Krifca: Subvencionimi 80% i çmimit të energjisë, ndihmë për 900 mijë banorë të zonave rurale - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Krifca: Subvencionimi 80% i çmimit të energjisë, ndihmë për 900 mijë banorë të zonave rurale

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi sot se, “në kushtet e krizës globale shkaktuar nga lufta në Ukrainë, qeveria shqiptare është angazhuar në këtë vit rezistence, t’u gjendet pranë familjeve shqiptare, në zonat urbane apo rurale, me mburojë sociale”.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku po diskutohet projektbuxheti 2023 dhe Paketa e re Fiskale, Krifca tha se, “pa këtë mburojë të qeverisë, përballimi i efekteve të kësaj lufte në ekonominë e vendit, situata do të manifestonte një skenar krejt tjetër për qytetarët e vendit tonë”.

“Mbështetja ka qenë e kombinuar ndërsektoriale. Vetëm për energjinë elektrike, në 2022, është mundësuar gjysmë miliardi euro. Vendimi për subvencionimin me 80% të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, u vjen në ndihmë edhe mbi 900 mijë banorëve që sot jetojnë në fshat dhe merren me bujqësi”, deklaroi ministrja.

Krifca theksoi se, inflacioni në Shqipëri, pavarësisht rritjes të pashmangshme, sot mbetet më i ulëti në rajon, teksa referuar shifrave ministrja bëri të ditur se, “bujqësia shqiptare ka treguar nivelin më të qëndrueshëm të bujqësisë midis vendeve të rajonit, me nivelin më të lartë mes vendeve të ‘Ballkanit të Hapur’, me rritje 1.5%, Maqedonia e Veriut me 0,01% dhe Serbia me -5%”.

Gjithashtu, tha ajo, sipas të dhënave të Bankës Botërore të shtatorit të këtij viti, ku analizohen efektet e krizës në botë, Shqipëria ka nivelin e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore më të ulëta, krahasuar me të gjithë vendet e rajonit, pjesë apo jo e BE-së.

“Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Shqipëri është pothuajse sa gjysma e rritjes së verifikuar në pothuaj të gjithë vendet e rajonit”, tha Krifca, teksa evidentoi se, përgjegjshmëria e qeverisë në përballimin e efekteve të luftës së Putinit shihet qartësisht me buxhetin më të madh për bujqësinë këtë vit, duke alokuar 14,2 miliardë lekë.

Krifca: Dyfishim i buxhetit për bujqësinë, mbeshtesim drejtperdrejt fermerët ndaj rritjes së kostove të prodhimit

Ministrja Krifca: 14.2 miliardë lekë për Bujqësinë, dyfishim nga vitet e qeverisjes së djathtë

“Buxheti që adreson sot qeveria në mbështetje të fermerëve, bujqësisë dhe zhvillimit rural është dyfish më lartë nga ajo që financonte dje qeveria e djathtë”.

Kështu deklaroi sot gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2023, teksa iu referuar shifrave të buxhetit në dispozicion të sektorit të bujqësisë nga qeveria e djathtë që ishin mesatarisht në 5,9 miliardë lekë, ndërsa sot buxheti për bujqësinë është rritur në 14.2 miliardë lekë.

“Ju ofronit më pak se gjysma e buxhetit që adreson sot qeveria socialiste. Për sektorin e bujqësisë, këtij sektori që ju i qani hallin me fjalë, por kur e keni në dorë vendimmarrjen, bëni të kundërtën. Jepni vetëm gjysmën e buxhetit që vëmë ne në dispozicion. Prandaj atëherë eksportet bujqësore ishin 149 milionë dollarë dhe sot vetëm për këtë vit në 10- mujor kemi shkuar në 441 milionë dollarë”, tha ministrja.

“Për ta ilustruar këtë fakt të nderuar fermerë, se si qeveria e djathtë përballte krizën e ekonomisë nisur në 2008, buxheti i alokuar nga qeveria e djathtë në vitin 2009, i jepte bujqësisë një buxhet prej 6.6 miliardë lekë dhe mbështetje për fermerët prej 1.4 miliardë lekë. Ndërkohë Qeveria socialiste në vitin 2022 i ka dhënë bujqësisë 13.7 miliardë lekë dhe fermerëve mbështetje me 7.1 miliardë lekë, nga të cilat 4.9 miliardë mbështetje e drejtpërdrejtë”, deklaroi Krifca.

Ministrja tha se, projektbuxheti i vitit 2023 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prej 14.2 miliardë lekë apo 12% më i lartë se buxheti fillestar i parashikuar në planifikimin buxhetor afatgjatë.

“Përsëri me rritje nga buxheti i këtij viti, kjo sepse ne jemi të përgjegjshëm. Jemi koherent. Nevoja sot thërret për ta mbështetur bujqësinë për të rezistuar ndaj rritjes së kostove të prodhimit, për të përballuar shkëputjen e hallkave të zinxhirit furnizues. Por ne e themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Duke buxhetuar dhe duke mbështetur”, tha ministrja.

Buxheti 2023 mbështet 9 programe për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural në tërësi

Buxheti 2023 adreson një total financimi prej 14.2 miliardë lekë për zbatimin e politikave të qeverisë në mbështetjen e 9 programeve për zhvillimin e bujqësisë, zonave rurale, agrobiznesin, agroturizmin, sigurinë ushqimore, teknologjinë dhe mekanizimin e deri tek peshkimi.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, duke marrë fjalën në Kuvendin e Shqipërisë dha detaje mbi këto nëntë programe të rëndësishme me fokus mbështetjen e fermerit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë rurale.

“Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë dhe i zonave rurale; Zhvillimi i qëndrueshëm i peshkimit dhe ekonomisë blu; Siguria Ushqimore; Zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe institucionale, bashkëpunimi i aktorëve, inovacioni dhe digjitalizimi; janë disa nga këto politika që ne do t’i zbatojmë me programin e qeverisë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, ndërthurur me sektorë të tjerë si infrastruktura, turizmi, shërbimet, për nxitjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, rritjen e konkurrueshmërisë, ujitjes dhe mbrojtjes nga përmbytja, përmiresimin e standarteve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit’, tha ministrja.

Krifca veçoi si një nga programet më të rëndësishëm atë të Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural me një buxhet prej 8.7 miliardë lekë ku 7.2 miliardë leke shkojnë në mbështetje të bujqësisë përkatësisht: 3.3 miliardë lekë mbështetje e drejtpërdrejtë me 1.98 miliard lekë për masat mbështetëse në skemën kombëtare dhe 1,33 miliard për naftën falas për bujqësinë.

Gjithashtu tha ministrja, fondeve buxhetore i shtohet edhe financimi huaj mbështetje e drejtëpërdrejtë për fermerët me 3.9 miliardë lekë, që mundësohet përmes granteve nga programi IPARD.

Ajo theksoi se, në funksion të mbështetjes, po punojmë për ngritjen e një skeme mbështetje që do të ruajë qëndrueshmërinë e sektorit, parë edhe në këndvështrimin e sigurimit të ushqimit, por edhe mbështetjen për eksportet e produkteve. Ndërsa skemës së naftës falas për bujqësinë do të vijojë të ulë kostot e prodhimit për fermerët tanë.

Ministrja vuri në dukje se në këtë program, komponent tjetër shumë i rëndësishëm është edhe mbështetja për fermerët dhe subjektet agropërpunuese duke synuar një sektor bujqësor më fleksibël dhe të larmishëm që kontribuon në objektivat mjedisore dhe klimatike si dhe forcon strukturën socio- ekonomike në zonat rurale.

“Ky buxhet do të shërbejë per nxitjen e investimeve në fermë, blerje pajisjesh e makinerish, diversifikim të biznesit dhe fermave, përpunim të produkteve bujqësore e blegtorale për të ndikuar thellësisht në përafrimin me standartet me BE në fermë dhe agropërpunim si parakusht për integrimin e bujqësisë”, tha ajo.

Krifca veçoi se, me këto dy komponentë të mbështetjes, synojnë rritjen e prodhimit primar dhe eksporteve, për produktet me potencial dhe avantazhe konkurruese, rritjen e produktivitetit dhe fuqizimin e fermave të mëdha, mekanizimin dhe teknologjitë inovative, por edhe formalizimin e fermerëve.

“Ky prioritet mbështetet në orientimin e bujqësisë sonë drejt rritjes së eksporteve në 1 miliard dollarë brenda vitit 2030”, tha ministrja.

Ajo u ndal edhe tek nevoja për dixhitalizimin e shërbimeve.

“MBZHR, vijoi gjatë fjalës së saj ministrja, ka hapur një kantier të rëndësishëm i cili synon përmirësimin në mënyrë rrënjësore të grumbullimit, ruatjes, qarkullimit dhe përditësimit të informacionit në nivel jo vetëm rajoni dhe qarku, por ferme, dhe fermeri”, ndërsa evidentoi vlerësimet pozitive në Raportin e fundit për Shqipërinë nga Komisioni Evropian në adresë të bujqësisë, veçanërisht me krijimin e një Regjistri Fermash.

“Strukturat tona vijojnë të punojnë për pasurimin e tij, ku deri me sot janë regjistruar mbi 100 mije ferma me një kod unik ku regjistrohen të dhëna për secilën fermë, listën e parcelave në përdorim, listën e mekanikës bujqësore në përdorim dhe aksesin në financë që kanë përfituar fermerët. Bazë e domosdoshme për të krijuar dhe regjistrin e kontabilitetit të fermës, kusht për integrimin në BE.  Po punojmë për dixhitalizimin e aplikimeve dhe administrimit te Programit IPARD që të lehtesojmë administrimin e çdo aplikimi deri në përfundim të investimeve. Këta janë vetëm 2 nga nismat madhore në fushën e digjitalizimit, me të tjera nisma në fushën e blegotirsë apo në sigurimin e zinxhirit të produktit nga ferma në tavolinë”, deklaroi Krifca.

Ministrja tha se, Programi i Siguria Ushqimore në vitin 2023 do të kemi një mbështetje 2.2 miliardë lekë për Garantimin e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit (5% më pak krahasuar me buxhetin fillestar 2022).

“Siguria ushqimore është prioritet i qeverisë shqiptare ndaj do të investojmë në kapacitete, në përmirësimin e analizave dhe kontrolleve, në gjurmueshmëri, higjenë dhe paketim. Ne gjithashtu do të rrisim sigurinë ushqimore drejt standardeve europiane me laboratorë modernë dhe trajnim kapilar të burimeve njerëzore.Në vitin 2023 me financim të Bankës Botërore, do te fillojme nje projekt te ri per sigurine ushqimore ku me 25 milionë USD për vitet 2023-2027 do te modernizojme dhe fuqizojme Laboratorët e ISUV dhe të AKU si dhe do te përmirësojme kushtet teknike në Pikat e Inspektimit Kufitar”, deklaroi ministrja.

Ajo thekso se do të vij matrikullimi i blegtorisë falas, do gjurmojmë të gjithë kapacitetin tonë blegtoral si pasuri kombëtare si dhe do të vijojmë me vaksinimet sipas programeve të miratuara nga ministria.

Gjithashtu vuri në dukje ministrja me nje buxhet prej 2.1 miliardë lekë, do te mbeshtesim investime ne Infrastrukturën e Ujitje dhe Kullimit me 23% më shumë se ky vit që po lëmë.

“Investimet do të financojne gjithsej 46 objekte të infrastrukturës së ujitjes, mbrojtjes nga përmbytja dhe hidrovore. Përmirësimi i ujitjes në rreth 12.000 ha, duke ndërhyrë në rehabilitimin e disa kanaleve kryesor ujitës, siç janë kanalet Peqin- Kavajë, Mat-Lezhë, Shtodër, Bërdice, si dhe përfundimi i rehabilitimit të kanalit ujitës të Gjançit në Korçë dhe kanalit Polis- Tudan në Elbasan. Përfundon rikonstruksioni i plotë i hidrovorit të Akërnisë për rritjen e sigurisë së kullimit në rreth 4.600 ha tokë në fushën e Akërnisë, territor brenda të cilit përfshihet edhe ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Me grante të WBIF (Western Balkans Investment Frameework): Me 2.7 milion USD, po realizohet studimi i fisibilitetit për përmirësimin e mbrojtjes nga përmbytja në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosa. Më pas do të kalohet në projektet e zbatimit dhe realizimin e ndërhyrjeve prioritare. Me 1.6 milion USD, do të kryhet studimi i parafisibilitetit të rreth 430 digave dhe në funksion të përfundimeve/gjetjeve të tij do të vazhdohet me fazat e tjera të studimit të fisibilitetit, hartimit të projekteve të zbatimit dhe kryerjes së punimeve civile për rehabilitimin e një pjese të digave për ujitje (nga 626 diga gjithsej). Një projekti i ri me financim të Bankës Botërore, që pritet të bëhet efektiv në mesin e vitit 2023, parashikon disa ndërhyrje në infrastrukturën e ujitjes dhe të kullimit në 5 vepra.

“Ne do të vijojmë të mbështesim sektorin e Peshkimit me synim rritjen e prodhimit të produkteve peshkore dhe eksportet”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, objektivi është shtim të kapacitetit ankorues në Portin e Durrësi, që lehtësojnë procedurat e zbarkimit të produkteve peshkore të anijeve të peshkimit; Ndërtimi i tregjeve të reja për produktet peshkore, do të rrisin sasinë, cilësinë, sigurinë dhe gjurmueshmërinë e këtyre produkteve duke i bërë ato më atraktive si në tregun e brendshëm ashtu dhe për tregjet ndërkombëtare.

Krifca i bëri apel fermerëve, që të gjitha masat e marra, të përmendura nga qeveria, perbejne një konfirmim të mbështetjes së madhe për Ju, me një dëshmi të fortë mbështetjen e dhënë në të gjitha vitet e fundit, kur kjo Qeveri është thirrur përpara situatave jo të lehta.

“Edhe në bujqësi, qasja nuk ka si të jetë ndryshe. Jo vetëm me mbështetje të buxhetit, por përmes mobilizimit të cdo instrumenti të mundshëm në shërbim të fermrëve dhe agroindustrisë, ne duam të injektojmë para në ekonomi, të nxisim investime dhe të sigurojmë që fermeri shqiptar ka hapësira financimi të shumëfishta”, tha ministrja.

Ne tre vite, theksoi ajo, Programi IPARD deri në Nëntor 2022 ka mobilizuar investime prej 182.23 milionë EUR në ekonom.

Gjithashtu vijoi ministrja, Fondi i Garancisë Sovrane i Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka disbursuar deri në fund të muajit tëtor të këtij viti 84 mln EUR.

Ndërsa mbështetja për peshkimin nga fondet IPA 2016 ka qënë në masën 1.5 milionë EUR në 3 thirrje për investime në anijet e peshkimit në portet e Sarandës, Vlorës, Shëngjinit dhe Durrësit.

“Vënia në dispozicion e të gjitha mundësive për fermerët apo peshkatarët, për qytetarët që duan të zhvillojnë sipërmarrjet e tyre në bujqësi eshte prioritet per ne. Ndaj, ky projektbuxhet është një buxhet për këta njerëz, për rezistencën e përbashkët ndaj ekonomise se paqendrueshme por edhe për zhvillimin. Per qëndrueshmërine e sistemeve te prodhimit, rritjen e konkurrueshmërisë, rritjen diversifikimit te fermave dhe te agroturizmit te cilin e kemi mbeshtetur fort, promovuar fort e te cilin do vijojme ta mbeshtesim si pike terheqje per te afruar rinine me punet e fshatit, energjizimin dhe rivitalizimin e zonave te thella rurale per te cuar mireqenie ekonomike dhe shprese”, deklaroi Krifca.

Ministra theksoi duke sjellë në vëmendje se “mbështetja mesatare vjetore për fermerët në qeverisjen e opozitës deri në vitin 2013 ka qënë mesatarisht 893 milione leke ne vit. Ndërsa Qeveria socialiste nga 2014 ne 2022 arrin mesatarisht 4 miliarde lekë dhe në vitin 2023 mbështetja për bujqësinë është rritur në 7.2 miliardë lekë”.

“E kuptoj që faktet e bujqësisë të asaj që tregojnë shifrat, nuk ju pëlqejnë por keto janë faktet”, tha ministrja në- fund të fjalës së saj gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2023 për bujqësisë dhe zhvillimin rural.

Previous Buxheti 2023, Manastirliu: Fishat e diabetit falas për të moshuarit mbi 65 vjeç