Luksemburg, Kryeministri Edi Rama merr pjesë në EIB Group Forum 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Luksemburg, Kryeministri Edi Rama merr pjesë në EIB Group Forum 2024

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Luksemburg, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e dytë të “EIB Group Forum 2024”, organizuar nga Banka Europiane e Investimeve, i cili bëri bashkë liderë të politikës botërore, drejtues biznesi, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në një bashkëdiskutim të gjerë rreth perspektivës së rritjes për ekonominë evropiane, në sfondin e luftës në Ukrainë dhe sfidave me të cilat përballen institucionet financiare.

Forumi shërbeu ndër të tjera si një platformë për shkëmbimin e ideve mbi investimet në teknologjinë e gjelbër dhe dixhitale dhe përfitimet nga inovacioni.

Kryeministri Edi Rama ishte folës në panelin me temë “Rruga drejt zgjerimit”, mbi rolin që institucionet më të rëndësishme financiare mund të luajnë në rrugën drejt integrimit në BE.

Bazuar në Paketën e fundit të Zgjerimit të Komisionit Evropian, nisjen e Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Lehtën e Ukrainës, – paneli shqyrtoi  rolin që institucionet financiare mund të luajnë së bashku në shoqërimin e vendeve të anëtarësimit në rrugën e tyre drejt integrimit në BE, duke u mbështetur në përvojën e Ballkanit Perëndimor.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Pyetët apo kërkuat që të kemi një panel që të mbahet mend, por që të mbahet mend më duhet të sulmoj BERZH, por që nuk kam ndërmend ta bëj këtë gjë.

Thjeshtë do të ndaj me auditorin atë çfarë mendoj. Për momentin jam në një periudhë post traumatike sepse më është dashur të kaloj një traumë të gjatë me BE, ndërkohë që ne këmbëngulnim për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit dhe ata këmbëngulnin të na thonin se na donin, sigurisht na donin, por nuk ishin gati të flisnin.

Kështu që imagjinoje, të duash të martohesh dhe pala tjetër të thotë: unë dua shumë të martohem me ty, por nuk dua të të flas.

Është një përvojë shumë traumatike, por ka përfunduar tashmë, kemi çelur bisedimet e anëtarësimit dhe në këtë epokë post traumatike jam shumë më tepër i prirur ta lëvdoj BE sesa ta fajësoj atë.

Përgëzimi mendoj është tërësisht i merituar sepse po shohim shërbimin jashtë mase përfitues që po na jep BE përmes këtij procesi të bisedimeve, një hapësirë e jashtëzakonshme dije. Kjo bën dallimin mendoj dhe kjo është ajo çfarë bën dallimin edhe për Moldavinë, dhe për Ukrainën përkundrejt vendeve të tjera që nuk e kanë këtë perspektivë sepse ku ta gjejnë dijen? Kush t’iu thotë se si ta ndërtojnë institucione, si të ndërtojnë llogaridhënien e shtetit përkundrejt qytetarëve, kush do t’i shoqërojë në këtë rrugëtim? Askush!

Është pra një bekim për ne që e kemi BE krah vetes dhe që e kemi BE pjesë të së ardhmes sonë megjithatë nuk është vetëm kaq. Në këtë moment, në kohë BE ka hedhur një hap të jashtëzakonshëm përkundër çdo lloj probabiliteti dhe ndërkohë për herë të parë ka filluar të mendojë jashtë kornizave të Ballkanit Perëndimor dhe po flas për këtë plan të ri të rritjes që është një hap përtej të zakonshmes sepse çel shtigje që më parë qenë të hapura vetëm për shtete anëtare. Ka qenë paksa gjithçka ose asgjë. Pra nëqoftëse e doje këtë martesë do duhet të duroje kohën e gjatë të pritjes, por ndërkohë nuk kishe asgjë apo gjëra shumë të vogla.

Më kujtohet kur iu tregova Ursules dhe të tjerëve faktet, të dhënat, kontributet për frymë të BE për anëtarët e vet dhe në rajonin tonë që është 4300 e ca për vit, ndërkohë që kontributi për frymë i BE në rajonin tonë është 138 euro. Imagjinojeni pra, se si janë prirjet apo parashikimet kur vjen fjala për konvergjencën. Sidomos pas pandemisë, kjo u bë edhe më dramatike sepse shtetet anëtare kishin mundësi të shfrytëzonin fonde shtesë dhe kishin mundësi të përfitonin nga programe të jashtëzakonshme mbështetjeje, ndërkohë që ne ishim tërësisht jashtë.

Plani i ri i rritjes është një hapje e jashtëzakonshme për një mënyrë ndryshe për ta parë të ardhmen, qoftë nga ana e BE, si dhe nga ana jonë.

Së fundi, në  radhë, por jo nga rëndësia, besoj se në kuadrin e BERZH dhe të Bankës Europiane të Investimeve ka diçka mjaft të rëndësishme që na duhet ta përdorim që nuk janë paratë, por është dija.

Unë shpresoj fort që do të marrim më shumë sa i takon dijeve për rritjen graduale të investimeve për inovacionin apo për ato instrumente që janë katalizatorë sepse këtu na mungojnë mjaft kapacitete. Sigurisht nëqoftëse teknologjia nuk do të kishte hyrë në jetët tona, a ardhmja jonë do të kishte qenë padyshim mjaft e zymtë dhe të gjithë këto të dhëna nuk do të nënkuptonin asgjë. Krahasuar natyrisht jo vetëm me ne, por dhe me pjesën tjetër të Europës, por teknologjia është bekimi ynë, ndoshta është mallkim për Gjermaninë sepse kanë krijuar një makineri kaq të jashtëzakonshme me letra saqë e kanë shumë të vështirë për t’u kthyer në pjesën digjitale, duke qenë dhe gjermanë. Por, ne nuk kemi makineri kaq të mëdha burokracie për t’i shndërruar në diçka tjetër dhe kjo në fakt është një faqe e bardhë, një faqe bosh ku ne mund të hedhim hapa të jashtëzakonshëm përmes teknologjisë. Mendoj që kjo për ne na jep dyer shumë më të hapura, qoftë nga BERZH, nga Banka e Investimeve dhe natyrisht edhe nga BE për të mbështetur transformimin tonë përmes teknologjisë, përmes digjitales, përmes inteligjencës artificiale.

Sigurisht, na duhet të bëjmë pjesën tonë, na duhet të bëjmë maksimumin sepse ashtu siç nusja jonë e dashur e ardhshme na ka thënë: varet nga ju. Pra varet nga ne. Asgjë nuk vjen e mirëqenë, përveçse nëse sulmohesh nga ndonjë superfuqi edhe pastaj ju krijon mëshirë dhe ata të fusin brenda pa plotësuar kushtet. Por nëqoftëse nuk të sulmon njeri atëherë të duhet të mbushësh, të plotësosh të gjitha ato kutitë. Ndaj shpresoj që do të vazhdojmë të kemi durim dhe të kemi vullnetin e mirë, sinqerisht nuk po kërkoj një integrim të shpejtë  dhe të pabazuar në meritë sepse do të ishte njësoj si të merrje lejen e drejtimit të automjetit pa ditur si t’i japësh dhe kjo nuk do ishte në të mirë të vendit, kështu që pres udhëtimin e plotë të mbushur me natyrisht dhe situata neurotike, duke pasur parasysh Brukselin, por është diçka që duhet ta bëjmë. Duhet ta bëjmë për veten, nuk është për Brukselin, nuk është për Parisin, nuk është për Berlin, por është për ne. BE është një forcë shtytëse për të ndërtuar një shtet demokratik dhe kjo është diçka që nuk do të ndodhte kurrë në një rajon si i joni, ku shteti i vetëm që pamë ishte perandoria osmane dhe ne ishim pika më periferike dhe pastaj pamë disa variante shteti që ishin nga shiu në breshër, nga fashistë në nazistë në komunistë por asnjë institucion që do të bënte dallimin.

Kështu që na duhet të numërojmë bekimet që na duhet të merremi me BE dhe sa herë që të zemërohem me BE se është e pamundur të mos zemërohesh të mos harrojmë se kjo është ajo çka kemi dhe asgjë tjetër s’do ta zëvendësojë, kështu që është martesë. Nuk është e përsosur por është ajo çka kemi!

* * *

– Natyrisht duke pasur parasysh komentet tuaja plot ngjyra , nuk mund ta nis pa një analogji tjetër që Shqipëria u kualifikua e para në fazën e eliminatoreve në kampionatin europian, duke mundur edhe Moldavinë edhe pse e them me dhembje, 2-0, por për të cituar kancelarin Scholz, Shqipëria është në pararojë në procesin e zgjerimit kështu që në këtë dritë, pres pikëpamjen tuaj se si BE dhe financuesit e saj, mund të ndihmojnë vende si Shqipëria që aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, na kërkuat që t’i përmbahemi kohës dhe është kërkese shumë e madhe, se kush i përmbahet kohës? Ukrainasit s’munden sepse varen nga armiqtë e tyre; BERZH nuk i përmbahet dot se varet nga procedurat e stërzgjatura që ka BE, nuk mundet. Në varësi të 27 zgjedhjeve, shumëzuar me 4 në 4 vjet, ndërkohë që Shqipëria sërish nuk mundet se varet nga të gjithë ata, por do të përpiqem t’i përmbahem kohës.

Dua të them së pari se jam vërtetë i nderuar nga oferta e bankierit më të mirë europiano-qendror e global dhe nuk e them vetëm unë. Guvernatori ka marrë çmim për ketë, kështu që jam mjaft i nderuar nga oferta për të ndihmuar Shqipërinë dhe më duhet t’i them mikut tim ukrainas, që nuk ishte i kënaqur me Bankën Qendrore Shqiptare që jemi dy në këtë pikë, pra le të shohim se si të mund, t’i them dhe guvernatorit, se si të mund të përmirësohet pozicioni ose pozita e bankës sonë.

Kur vjen fjala për futbollin, ne e kuptojmë çfarë do të thotë të mundesh, sepse jemi mundur kaq herë kështu që vërtetë bashkohem me ju në atë lloj dhimbje, por kur vjen fjala për pararojë, pararojë nuk është diçka që e marr për të mirëqenë sepse para ca kohësh u thuhej Serbisë që ishte pararojë, pastaj Malit të Zi që ishte pararojë, tani i thuhet Shqipërisë që është pararojë, kështu që po vrapojmë të gjithë, jemi të gjithë në linjë të parë, por ky fronti po ndryshon. Edhe nuk e dimë se kush do të jetë i pari që do të mbërrijë sepse është një rrugë fundin e së cilës ti nuk e di. Është një rrugë që përfundon në vendin dhe në kohën që vendos BE. Ti hyn në një maratonë ku të thuhet që është 52 kilometra, por në fund mund të mos jetë 52, mund të jetë 100, 150, 1000 sepse ajo linja e finish-it kur ti vrapon drejt saj, gjithmonë e më tepër të largohet sepse ju duhet të vendosin dhe nuk është vetëm një mendje që duhet të vendosë, janë 27. Megjithatë nuk ka rëndësi, ne do të vrapojmë, nuk do te humbasim durimin edhe pse do të ketë vite ku nuk do të jemi ne ata që do të jemi në linjë të parë, do te jetë Bosnja ndoshta, ku i dihet, Moldavia, ku i dihet, por nuk ka rëndësi.

Siç e thashë, besoj fort që ky për ne është një ushtrim i shkëlqyer, jo për BE-në, për ne. Sa më shumë të jemi në këtë vrap, aq më shumë do te mësojmë, aq më shumë do te përshtatemi, aq më shumë do të kuptojmë se si funksionon bota dhe aq më shumë do të jemi të aftë të ndërtojmë institucione.

Ajo çfarë e bën Bankën Qendrorë të Kroacisë një shembull të jashtëzakonshëm, është institucioni, një institucion që ka kaq shumë fuqi tashmë dhe ka kaq shumë për të ndarë me të tjerët. Ky duhet të jetë synimi im, për të ecur në të gjithë gamën e institucioneve tona dhe është një proces shumë, shumë i vështirë, sepse askush nuk na ka mësuar kurrë që të mendojmë për institucione, por jemi mësuar të mendojmë për persona, për vullnetin e forcave që na çojnë në drejtime të ndryshme, por asnjëherë në drejtimin që donim dhe për herë të parë e kemi bërë ne zgjedhjen. Duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian dhe kjo është një zgjedhje që ne e duam.

Do ta përmbyll duke përmendur kujtimin e guvernatorit Ali Babaxhan dhe faktin që nisën procesin me Turqinë sepse më solli ndërmend një opinionin se çfarë e bën dallimin midis një optimisti pro zgjerimit dhe një optimizmi për zgjerimin.

Në fakt ne në Shqipëri jemi gjithë optimist për zgjerimin në BE. Pra, flasim për atë që është më optimist dhe atë që është më pesimist. Ata që janë optimist thonë që Turqia do të hyjnë në BE kur Shqipëria të ketë presidencën, ndërkohë që pesimisti thotë Shqipëria do të hyjë në BE kur Turqia të ketë presidencën. Kështu që e di, e di, ndoshta nuk e di, megjithatë nuk ka rëndësi, ne nuk jemi BE, por jemi E pa B, kështu që askush nuk na e merr dot të qenit europian, askush nuk mund ta ndryshojë sepse jemi në mes të saj dhe fjala zgjerim është paksa, jo fort e drejtë, sepse është si të kesh diçka në stomak dhe përpiqesh që ajo të funksionojë në sinkron me trupin, ti nuk zgjeron, ti i tregon, ti unifikon. Nuk është ide e mirë që të kesh diçka në stomak që nuk është e integruar me trupin, sepse në një moment mund t’i shkaktojë një problem të gjithë trupit dhe në fakt më së fundmi kjo gjë është kuptuar dhe është kuptuar sepse Rusia dha këtë kontribut për t’i bërë njerëzit në BE të kuptojmë. Ata s’mund ta kuptonin pa pasur Putinin që bombardoi Ukrainën, por është shumë e rëndësishme që atë kuptojnë që Ballkani Perëndimor është për BE-në aq sa BE-ja është për Ballkanin Perëndimor, ndoshta jo për të njëjtat arsye, por arsyeja kryesore është uniteti, është siguria, një e ardhme ku kjo pjesë e stomakut nuk do të mbahet peng nga tumore malinje dhe shumë prej tyre mund të ndodhin nëqoftëse nuk ndodh integrimi i plotë. Pra, nuk po kërkojmë një Europe obeze përmes integrimit, kërkojmë një Europë më të fortë përmes integrimit.

– Faleminderit kryeministër. Në qoftëse mund ta them si moldav, Moldavia do të ishte e lumtur të anëtarësohej në bashkimin europian kur Shqipëria të ketë kryesinë dhe është inkurajuese që Shqipëria fillon me A.

Kryeministri Edi Rama: Pavarësisht se sa do të kërkojë natyrisht që Moldavia do të jetë, mund të jemi dhe bashkë në një sallë për të thënë që u vendos, por duhet të prisni.

Previous Komuniteti shqiptar në Luksemburg, një urë komunikimi për bashkëpunim të suksesshëm