Lufta kundër dezinformimit në Ballkanin Perëndimor (Western Balkans Countering Disinformation Wargame) ishte një prej eventeve informuese dhe trajnuese të organizuara nga Hybrid CoE, Qendra Europiane e Ekselencës në Luftën kundër Kërcënimeve Hibride, në bashkëpunim me Akademinë Austriake të Mbrojtjes Kombëtare.
Në këtë event ndërkombëtar, skuadrat kombëtare nga vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe Shqipëria, ndërvepruan përmes strategjive në luftën kundër dezinformimit.
Dy përfaqësues të Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), Koordinatoret për Informimin dhe Përmbajtjen, morën pjesë si anëtarë të skuadrës kombëtare të Shqipërisë, fillimisht në konferencën “Demistifikimi i Dezinformimit”, ku përmes paneleve të diskutimit u trajtua rëndësia e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër kërcënimeve hibride, ndikimi keqdashës i dezinformimit, roli i shoqërisë civile, si dhe zhvillimi që po merr çdo ditë e më shumë inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja.
Konferenca në fjalë i parapriu pjesëmarrjes në “lojën e luftës” (wargame), një simulim i zhvilluar në platformën online TraSim të Hybrid CoE, ku përmes simulimit të skenarëve të emergjencave humanitare, pjesëmarrësve iu ofrua mundësia për të praktikuar së bashku qasjet më të mira për njohjen, mbrojtjen dhe reagimin ndaj dezinformimit, si në rolin e përfaqësuesve të qeverisë, ashtu dhe të shoqërisë civile.
Pjesë e skuadrës kombëtare të Shqipërisë ishin edhe dy përfaqësues nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme.
Secila nga skuadrat e vendeve pjesëmarrëse hartoi dhe zbatoi “strategjinë” e saj kombëtare të komunikimit, duke iu përgjigjur dezinformatave të “kundërshtarëve”, në bashkëpunim me ekipet e tjera kombëtare, BE-në, NATO-n, median dhe shoqërinë civile.
Forcimi i njohurive për kërcënimet hibride, të vepruarit në kohë dhe me efiçencë si pjesë e strategjive dhe politikave të aktorëve përgjegjës, si dhe roli kyç i bashkëpunimit mes vendeve për një qëllim të përbashkët, ishin disa prej përfitimeve të pjesëmarrjes në këtë event.
Në qershor të këtij viti, Shqipëria iu bashkua Hybrid CoE, duke plotësuar pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të BE-së dhe NATO-s.