Në zbatim të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 512, datë 18.9.2021 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim” dhe të Urdhrit të Kryeministrit, nr. 136, datë 23.11.2021 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë për Media dhe Informim”, i ndryshuar, Agjencia për Media dhe Informim, shpall konkurrimin për vend të lirë pune në pozicionin:
Specialist në Sektorin e Informimit të Qytetarëve në Drejtorinë e Informimit të Qytetarëve, në Agjencinë për Media dhe Informim – kategoria III-b
Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
– Kujdeset për procesin e informimit të qytetarëve përmes menaxhimit të kanaleve dhe proceseve të drejtpërdrejta të komunikimit digjital ose jo, print ose on-line në përputhje me misionin e agjencisë për të informuar dhe komunikuar me publikun;
– Menaxhon dhe redakton publikimet dhe përmbajtjen e kanaleve zyrtare të komunikimit të drejtpërdrejtë digjital të Kryeministrit, Kryeministrisë, si faqja e internetit dhe mediat sociale, si dhe asiston zëdhënësit e ministrave dhe koodinatorët e Drejtorisë për Koordinimin e Ministrive dhe Agjencive në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e këtyre kanaleve për ministritë dhe agjencitë;
– Është përgjegjës për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e procesit të publikimit të materialeve të komunikimit të drejtpërdrejtë jo digjital të Kryeministrit dhe Kryeministrisë si raportet publike, broshura, fletëpalosje apo materiale të tjera që shërbejnë në misionin e agjencisë për të informuar dhe komunikuar me qytetarët. Gjithashtu asiston zëdhënësit e ministrave dhe koordinatorët e Drejtorisë për Koordinimin e Ministrive dhe Agjencive për kryerjen e të këtyre proceseve në ministritë dhe agjencitë e varësisë;
– Asiston në zbatimin e planeve dhe ndjekjen e hapave të nevojshme për organizimin dhe koordinimin e fushatave të informimit publik, të Kryeministrit dhe Qeverisë;
– Asiston në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e faqes zyrtare të internetit të Agjencisë për Media dhe 7Informim;
– Raporton pranë përgjegjësit të sektorit dhe drejtorit të drejtorisë për ecurinë e proceseve të informimit të qytetarëve;
– Garanton ecurinë dhe mbarëvajtjen e punës në grup përmes aftësive analitike dhe komunikuese me kolegët dhe eprorët.
Aplikantët duhet të plotësojnë kërkesat si më poshtë:
– Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor” apo “Master Profesional”;
– Preferohet të kenë eksperiencë të mëparshme pune në sektorë të ngjashëm.
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit:
Aplikantët duhet të paraqesin në Agjencinë për Media dhe Informim në adresën: Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Pallati Kongreseve, Tiranë ose në adresën e e-mailit vakance@mia.gov.al, këto dokumente:
- Letër interesi ku specifikohet emërtimi i pozicionit për të cilin aplikojnë;
- CV;
- Fotokopje të diplomës dhe listës së notave;
- Fotokopje të librezës së punës nëse kanë;
- Certifikatë të kualifikimeve nëse kanë;
- Numër kontakti dhe adresë e-maili.
Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve dhe dokumentacionit të plotë është data 22.11.2022. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda kësaj sjell skualifikim të aplikantit
Aplikantët njoftohen individualisht dhe nëpërmjet adresës së e-mailit ose telefonit për verifikimin e plotësimit të kritereve të kërkuara, procesin e ankimimit, datën e provimit me gojë si dhe për informacione të tjera të nevojshme.