ATMOSFERIKE DHE METEOROLOGJIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 11, pika 2, shkronjat “sh” e “t”, dhe 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Temat: Kushtet atmosferike dhe meteorologjia”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin e përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË NDIHMËS SHTETËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Emërimin e anëtarëve të Komisionit të Ndihmës Shtetërore, si më poshtë vijon:
– Znj. Delina Ibrahimaj kryetar;
– Znj. Mimoza Dhëmbi anëtare;
– Znj. Inida Methoxha anëtare;
– Znj. Brikena Qela anëtare;
– Z. Ahmet Mançellari anëtar.
2. Trajtimi financiar i anëtarëve të Komisionit të Ndihmës Shtetërore bëhet sipas vendimit nr.656, datë 31.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore”, të ndryshuar.
3. Vendimi nr.225, datë 26.4.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e anëtarëve të Komisionit të Ndihmës Shtetërore”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË SHESHEVE TË NDËRTIMIT, NË BASHKINË KURBIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 26 001 919 (njëzet e gjashtë milionë e një mijë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë) lekësh pa TVSH, për financimin e shembjeve të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, dhe transportimin e materialeve të dala nga shembja e tyre, në Bashkinë Kurbin.
2. Efektet financiare përballohen nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë dhe i transferohen Bashkisë Kurbin, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET BASHKISË MALIQ, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “ROZAFA”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURITË E “KOMBINATIT TË SHEQERIT”, SH.A., MALIQ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Bashkisë Maliq, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Rozafa”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasuritë e “Kombinatit të Sheqerit”, sh.a., Maliq, të llojit ndërtesë, me nr.1/250, me sipërfaqe 1 165.5 m2, me nr.1/231, me sipërfaqe 1 410 m2, me nr.1/248, me sipërfaqe 290.6 m2, me nr.1/237, me sipërfaqe 2 025 m2, në zonën kadastrale 2573, për një periudhë 20 (njëzet) – vjeçare, sipas planvendosjeve dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Bashkia Maliq për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATURAVE ALTERNATIVE PËR ANËTARË TË KOMISIONIT TË KONKURRENCËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturave alternative për anëtarë të Komisionit të Konkurrencës, si më poshtë vijon:
1. Për anëtarin e parë:
– Znj. Leida Matja;
– Z. Ervin Myftaraj.
2. Për anëtarin e dytë:
– Z. Durim Kraja;
– Z. Pajtim Melani.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES ISTISNA’A DHE MARRËVESHJES SË AGJENCISË ISTISNA’A, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM, PËR NDËRTIMIN E SEGMENTIT QUKËS – QAFËPLLOÇË, SI PJESË E KORRIDORIT RRUGOR TIRANË – KORÇË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.128/2013
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes Istisna’a dhe marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për ndërtimin e segmentit Qukës – Qafëplloçë, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë, ratifikuar me ligjin nr.128/2013, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR ASISTENCË TEKNIKE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT KUVAJTIAN PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK ARAB, PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË NJË STUDIMI FIZIBILITETI PËR PROJEKTET E INFRASTRUKTURËS SË TRANSPORTIT NË ZONAT BREGDETARE JUGORE TË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së grantit për asistencë teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e përgatitjes së një studimi fizibiliteti për projektet e infrastrukturës së transportit në zonat bregdetare jugore të Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES HIDROKARBURE ME NDARJE PRODHIMI PËR ZHVILLIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE NË VENDBURIMIN E GAZIT NATYROR FRAKULL, NË SHQIPËRI, NDËRMJET ALBPETROL, SH.A.-SË, DHE EDG NATURAL GAS, SH.P.K.-SË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 13, të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e marrëveshjes hidrokarbure me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Frakull, në Shqipëri, ndërmjet Albetrol, sh.a.-së, dhe EDG Natural Gas, sh.p.k.-së.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Albpetrol, sh.a.-ja, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES HIDROKARBURE ME NDARJE PRODHIMI PËR ZHVILLIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE NË VENDBURIMIN E GAZIT NATYROR POVELÇË, NË SHQIPËRI, NDËRMJET “ALBPETROL”, SH.A.-SË, DHE “EDG NATURAL GAS”, SH.P.K.-SË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 13, të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e marrëveshjes hidrokarbure me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Povelçë, në Shqipëri, ndërmjet “Albpetrol”, sh.a.-së, dhe “EDG Natural Gas”, sh.p.k.-së, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “Albpetrol”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR SISTEMIMIN E HAPËSIRAVE PUBLIKE BRENDA ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË FSHATIN VALIAS, BASHKIA KAMZË, DHE CAKTIMIN SI NJËSI ZBATUESE TË BASHKISË KAMZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 157 532 742 (njëqind e pesëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind e dyzet e dy) lekë pa TVSH, për sistemimin e hapësirave publike brenda zonës së re për zhvillim, në fshatin Valias, Bashkia Kamzë.
V E N D O S I:
2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, në masën 31 506 548 (tridhjetë e një milionë e pesëqind e gjashtë mijë e pesëqind e dyzet e tetë) lekë pa TVSH, i cili do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë dhe i transferohet Bashkisë Kamzë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Caktimin e Bashkisë Kamzë si njësi zbatuese, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES SË PERSONELIT TË POLICISË SË BURGJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 28, pika 3, e 42, pika 4, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores së personelit të Policisë së Burgjeve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e ndjekjen e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I SEGMENTIT TË KRYQËZIMIT ISH-KOMBINATI “JOSIF PASHKO”- ISH-UZINA “DINAMO E RE””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i segmentit të kryqëzimit ish-kombinati “Josif Pashko” – ish- uzina “Dinamo e Re””.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 3 524 632.80 (tre milionë e pesëqind e njëzet e katër mijë e gjashtëqind e tridhjetë e dy pikë tetëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 524 632.80 (tre milionë e pesëqind e njëzet e katër mijë e gjashtëqind e tridhjetë e dy pikë tetëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve të procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën kadastrale, pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tiranë.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA