Në datën 3 mars 2021, u zhvilluan në Tiranë konsultimet diplomatike midis Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Shtetit të Katarit.
Ky takim përkon edhe me vitin e 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Delegacionet u kryesuan nga Sekretarët e Përgjithshëm të Ministrive të Jashtme, z. Armand Skapi për palën shqiptare dhe Dr. Ahmad Bin Hassen Al-Hammadi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Shtetit të Katarit.
Në qendër të konsultimeve diplomatike ishin shkëmbimi i pikëpamjeve mbi ecurinë e deritanishme të procesit të bashkëpunimit dypalësh. Në vijim u diskutua mbi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh, fokusuar tek bashkëpunimi ekonomik, rritja e investimeve të Katarit në Shqipëri, bashkëpunimi në fushën e arsimit, kulturës, etj.
Një tjetër çështje që u trajtua gjatë këtyre konsultimeve ishte bashkëpunimi shumepalesh dhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, në kuadër edhe të marrjes nga Shqipëria të statusit të anëtarit jo të përhershëm në KS të OKB-së.
Gjatë këtyre konsultimeve të dyja palët shkëmbyen mendime mbi situatën në rajonet respektive, në dritën e zhvillimeve më të fundit.
Delegacioni nga Katari u prit në një takim kortezie edhe nga Zëvendësministra, znj. Megi Fino.