Pas mbledhjes së sotme të qeverisë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi zbuloi vendimin për disa ndryshime në kriteret e pranimit të studentëve në disa nga programet e studimit të ciklit bachelor.
Maturantët që përfundojnë arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5, do të mund të aplikojnë për programe studimi të gjuhëve të huaja, si dhe për disa programe të tjera që kanë synim profesione të ndryshme, përveç mësuesisë.
Nisur nga shqetësimet e ardhura nga institucione të arsimit të lartë për kriteret e pranimit në këto programe, me propozim të Ministrisë së Arsimit, sot u sollën disa ndryshime. Për ata që synojnë të bëhen mësues mesatarja e pranimit në këto degë do të vijojë të jetë 7.5, por për studentët e tjerë që synojnë të vijojnë studime për një tjetër profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian, gjeograf, etj. kjo mesatare pranimi mund të jetë minimalisht 6,5.
Ata që do të aplikojnë në këto programe studime do të pajisen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore me numër të veçantë matrikullimi, i cili nuk lejon ndjekjen më pas të programeve të ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.
Me këtë vendim mbahet e njëjtë dhe e panegociueshme mesatarja për pranimin në degët e mësuesisë për ata që synojnë të bëhen mësues. Krahas ruajtjes së nivelit të cilësisë në profesionin e mësuesit, synohet edhe plotësimi i nevojave reale të tregut të punës, si dhe mospenalizimi i nxënësve apo studentëve të cilët synojnë profesione të tjera.
Ky vendim pritet që të rrisë numrin e studentëve në programet e studimit të gjuhëve të huaja dhe në disa programe të tjera studimi që mundësojnë profesione të ndryshme përveç mësuesisë.
Ky vendim siguron trajtim të barabartë për të gjithë nxënësit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe megjithëse nuk zgjedhin të bëhen mësues, duan të ndjekin programe të tjera studimi.
Qendra e Shërbimeve Arsimore do të ofrojë kode të veçanta matrikullimi për studentët që nuk vijojnë studimet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.