Këshillimi Kombëtar, së bashku në vendimmarrjet e rëndësishme për njerëzit dhe vendin. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Këshillimi Kombëtar, së bashku në vendimmarrjet e rëndësishme për njerëzit dhe vendin.

Në Lushnje, vijoi sot, cikli i takimeve me qytetarë mbi Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë, një nismë gjithëpërfshirëse e qeverisë, e cila fton qytetarët të japin opinionin e tyre dhe të bëhen bashkëvendimmarrës në çështje me rëndësi strategjike për vendin.

Interesimi qytetar për t’ju bashkuar kësaj forme të re kuvendimi popullor, është i lartë përmes plotësimit të pyetësorit të shpërndarë shtëpi më shtëpi, si dhe të venë në dispozicion online.

Kryeministri Rama theksoi se Këshillimi Kombëtar është një tjetër hap për të afruar akoma më shumë qeverisjen me qytetarët dhe për t’iu dhënë akoma më shumë qytetarëve pa dallim partie, pa dallim bindjesh, pa dallim mes tyre si zgjedhës, por të gjithëve bashkë si njerëz të këtij vendi, qofshin këtu apo në emigracion, mundësinë që të japin opinionet e tyre dhe të ndikojnë në vendimmarrjet e rëndësishme për njerëzit dhe vendin.

Mirëmbrëma të gjithëve! Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu! E vlerësoj shumë dhe më vjen shumë mirë që ky takim, i cili në fakt, do ndodhte sidoqoftë, pavarësisht se u kryqëzua me zgjedhjet e 6 marsit, ku në disa bashki të vendit, edhe këtu në Lushnje, qytetarët do duhet të vendosin për vazhdimin e mëtejshëm të punës dhe për drejtimin që do t’i japin bashkive të tyre.

Ndërkohë që, në këtë bashki këtu në Lushnje, prej disa kohësh ju keni mundur ta njihni, jo vetëm si emër, jo vetëm si një aktiviste dhe punonjëse të përkushtuar Eriseldën, por edhe si drejtuese të bashkisë dhe patjetër që në këtë zgjedhje, ma ha mendja se nuk është e vështirë për të kuptuar se cili është personi i duhur. Jo se unë kam ndonjë gjë me dy të tjerët, as nuk i njoh kush janë, por faktikisht, është ajo shprehja “Më thuaj me kë rri të them se cili je” dhe mjafton fakti se njërin e ka nxjerrë vrima e bravës dhe tjetri bishti i varresë për të mos pasur asnjë iluzion pasi në rastin e tyre, ata janë aty për një politikë personale mes atyre dy të tjerëve në Tiranë që kacafyten me njëri- tjetrin për interesat e tyre komplet personale, njëri mazalla se do të ikë dhe tjetri do të kthehet me sesbën, hall i madh për të dyja palët.

Ndërkohë që, ne jemi këtu për të bashkuar njerëz e jo për të ndarë dhe për t’i bashkuar njerëzit, jo për partinë, por për ato çështje dhe ato gjëra që politika duhet të bashkojë, çështje që kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme, që kanë të bëjnë me komunitetin e tyre, që kanë të bëjnë me vendin tonë të përbashkët, atdheun tonë të përbashkët dhe gjërat që kanë të bëjnë me ecurinë e punëve të komunitetit.

Këshillimi Kombëtar është një hap tjetër që ne kemi vendosur të hedhim për të afruar akoma më shumë qeverisjen me qytetarët dhe për t’iu dhënë akoma më shumë qytetarëve pa dallim partie, pa dallim bindjesh, pa dallim mes tyre si zgjedhës, por të gjithëve bashkë si njerëz të këtij vendi, qofshim këtu apo në emigracion, mundësinë që të japin opinionet e tyre dhe të ndikojnë në vendimmarrjet që ne i konsiderojmë të rëndësishme për njerëzit dhe vendin.

Është një hap tjetër, pasi kemi hedhur fillimisht një hap për të krijuar, përmes platformës së Bashkëqeverisjes, një urë të re komunikimi me qytetarët dhe për të mos i lënë qytetarët radhëve të pritjeve dhe të torturave nëpër zyrat e shtetit, ku njerëzit çonin letra, kërkesa, ankesa dhe asnjëherë nuk merrnin përgjigje.

Ndërkohë, dua t’iu informoj që brenda pak ditësh ose brenda dy javëve të para të marsit, maksimumi, por edhe më shpejt, ne do bëjmë publike atë që kemi paralajmëruar, mbylljen e të gjithë sporteleve të shërbimeve për t’i dhënë mundësi të gjithëve që shërbimet t’i marrin drejtpërdrejtë nga telefoni, kompjuteri më i afërt pa pasur nevojë fare të shkojnë të mbajnë radhë, pa pasur nevojë të shkojnë e të kërkojnë miq, por edhe pa pasur nevojë të fusin duart në xhep për të marrë shërbimet që i takojnë.

Ju e keni parë që platforma e-Albania na shërbeu më së miri të gjithëve në kohën më të vështirë, kur u detyruam të izolohemi për shkak të pandemisë dhe njësoj siç ndodhi me platformën atëherë, me lejet për të dalë, me lejet për të lëvizur për shërbime të caktuara, po ashtu do ndodhë edhe me sportelet që do mbyllen dhe shërbimet do merren drejtpërdrejtë.

Kemi ndërtuar një mekanizëm të tërë kontrolli, që do ta japë mundësinë që të dimë në kohë reale, në gjithë Shqipërinë, për këdo që i vonohet përgjigja apo shërbimi i caktuar dhe kështu besoj do t’i japim një goditje shumë të rëndësishme atij korrupsioni të vogël të nivelit të marrëdhënies së qytetarit me shtetin, të paktën ne atë pjesë që ka të bëjë me shërbimet që lidhen me dokumenta.

Sigurisht që, do të mbetet përpjekje për të bërë për ato shërbime që kanë të bëjnë me kontaktin e drejtpërdrejtë, spitale, policinë, por pjesa dërrmuese e shërbimeve do të çlirohen plotësisht nga barra e presionit për ryshfet apo stresit për të pritur në kohë pafundësisht të gjatë për të marrë përgjigje për titullin e pronësisë, për pensionin apo për diçka tjetër.

Në ndërkohë, Këshillimi Kombëtar është një ftesë për të dhënë opinione, për të dhënë mendime për të cilat ne nuk na mungojnë votat, pra janë vendime që duhet t’i marrim ne si qeveri, por për të cilat ne kemi dilemat tona dhe pikërisht për këtë arsye, duhet të dëgjojmë edhe njerëzit. Pikërisht për këtë arsye, ne duhet të bazohemi tek opinioni i njerëzve për ta ndarë nëse do marrim këtë rrugë apo atë rrugë, kur vjen fjala për një vendim të caktuar. Po marr si shembull mundësinë për të marrë vendimin që të gjitha nënat që kanë tre fëmijë e më shumë të marrë një mbrojtje të veçantë nga shteti. Duket sikur kur e thua këtë, nuk ka ndonjë gjë për të pasur diskutime dhe pse të mos merret dhe u dashka pyetur opinioni publik, por në fakt, ka edhe njerëz që thonë “Jo, nuk ka pse të bëjnë diferencime. Mbështetja u duhet dhënë të gjithëve, nuk ka pse të dallohen nënat me tre fëmijë”. Po kështu për çështjen e legalizimit të kursimeve të atyre që janë në emigracion dhe që e kanë shumë të vështirë që të sjellin të ardhura këtu përmes bankës. Edhe ky është një vendim që ka pro dhe kundër sepse është gjëja më normale në botë që të gjithë ata emigrantë shqiptarë që kanë punuar me vite e vite të tëra dhe kanë kursyer nga punë të bëra në të zezë, e këtu flasim për punë jo për trafiqe apo aktivitete kriminale, të mund t’i vendosin ato para në bankë apo që bankat në Shqipëri të mos fillojnë tu bëjnë njëmijë pyetje e t’i fusin në rrjetin e investigimit të institucioneve se “Ku i ke gjetur këto para”? Ka dhe një pjesë tjetër që mendon që kjo përbën edhe një rrezik sepse kështu mund të pastrohen para të aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale.

Natyrisht që qëllimi nuk është ky, qëllimi është që të ndihmohen të gjithë ata që kanë të ardhura nga puna, jo nga aktivitete kriminale, dhe sigurisht që të ardhura nga aktivitete kriminale janë automatikisht të përjashtuara nga ligji i mundshëm për këtë, por nga ana tjetër, sigurisht që të gjitha këto vendime kanë edhe risqet e veta.

Siç është, për shembull, vendimi për të marrë një tjetër kurs në rast se, edhe një herë tjetër, në qershor, Bashkimi Europian do të na mbajë përsëri peng të sherrit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe e fundit që kam për këtë pjese është që pasja e opinionit publik në mbështetje të marrjes së një vendimi ka një rëndësi shumë të madhe edhe për të folur në një zë qeveria dhe njerëzit, edhe kur vjen puna në raport me partnerët ndërkombëtarë se në fund të fundit, këto janë vendime, të cilat lidhen me jetën tonë të përditshme, janë vendime që lidhen me të ardhmen tonë këtu, janë vendime që lidhen me kategori të caktuara njerëzish, por sigurisht janë vendime, të cilat me ekonominë e vendit tonë dhe na takon ne të marrim këto vendime.

Natyrisht që, e thashë dhe në takimin më parë, nuk e kam të lehtë të flas sot sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe të vazhdojmë takimet duke e hequr komplet mendjen nga çfarë ndodh çdo orë dhe çdo minutë në një vend që, edhe pse nuk është fqinj me ne, është një vend si ne dhe shumë i ngjashëm me ne, qoftë përsa i përket sfidave që ka, qoftë përsa i përket problemeve ekonomike me të cilat haset, qoftë përsa i përket vitalitetit dhe dëshirës së njerëzve për të bërë më shumë dhe ndërkohë, sot gjendet përballë një situate të paimagjinueshme për asnjërin nga ne, për të humbur gjithçka, edhe jetën.

Është e rëndësishme që, e thashë, pavarësisht se nuk është vend në kufi me Shqipëri, është një vend i cili i përket të njëjtës familje të vendeve që kanë bërë zgjedhjen e tyre për të jetuar të lirë, për të besuar te demokracia, për të besuar te zgjedhjet, për të besuar te pluralizmi, për të besuar te liria dhe pavarësia e tyre. Ne mund të ndalojmë për një moment dhe të kuptojmë se sa pak e vlerësojmë atë që kemi dhe sa shumë e nënvlerësojmë atë që ata njerëz atje sot e shikojnë që t’ju iki nga duart dhe t’ju kthehet realisht në një ëndërr që duket sikur largohet dhe largohet dhe largohet çdo minutë që kalon.

Parafytyroni vetëm kaq, që ata njerëz atje, do ta kishin ëndërr të ishin këtu, ulur, duke dëgjuar atë përfaqësues të tyre të cilësdo nga ato parti që ata vetë kanë zgjedhur dhe pastaj të dilnin nga këtu, të shkonin në kafe të pashqetësuar nga zhurma e raketave apo nga bombat apo nga ankthi i tankeve e pastaj të shkonin në shtëpi me fëmijët e tyre dhe të flinin gjumë pa pasur tmerrin se shtëpia e tyre mund të bombardohej dhe pa qenë nevoja të futen nën dhe për të mbrojtur fëmijët dhe pa qenë të detyruar të ndahen nga gratë, të ndahen nga vajzat, të ndahen nga kalamajtë e tyre e burrat e djemtë, për të qendruar e për të marrë armët, pavarësisht se mund të bëjnë punë që skanë lidhje fare me armët, që skanë lidhje me luftën, gjithëfarë punësh.

Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të mos harrrojmë ose të përpiqemi, pavarësisht se natyra njerëzore e ka shumë të vështirë këtë gjë, se për njeriun e keqja harrohet, e mira s’ ka fund dhe prandaj njeriu kërkon gjithmonë e më shumë edhe pakënaqësia edhe kërkesat rriten natyrshëm sepse kjo është jeta, sidoqoftë është gjë e madhe që pak më shumë ta mbajmë parasysh atë që kemi. Lirinë, vendin tonë që është i mrekullueshëm siç e ka bërë Zoti, natyra, njerëzit që njohim, mundësinë që të jetojmë në një shoqëri, komunitet ku të gjithë flasin gjuhën e nënës dhe askush s kërkon të na imponojë me dhunë diçka tjetër dhe deri tekmundësia për të zgjedhur, për të votuar për të thënë dua këtë, dua atë tjetrin që janë gjëra me të cilat tanimë jemi mësuar edhe duket sikur i kemi aty pavarsisht nëse ne i mendojmë apo si mendojmë, i mbrojmë apo s i mbrojmë i kultivojmë apo s i kultivojmë. Në fakt nuk është kështu! Fatmirësisht ne gjendemi në një pozicion dhe kontekst, jemi shumë herë më të mbrojtur se ukrainasit, por edhe në rrespekt të tyre, të gjithë atyre që do donin të ishin siç jemi ne sot, ne duhet ti japim më shumë rëndësi qytetarisë, përgjegjësisë qytetare në jetën tonë të përditshme dhe detyrimit tonë për të qenë më shumë sesa njerëz të mirë për familjen tonë, por për të qenë dhe qytetarë të mirë për vendin tonë, për komunitetin tonë.

Duhet t’i japim më shumë rëndësi e më shumë vlera mundësisë që kemi që të jetojmë sidoqoftë nëpër qytete që nuk janë të shkatërruara nga bombat, që nuk janë të kërcënuara nga shkatërrimi dhe të cilat ne nuk na kërkohet t’i mbrojmë me armë, por na kërkohet t’i mbajmë pastër, që mos i bëjmë pis, që mos hedhim plehrat sikur nuk është vendi ynë, po sikur është një mall pa zot, deri te vota.

Shumë njerëz thonë “punë e madhe shumë se ka zgjedhje, njësoj është”. Nuk është njësoj. Edhe tani këtu në 6 mars nuk është njësoj. Është shumë ndryshe nëse zgjidhet Eriselda apo njëri nga ata dy të tjerët. Është shumë ndryshe. Është shumë ndryshe nëse zgjidhet dikush që do merret me punët e qytetit, me punët e fshatit në këtë bashki, që do mundohet t’i shërbejë njerzve sa më mirë, që do mundohet t’i japë njerzve sa më shumë nga ajo që u ka munguar ndoshta për disa kohë këtu, që është begenisja dhe respekti i pushtetit vendor dhe nëse zgjidhen dy të tjerë që janë këtu vetëm si ambasadorë të një sherri pafund që është në Tiranë e që nuk kanë lidhje fare me qytetin, që nuk kanë lidhje fare me punët e punës, sado të mirë të jenë në vetvete si persona. Fakti që kanë pranuar të bëhen bedelë të atyre dy rrymave të krijuara atje nga një sherr komplet personal, i zhvleftëson si shërbëtorë të qytetit. E ça do bëjnë ata, cilido prej tyre?! Çfarë do bëjnë?!

Do dalin këtu t’ju flasin për bravën apo do dalin t’ju thonë sa e rëndësishme është të marrim varenë, prandaj ky është një rast për të parë që nuk është njësoj çdogjë në politikë, nuk janë njësoj zgjedhjet që bëjmë me këtë apo me atë, me kta apo me ata ndërkohë që njerzit janë njësoj, në kuptimin që qytetarët janë të barabartë dhe edhe Këshillimi Kombëtar është një përpjekje qytetarëve për të thënë fjalën e tyre dhe që fjala e tyre të dëgjohet.

Para se të pyes këdo nga juve që do të thotë diçka këtu, dua të them që ka ca njerëz që thonë pse u kujtua tani për Këshillimin Kombëtar, duhet ta kishte bërë që në fillim.

E para, fakti që u kujtuam tani në fillim të mandatit të tretë, nuk është diçka që mendoj unë, duhet parë si negative, por është diçka pozitive që ne, edhe pse jemi në fillim të mandatit të tretë dhe kemi kaluar dy mandate, duam që t’i bëjmë gjërat më mirë. Nuk kemi pasur këtë ide në fillim, por kjo ide na ka ardhur si rezultat i nevojës dhe i dëshirës që ne t’i bëjmë gjërat më mirë. Që qeveria jonë, që qeverisja jonë të jetë më pranë njerzve, që njerzit ta ndjejnë më shumë të tyren qeverinë dhe qeverisjen dhe vendimet që merren dhe ta kuptojnë më mirë pse marrim këtë vendim dhe s’marrim atë vendim, por edhe ne ta kuptojmë më mirë se cila është gjëja që në atë moment përkon me instiktin, me intuitën e popullit. Sepse asnjëri nga ne si individ nuk është popull, por tërësia jonë arrin të japë mendime dhe arrin të marri vendime që janë shumë herë më të qendrueshme dhe më të besueshme sa sa ato të një individi të vetëm.

Të tjerë thonë që, “po ja…dhe kjo kot është se po pyesin njerëzit dhe pastaj do bëni si doni vetë”. Po për çfarë aryse po i pyesim njerëzit nëse do bëjmë si duam vetë?! Pse duhet të angazhojmë gjithë këto energji, pse duhet të çojmë si asnjëherë më parë, shtëpi më shtëpi një pyetësor edhe t’i themi njerëzve mbusheni, apo t’i themi dhe shqiptarëve që janë jashtë, mbusheni këtë online dhe pastaj mos ta dëgjojmë, pse për çfarë arsye?!

Thashë, këto nuk janë vendime që ne nuk i marrim dot se skemi votat, e hajde bëjmë sikur po na i thonë njerëzit, e pastraj shkojmë i bëjmë presion palës tjetër apo ku di unë se kujt. Jo! Ne këto vendime mund t’i marrim, mund t’i kishim marrë, por nuk jemi të bindur. Kështu apo ashtu?!

Nuk jemi të bindur 100% që duhet ta legalizojmë kanabisin për arsye mjekësore. Kemi 1000 arsye të mendojmë se është gjëja e duhur përderisa po e bëjnë shumë vende të tjera e sjell punësim, sjell rritje ekonomike, etj etj, por kemi dhe ne dilemat tona.

Duke dëgjuar njerzit ndajmë mendjen dhe nuk jemi aq budallenj besoj unë, ndoshta nuk jemi shumë të zgjuar, por aq budallenj sa të pyesim njerëzit dhe pastaj të bëjmë të kundërtën e asaj që shohim që do shumica, për çfarë arsye?!

Dhe e fundit, kjo punë është beso e kontrollo. Nuk kushton asgjë për ta mbushur një pyetësor. Rrimë në kafe, japim opinione, merremi me politikë, futemi në Facebook, japim opinione, merremi me politikë, shkojmë në punë, flasim me njëri-tjetrin…prap merremi me politikë, shkojmë në shtëpi….

Çfarë të kushton që në gjithë këto kohë, që gjithësesi ja kushtojmë muhabeteve të politikës, të mbushim një pyetësor dhe pastaj ta çmojmë, vlerësojmë, gjykojmë qeverinë nga fakti nëse e merr parasysh apo jo, BESO dmth mbushe, dhe KONTROLLO dmth shiko nëse ajo punë që bëre ose ai kontribut që dhe t’u vlerësua apo nuk t’u vlerësua, u mor parasysh apo nuk u mor parasysh.

Këto kisha unë, nëse ka dikush që do të thotë diçka për pyetsorin që ka marrë ose ndonjëri që mund të mos e ketë marrë akoma…

Mua më thanë që qeveria e ka marrë informacionin nga Komisioni Teknik që këto masat shtrënguese, maskat nuk janë hequr, shyqyr që hoqën orarin se sikur e kishin harruar.

-Përshëndetje të gjithëve. Falenderim për Këshillimin Kombëtar që ju na i keni sjellë derë më derë, na keni lehtësuar punën dhe çdokush ka arritur të shprehi opinonin e tij dhe zëri i tij të dëgjohet në qeveri.

Qeveria propozon nismën “Ballkani i Hapur” për të rritur ekonominë këtij vendi, por unë mendoj fillimisht a nuk duhet menduar një politikë fuqizuese për biznesin, të cilin e bën më konkurues në treg?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe për një arsye tjetër se në këto ditë kam parë disa që qysh në fillim kanë qenë kundërshtarë të Ballkanit të Hapur, tani janë kapur shumë fort mbas ngjarjeve që po ndodhin a thua se ne që kemi marrë këtë nisëm nuk e kemi ditur se çfarë është Rusia, se cilat janë lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe a thua se Ballkani i Hapur është miqësia e dikurshme shqiptaro-kineze.

Ndërkohë që Ballkani i Hapur, nuk bën asgjë tjetër përveç se lehtëson njerëzit të cilët edhe sot që flasim ne, por edhe dje kur as nuk ishte folur ndonjëherë për Ballkanin e Hapur, zhvillonin aktivitet në këtë rajon, në këtë Ballkan. Unë i kam nxjerrë me shifra, sa janë sipërmarrje shqiptare, për shembull në fushën e bujqësisë, që eksportojnë në zonën e Ballkanit, që eksportojnë në Maqedoninë e Veriut, që eksportojnë në Serbi, që eksportojnë në Bosnje e kështu me rradhë. Janë plot. E çfarë bën Ballkani i Hapur? Thjesht ju jep atyre mundësinë që të eksportojnë pa pasur tmerrin dhe torturën e rradhave dhe të kontrolleve nga dy herë e nga tre herë në çdo kufi. Pra të nisen nga pika ku ngarkohen, ku ngarkojnë perimet, frutat dhe të arrijnë në pikën për ku do shkarkohen. Pa pasur nevojë që në çdo kufi të tregojnë dokumente, të marrin vërtetime e të tjera e të tjera.

Nëse një eksportues këtu në Lushnje çon produktet e veta në Maqedoninë e Veriut apo në Serbi në këtë rast dhe merr nga këtu vërtetimin përkatës, ato certifikatat përkatëse për gjendjen dhe cilësinë e mallit, duhet të shkojë në kufi, në Maqedoninë e Veriut, të persi atje që të marri dhe atje, të shkojnë ti bëjnë analizat laboratorike mallit, të vijë përgjigja, pastaj duhet të shkojë në kufirin tjetër, të presë të njëjtën gjë dhe kur të arrijë atje në fund, shalqiri ose pjepri ose domatja të jenë bërë komposto ose të jenë bërë tushi. E mora këtë si shembull por ky shembull vlen për të gjitha të tjerat. Ne nuk po ndryshojmë trajektoren e politikës sonë të jashtme në aspektin e qëndrimit ndaj asnjërit prej fqinjëve ose në raport me aleancat që njëri ka e tjetri nuk ka. Fare! Ne thjesht dhe vetëm po përpiqemi të përmirësojmë kushtet e veprimtarisë ekonomike të njerëzve që aktualisht veprojnë, që aktualisht shkëmbejnë e natyrisht dhe të të tjerëve që do të duan të veprojnë e të shkëmbejnë. Pyetini eksportuesit shqiptar. Të gjithë ata eksportues shqiptar që operojnë në Ballkan, çfarë mendojnë për Ballkanin e Hapur? Mezi presin që të gjitha këto të zbatohen sepse akoma janë në procese të ndryshme zbatimi. Mezi presin sepse do shkurtojnë kohë, do shkurtojnë kosto, do kenë më pak stres dhe do shkojnë në destinacion. Nuk është se ne me ndonjë nga këto vende kemi ndonjë bojkot apo ndonjë embargo apo ndonjë ndalesë për ndonjë mall apo ndonjë mall tjetër. Normalisht, jo sot, as dje, por gjatë gjithë këtyre viteve që kanë kaluar deri tani, përjashto kohën e embargos nën jugosllavi për shkak të luftës, marrëdhëniet tregtare janë zhvilluar brenda kuadrit të përgjithshëm. Pra nuk është se ne ndryshojmë ndonjë kuadër këtu, ne thjesht e bëjmë më të lehtë punën e njerëzve dhe prandaj ata të cilët kanë këto shkëmbime, janë shumë jo të kënaqur por janë dhe mosbesues se thonë do bëhet apo nuk do bëhet? Ndërsa ata të tjerët që thonë ne do ndalojmë Ballkanin e hapur, çfarë do ndalojnë? Se duhet thënë çfarë do ndalojnë. Kjo është pyetja. çfarë do ndalojnë? Kamionët? Po kamionët të ndaluar janë se rrinë dhe presin me orë të tëra për tu çdoganuar. Çfarë do bëjnë? Do ti lënë më gjatë në pritje? Po pse? Për cilën arsye? Kjo është tregëti e lirë. Kamionët që vijnë nga andej apo që nga këtej shkojnë andej, nuk janë kamionë që kontraktohen nga shteti. Janë kamionë të kontraktuar në marrëveshje mes sipërmarrjes private. Si do sillen me të gjithë pjesën tjetër të botës. E çfarë do me thënë do ndalojmë Ballkanin e Hapur? Këtu natyrisht futet politika, në këtë rast, për të ndarë. Për të ndarë për çfarë? Për vota. Për ta përdorur popullin si mish për top. “Hajdeni tani me mua të luftojmë Ballkanin e Hapur. Se po ndodh diçka shumë e keqe.” Po çfarë po ndodh konkretisht? Cila është e keqja që po ndodh? Ukraina nuk e ka njohur Kosovën. Ukraina nuk e ka mbështetur Kosovën në kohën e luftës, përkundrazi, Ukraina ka qenë asokohe në një vijë me Rusinë. Sot jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë por dhe shqiptarët e Kosovës janë në një solidaritet të plotë me Ukrainën dhe kjo është shumë domethënëse. Pavarësisht se kur ishin viktima të një agresioni të ngjashëm si dy pika uji me këtë agresion, prej të cilit populli i Ukrainës dhe lidershipi i Ukrainës po rrezikojnë të asgjësohen fizikisht, nuk e patën të njëjtën simpati, nuk e patën të njëjtën mbështetje, nuk e patën të njëjtin solidaritet nga Ukraina. E çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që superioriteti moral në këtë rast në raport me të shkuarën, është në anën e shqiptarëve. Në anën e shqiptarëve të Kosovës që ishin viktima të një agresioni të ngjashëm. Pra, e kanë superuar të kaluarën e tyre në raport me Ukrainën dhe sot e shikojnë Ukrainën, shikojnë njerëzit në Ukrainë, i shikojnë ukrainasit si veten e tyre asokohe. E them këtë sepse kam parë, kam parë dhe nga ata që thonë “ata, ne kështu, kur ne ishim ashtu”, por kjo është të jesh inferior ndaj të kaluarës tënde. ndërkohë që ai solidaritet fantastik i shprehur është superioritet në raport me të kaluarën, është kapërcim i të kaluarës dhe ne kemi punuar, punojmë e do punojmë deri në fund për paqen dhe për t’i çuar gjërat përpara me paqe, jo se jemi naivë, as se nuk e kuptojmë se çfarë sjellin miqësitë e rrezikshme, siç është një miqësi me një vend i cili tanimë është futur në një hulli shumë të rrezikshme për veten dhe për botën, por sepse gjërat në këtë botë mendoj unë, ka shumë rëndësi se si i shohim në funksion të të ardhmes. Nëse e shohim të ardhmen me sytë e të shkuarës, atëherë kemi shumë të vështirë ta shkruajmë të ardhmen. Nëse të shkuarën e shohim si një arsye që të mos përsëritet në të ardhmen, atëherë ne mund ta shkruajë të ardhmen por e gjithë kjo pjesë politike që thashë, është më shumë një reflektim nga çfarë kam ndjekur këto ditë në një debat po themi popullor nëpër rrjetet sociale, nga njerëz të zakonshëm, ku ka dhe një pjesë fatmirësisht shumë të vogël që thotë që ne duhet t’jua kthejmë kusurin ukrainasve. Tani, le të vuajnë siç vuajtëm ne, ndërkohë që shumica dërrmuese, pra ajo vetëdija e popullit është komplet në anë e duhur të historisë. Ndërkohë që Ballkani i Hapur nuk ka lidhje me këto, nuk është ndryshim linjash themelore të politikës sonë të jashtme, në aspektin e aleancave, të partneriteteve e të tjera, por është një hap shumë i rëndësishëm përpara dhe sot në kushtet e kësaj që ndodh, është edhe më i rëndësishëm se sa ishte dje në këndvështrimin tim dhe koha do ta tregojë këtë gjë.

– Pyetja ime është në lidhje me aktivitetin dhe shqetësimin që kanë ish nxënësit e mi, sot studentë në Universitetin e Tiranës apo degë të tjera, të cilët pretendojnë për ardhmërinë e tyre pasi të mbarojnë shkollën a do të punësohen dot? ky shqetësim është me vend të ngrihet këtu, e shoh të arsyeshme, besoj se jam në vendin e duhur, pasi jo vetëm këta por dhe ata që kanë mbaruar fakultetin, kanë krijuar familje, janë të detyruar të punojnë në dy punë për të siguruar të ardhura për familjen e tyre. unë pyetjen do ta drejtoj, a mund të orientohet qeveria e të sigurojë një mbështetje financiare plus, në lehtësimin e taksave për punësimin e tyre? sepse dëgjova kandidaten që tha, e kam në prioritet punësimin e të rinjve. E kjo sipërmarrje e re, mund të mbështetet për të rinjtë tanë deri në moshën e caktuar, 5-6 vjet mbi mbarimin e fakultetit? Si për ata që janë të dy punësuar ashtu dhe për studentët që marrin përsipër vullnetarisht, kurajën e kanë për të krijuar biznes të ri?

Kryeministri Edi Rama: Në fakt këtë si çështje nuk e kemi të shtruar në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar dhe është dhe një pjesë tjetër e debatit për këshillimin kombëtar që ka gjëra më të rëndësishme se këto që ne kemi shtruar. Patjetër që mund të ketë gjëra më të rëndësishme, askush nuk e vë në dyshim, por e para ky Këshillim Kombëtar është i pari që ne bëjmë dhe sigurisht që si çdo gjë e re, është një gjë që do të vihet në provën e kohës, do të vihet në testin e praktikës edhe do të shërbejë për të nxjerrë konkluzione dhe për ta bërë më mirë vitin e ardhshëm. Ne duam që gjatë gjithë këtij mandati, çdo vit ne të kemi një këshillim kombëtar. Për vendimet më të rëndësishme. Besoj që vitin e ardhshëm do kemi më shumë interes akoma, megjithëse për hir të vërtetës nuk e kemi pritur absolutisht që do të ishim sot në këto numra që jemi, përgjigjesh nga qytetarët. Është hera e parë, ka shumë skeptik, qëllimisht këtë herë e kemi bërë komplet anonime, pra askush nuk e merr vesh dot se kush e ka mbushur pyetësorin sepse siç e keni parë, zarfi nuk ka emër, nuk ka adresë, vjen në çdo derë, cilido që e mbush nuk shënon emrin, e kthen mbrapsht në postë pa asnjë shpenzim dhe zarfi vjen pa e ditur se kush është personi, pra pa pyetur fare as për parti, as për krahinë, as për moshë, fare, për t’jua bërë sa më të lehtë njerëzve, që mos kenë merakun që po e mbusha pyetësorin, edhe pse këto janë çështje që më interesojnë, por unë jam demokrat, kështu që unë nuk jua mbush pyetësorin këtyre. Ose nuk dua ta mbush sepse nuk dua të identifikohem e të tjera e të tjera. Një element. Elementi tjetër është pikërisht zgjedhja e pyetjeve. Këto pyetje që ne kemi bërë janë realisht çështje të vendimmarrjes dhe ju folët për pjesën e të rinjve e natyrisht do ti përgjigjem por aty ne kemi një pyetje që lidhet me një çështje që e kemi pasur problem në vijimësi, që është çështja e atyre që e kanë mbushur moshën e pensionit dhe vazhdojnë e punojnë. Sipas rregullave në fuqi, kush punon, duhet të paguajë sigurimet shoqërore. Megjithatë ky pensionist i cili i ka paguar sigurimet shoqërore, ka dalë në pension e tani punon për të marrë sa më shumë, për ti shtuar pensionit diçka më shumë apo se do të punojë, nuk do të rrijë në shtëpi, a duhet të vazhdojë të paguajë sigurime shoqërore? Ky është një debat që duket në dukje i lehtë por nuk është aspak i lehtë brendapërbrenda strukturave tona. Sepse edhe po të shikoni, unë i kam vënë re me kujdes reagimet, i kam ndjekur me shumë kujdes reagimet ndaj pyetësorit, sa kam pasur mundësi në atë faqen time, për të kuptuar dhe edhe për këtë ka njerëz që kundërshtojnë, që thonë jo. Nëse punon ti mund të jesh pensionist, mund ti kesh paguar sigurimet shoqërore por i zë vendin dikujt tjetër dhe për atë vend pune, ti duhet të vazhdosh të paguash sigurime shoqërore. Një pjesë tjetër mendojnë që jo. Shyqyr që duan të punojnë, kanë energji dhe duan të marrin diçka më shumë.

Ndërkohë që meqë fola për pensionistët ka shumë njerëz që thonë, po mirë, çfarë është ky këshillim kombëtar kur nuk keni bërë pyetjen a duhet të rriten pensionet? Tani, ne nuk bëjmë pyetje, përgjigja e të cilave dihet 100% dhe ne nuk kemi nevojë fare të pyesim, por duhet ta bëjmë gjënë që e ka 100% përgjigjen brenda po, ama kjo nuk varet nga dëshira. Kjo varet nga krijimi i mundësisë. Se e kam thënë dhe herë të tjera. Nëse ka një person, jo në Shqipëri, në çdo vend të botës, që fiton vendin e parë po të bësh një klasifikim se kush do që të rriten pensionet, është kryeministri. Nuk diskutohet. Por nëse ka një vendim që është më i vështiri në çdo vend të botës, është rritja e pensioneve, kudo. Pa krahasuar fare pensionistët në Shqipëri me pensionistët në Angli po them por kudo, çdo kryeministër, gjënë e parë që do është të rritim pensionet dhe gjëja më e vështirë është të rriten pensionet. Në Shqipëri, çështja e rritjes së pensioneve është dyfish më e vështirë se sa në vende të tjera, për shkak se për shumë e shumë vite, skema e sigurimeve shoqërore, u sabotua masivisht, u sabotua në thonjëza nga shumë njerëz, që punojnë, punonin, paguanin sigurime shoqërore dhe në radhë të parë u sabotua nga qeveritë, që nuk kërkonin me rigorozitet pagesën e sigurimeve shoqërore, që edhe kur e kërkon, prap nuk është e lehtë për ti futur të gjithë në skemë. E dyta, u sabotua rritja e pensioneve për vite me rradhë për shkak se nuk u bë kurrë një reformë deri kur ne morëm përsipër të bëjmë reformën që ti të marrësh pension sipas kontributeve, jo ke kontribuuar apo nuk ke kontribuuar, ishte ai tavani i tmerrshëm 200 mijë lekëshi i vjetër, që mbi atë nuk kaloje dot sikur të kishë kontribuar gjithë jetën. Po të shikojmë pensionet që kanë filluar të merren pasi kemi kaluar reformën e që i takojnë pensionistëve të dalë në pension mbas reformës, aty shikojmë që ka një ndryshim të rëndësishëm, që ka pensione që janë edhe më të larta, edhe shumë më të larta se sa ai tavani. Se u thye tavani dhe u bë në bazë të kontributit mirëpo nga ana tjetër, në bazë të kontributit, për ta bërë rritjen për të gjithë. Është e vështirë, jo se nuk janë mundësitë për ta rritur sot, problemi është që në momentin që e rrit, do ta mbash gjithmonë aty, nuk është një herë. Dhe gjithë përpjekja jonë është që brenda këtij mandati, të krijojmë një mundësi që të bëjmë një rritje. Nuk është absolutisht e lehtë por duam me çdo kusht ta bëjmë një rritje të pensioneve. Për dreq, nuk po na ndahen problemet. Tërmeti po, që kërkoi gjithë atë angazhim fondesh në drejtim tjetër, pandemia po e po, tani vjen dhe lufta. Do thoni që lavdi zotit nuk kërcënon Shqipërinë nga pikëpamja ushtarake por çmimet që në të gjithë botën u rritën si pasojë e valës së kundërt me pandeminë, tani vazhdojnë të rriten për shkak se faktikisht disa nga mallrat esencialë që kanë lidhje me tregun e Rusisë edhe të Ukrainës, gruri për shembull, nuk janë më në disponim siç ishin. Jo se do të mungojë, se kam vënë re që në disa vende ka pasur dhe një lloj paniku, që “hajde po shkojmë të marrim ushqime se do vijë lufta”. Nuk funksionon kështu. Ditën që lufta vjen në Shqipëri, domethënë që është mbyllur filmi ynë si botë. Domethënë jemi në zemër të luftës së tretë botërore dhe pastaj aty… por jemi shumë shumë larg nga kjo lloj imagjinate, shpresoj dhe besoj. Aq më tepër që ne jemi një vend që jemi në një aleancë ushtarake e cila funksionon mbi parimin u prek njëri, janë prekur të gjithë. Problemi me Ukrainën është që Ukraina nuk është dhe baza e luftës është të jetë apo të mos jetë. Sepse NATO thotë, Ukraina mund të futet, Rusia thotë kurrë. Dhe prandaj bëhet lufta, e prandaj NATO ushtarakisht nuk ndërhyn atje sepse është në një raport tjetër me Ukrainën ndërkohë që në çdo vend tjetër, një centimetër tokë, ajër, det i një vendi tjetër, përfshirë dhe Shqipërinë, të preket nga një fuqi tjetër, aty i është hapur luftë Amerikës, Anglisë e të gjithëve bashkë. Se këtë e kam për ata që më shkruajnë pastroni vendstrehimet e shokut Enver, që përveç të tjerave dhe janë privatizuar. I ka privatizuar Saliu, më falni që jua zura emrin këtu, se ishim mirë deri tani.

Për të mos e lënë pa përgjigje pyetjen, kur vjen puna tek të rinjtë, ne jemi tani në një angazhim që duhet të jetë gjithmonë më i madh vit pas viti, fondesh, për të stimulua gjithmonë e më shumë futjen e të rinjve në rrugën e teknologjisë, të inovacionit dhe në tregun e teknologjisë domethënë të shërbimeve përmes internetit. Sot gjithmonë e më shumë kjo është e ardhmja për të rinjtë në një masë shumë të madhe, që të hyjnë në një treg pa lëvizur fare nga shtëpia e të punojnë në disa vende të botës në të njëjtën kohë e kjo nuk është një përrallë por është diçka që e bëjnë sot një numër ende i vogël por domethënës të rinjsh këtu në Shqipëri dhe ne do të investojmë shumë në atë drejtim, ndërkohë që patjetër kemi bërë e do vazhdojmë të bëjmë çmos që të mbështesim qoftë pjesën e të rinjve që studiojnë, me gjithë ato hapa që kemi hedhur për tarifat, për bursat, qoftë pjesën e të rinjve që hyjnë në administratë ku kemi hapur një kanal të dedikuar për të rinjtë ekselentë dhe e kemi bërë ekselencën pak si të gjerë nga 9 deri tek 10, që do të thotë nuk janë pak të rinj, që kanë mundësi të hyjnë në administratë e të shërbejnë nga një kanal i dedikuar por e gjitha kjo është një sfidë e vazhdueshme dhe në mbyllje të kësaj përgjigje të gjatë, dua të them që ne nuk mund ti kapërcejmë të gjitha etapat, përveç se me shumë punë e me shumë durim. Mjafton të shikojmë raportin me drejtësinë. Sot ne kemi një situatë që hajde të çohet njëri këtu e të thotë që e merrte me mend që do vinte dita në një kohë kaq të shkurtër relativisht, që ajo ideja e paprekshmërisë do materializohej me figura të njohura, madje të shumicës qeverisëse, përtej të gjitha komenteve që mund të bëjmë. Por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që drejtësia po funksionon ashtu siç ne duam. Do kërkojë kohën e vetë sepse ka akoma gjykatës, prokurorë, që duhen pastruar nga vettingu, ka akoma nevojë që të forcohen institucionet e kështu me radhë e kjo nuk është diçka që bëhet sa hap e mbyll sytë se kam unë dëshirë apo se do qeveria. Janë disa gjëra që duan kohën e tyre. ne po ndërtojmë një sistem drejtësie për herë të parë në historinë e këtij vendi. Nuk ka pasur ky vend sistem drejtësie serioz, asnjëherë. Kur e ka pasur? Në kohën e komunizmit e kishte për punët e partisë, të regjimit. Përpara çfarë ka pasur? Kështu që flasim për të ngritur një sistem që bota që ne shohim e ka pasur në këmbë dhe e ka pasur funksional kur ne nuk ekzistonim fare si shtet.

Sikur këto hapa të ishin hedhur 20 vjet përpara, sot do ishim duke folur ndryshe por nuk u hodhën, sepse si duket nuk paska qenë kaq e lehtë sa duket tani kur ne po i hedhim këto hapa e kur njerëzit me të drejtë kërkojnë më shumë, se kanë pritur shumë gjatë, por që duan gjërat edhe kohën e tyre. nuk bëhen dot të gjitha përnjëherë dhe dy mandate nuk janë pak e tre tani, për një gjeneratë qeverisëse, por janë shumë pak si vite, si kohë, në raport me shtet bërjen dhe me ndërtimin e një sistemi drejtësie sidomos, që është shtylla kurrizore e shtetit.

– Zoti Kryeministër, unë këtu jam nga një grup të moshuarish, por përpara se sa të them diçka në lidhje me pyetjen, do të them një thënie të popullit. Gjuha vete ku i vend dhëmballa personit. Por ç’e do? Ti e shërove pa vajtur gjuha. Të faleminderit dhe urime, i dhe përgjigje, se unë për pensionistët do thoja.

Kryeministri Edi Rama: Unë e preka, por nuk e shërova, se shërimi është rritja e pensioneve, nuk është shpjegimi që pse nuk po rriten akoma. Megjithatë u përpoqa të jap një përgjigje në këtë rast të drejtpërdrejtë dhe pa bërë lojëra fjalësh, sepse ju e keni dëgjuar, e keni ndjekur që asnjëherë nëpër fushata nuk kam thënë do rrisim pensionet, e kanë thënë të tjerët, sepse e di që është gjëja më e vështirë për tu bërë dhe në momentin kur bëhet rritja e pensioneve, aty është realisht kurorëzimi i një faze dhe kalimi në një fazë tjetër për të gjitha gjërat e tjera, nuk është thjesht çështje.

– Sidoqoftë edhe shokët e mi e morën përgjigjen.

Kryeministri Edi Rama: T’i kishim të gjithë shokët si ju ne sot do ishim kushedi. Por nuk i kemi të gjithë si ju.

– Përshëndetje zoti Kryeministër! Duke parë pyetësorin e Këshillimit Kombëtar, u bëj një pyetje. Meqenëse efekti i vaksinës zgjat 6 deri në 7 muaj, detyrimi i pasaportës së vaksinimit a mos ndoshta jep ndonjë siguri të rreme?

Kryeministri Edi Rama: Arsyeja pse ne e kemi shtruar si pyetje është sepse kemi patur shumë dilemë për këtë. Shumë vende e kanë hedhur këtë hap, ndërkohë që ne kemi patur shumë dilemë sepse jemi në një fazë që sidoqoftë, jo se ka ikur rreziku, por po bashkëjetopjmë dhe në fund të fundit ka shumë rëndësi se çfarë ne mendojmë, a janë të ghatshëm, a duam që ne të kemi një pasaportë të gjelbër për ata që frekundtojnë mjediset e mbyllura publike apo jo. Është një vendim që ne mund ta marrim, por duam ekzaktësisht ta dimë se çfarë mendon shumica.

Prandaj, do t’u lutesha të gjithëve ta mbushin atë pyetësor, ta japin opinionin e tyre siç e kanë, bruto. Është shumë e rëndësishme që opinionet e Këshillimit Kombëtar të jepen bruto, pasi ëshstë dhe në anonimitet të plotë. Ndërkohë që, për efikasitetin e vaksinës sigurisht që pasaporta e gjelbër është një garanci më shumë nuk diskutohet për mjediset publike të mbyllura, por tani u bë dhe shumë kohë që njerëzimi lufton dhe stresohet nga gjithë kjo histori. Ne kemi qënë nga vendet më të shtrënguara në fazën e pare, pastaj kemi qënë nga vendet më liberale në fazën e dytë. Them që në përgjithësi nuk kanë shkuar gjërat keq. Do të kishte qënë mirë që të mos kishim një numër aq të konsiderueshëm njerëzish që nuk duan të vaksinohen. Ky është problem, por nuk jemi vetëm ne. Unë nuk di ta shpjegoj se si në kohët e sotme, me gjithë këtë informacion të jenë më të çorientuar një pjesë, sesa kur kishte më pak informacion, unë këtë nuk e kuptoj. Si mund t’i besohet më shumë Sazan Gurit, sesa shkencës, unë këtë nuk e kuptoj. Po them Sazan Gurit si simbol se Sazani ka gjetur dhe bën, por si mund t’i besohet disa njerëzve që flasin broçkulla, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, dhe jo shkencës, unë këtë nuk e kuptoj. Si mund t’i besohet thashethemeve pa lidhje fare dhe lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit dhe të mos i besohet fakteve tronditëse të atyre që humbasin jetën sepse nuk vaksinohen, sepse fakti është që ata që humbasin jetën pas fillimit të vaksinimit janë dërrmueshëm ata, që nuk vaksinohen. Nuk e di! Për mua është misteri i kohës që jetojmë.

-A ka shteti ndonjë përftitim nga legalizimi i kanabisit për qëllime mjeksore?

Kryeministri Edi Rama: Është shumë e rëndësihme që ta theksoj këtë që është për qëllime mjeksore, jo për përdorim të përgjithshëm, që do të thotë jo kultivim i lirë, se për qëllime mjeksore do të thotë që kultivimi bëhet në kushte jashtëzakonisht strikte, bazuar në standarde strikte ndërkombëtare, por edhe vendet e kultivimit janë vende të mbyllura, të monitoruara me kamera, etj për shkak se thelbi në këtë rast për një vend si Shqipëria është eksporti drejt kompanivetë caktuara farmaceutike me të cilat bëhen marrëveshjet në vendet perëndimore, në Izrael, psh në Kanada, etj. Dhe ato fabrika, ato sipërmarrje nuk ta marrin prodhimin nese prodhimi nuk është i zhvilluar në kushte farmaceutike në sensin si në famaci, d.m.th me standarde optimale. Natyrisht, kjo ka të mira për ekonominë, siç ka treguar rasti në vende të tjera, sepse është një prodhim më shumë në eksport dhe është një prodhim që akoma megjithëse nuk ëshstë më aq i shtrenjtë sa çishte në fillim fare, por është një prodhim që sjell goxha të ardhura. Kjo do të thotë që sjell të ardhura për ekonominë tonë, të ardhura për shtetin, kjo do të thotë edhe punësim cilësor sepse janë si laboratorë ato që përdoren për kultivim.

Është një aktivitet që vende të tjera që e kanë bërë. Mmaqedonia e Veriut ka kohë që e ka bërë, Greqia po ashtu dhe rezultatet që kemi parë në vende të tjera, tregojnë që është diçka që ia vlen. Ky nuk është një debat që bëhet sot, është bërë që në krye të herës, kur ne luftonim me kultivimin e paligjshëm, luftonim me kultivuesit e paligjshëm dhe atëherë kam thënë, që është diçka pozitive për ekonominë, por nuk është koha. Tani, jemi në kushtet kur do ta marrim këtë vendim pasi nuk jemi në kohën kur kultivimi ishte shqetësues. Ka akoma kultivim të paligjshëm, por është në sasi dhe në shifra që janë brenda normalitetit të luftës me aktivitetet e paligjshme dhe sigurisht që, edhe për këtë është shumë me rëndësi për ne që ta dimë se çfarë mendon shumica e njerezve, por jo vetem kaq, por t’u themi qytetarëve që të marrin pjesë dhe të ndjehen zotër të vendimmarrjes, qoftë kur është “po”, qoftë kur ëhstë “jo”, me tagrin e shumicës apo të pakicës në këtë rast. Ky është një këshillim, nuk është një referendum që do të thotë, përderisa ne e hedhim për mendim do të thotë që ne e hedhim vërtetë për të marrë mendimin e shumicës se po të ishte që nuk e donim mendimin e shumicës përse do ta hidhnim për mendim dhe çfarë vlere do të kishte nëse ne do të merrnim një vendim që i bie ndesh shumicës? Por jo shumicë imagjinare si shumica e atyre që janë sot në sherr me njëri-tjetrin se kush është shumicë atje, duke menduar që secili është shumicë në popull, se ata të dy bashkë janë pakicë në popull sepse po të ishte ndryshe, ne nuk do të qeverisnim dot faktikisht, por qeverisim sepse jemi produkt i shumicës dhe kështu është dhe me këto vendime.

Previous Takim me ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, z.Volodymyr Shkurov

Leave Your Comment