“Ministria e Arsimit së bashku me universitetet do të hartojnë një dokument të ri politikash për të ecur më shpejt me ndërkombëtarizimin dhe profilizimin e universiteteve, për ta bërë ofertën e akademike universitare sa më atraktive dhe konkuruese”. Deklarata u be nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në nisje të vitit të ri akademik, në ceremoninë e zhvilluar me studentë e pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.
Ministrja Ogerta Manastirliu foli edhe për mbështetjen e studentëve nëpërmjet bursave për programet prioritare, për t’ju përgjigjur kërkesave të kohës.
“Ne duam të mbështesin me kuota të përcaktuara ato programe të cilat mendojnë që me të vërtetë duhet të mbështeten në përputhje me të gjithë zhvillimet ekonomiko-sociale të tregut të punës”, – tha Ministrja Manastirliu.
Duke folur për rankimin e universiteteve, Ministrja Manastirliu tha se ky është një rankim i ri, ku janë përfshirë edhe vendet e evropës perendimore, teksa foli për nevojën për të ecur më shpejt në drejtim të këtkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit të universiteteve.
Rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha u shpreh se është pozitiv fakti që universitetet shqiptare po rankohen në nivel evropian, teksa foli për më shumë programe të përpunuara dhe të modernizuara, në kuadër të zhvillimeve që ka Shqipëria sot, në kuadrin e procesit të anëtarsimit në Bashkimin Evropian dhe nevojave që ka shoqëria dhe ekonomia.
Duke folur për ndërkombëtarizimin e universitetit, rektori i Fakultetit të Ekonomise, prof. Dhori Kule u shpreh se fusha e studimit, kërkimit, është paraprirje për t’u angazhuar dhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në përmbyllje të raundit së dytë u regjistruan mbi 20 mijë studentë në vit të parë, teksa pritet të nisë faza e tretë e regjistrimeve në universitete. Në total mbi 121 mijë studentë janë pjesë e universiteteve publike dhe jopublike.